15 kushtetuta në 100 vjet shtet shqiptar

redaktor

12-15 kushtetuta në 100 vjet? Një Kushtetutë për më pak se një dekadë, – një eksperiment i vazhdueshëm në marrëdhënien e brishtë të shqiptarëve me shtetin dhe regjimet e tyre. Kushtetuta është “e shenjtë”, – thonë politikanët, të cilët kanë perceptim tjetër mbi “shenjtërinë” nga ai që përcaktohet në fjalorin politik dhe fetar. Të gjithë e dimë se Kushtetuta është baza ligjore mbi të cilën ngrihet shteti dhe funksionon qeverisja. Ekzistenca e saj nuk tregon se shteti e shoqëria ecin në rrugë ligjore. Shembulli shqiptar është ilustrues: në 100 vjet shtet shqiptarët kanë patur rastin të kenë 12-15 kushtetuta, por është e vështirë që në shekullin e tyre shqiptarët të gjejnë 12-15 vite të lumtura! Pra Kushtetuta është tregues e normë pozitive, por jo garancia e pozitivitetit. Parimet e saj, fryma e saj, konsensusi rreth saj dhe vullneti për bindje e sjellje me integritet ndaj saj përbëjnë çelësin e suksesit dhe natyrës kushtetuese. Tradita jonë është modeste: më shumë kemi besuar e ndjekur me besnikëri udhëheqësit e pushtetet e radhës sesa Kushtetutat mbi të cilat ata sunduan!

Kushtetuta aktuale u miratua më 1998. Opozita (e atëhershme dhe e sotme) e bojkotuan votimin. Kushtetuta nuk mori shumicën e votave të qytetarëve, por shumicën e atyre që shkuan në votim, pra votat e një krahu politik. Gjithsesi miratimi i saj ishte sukses, ndryshim pozitiv dhe tregues serioziteti në mentalitetin ndaj shtetit. Përpjekjet e njëanshme 1993 dhe 1994 dështuan, kjo e fundit përmes votës popullore. Gjithsesi, më 2008 dy palët politike, bazuar në interesat e tyre thellësisht partiake dhe të momentit, si dhe në ambiciet personale të secilit lider politik, – ndryshuan norma e praktika me rëndësi kushtetuese, me ndikim të madh në sistemin zgjedhor, politik, përfaqësues dhe balancues të pushteteve. Shoqëria civile ishte kundër, disa parti të vogla ishin kundër (sot kanë ndryshuar mendje), por nuk pati më referendum. Pra, kontrata sociale e politike (kushtetuta 1998) u ndryshua nga njëra palë e kontratës (politika), pa pyetur palën tjetër (qytetarët).

Më 2012 konsensusi politik ndryshoi kushtetutën në pjesën për imunitetin. U tha se do jetë sukses i madh historik në luftë ndaj korrupsionit. Në fakt, pasi u kufizua imuniteti asnjë zyrtar i lartë nuk është përballur me drejtësinë për korrupsion, pra ndryshimi nuk ishte as funksional, as historik dhe as dobiprurës. Me ndryshimin e strukturës administrative të vendit (2015) ka mbetur në fuqi institucioni i qarkut, i cili, pranohet nga çdo palë politike dhe aktor publik, se është i tepërt, jo efikas dhe duhet shfuqizuar. Procesi i integrimit të vendit dhe detyrimet shtetërore që burojnë prej tij nxjerrin në pah nevojat e rishikimit të disa elementëve dhe praktikave kushtetuese, sidomos referuar çështjeve të sigurisë dhe angazhimeve ndërkombëtare të vendit. Krahas tyre, ekzistojnë edhe detyrime kushtetuese, për shembull, nevoja për ligje organike për institucionet kushtetuese, të cilat megjithëse citohen në dokumentin kushtetues të vitit 1998, ende nuk janë miratuar dhe as nuk janë pjesë e axhendës afatshkurtër parlamentare. Pra, Kushtetuta do ndryshohet përsëri.
Më 2015 pothuajse të gjitha palët politike flasin për ndryshime kushtetuese. Nuk ka dilemë se do ketë ndryshime, dallimet gjenden vetëm në detajet, – për çfarë dhe sa. Preteksti është reforma në drejtësi dhe çështja e dekriminalizimit. Për drejtësinë ka konsensus e ndërgjegje që duhet reformë përfshirë ndryshime kushtetuese (dallimi është: sa, çfarë dhe si), por për dekriminalizimin retorika është fyese dhe pa sens. Kriminelët në politikë nuk kanë ardhur nga jashtë sistemit, por nga vetë sistemi: ata janë emëruar nga 2-3-4 emra që janë liderit kryesorë politikë. Tani kërkohet të ndryshohet kushtetuta që ti bindim këta 2-3-4 emra që të mos na sjellin më kriminelë në vendimmarrje. Në fakt i sollën 4-5 të rinj në zgjedhjet lokale dhe sapo kanë nisur mandatin 4 vjeçar. Ata i emëruan vetë, i mbrojnë vetë, i kanë miq e sponsor, i mbrojnë më mirë se avokatët e tyre dhe kështu, sikur 1000 ndryshime kushtetuese të bëhen, 2-3-4 liderit politikë nuk do ndryshojnë mendje as praktikë, sepse i përkasin këtij sistemi të kalbur, janë produkt i këtij sistemi dhe sponsor jetësor të tij.

