15 dhjetor 2019

anazapta

Nga Blerina Hoxha

 

Përllogaritjet paraprake tregojnë së dëmet që ka krijuar tërmeti i 26 nëntorit në të gjithë vendin, tashmë i kanë kaluar 500 -600 milionë eurot.

Mijëra banesa në zonat e prekura nuk e kanë kaluar vlerësimin teknik, çka do të thotë se fatura do të rritet në ditët në vijim.

Duke ia lënë kohës faturën e saktë, ekspertët dhe institucionet janë duke analizuar se si dhe nga mund të gjenerohen burimet financiare për të përballuar situatën e krijuar?

Qeveria është vënë në lëvizje në dy drejtime:

1-Donacionet që përfshijnë një fushatë me qytetarët dhe bizneset në portalin E-Albania

2-Një sensibilizim mes donatorëve publikë dhe privatë në vendet e huaja.

Rama ka njoftuar se pret të grumbullojë në periudhën afatshkurtër 7 miliardë lekë, afërsisht 56 milionë euro, ndërsa 13 miliardë lekë (105 mln euro) do të rialokohen nga buxheti i vitit 2020.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili është caktuar ministër/koordinator kombëtar për procesin e rindërtimit njoftoi se deficiti buxhetor në vitin 2020 shkon në 2.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nga 1.6 për qind, që ishte programi.

Për rrjedhojë borxhi i ri nga rreth 29 miliardë lekë që ishte programuar në vitin 2020 do të arrijë 39 miliardë lekë.

Tre organizata të mëdha jo qeveritare, fondacioni “Firdeus” i drejtuar nga E.Naci, “Fundjavë Ndryshe” e drejtuar nga A.Hajdari dhe “Rrënjët Shqiptare” e gazetarit M.Mema kanë grumbulluar të gjithë së bashku gati 10 milionë euro.

Shoqatat pohojnë se do t’i administrojnë vetë këto fonde, duke u koordinuar me shtabet e emergjencës së qeverisë.

Agim Baçi një nga themeluesit dhe anëtar i Bordit të Fundjavës Ndryshe pohoi se, fondi prej 1.7 milionë eurosh i grumbulluar deri më tani do të përdoret për të ndihmuar shtresat më të varfra në zonat e prekura.

Fundjava do të ruajë të njëjtin profil si më parë duke ndihmuar në tre drejtime kryesore, si asistencë mjekësore për të varfrit, ndihma ushqimore dhe strehim.

Ndërsa zoti Naçi me fondacionin Firdeus,i cili ka grumbulluar deri më tani mbi 5 milionë euro ka marrë përsipër ndërtimin e shtëpive të dëmtuara në zonën e Thumanës.

Gazetari Mema i cili ka grumbulluar deri më tani gati 1.6 milionë euro ka pohuar publikisht se fondet e dhuruara do të përdoren në mënyrë të pavarur, por në koordinim me Komitetin e rindërtimit.

Paketa e plotë e rindërtimit të vendit do të miratohet nga qeveria me 19 dhjetor.

Ndërkohë ekspertë të ekonomisë kanë sugjeruar burime të reja se nga mund të krijohen fonde për përballimin e situatës.

 

1-Koncesionet mund të sigurojnë shifra marramendëse

Një ndër këto burime është anulimi i koncesioneve/ PPP.

Ky është momenti që kontratat mund të prishen pa penalitete sepse ligji parashikon prishjen e tyre për arsye të situatës së shkaktuar nga forca madhore.

Pra në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshmekontratat prishen pa penalitete, sidomos ato që nuk kanë filluar.

Qeveria ka kontraktuar më parë dhe ka në plan të kontraktojë tani 219 miliardë lekë koncesione. Kjo shumë është e barabartë me 1.7 miliardë euro deri në vitin 2032.

Vetëm në buxhetin e vitit 2020 qeveria pritet të financojë 120 milionë euro për kontratat PPP.

Qeveria dha prova më herët këtë vit, duke prishur në mënyrë të njëanshme kontratën e koncensionit me PPP për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar me qëllim devijimin e fondeve për të financuar arsimin e lartë.

Nga këto koncesione disa nuk përbejnë as prioritet dhe kanë shkallë të lartë kostosh.

Për shembull shërbimi shëndetësor laboratorik ofrohet në Shqipëri me kosto normale nga privatet pa llogaritur shtetin. Ndërkohë qe qeveria sapo ka dhënë këtë vit me koncesion shërbimin laboratorik me kosto së paku tre herë më të larta se sa e ofroi vetë. Organizata Botërore e Shëndetësisë e kundërshtoi këtë politikë.

Në të njëjtën situatë është edhe kontrata e koncesionit të sterilizimit, e cila për shkak të defekteve të saj ka kaluar kostot e parashikuara në kontratë me rreth 4 milionë euro vitin e kaluar dhe po kaq këtë vit.

Gjithashtu Rruga Milot-Balldren, pjesë e autostradës Adriatiko- Joniane që mund të financohet me fonde të huaja, mund të anulohet, pohojnë ekspertet e ekonomisë. Kontrata e cila tashmë është nënshkruar, por ende nuk kanë nisur punimet do na kushtojë më shumë se 270 milionë euro për 17 kilometër.

Gjithashtu koncesionet për inceneratorët, të cilët po marrin para përtej kuotave të punimeve, mund të jenë pjesë e rishikimit – sugjerojnë ekspertët.

Për më tepër kontratat koncesionare janë kundërshtuar dhe janë konsideruar të rrezikshme nga të gjithë partnerët financiare ndërkombëtare si FMN, BERZH, OBSH dhe BE.

 

2-Përdorja e Rezervës Valutore

Banka e Shqipërisë konfirmoi zyrtarisht se në varësi të situatës nuk përjashtohet që një pjesë e Rezervës Valutore të përdoret për përmirësimin e situatës.

Në fund të vitit 2018 rezerva valutore e vendit arriti gati 3.4 miliardë euro, duke u rritur gjatë vitit me 401 milionë euro, raportoi Banka e Shqipërisë.

Në një shpjegim të posaçëm për Monitor, burimet zyrtare në BSH thanë se, kuadri ligjor në fuqi, Kushtetuta dhe Ligji Për Bankën e Shqipërisë, i jep të drejtë Bankës së Shqipërisë të disponojë dhe të administrojë rezervën valutore të vendit.

Në një përkufizim të përgjithshëm, Ligji Për Bankën e Shqipërisë përcakton se qëllimet e rezervës valutore janë mbështetja e politikës monetare dhe e asaj të kursit të këmbimit, si dhe sigurimi i aftësisë paguese të vendit për detyrime që ka me palë të huaja.

Por Banka e Shqipërisë pohoi se do të monitorojë në vazhdimësi nëse ekzistojnë premisat e nevojshme dhe të arsyeshme për përdorimin e rezervës valutore.

Rezerva valutore e vendit aktualisht është e aftë për të përballuar 7 muaj importe, teksa kufiri i përcaktuar edhe në marrëveshjen me FMN është të financojë 4 muaj importe.

 

3-Anullimi i shpenzimeve për luks zyrash

Buxheti i vitit 2020 parashikonte para tërmetit shpenzime në masën e 519 miliardë lekëve ose 4,2 miliardë euro. Edhe pa efektin e tërmetit ky buxhet vuante parashikimet jorealiste dhe një barrë detyrimesh të prapambetura të pakontabilizuara në llogaritë e borxhit publik.

Gjithsesi Buxheti 2020, sipas ekspertëve, ka vend për kursime në zërin e shpenzimeve operative dhe mirëmbajtjes. Në këto zëra janë programuar më shumë se 50 miliardë lekë ose 2.6% për qind e PBB-së.

Një përqindje e këtij zëri të madh buxhetor shkon për orendi dhe pajisje zyrash.

Këto para mund të shkojnë në procesin e rindërtimit.

Gjithashtu pushteti lokal mund të futet në masa shtrënguese të financimeve nga buxheti për shkak se stafet e bashkive janë të mbingarkuara me punonjës, të cilët duhet të shkurtoheshin qysh nga reforma territoriale e vitit 2015.

 

 

****

Me shkurtime nga Monitor.

Titulli dhe nëntitujt janë të redaksisë së Dita.

Foto shoqëruese, një fëmijë 10 vjeçar i mbijetuar nga shkatërrimi i Thumanës, fotografuar nga gazetari Enrik Mehmeti

 

d.a. / dita

Share This Article
1 Comment
  • Aman, na thoni cfare i ka ndodhur GRAMSHit, jemi ne merak te madh ne qe zhvillonim format e edukimit me shkrimet e shkeldhyera te tij. Po ka vdek na thoni t’i gjejme zevendsuesin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *