Pesëmbëdhjetë raste të konfirmuara me malarje janë regjistruar aktualisht në vendin tonë. Sëmundja është rikthyer për shkak të pranisë së mushkonjës anophele. Autoritetet shëndetësore në vendin tonë thonë se malarja ka një fillesë prej dy vitesh, ndërsa rastet janë kryesisht të importuara nga jashtë. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Adrian Hoxha, thotë se rastet e konstatuara po mbahen nën kontroll.
“E rëndësishme është të theksoj se nuk kemi transmetim të sëmundjes”, tha ai. Hoxha theksoi se specialistët kanë nën kontroll situatën, ndërsa ISHP-ja ka një plan konkret masash, për zbatimin e të cilit duhet të kontribuojnë edhe vendorët.
Hoxhaj tha se nga 15 rastet që janë konstatuar, 2 prej tyre kanë ardhur nga Greqia, ndërsa shumica e pjesës tjetër vijnë nga persona që kanë udhëtuar në Guinenë Ekuatoriale.
Tashmë, 50 vjet pas zhdukjes së kësaj sëmundjeje, bashkive dhe komunave do iu dorëzohet udhëzuesi me të dhënat e fundit mbi vektorët (insektet) e rrezikshëm që qarkullojnë, ku më problematiku është ai i malaries anopfelis.