Debati mbi drejtësinë është më serioz: ndryshime kushtetuese për KLD? Për Presidentin? Për Gjykatën e Lartë e Kushtetuese? Për Prokurorinë? Po, janë ecje në drejtimin e duhur, por jo me përgjegjësinë, vizionin dhe sensin e duhur. Sepse ne kemi nevojë të zgjerojmë demokracinë: më shumë demokraci direkte, deputetët të zgjidhen nga qytetarët, Presidenti të zgjidhet nga qytetarët, drejtuesit e institucioneve të zgjidhen me votim alternativ (90% zgjidhen pa kandidatë rivalë), numri i deputetëve të shkurtohet, institucioni i qarkut të shkrihet, detyrimet në emër të integrimit në BE të kryhen në kohë, etj, etj. Për këto të fundit nuk ka komision dhe as debat profesional, nuk flet askush nga selitë e partive, nuk ka vend në programet elektorale dhe as prioritet në axhendën e mazhorancës / opozitës. Të gjithë këta flasin vetëm për pjesën e parë, fushatën e radhës, drejtësinë. Ka ide të mira, por në përvojën tonë duhet pritur dita e fundit për të parë nëse idetë janë më të rëndësishme sesa interesat afatshkurtra politike, siç fatkeqësisht shpesh ka ndodhur. Zhvillim kritik fakti se zërat më aktivë nuk janë ekspertët apo politikanët ekspertë, por ata që kanë pasur e kanë më shumë punë me drejtësinë, me akuza për korrupsion e shkelje ligji, abuzime dhe nepotizëm. Shqetësimi është se ata tani duan një drejtësi të re ….për vete ose një drejtësi me konsensus…..për secilën palë politike!
Qytetarët? Kush ka kohë të merret me ta, – ata nuk kanë gojë, nuk kanë zë, nuk kanë vendimmarrje, nuk kanë mekanizëm mbrojtës, nuk kanë vila në Lalz dhe as nuk bëjnë tendera. Pra, palët de facto mendojnë sesi të përfitojnë më shumë pushtet dhe jo të transferojnë pushtet, sesi të kontrollojnë sistemin dhe jo ta bëjnë atë më transparent dhe të besueshëm, sesi ti detyrojnë qytetarët të votojnë të preferuarit e tyre dhe jo e anasjelltë, që qytetarët të përzgjedhin udhëheqësit dhe vendimmarrësit në emrin e tyre! Çfarë rëndësie ka nëse ndryshon skema e zgjedhjes së institucioneve kushtetuese (nga Kuvendi) nëse vetë Kuvendi nuk është produkt direkt i votës qytetare? Ky është një kontrast i thellë, shumë domethënës dhe paralajmërues se ndërhyrja kushtetuese 2015 nuk do jetë e fundit dhe as zgjidhje e plotë e funksionale.

Në gjuhën profesionale: kushtetuta dhe nocionet kushtetuese në jetën politike, institucionale dhe publike në Shqipëri janë përballur po me ato tipare të vetë vlerave të sistemit demokratik: mosnjohje, traditë të brishtë, krijimin e liderëve të fortë në vend të institucioneve të forta dhe kritika mbi legjitimitetin dhe produktet konkrete të tij. Natyra eksperimentale e sistemit tonë kushtetues është ndikuar edhe nga eksperimentimet në format e qeverisjes dhe modelin qeverisës, në importin nga jashtë të formave të ndryshme dhe në tendencën për ta përshtatur sistemin politik me kushtetutën, jo e anasjelltë. Kritikat e vazhdueshme, p.sh, se partitë shqiptare kanë më shumë pushtet sesa u njeh kushtetuta, se hapësira të interpretueshme në Kushtetutë përdoren e keqpërdoren nga politika e ditës për të justifikuar akte të njëanshme politike të tyre dhe se brishtësia e sistemit përfaqësues buron nga vetë brishtësia e nocioneve, normave dhe institucioneve kushtetuese, – janë tregues se Kushtetuta, me gjithë progresin dhe retorikën populiste e televizive të politikës, ende nuk është bërë pikë referimi e pakontestueshme nga politika dhe qytetarët./lajmepolitike

