150 vetë në punë për Tortën e Pavarësisë

anazapta

Ka nisur të marrë jetë Torta e Pavarësisë, e cila është një dhuratë që një  grup pastiçierësh, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, u bëjnë qytetarëve në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Duke nisur nga dita e sotme e në vijim, do të përgatiten rreth 1200 pandispanja në ditë, për t’u vendosur më pas tek Tetari Kombëtar i Operas dhe Baletit.

 

Pastiçierët sqarojnë se janë 150 persona të angazhuar në përgatitjen e kësaj torte: Për përbërësit e tortës është dashur jo pak mundim dhe punë, por përbërësit e saj, kryesisht në këto momente janë mielli, veza, sheqeri etj, ku përkatësisht me kilogramë apo litra janë: 2379 kg miell, 38064 kokrra vezë, rreth 1770 kg sheqer, 20 kg vanilje, 500 kg shegë.

 

Torta është e ndërtuar me disa shtresa. Shtresa e parë do të fillojë me pandispanjën dhe do të laget me sherbet, me shijen e rrushit, më pas do të hidhet kremi i pastiçerisë, më pas do të mbulohet sërish me pandispanjë dhe shurupin e rrushit sërish, do të mbulohet me krem pastiçerie dhe me shegë.

 

Torta do të ketë edhe simbolet e flamurit shqiptar kuq e zi, shega ka ngjyrën e kuqe, por përmban edhe simbolin e vet, si simboli i rilindjes dhe bashkimit. “Do të rrethohet me gjethe ulliri që është simboli i mirësisë, paqes. Torta e Pavarësisë do u dedikohet të gjithë shqiptarëve”, bëhet me dije nga Bashkia e Tiranës. Gjithashtu, është menduar edhe për shpërndarjen e tortës.

 

Do të jenë rreth 50 punonjës të cilët do të bëjnë shpërndarjen e saj tek qytetarët. Paraprakisht, të gjitha institucionet  përgjegjëse: Instituti i Higjienës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit janë marrë dhe po vijojnë të merren me higjienizimin e ambientit ku po bëhet torta, por edhe me hapësirën përpara TKOB-it, ku do të vendoset ajo”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *