Nga Bedri Islami
Si u bë e ditur nga media të ndryshme, drejtuesi ‘de jure’ i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në Kishën e Laçit, një vend, për të cilin shumë besojnë se është vendi i mrekullive dhe i falen atij, me atë përgjërim që ia thotë shpirti i tyre. Njerëzit, e mbuluar nga hallet, të vuajtur deri në mrizimin e jetës së tyre, nganjëherë në fillin e shpresës, jo vetëm sot, por edhe kur ishte e ndaluar , drejtoheshin tek ai vend për të gjetur mrekullinë e shpresuar.
Cilën mrekulli kërkonte Lulëzim Basha? Në të vërtetë,si askush tjetër, njeriu që hyri në portën e politikës përmes bijës së atit të tij shpirtëror, 10 vite më parë, i ka arritur thuajse të gjitha “mrekullitë” që mund të presë një njeri i zakonshëm, e aq më tepër një njeri që u fut në politikë, si njëra nga shpresat e mundshme, dhe si ati i tij politik, u bë njëra nga bjerrimet e rënda. KOP-i i “famshëm”, nga i cili nuk ka mbetur më as nam e as nishan, kishte në figurën e tij staturën më të njohur, por njëkohësisht edhe shpërfytyrimin e njeriut në robot, kthimin e mendimit në perversitet, dhe ndoshta është rasti më u çuditshëm në botën e politikës, kur, krejt shpejt, marramendshëm shpejt, njeriu kthehet në hijen e paraardhësit, duke u bërë, njëlloj si ai, i mbytur në mjegullën e krimit.
Të gjithë politikanët e mbledhur rreth Berishës, me përjashtime të rralla, përpara vullnetit të tij bënin ndonjë vërejtje të përvuajtur, nganjëherë murmuritnin, por kurrë nuk kundërshtonin. Lulëzim Basha do të jetë i pari që nuk do të bëjë kurrë asnjë vërejtje të përulur, as nuk do të murmurisë, dhe, në fund të fundit, as nuk do i shkojë mendja të kundërshtojë. Jo vetëm kur ishte kolopuç i politikës përmes KOP-it, por edhe tashmë që është de jure shef i partisë, që e mori të gatshme, si një fazë ndërmjetëse, për të ardhur pas tij , një shef i ri ose një shefe e plotfuqishme, më afër oborrit se ky pinjoll politik. Është krejt e mundshme, që në një të ardhme të afërt, Lulzim Basha të bëjë atë që bëri Berisha me të, por në sensin e kundërt: ashtu si e përgatiti Berisha si një zëvendësues kalimtar, ashtu edhe ai mund të ketë të drejtën e vetëm një faze kalimtare, deri sa kreu i vërtetë të mendojë se është koha për ta hequr qafe me marifetin e njohur të grupazhit, dhe një tjetër Berishë, të jetë në vendin e tij. Shumimi i jetës politike të dhëndrit real të Berishës, çka po ndodh kohët e fundit, mund të jetë vetëm një hapje porte për bijën e shefit. Shumë shpejt mund të vijë dita kur vendin e Lulit do e zërë Argita, njeriu që e solli deri këtu, dhe kjo nuk është thjeshtë çështje kohe. Nëse PD-ja do të kishte gjatë një lider-hije dhe , pas tij, një kor hijesh pa dinjitet, ajo nuk do të mund të jetë më parti. E mësuar të kontrollohet me grusht të hekurt, përmes një njeriu dhe klanit të tij politik, PD-ja nuk do të mund të qeveriset edhe për shumë kohë nga njerëz me kulturë elitare, të cilët nuk frikësohen dhe as nuk influencohen nga joshjet. Dhe ky nënshtrim, shumë shpejt, do të krijojë iluzione të dëmshme tek pasardhësit e shefit politik të PD-së, por tashmë nuk është ajo kohë.
E servisur nga një dorë e fuqishme, thuajse pa asnjë kundërshtim, PD-ja në krahët e Bashës i ngjan asaj gruaje që , duke e ndjerë përqafimin hollandez, shikon në krahun tjetër se kur do i vijë i plotfuqishmi i saj.
Seriali i mrekullive…
Me vendosjen e Bashës në kryesimin de jure të PD-së, ajo nuk u bë më e reformuar, por edhe më e deformuar, sepse tani, perdja që mbulon oligarkinë mafioze të saj është kaq e tejdukshme dhe banaliteti i politikës kaq i hapur, saqë, as ristanizimi i saj dhe as mulizmi profetik, nuk duken aq bajat.
Por Lulëzim Basha nuk ishte rastësisht në Kishën e Laçit. Ai kërkon mrekullinë e tetë të jetës së tij politike, pasi shtatë prej tyre tashmë i ka arritur.
“Mrekullia e parë” e tij ishte shkollimi në një vend të jetës së shumë anshme: Hollanda. Ende askush nuk e di se me cilin financim u bënë studimet e tij, kush investoi dhe si, përse u bë një gjë e tillë, apo e vërteta është shumë më e thjeshtë: Lidhjet e familjes së tij me firmën VEFA. Është e mundur që studimet e tij të jenë marrë përsipër nga ” të gjithë”, pra nga të gjithë ata që investuan marrokshëm dhe humbën po ashtu në firmat e shembura piramidale? Hollanda e bëri edhe më enigmatik ish kamarierin e Rinasit, një punë e nderuar kjo, por krejt e pamjaftueshme për të bërë një shkollim të shtrenjtë. Hollanda e la atë larg rrëmujës së politikës, e mbajti larg telasheve, dhe sajimet që u bënë më vonë, sikur kishte qenë nga liderët e lëvizjes studentore,ishin të qepura aq keq dhe aq mjerueshëm, sa që edhe ai e mori vesh se kjo ishte një lojë e pështirë, dhe, hoqi dorë prej saj. Hollanda la gjurmët e saj edhe në jetën e tij levantine: e qeshura e shtirur, ecja gjysmë femërore, ngritja e zërit si ato që kapen në flagrancë, shikimi tinëzisht i përqendruar në veçoritë e jashtme,adhurimi i njeriut të fortë, turbullira para një të papriture dhe në fund, ajo la shenjën e saj edhe tek pasuria. Njeriu që nuk dihej se si e filloi shkollimin, papritmas u bë zot i një pasurie imobiliare të rëndësishme, dhe të shtrenjtë, sidomos për vendin e tulipanëve. Ende nuk dihet në se ai mori edhe shtetësinë hollandeze, një përsiatje jetësore që nuk jepet edhe aq lehtë dhe kush ishte mentori i tij. Dihet vetëm se nga kjo “mrekulli” ai ishte nisur drejt mrekullive të tjera. Ende nuk e dinte se cilat ishin, as nuk do i kishte shkuar në mendje se do të ishte një pjesë e vendit të tij, për më tepër, e sapo dalë nga lufta, e bjerrur në theqafjen e saj, por e gatshme për të qenë rishtas e ngritur: Kosova.
Celula e Kosovës…
“Mrekullia e dyte” e Bashës do të jetë Kosova. Për shumë kënd kishte qenë vendi i vuajtjeve, për të do të ishte vendi i parajsës ekonomike dhe për një rastësi fatbardhë, edhe i fillesës së tij politike. Në Kosovë ai do të jetë për shumë kohë një dendi hollandez, i zbritur mes rrugëve gjithë pluhur të pasluftës, me ndjenjën e superiorit, të cilin e kanë zakonisht të gjithë ata që direkt nga puplat bëhen personazhe. Enigma e punës së tij, e cila herë pas here do të bëhej gjithnjë e më e dendur, me kalimin e kohës do të bëhej e njohur: hetuesia për krimet e luftës në Kosovë do të përqendrohet më tepër në ndodhitë e lidhura me shqiptarët si fajtorë, megjithëse ata kishin qenë viktima. Shërbimi special i UNMIK-ut, përmes njohjeve të hershme, do të mbështetej në një sferë njerëzore, e cila kishte qenë e lidhur me shërbimin e fshehtë serb, si Fadil Sulejviçi, Mehmet Loci e të tjerë, ajo do të aktivizonte njerëzit e strukur, të cilët jo pak kishin hisen e tyre në krimet serbe në Kosovë, por edhe do të krijonte rreth vetes një klasë , profesionistë ose gjysmë profesionistë, të cilët, për hir të karrierës dhe duke e parë këtë si një shans jetik, pranuan vullnetshëm të jenë pjesë e hetimeve edhe për krime që nuk kishin ndodhur. Njëri prej tyre do të jetë Lulzim Basha, ndoshta më i spikaturi, përmes tij do të lëvizin shumë fije, të cilat të çojnë në ngjaje të dhimbshme dhe në krijimin e dosjeve sipas dëshirës së prokurorëve ndërkombëtarë. Njerëz të spikatur si Ramush Haredinaj, Fatmir Limaj, Selim Krasniqi, komandant Remi, Sulejman Selimi, pothuaj se drejtuesit e të gjithë zonave operative dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, do të hetoheshin nga kjo prokurori dhe hetuesi, ku ishte pjesë edhe Basha. Shembja e akuzave, njëra pas tjetrës, nuk kishte të bënte me frikësimet e dëshmitarëve, pasi , ata që ishin shqiptarë ishin të mbrojtur, ndërsa ata që ishin serbë nuk jetonin më në Kosovë; por me të vërtetën se hetuesia ishte bërë si shenjë dëshmie e besnikërisë ndaj një vëllazërie që nuk po e gjente të vërtetën, por po krijonte sajesën. Shansin më të madh për të dëshmuar devotshmërinë e tij, si asnjë tjetër, Basha do e kishte me rastin e njohur si “Shtëpia e verdhë”, në të cilën nuk do të ishte thjeshtë hetuesi, por edhe përkthyesi, sikur të ishte fjala për një hasmëri shekullore.
“Mrekullia e dytë ” e Bashës do të kishte rrjedhime në jetën e tij politike. Në se Berisha nuk do e dinte këtë përkushtim deri në pështirosje, me siguri ai nuk do e bënte pjesë të ekipit të lartë drejtues, edhe pse rekomandimi kishte qenë brenda shtëpisë. Përgjithësisht, në asnjë ditë të jetës së tij politike, Berisha nuk i ka dashur njerëzit me karakter të fortë dhe të qëndrueshëm, dhe, si zakonisht, as Basha nuk do të ishte përjashtim nga rasti. Përkundrazi, do të ishte personifikimi më i mirë i këtij mentaliteti politik. Nga Kosova fillon jeta e tij politike, gjë që nuk e kishte ëndërruar kur kishte shkelur për herë të parë në Kosovë. Atje, për gjithë kohën që qëndroi, nuk kishte asnjë kontakt me shqiptarët e jetës politike, nuk kishte asnjë afërsi me to dhe do të ndjehej i huaj deri në fund. Ai vend, për të cilin më pas politikisht do të “përgjërohej”, do të mbetej deri në momentin e fundit trampolini për t’u hedhur më tej, paçka se e gjithë kjo po vinte përmes një përshtirosje të pashoqe.
Por politika e ditës është gjëja më e pashpirt që mund të ndodhë në shfaqjen e saj monstruoze. Për të bërë gjithçka edhe më ireale, vjen momenti kur kryetari i komunës së Deçanit, ish i burgosuri politik, Rasim Selmanaj, e bën qytetar nderi, pikërisht njeriun që hetoi vllezërit Haredinaj, si për të dashur të mbulojë një pjesë të njollës së vendosur nga koha, ose si një dëshmi se nuk ishte edhe ai aty. Politika, ky art i së mundshmes, është absurde, sidomos kur flitet për raste të tilla, të cilat të kujton një shprehje të vjetër se, ” secilës ditë i del mjaft pikëllimi i saj”. Problemi i vetëm është se pikëllimi i çfarë dite mund të jetë Basha.
Kosova do të jetë gjithnjë enigma e jetës politike të një njeriu, merita e vetme e të cilit deri më tani është besnikëria pa kushte ndaj shefit të tij. Për një ngjashmëri jo të rastësishme, edhe shefi i tij politik dhe ati shpirtëror, do të ketë një marrëdhënie të tillë me Kosovën, përmes hijeve dhe mjegullës.
“Mrekullia e tretë” e Bashës do të jetë një grua, të cilën, ashtu si edhe atë, e kishin zgjedhur ndërkombëtarët për të qenë në Kosovë, pjesë e misioneve të huaja. Argita Berisha, në atë kohë vajza e njeriut që synonte të rivinte në pushtet, nuk do të jetë kurrë në vetëdijen e Bashës, si Argita Malltezi, sepse si e tillë, dhe vetëm e tillë, ajo do të ishte njëlloj si kushdo tjetër që mund të kishte njohur në një shoqëri jashtë vendlindjes. Edhe sikur ajo, si Malltez, të ishte më e zgjuara e botës, nuk do të kishte pasur asnjë vlerë të pazakontë. Vlera e saj qëndronte në mbiemrin e saj, por edhe në forcën që rrezatonte tek i ati i saj. Nëse deri në vitin 1997 ajo kishte qenë një vajzë e vogël, që ishte detyruar të braktiste nëpër natë atdheun e saj pas marrëzive të të atit, tani ishte tjetër: ishte njeriu që mund të hape një portë përrallore, ndaj së cilës, dyqind portat e Alibabës do të dukeshin varfanjake.
Në Kosovë u krijua një grup që më pas mori emrin Grupi i Kosovës, duke u nënkuptuar në fakt, si “Grupi i Argitës”. Njerëz të panjohur më parë, krejtësisht anonimë, u shfaqën befas në selinë e PD-së, si njerëz me vizion të ri, të përkushtuar, idealistë, që do të bënin orientimin e politikave të një partie që ishte plakur shumë shpejt, PD-së, dhe që pas saj njerëzit do të mund të shihnin ndryshimin. Ata kishin ardhur të gjithë të pajisur me të njëjtën pasaportë politike, të sigluar nga zonja Berisha, dhe kjo ishte një stampë më e fuqishme se çdo rekomandim tjetër. “Ylli” i këtij grupi do të ishte 29-vjeçari Basha, të cilit, ende pa iu fryrë gjoksi nga punët, i u fry zëri, u bë si i shefit të tij, dhe që këtu filloi udhëtimi i tij nëpër tokën e shqipeve, si nëpër një mijë e një netët.
Mrekullia….Sal
Aktualisht Basha ka ende mbi vete bekimin e mrekullisë së tretë. Ajo është ende dritëzimi i tij, përmes syve të saj, duan apo nuk duan, e shohin ende shumica e njerëzve që i rrinë pranë, por edhe më tej se ato. Shefi i partisë, Berisha, u deklarua haptas pro tij, si asnjë herë tjetër, duke e marrë nga dora ku po binte marramendshëm shpejt, dhe duke e pompuar si Njëshi i padiskutueshëm. Rivali i tij humbi pas një aksidenti foshnjarak, dhe të tjerët heshtën. Ishte e para thënë gjithçka, deri në detaje. Precedenti trebickian ishte si një lloj leksioni që pak kush denjoi ta mësonte deri në fund. Kujtimi i atij që iku u largua kaq shpejt, si një mjegullinë tretëse, dhe pak kush, tepër të rrallë, ende kanë guximin të kujtohen për të.
Pas kësaj mrekullie Basha është ende nën shijimin e duartrokitjeve që i jepen nëpër sallat ku shkon, duke e ndjerë se sheshet nuk po i binden. Por ai harron se, këto njerëz që e duartrokasin sot, si lideri de jure i partisë, nesër do të fishkëllejnë edhe me më shumë zell, kur flakja nga posti do të jetë një detyrim i paralajmëruar.
Gjëja më e frikshme në jetën politike të Bashës do të jetë pikërisht kjo”mrekulli”. Prej saj do të fillojnë edhe rrokopujët e ardhshme, pasi, ai që ngjitet kaq lart, pa e ditur as vetë se si ndodhi, kur të bjerë do e dijë mirëfilli të gjitha të vërtetën.
Por kjo nuk është e rëndësishme për të. Momentalisht ai duhet të ngrejë një moment për ndrikullën e tij politike. Askush tjetër nuk ka pasur një fat të tillë dhe çdo krahasim me vise të tjera dhe oligarki politike fqinje, nuk është i plotë.
Fund i pjesës së parë

Ne te semes shkofte…hajdut-vrasesi qesharak.
Nje fjale popullore thote:” Sa me larte deget,aq me te holla jane”…dhe kjo e shte e provuar,por ishalla qe dega qe ka vene kemben ky mikrob patogjen,te shqyhet sa me shpejte dhe mikrobi te shperbehet ne natyre.Po qe se ky mikorob patogjen bie ne toke pa u shkaterruar,mjere ne dhe mjere ata rreth tij sepse ky do te pesoje mutacion nga mema e tij,apo nga soji i gruas dhe vjerrit te tij qe fara e tyre e shkerdhyer do te na shkerdheje te gjitheve……
Përgjithësisht, në asnjë ditë të jetës së tij politike, Berisha nuk i ka dashur njerëzit me karakter të fortë dhe të qëndrueshëm, dhe, si zakonisht, as Basha nuk do të ishte përjashtim nga rasti. [b. islami]
!
Keta njerez si ky Basha me nje biografi morale te dyshimte jane shume te rrezikshem e Sali antishqiptari nuk mbledh rreth vetes njerez te paster, dic i lidh dy anishqiptaret me njeri tjetrin ,eshte ajo batuta” gelltit nje luge corbe te prishur e do te vjellesh gjithe jeten. Zoti e mbrofte Vendin tone nga keta te dy e te tjere si keta.
Ky shkrim do hidheroje kopene e saliereve.