Share This Article
3 Comments
  • “Opozita (e atëhershme dhe e sotme) e bojkotuan votimin. Kushtetuta nuk mori shumicën e votave të qytetarëve, por shumicën e atyre që shkuan në votim, pra votat e një krahu politik.”
    eh o afrin tu bëftë nëna për mëndjen që më ke!!
    nxjerr përfundime të mënçura që vështirë se të mos të të bindin!!
    jo shumicën e qytatarëve por të atyre që shkuan në votim,pra të një krahu politik!!
    shkoooooooooooooo mor pirdhu!!idiot në infinit!!

  • ËSHTË I MJERË AI POPULL, ITINERARI I JETËS SË TË CILIT FILLON NË KUZHINË E MBARON NË WC.
    Duke qenë indiferent ndaj fateve të tij jetikë, populli ynë, i përçarë e i shtypur pa mëshirë, ka kaluar nga Humbja në Humbje qysh prej një shekulli e në vazhdim…
    Ja shkaku i falimentimit të popullit-turmë shqiptar, me një historik tragji-komik 100 vjeçar e me histori vetëm në kohën e Gjergj Kastriotit:
    I N D I F E R E N T Ë T
    Antonio Gramshi
    I urrej indiferentët e besoj, si Friedrich Hebbel, që « të jetosh, do të thotë të jesh aktivist» e që njerëzit e ndarë nga qytetërimi nuk mund të ekzistojnë. Kush jeton me të vërtetë nuk mundet të mos ketë qytetari dhe as të veçohet. Indiferenca është plogështi, parazitizëm e mungesë burrërie. Indiferenca nuk është jetë e për këtë unë i përbuz indiferentët.
    Indiferenca është pesha e vdekur e Historisë, është goditje plumbi për novatorin, është materia inerte që fundos shpesh entuziazmet më të ndritur në moçalet e kufomave të qytetërimit të vjetër, të cilin e ruan më mirë sesa muret e fortesave, më mirë sesa gjoksi i luftëtarëve të saj, mbasi ajo gëlltit trimat në thellësitë e tokës së etur, i dekurajon dhe ndonjëherë i bën edhe të tërhiqen nga ndërmarrja e tyre heroike. Indiferenca vepron fuqishëm në Histori. Ajo vepron në mënyre pasive, por ajo vepron. Ajo është fataliteti. Ajo është e tillë që të lë pa mbështetje. Ajo është e tillë, që të çorganizon programet, t’i përmbys planet e ndërtuar më së miri; është materia e papërpunuar që rebelohet me inteligjencën dhe e ndrydh atë. E keqja më e madhe që buron prej saj është se në vend që të ketë përfitim nga një akt me vlera të mëdha për njerëzimin, ka humbje, për shkak të indiferencës së një grupi që vepron me mospjesëmarrjen e tij, me mungesën e tij numerike …
    Ajo çfarë ndodh, nuk ndodh për shkak të një numri njerëzish që shpreson që kjo të ndodhë, por për shkak të kësaj mase që ligështohet e heq dorë nga vullneti, që veçohet e i lë gjërat në dorë të fatit, që tërhiqet dhe lejon të lidhen të tilla nyje, që vetëm shpata mund ti shbëjë, që lejon shpalljen e ligjeve që mund t’i shfuqizojë vetëm rebelimi, që lejon të mbërrijnë në pushtet të tillë njerëz që vetëm një kryengritje mund t’i përmbysë. Fataliteti që duket sikur dominon Historinë, nuk është asgjë tjetër veçse pamja e gënjeshtërt e kësaj indiference, e kësaj mungese.
    Shumë prapaskena gatuhen në hije. Një numër i vogël njerëzish mund të veprojnë jashtë normave të kontrollit, duke ndryshuar strukturën e jetës së komunitetit, në nje kohë që masa tjetër e injoron këtë veprim dhe as që e vret mendjen të lodhet për një gjë të tillë. Fatet e një brezi mund të manipulohen për shkak të vizioneve dhe koncepteve të kufizuara, qëllimeve të çastit apo ambicieve dhe pasioneve vetjake të një grupi të vogël njerëzish, në një kohë që masa tjetër i injoron ato e as do t’ia dijë për pasojat. Por e keqja është se faktet dalin në skenë pasi janë pjekur dhe vetëm atëherë, kur pëlhura e endur në hije është përfunduar… e pastaj duket sikur është fataliteti ai që shkatërron gjithçka dhe të gjithë, duket sikur Historia nuk është gjë tjetër veçse një fenomen i jashtëzakonshëm natyror brenda të cilit ne jemi të gjithë viktima, dashje pa dashje, me ose pa dëshirën tonë, me ose pa dijeninë tonë, edhe nëse kemi vepruar apo kemi qenë indiferentë.
    Dhe së fundi, kjo masë njerëzish inatoset, dëshiron të shpëtojë nga pasojat, duke kërkuar se kush është fajtori e duke i larguar përgjegjësitë nga vetvetja. Disa madje ankohen me devocion, të tjerë mallkojnë në mënyrë të turpshme, por asnjëri prej tyre nuk i bën pyetjen vetes: «në qoftë se do ta kisha kryer edhe unë detyrën time, apo në qoftë se do të kisha provuar ta pohoja dëshirën time, këshillën time, a do të kishte ndodhur vallë kjo që ndodhi»?
    Mirëpo askush, ose pak njerëz, mund të fajësojnë veten se kjo ndodhi për shkak të indiferencës së tyre, skepticizmit të tyre, apo pse ata nuk ia dhanë ndihmën në kohën e duhur atij grupi me ndjenjë të lartë qytetarie që, me të drejtë, për të evituar të keqen, propozoi të luftonte për të fituar drejtësia.
    Pjesa më e madhe e tyre, përkundrazi, preferojnë të flasin për dështimin e idealeve, të programeve të shkatërruar përgjithmonë e banaliteteve të tjera të ngjashme me to. Ata rifillojnë kështu t’i shmangen plotësisht përgjegjësisë. Dhe kjo nuk ndodh vetëm se ata nuk i shohin qartë gjërat, ose nuk janë në gjendje të gjejnë zgjidhje për problemet më urgjente. Problemi është se këto zgjidhje mbesin gjithnjë shterpë dhe se kontributi i tyre në jetën e komunitetit nuk animohet nga asnjë ndjenjë morale; ai është produkt i kuriozitetit intelektual dhe aspak një ndjenjë e fortë përgjegjësie historike, e cila duhet të na përfshijë të gjithëve e që nuk pranon as agnosticizëm e as indiferencë, e cilitdo lloji qoftë.
    Unë i përbuz indiferentët edhe për arsyen se ankesat qaramane të këtyre «inocentëve të përjetshëm» më bezdisin. I kërkoj llogari secilit prej tyre për mënyrën sesi e ka kryer detyrën ndaj jetës për atë që ajo i ka falur e i fal çdo ditë, për atë që kanë bërë e për atë që nuk kanë bërë. Dhe e ndiej për detyrë të mos kem mëshirë për ta e të mos i ndaj lotët e mi me të tyret.
    Unë jam veprimtar; jetoj e ndihem burrëror në ndërgjegjen time, mbasi luftoj për lumturinë e së ardhmes, të cilën e ndërton e gjithë qenia ime. Dhe brenda saj, zinxhiri social nuk bazohet në një numër të vogël elementësh; brenda saj, asgjë që ndodh nuk është rastësi apo fatalitet, por është vepra inteligjente e një qytetari.
    Ndërgjegjja ime nuk mund të pranojë asnjë njeri që qëndron në dritare e bën sehir gjatë kohës që një numër i vogël njerëzish sakrifikohen e derdhin gjakun në këtë sakrificë. Atë që mbetet në dritare vetëm për të parë, që e ka mbushur jetën vetëm me atë pak gjë që mund t’i ketë ofruar aktiviteti i tij personal dhe që e zbraz zhgënjimin e tij duke poshtëruar të sakrifikuarin, atë që është përgjakur, vetëm pse sakrifica e tjetrit nuk ia ka përmbushur synimet e tij, – atë nuk mund ta pranoj. Unë jetoj. Unë jam një partizan, një mbështetës. Për këtë arsye, i përbuz të gjithë ata që nuk marrin pjesë. Pra, i urrej indiferentët.

  • “12-15 kushtetuta ”
    uou krasniq 12 apo 15 nuk jemi tu fol me përafërsi or taj!!nëse kanë qënë 12 kushtetuta të plota!’thuhet 12!
    nëse kanë qënë rregullime në kushtetutë nuk hyn në renditje!!
    bëhuni njëherë të saktë dhe përdorni masat e sakta dhe jo matje me pëllëmbë!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *