Rrëfimi nga qelia e Shënkollit i Bajram Mustafajt: Tropojani i burgosur, shoqërues i Berishës gjatë ngjarjeve të 97-s dhe ish-njeri i afërt i Hajdarit
Detajet e panjohura të vrasjes në tragetin e Komanit të Isuf Halucës 22 vjet më parë, për të cilin u tha se u ngatërrua me Azem Hajdarin. Në çfarë rrethanash Haluca veshi pardesynë e famshme të Hajdarit dhe a ishte vetë ky i fundit që i dha veshjen fatale. Rrëfimi për mitingun e 97-s në Bajram Curri: “Dola unë dhe Liri Berisha, megjithëse Berishës i thamë që njeriu i parë që dilte në tribunë do vritej”… Çfarë mendon ish-njeriu i afërt i Berishës për arsyet pse ai nuk shkon kurrë në kullën ku u rrit.
Bisedoi në linjë telefonike
Aida Nako
Bajram Mustafaj është nga Tropoja, aktualisht vuan dënimin në burgun e Shënkollit. Para disa kohësh vëllai i Bajramit, Fatmir Mustafaj kontaktoi DITA-n dhe na tha se Bajrami ka tentuar vetëvrasjen pasi ja “kanë humbur me dashje drejtuesit e burgut një zarf me karakteristikën të cilën ja kishte lëshuar bashkia e B. Currit për t’ja çue Presidentit të Republikës për lirim parakohe”.
Vëllai ishte i bindur që Bajramit ia kanë humbur kinse dokumentat dhe shkaku janë disa letra që ai ka dërguar para zgjedhjeve të 23 qershorit në DITA.
Bajrami ka dërguar vërtet disa letra në rubrikën e lexuesve në DITA ku herë pas here ka denoncuar veprime që ai shihte në burg. Në një prej tyre përshembull ai akuzonte ish Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra për abuzime me fondet e ilaçeve për të dënuarit. “Na ka lënë pa ilaçe dhe me lekët e ilaçeve ka shpërndarë ushqime në këmbim të votës për Partinë Demokratike. Ne të burgosurit kemi më shumë se një vit që ilaçet duhet t’i blejmë me lekët tona, kemi shpresën se me fillimin e hetimit, do vihet në vend drejtësia” – shkruante asokohe Bajrami nga qelia.
Në një letër më pas ai denonconte vdekjen e një të dënuari. “E dashur DITA. Ka vdekur sot në Spitalin e Burgjeve në Tiranë i dënuari Xhafer Hoxha, 67 vjeç, nga Dibra me banim në Vau i Dejës, rrethi Shkodër, i dënuar me 7 vite burg. Kishte për të kryer edhe një vit nga dënimi i dhënë. Vuante nga një sëmundje e rënde, por mjekësia nuk ja argumentoi se sëmundja që vuante Xhafer Hoxha ishte e rrezikshme për jetën, prandaj edhe Gjykata e Rrethit Lezhë nuk e liroi nga burgu. Kjo është mjekësia ligjore e cila është kthyer në agjensi funeralesh, bashkë me Spitalin e Burgjeve – shkruante në nëntor Bajrami.
Disa herë ai na ka shkruar që në qeli i hapeshin probleme nga letrat që na dërgonte. “Fill mbas shkrimeve të mia në gazetën DITA, për mua jeta më është bërë e tmerrshme këtu, pasi jam provokuar duke u ofenduar. Kur unë po kthehesha nga tualeti polici Petrit afrohet tek dera e infermierisë ku unë shkoj shpesh pasi jam keq nga ana shëndetësore dhe më ofendon shumë rendë. Për këtë i çova letër drejtorit të burgut, Kastriot Piroli, i cili nuk merr mundimin të më takojë, përveçse rastësisht jam takuar me drejtorin tek dera e burgut i cili më tha: do ta takoj policin dhe do flas unë… Më datë 15 gusht, i jam drejtuar me letër Avokatit të Popullit por nuk më janë nisur letrat deri me datë 19 gusht nga sekretari i drejtorit. Vetëm kur unë lashë insulinat mi kanë nisur letrat…”
Bajrami na shkruan edhe që është dëshmitar okular i shumë ngjarjeve në Tropojë që kanë të bëjnë sidomos me dy nga politikanët më të përfolur të kësja treve: Berisha dhe Azem Hajdari. E kemi pyetur rreth këtyre ngjarjeve. Dhe ai tregon…
Bajram ju i keni shkruar DITA-s që keni njohje personale me Hajdarin dhe Berishën dhe keni qenë dëshmitar në shumë ngjarje të 97-s që kanë të bëjnë me ta. Më konkretisht në çfarë?
Unë vura në rrezik jetën time dhe të familjes. E vura në pozitë tepër të vështirë të gjithë fisin tim Mustafaj në vitin 97, atë ditë kur Berisha u nis nga Tirana për Tropojë. U ndal në fshatin GRI, kurse Azem Hajdari erdhi në qytet, ku situata ishte tepër e tensionuar. Fonia që ndodhej në tribunë ishte dëmtuar dhe qëlluar me armë.
Sapo vjen Azam Hajdari në qytet, një person i dërguar nga shefi i komisariatit Tropojë i tha se: Sali Berisha nuk mund të vij në Bajram Curr’ për miting, ka urdhëruar ministri i Brendshëm. Ne nuk japim garanci për mbrojtjen e z.Berisha, dhe mitingun ta zhvillojë Azem Hajdari. Aty ishim, Azem Hajdari, Mustaf Tahiri, unë Bajram Mustafaj, Azgan Haklaj. Pas këtij deklarimi filluam të debatonim me Azemin, pasi ky tha që të fillojmë mitingun shpjet e të shkojmë te z.Berisha për t’u nisur në Tiranë se gjendja është e rëndë dhe ministri e ka dhënë këtë urdhër për ta mbrojt Berishën, prandaj duhet zbatuar. Nuk na erdhi hiç mirë nga ky mendim i ministrit dhe i Azemit, prandaj e kundërshtova Azemin duke i thanë se Sali Berisha nuk është nis nga Tirana në vitin 95 dhe e zuni 97 në rrugë. U fut Azgan Haklaj e tha edhe sikur me u shkri ma sa jem këtu, Sali Berisha duhet me ardh patjetër sot këtu dhe e ka mirë Bajrami që tha ashtu. Azemi, pak me nervozizëm tha kush ka bythë me e pru sot Sali Berishën këtu? Unë i thashë Azem shkoj dhe e bie në Kolgecaj Sali Berishën tani. Po tha Azgan Haklaj, shkoj unë me Bajramin, dhe kështu vendosëm.
Çfarë ndodhi më pas?
Morëm fuoristradën e Azemit me shofer Sali Lushën dhe një oficer të Gardës dhe u nisëm ma poshtë. Takuam edhe të ndjerin Syl Lusha dhe kështu shkuam në fshatin Gri rreth 5-6 km larg nga qyteti. Sapo mbërrimë aty pamë një varg të madh makina policie edhe civile që e shoqëronin z.Berisha. Zbritëm nga makina jonë, edhe z.Berisha zbriti nga makina e vet. Pasi u takuam, e vumë në dijeni për situatën si dhe për atë që na tha shefi i komisariatit për vendimin e ministrit të Brendshëm. Mbasi biseduam, Berisha tha ju a e dini se bandat kanë than’ se kush del në tribunë i pari do të vritet? Kjo nuk ka rëndësi i thashë unë, në tribunë po dalë unë i pari bashkë me znj.Lirie Berisha. Kështu vendosëm dhe u nisëm për në qytet. Sapo u futën në qytet i thashë Azganit hape derën e fuoristradës pasi kështu rrezja është më e madhe dhe mundësia është më e vogël që të na e bllokojnë nga mbrapa nesh makinën e z.Berisha. Kështu mbërrimë te bashkia ku do të bëhej mitingu. Zbrita nga makina dhe shkova e hapa derën e benxit ku ishin Sali dhe Lirie Berisha. E hapa derën dhe e kapa nga krahu znj.Lirie dhe shkuam të dy drejt tribunës, ku znj.Lirie filloi të flas para popullit të Tropojës. Mbas disa minutash, pasi e pamë që situata ishte e favorshme ja kam ba me dorë z.Berisha, i cili doli nga makina dhe erdhi drejt meje, pasi vetëm unë, znj/Lirie ishim në tribunë. Ja kam dhanë dorën për kortezi dhe e kam ftuar në tribune. Berisha më tha ti Bajram nuk do të largohesh, por do të rrish këtu me mua. Mirë i thashë dhe ashtu bëra duke qëndruar ngjitur me zotin dhe zonjën Berisha derisa mbaroi mitingu me të mirat dhe peripecitë e tij. Mbas mitingut shkuam në Dushaj ku e përcollëm Berishën dhe gjithë ata që e shoqëronin. Lirie Berisha më tha ti Bajram do të jesh mik i shpisë tonë përjetë me këtë që ti bane. Ata u nisëm me traget për në Tiranë , kurse ne u kthyem për në shpijat tona.
Në një letër së fundi na shkruani se keni disa të dhëna mbi vrasjen e Isuf Halucit, për të cilën ekziston legjenda që u vra se e ngatërruan me Azem Hajdarin. Çfarë dini konkretisht?
Tash që kanë kaluar 22 vite nga vdekja e shokut tonë të dashur Isuf Haluci, shumë gjëra janë akoma enigmë për vrasjen e tij. Të interesuar ishin disa drejtues kryesorë të PD-së në ato vite për eliminimin si të Isuf Halucit dhe shumë të persekutuarve të tjerë, pasi shiheshin si rrezik evident i prishjes së planeve të tyre të mbrapshta që kishin në orientimet e tyre politike. Në analizë pas disa viteve them se i kishin marrë prej ustallarëve të tyre, të cilët i kishin caktuar në ato poste drejtuese në PD. Kjo doli fare qartë kur u eliminuan njëri pas tjetrit shumë prej figurave kryesore në PD, të cilët kishin rol determinant, por që do të ishin edhe një rrezik, pasi nuk do të pranonin kurrsesi që PD-ja të bëhej kjo që është sot. Këtë e tregon qartazi e gjithë veprimtaria e PD-së në këto 24 vite. Më kujtohet si sot ajo ditë e 29 Shkurtit 1992, kur një ditë përpara kishin ardhur në Tropojë drejtuesit kryesorë të PD-së, Sali Berisha, Azem Hajdari dhe ish-Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të rinisë shoku Mehmet Elezi, i cili në fjalën që mbajti volli vrer kundër regjimit të PPSH-së, pasi ai regjim kishte shkatërruar dinjitetin e popullit shqiptar. Një gjë nuk na e tha shoku Mehmet Elezi: cilët ishin personat dhe hallkat që e mbajtën gjallë PPSH-në për 50 vjet? Nuk na tha as se çfarë roli kishte luajtur shoku Mehmet në jetëgjatësinë e atij pushteti me postet të cilat i ishin besuar nga shoku Enver Hoxha. Ai tha vetëm kaq: “ai regjim ishte i keq dhe e vetmja shpresë ku duhet të keni besim është Sali Berisha me shokët e tij, pasi vetëm këta mund ta kuptojnë kush ishte në të vërtetë PPSH-ja, pasi anëtarët dhe drejtuesit e asaj partie do ta kenë më të lehtë për t’ua vënë në dukje gabimet dhe për t’i riparuar çfarë ata prishën!” Kjo do të thotë se lojtari i shitur tek ekipi tjetër i njeh taktikat dhe mënyrat se si luan ekipi ku mori pjesë për shumë vite dhe e ka më të lehtë që t’ua prishi aksionet atij ekipi. Pra, e thënë shqip: personat që i duheshin vendit ishin këta, pra Sali Berisha me mehmeta e me të tjerë, paçka se ishin drejtues kryesorë të atij sistemi. Pra, këtyre shokëve duhet t’u besohet drejtimi i shtetit, pasi Zoti ua kthjelloi mendjen dhe u larguan prej atij sistemi ku edhe këta vetë kanë qenë të terrorizuar.
Dhe ky takim shkruani ju në letër me ironi, u bë te tyrbja e Dervish Luzhës…
Po. Për t’i bërë fjalët dhe përbetimet e tyre të besueshme, ky takim u mbajt tek tyrbja e Dervishit të Luzhës. Ja se në çfarë shkalle kishte arritur hipokrizia dhe pafytyrësia e tyre, kur Mehmet Elezi fillon të flasë me superlativa për Dervish Luzhën: “ky njeri i madh i popullit të Tropojës, me mendje prej gjeniu, me një mjekër të butë si mëndafsh…!” O Zot! A nuk ishte ky Mehmet Elezi ish-Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të rinisë, i cili pati drejtuar çetat të cilat ja rruajtën mjekrën Dervish Luzhës?! Hapu tokë e përpije këtë popull, pasi jemi ne ata që kemi dëshirë dhe e pranojmë që të tjerët me më pak moral se ne të na bëjnë BUDALLENJ! Këtu u mbyll ky takim dhe të nesërmen, më datë 29 Shkurt do të bëhej miting në B.Curri, por ky takim tek tyrbja u duhej për t’i mbushur mendjen popullit se këta janë njerëz të Zotit, pavarësisht se patën prishur kisha e xhami dikur, por tani do t’i ndërtonin shtëpitë e Zotit, pasi atëherë gabuan, pasi ashtu ishte sistemi!
Çfarë ndodhi mëngjesin e 29 shkurtit? Çfarë lidhje ka kjo me këtë historinë e famshme të pardesysë së azemit dhe vrasjes së Isuf Halucit?
Në mëngjesin e datës 29 Shkurt u takuam tek zyra e PD-së në B.Curri me Sali Berishën, Azem Hajdarin etj., ku biseduam për mitingun e pasdites që do mbahej në qendër të qytetit. Azem Hajdari më kërkoi që të siguroja 30 litra benzinë, pasi i duhej Përparim Çaushit për fugonin e tij, pasi do të shoqëronte në Tiranë kamionin që do të çonte veturën e Azem Hajdarit, të cilën ja përplas me një shtyllë një ditë më parë djali i xhaxhait të Azemit, por që të rregullohej duhet ta çonin në Tiranë. Meqenëse unë kisha mundësi, pasi isha punonjës në ndërmarrjen tregtare Tropojë, kisha 800 litra benzinë në dispozicion për nevojat e ndërmarrjes, prandaj i thashë se do ua jap unë. Kështu unë shkova tek distributori dhe aty erdhi Përparim Çaushi me furgonin e tij. Me vete kishte Isuf Halucin, Petrit Gjyryqin, Qani Qerjama, Skënder Jaupi, të cilët do ta shoqëronin kamionin me veturën e Azemit.
Gjatë kësaj kohe që po furnizohej me benzinë fugoni, vjen Azem Hajdari i cili na thotë se po shkonte në Bujan tek familja Shpataj. Para disa ditësh asaj familje i kishin vrarë një burrë të asaj shtëpie. Pasi atje është edhe Sali Berisha, i cili pasi të mbarojë ritualin e të pames, do të niset për Tiranë se i ka dalë një punë urgjente!
Këtu iu drejtua Azemi Isuf Halucit: “Merre pardesynë time dhe ma jep xhupin tënd të meshinit, pasi kështu dukesh ma mirë, pasi edhe arma nuk të duket.”
Po nuk pati habi, pse ky veprim?
U habit shumë Isufi nga ky mendim i Azemit, por Azemi nuk i la kohë për ta kundërshtuar, por e hoqi pardesynë dhe ia dha në dorë Isufit, duke ia hequr nga trupi xhupin atij.
Kështu u bë ndërrimi dhe Isufi e veshi pardesynë dhe tha: “nuk di as me e mbërthye e as me ja lidh rripin.” Por Azemi ia mbërtheu duke ia rregulluar edhe rripin, por në këtë moment vjen Sali Lusha bashkë me një shok dhe duke qeshur me pamjen që kishte marrë Isufi i thotë: “dukesh si deputet, e gëzofsh!” Kështu Isufi hypi në furgon të Përparimit dhe u nisën. Azemi u nis për në fshatin Bujan, por më tha: “Bajram, mos shko tek trageti”.
Më tha që Arben Imami i cili do të vinte nga Tirana për të marrë pjesë në mitingun që do të mbahej pasdite, nuk kishte ardhur me tragetin e linjës Koman-Fierz, por kishte ardhur nga Qafa e Malit dhe po pushonte tek turizmi. Do të takoheshim pasdite. Kështu secili shkoi në punën e vet. Rreth orës 12 e 30 minuta mora vesh se tek trageti ishte qëlluar për vdekje Isuf Hakuci.
Kush e kishte qëlluar?
Se kush e kishte qëlluar, nuk dihej. Na erdhi shumë keq pasi e kishim shok Isufin, si dhe për jetën e tij se ishte i ri dhe kishte vuajtur si ai dhe familja në burgje dhe internime. Por që asnjëherë nuk u vlerësua nga PD-ja kontributi i Isuf Halucit dhe familjes së tij për rrëzimin e komunizmit, pasi nuk iu njoh. Asnjë të persekutuari nuk iu njoh asnjë kontribut në rrëzimin e komunizmit, pasi komunizmin e paskan rrëzuar komunistat e pakënaqur nga komunizmi! Për çudi, këta demokratë të dalë nga zyrat e Ramiz Alis dhe të inicjuar për ta drejtuar PD-në, jo vetëm që nuk jua lehtësuan sado pak dhimbjen dhe vuajtjet këtij populli, e sidomos klasës së persekutuar, por i bënë që t’u dukej lule.
Juve kishit një apel publik për drejtuesit e PD-së apo jo?
Dua t’u them këtyre publikisht: Ju të caktuar prej Ramiz Alisë për të drejtuar PD-në me detyrën për t’i mbrojtur nga çdo rrezik që mund t’u kanoset atyre pas ndërrimit të pushtetit, si dhe të urdhëruar që kurrë të mos i lini popullin e sidomos të persekutuarit të shohin një ditë të bardhë dhe këtë e bëtë realitet… Si popullin dhe sidomos të përndjekurit, i përçmuat sa më s’ka, i diskriminuat, i bëtë më të mjerë sa ç’ishin, i përçatë në të gjitha mënyrat e mundshme dhe akoma besoni se budallallëku i tyre do të vazhdojë duke iu besuar dhe votuar prapë për ju. Jo, budallallëku mori fund.

Interviste qe sbulon shume enigma nga ngjarjet e asaj kohe.Berisha ,Elezi ,Hajdari jane instruktuar per Katovicen shqiptare,duke shkelur mbi kufoma.
Nuk ka mar fund akoma { loja e madhe } Loja nuk eshte bene dhe nuk bhet kurre ne
Shqiperi.Lojrat jene gjeket,ato kane qene { ne Jalte dhe ne Malte } Aty ku takohen krye
pushtat e kesaj bote te ndyre,qe lozin me fatet e popujve te vegjel. Dyert e shtepise se
bardhe jane te hapura vetem per antishqiptaret,jo per patriotet shqiptar.Nuk do shume
mendje per te kuptuar…… C mund ta lidh nje Amerikan me nje komunist?
Per amerikanizmin???? Apo per komunizmin???? Sali Berisha ka kryer detyren e dhene
nga { amerikanizmi } me format { komuniste } se keshtu kane rene ne kompromis,
Patatija e Rusise komuniste Gorbacov, me kaobojsin e filmave Ronaldin ne takimin e
madh te { Maltes } . Le ti tregojme te gjitheve ,atyre qe na duan dhe atyre qe na mashtrojne
sikur jane miqte tane.Ne i dime te gjitha format e dashurise se tyre.