PARADOKSET DHE HILETË E REFORMËS NË DREJTËSI

anazapta

Drejtësia është çështje ndërgjegjeje, jo një ndërgjegje thjesht personale, por ndërgjegjja e tërë njerëzimit – Aleksandër Solzhenicin

 

 

Personalisht jam nga ata individë që nga e quajtura Reformë në Drejtësi nuk pres ndonjë gjë të madhe e, megjithatë, jam pro hedhjes së një hapi në këtë drejtim. Jam, pra, pro trazimit të ujërave të ndotur nga të cilët është e rrethuar jeta jonë personale dhe shoqërore. Nuk mund të ecet më kështu. Gjendja e punëve ka vajtur atje ku nuk mban më.

Mirëpo, në zhurmën e madhe që synon krijimin e idesë se sapo të bëhet reforma në fjalë ne jemi të gjithë të shpëtuar ka shumë paradokse. Shumica e atyre politikanëve që na shfaqen si aktorë kryesorë të reformës, si të vrarë nga meraku për një drejtësi të vërtetë dhe si kujdestarë standardesh demokratike janë pikërisht ideatorët, arkitektët dhe realizuesit e kësaj drejtësie të dreqosur e katranosur që kemi sot. Ky është paradoksi i parë dhe kryesor. Lind pyetja: A munden shqiptarët që arkitektëve të “kasolleve me qerpiç” t’iu besojnë ndërtimin e qiellgërvishtësve modernë? A mundemi dhe a duhet që ne të lejojmë që reformimi i drejtësisë të mbetet peng i atyre që tash 25 vjet kanë dëshmuar me sjelljet e tyre të përvitshme se e drejtë dhe e mirë është vetëm ajo që i shërben pushtetit të tyre vetjak apo të grupit?

Me të drejtë, kushdo mund të thotë se, duam apo nuk duam ne, këta “arkitektë” janë këtu dhe janë një faktor që duhet konsideruar. Edhe unë jam i bindur se ata janë faktor, pra ndodhen këtu, pavarësisht dëshirave tona dhe pavarësisht faktit se mjaft prej tyre duhej të ishin në burg duke shkruar lutje për faljen e masave të dënimit dhe jo të jenë në “ballë” të punëve, duke na imponuar mendimin e tyre për të zgjidhur problemet që kanë krijuar vetë. Por, meqë janë këtu, edhe për shkak të gjendjes ku ndodhet sistemi i drejtësisë shqiptare, ata duhen konsideruar, duhen pyetur, duhen dëgjuar, por nuk duhet lejuar që e ardhmja e drejtësisë shqiptare të mbahet peng i së shkuarës së shëmtuar, e cila është shpërfytyruar me vullnetin dhe ndihmesën e tyre. Të veprosh në këtë mënyrë do të thotë t’i shërbesh përkeqësimit të gjendjes dhe jo përmirësimit të saj. Nuk mund të projektohet reforma në drejtësi me mendjen e pakicës, mendje që populli e ka refuzuar me votime, dhe shumicës t’i mbetet vetëm miratimi formal.

Një paradoks tjetër është fakti se të gjithë aktorët politikë thonë se janë në një mendje me Komisionin e Venecias dhe, nga ana tjetër, hedhin vickla dhe paraqesin pretekste me të cilët duan të na “bindin” se pala tjetër po bën hile dhe “po na e fut”. Që në Shqipëri ka shumë që “duhet ta hanë” kjo nuk ka kurrfarë dyshimi. Nëse reforma synon të bëhet e tillë që askush të mos e pësojë prej saj, ajo nuk është më reformë por deformë. Reforma do të ishte e padrejtë në qoftë se do ishte nominale, por nëse rregullat e vënë janë njëlloj për të gjithë atëherë reformës i tremben vetëm shkelësit e rregullave. Sot ka rastisur njëra palë në pushtet, nesër do të ndërrohen vendet. Nëse dikush synon të imponojë një reformë që të shërbejë si mburojë për të shkuarën dhe të tashmen e tij, nesër kjo lloj drejtësie do të jetë shpatë kundër “reformatorëve” të rremë. Humbës do të mbeten ata të përhershmit, shqiptarët e thjeshtë. Ata që pretendojnë se po ua hedh pushteti aktual dhe se vetë janë të merakosur për drejtësi, le t’ia lënë fjalën e fundit Komisionit të Venecias dhe pastaj ta votojnë versionin përfundimtar.

Paradoksi tjetër shfaqet në faktin se përse një pjesë e pushtetit u kujtua tani në fund “të paraqesë pretendimet” e veta, kur përfaqësuesit e saj kanë qenë pjesëmarrës në hartimin e projektit qysh në fillim. Pretendimet se reforma duhet bërë së bashku me opozitën ose nuk bëhet fare mbartin dyshimin ndjellakeq që të sugjestionon erën e rëndë kalbëzimi moral. Kjo besoj se i ndodh masës së njerëzve, ndërsa ne që mëtojmë se vëzhgojmë politikën për hatër të koniunkturës mund ta përligjim si taktikë të dobishme afrimi për marrëveshje.

Pjesëmarrja dhe votimi i opozitës në këtë proces janë të rëndësishëm dhe të nevojshëm, por jo të domosdoshëm. Periudha 25 vjeçare na ka dëshmuar se aktet më të dëmshme politike janë miratuar me konsensus. Mjafton të përmendim ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, për të mos përmendur ligjin 7501 të vitit 1991, ligjin për amnistimin e krimeve të marsit 1997 etj. Dëshirat e ndokujt për të bërë prostitutën politike janë e drejtë e tyre, por në dëm të popullit shqiptar. Dihet që kur bëhen dredhi politike të kësaj natyre, fitimet e atypëratyshme janë të mundshme. Ndërkohë, po kaq i ditur është edhe fakti se jetën e prostitutës e përshkon tragjizmi deri në fund. Aq më keq kur prostituimi është politik.

Në vargun e paradokseve qëndron edhe fakti se disa përfaqësues politikë dhe jo pak analistë pretendojnë të bëhet një reformë jopolitike. Kjo është alogjike dhe nuk i qëndron arsyes. Të gjitha reformat shtetërore janë politike, bëhen nga politikanët, shprehin mendimet, bindjet dhe vizionet e tyre politike, ashtu edhe interesat e tyre politike. Drejtësia dhe morali i një reforme nuk përcaktohet nga emërtimi “jopolitike”, por nga efektet që jep dhe nga raportet që ka ajo me normat universale të së drejtës. Si mundet që dikush t’i premtojë popullit drejtësi, të vijë në pushtet me votat e shumicës së popullit dhe kur përpiqet të ndreqë sistemin t’i thuhet se ti po e bën për qëllime politike? Si mundet që t’ia heqësh mundësinë e reformimit të drejtësisë shumicës ose ta pengosh në këtë përpjekje dhe, pastaj, në fund të mandatit qeverisës, ta bësh përgjegjëse për mungesë drejtësie? Këto janë dokrra dhe nuk synojnë shërbim shërues ndaj drejtësisë, por pengimin e tij.

Nuk ka asnjë dyshim se edhe Rama, ashtu si politikanët e tjerë, do të dëshironte ta komandonte sadopak sistemin e drejtësisë por, me ndryshimet e paraparë në projekt, ky synim do të gjente shumë më pak hapësira dhe mundësi veprimi. Ndërkaq, kundërshtarët kryesorë të reformës janë individë politikë që kanë dhënë me dhjetëra prova të keqpërdorimit dhe komandimit të sistemit të hetimit dhe gjykimit, duke filluar nga mënyra e përzgjedhjes të kontingjentit që u bë kryekëput mbi bazën e përkatësisë politike, nga përgatitja e gjyqtarëve me kurse disamujore, nga arrestimet e urdhëruar të kundërshtarëve politikë (më vonë të shpallur si të dënuar politikë nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut), nga shmangiet shpëtimtare nga gjykimi me procedura të manipuluara e deri tek marrja e pushtetit (bashkisë së Tiranës) me vendime të manipuluara. Të gjitha haptazi të padrejta. E, ndërsa këta individë e kanë dëshmuar mentalitetin dhe moralin e tyre në vepra të materializuar praktike, Ramën mund ta gjykojmë vetëm teorikisht në këtë drejtim.

Një paradoks tjetër i pretendimeve antireformë apo reformëvonuese është edhe thënia se zgjedhja e institucioneve kryesore të drejtësisë me 84 vota do të bënte që Rama të komandonte krejt sistemin. Madje, disa analistë, të cilët, kur pushtetet e dikurshme kryenin aktet e sipërpërmendura antiligjore, i miratonin ose heshtnin, tani na e shpallin votimin me 84 vota si ” grusht shteti “. Është e vërtetë e pakundërshtueshme se vullneti i drejtuesit të shumicës parlamentare do të ndikonte në këtë drejtim. Po, pse, si duan këta kundërshtues të projektit që shumica parlamentare të mos ketë asnjë mundësi imponimi në sistemin e drejtësisë? Kjo është e pamundur. E padrejtë dhe kriminale do të ishte që drejtuesit e shumicës, e cila ndryshon në mënyrë periodike, të ndërhynin në raste dhe çështje konkrete të hetimit dhe, sidomos, të gjykimit. Këtë do ta vërtetonte vetëm koha dhe nuk mund ta shmangin përqindjet e zgjedhjes.

Në SHBA, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, Gjykata e Lartë e shtetit të Floridës, me shumicë gjyqtarësh të zgjedhur nga demokratët, votoi pro rinumërimit të fletëve të votimit në atë shtet. Pas apelimit, Gjykata e Lartë e gjithë SHBA, me shumicë gjyqtarësh të caktuar nga republikanët, votoi kundër rinumërimit. Xhorxh W. Bush i republikanëve u bë president i vendit. Një institut i pavarur, pas disa muajve kontrolloi dhe rinumëroi fletët e votimit të Floridës dhe konkludoi se po të ishin rinumëruar, Bush s’do ishte bërë dot president i SHBA-së. Kjo ka ndodhur në vendin me histori shekullore shteti dhe institucionesh të zgjedhura dhe në vendin që ne e marrim si shembull të përsosjes së sistemit zgjedhor. Prandaj, pretendimet false për pamundësi absolute ndikimi politik janë jo vetëm përralla por edhe të pabesueshme kur bëhen nga ndërtuesit dhe zaptuesit kryesor të sistemit të kalbur që kemi. Reforma duhet të synojë dhe arrijë që në organet e drejtësisë të zgjidhen njerëz me integritet moral dhe nivel profesional dhe jo hajdutë, njerëz profesionalisht mediokër dhe me lidhje të tilla ku avokatët e pushtetit zgjidhen antarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kurse bashkëshortet e tyre emërohen antare të Gjykatës së Lartë. Kush ka integritet moral nuk i nënshtrohet ndikimit politik por vetëm ligjit.

Nuk do mend për të kuptuar që dhjetë vullnete politike të kalbura më shumë apo më pak nuk përbëjnë një vullnet të shëndoshë politik e moral me ndikim në funksionimin e shtetit që duam. Të thuash se zgjedhja me 84 vota nuk është demokratike kur, deri tani i ke zgjedhur gjyqtarët dhe, madje, edhe Presidentin e Republikës, me 71 vota do të thotë se po bën lojëra të rrezikshme dhe të dëmshme për popullin. Janë nga ato lojëra që i ke lozur me sukses dhe me shumë dëme për një çerek shekulli. Nga ana tjetër, lind pyetja: Mirë se zgjedhja e institucioneve të drejtësisë me 84 vota do i jepte mundësi shumicës të ndikonte përbërjet e këtyre institucioneve, po zgjedhja e tyre me jo më pak se 94 vota a nuk do t’i jepte mundësi pakicës që të ndikonte zgjedhjet, madje deri në bllokim të procesit dhe të jetës parlamentare? Të krijohet bindja se ky është edhe synimi kryesor i kundërshtuesve të projektit. Mirë do të ishte që zgjedhjet e këtyre institucioneve të bëheshin me marrëveshje midis të gjitha palëve por, nëse vjen puna që ujdia nuk arrihet, atëherë, arsyeja të udhëzon që është më e drejtë të imponohet shumica sesa pakica, pasi është shumica ajo që do të japë llogari në fund për arritjet dhe dështimet. Madje, kjo pakica bllokuese do të shfaqej si akuzuesja kryesore për mosarritjet, megjithëse do të kishte ndoshta rol kryesor në këto dobësi.

Është më se e qartë se reformimit real të sistemit të drejtësisë i tremben shumë individë politikë dhe jo politikë. Madje, mendoj se ata nuk i tremben sa duhet dhe shkak i kësaj mostrembjeje qëndron në faktin se ata e dinë se reforma mund të sjellë disa përmirësime, por nuk do të arrijë të krijojë sistemin që u duhet shqiptarëve. E kam fjalën për shumicën e shqiptarëve të thjesht, sepse politikanëve dhe të pasurve iu volit sistemi aktual ku ata bëjnë çfarë duan dhe nuk e pësojnë asnjëherë. Ulërimat e krerëve të opozitës se po përpiqen të ndalojnë Ramën të mos kapë sistemin janë mashtrime të kulluara pasi përpjekjet e tyre kanë si synim të vetëm të pengojnë reformimin e sistemit dhe të mos lejojnë daljen e tij nga kthetrat e tyre, të ruajnë atë sistem që iu ka mundësuar të bëjnë ç’të duan, të kryejnë edhe krime dhe, jo vetëm të mos ndëshkohen, por edhe të guxojnë sot të na shiten si reformuesit e vërtetë.

Nëse drejtuesit e opozitës dhe elementë të tjerë politikë besojnë se ka ardhur rasti t’iu kthejnë reston njerëzve të sistemit të drejtësisë për shërbimet që u kanë bërë dikur, atëherë do ta sabotojnë përfundimisht reformën e nisur dhe situata mund të precipitojë në atë shkallë sa t’i lind e drejta popullit të ndërmarrë një “revolucion demokratik”. Por jo “revolucion” të atij lloji që të riciklojë në pushtet varrmihësit e sistemit, por që t’i dërgojë ata në Burrel e gjetkë, ku ka burgje të përshtatshëm për ta dhe ashtu nuk do të ketë më nevojë as për 84 dhe as 93 vota.

Që situata të mos precipitojë ka ardhur koha që ata diplomatë të huaj, të cilët na e kanë paraqitur reformën në drejtësi si vepër të shtetit të tyre, t’i thonë gjërat troç se kush e pengon progresin dhe të mos i lënë shqiptarët të enden pa fund nën mbretërinë e maskarallëkut. Të shprehurit me “edhe ata, edhe këta” nuk i shërben zgjidhjes së nevojës madhore që ka populli shqiptar, por gënjeshtrës dhe padrejtësisë që e kanë bërë shtetin të pafunksionueshëm.

Ata që hiqen si të merakosur për kapjen e sistemit ndodhen përpara një prove të madhe. A doni t’iu vini fre pushteteve të pakufizuar? A doni të frenoni epshet politike të të gjithë të marrosurve për pushtet? E keni në dorë. Tani që doni të ndryshoni kushtetutën shtoni një nen me të cilin të mos lejohet askush të zgjidhet më shumë se dy herë president apo kryeministër gjatë gjithë jetës së tij/saj. Pasi të keni miratuar këtë, atëherë çështja e numrave të votimit do të bjerë vetë.

Megjithëse më duket e vështirë që populli të votojë për terma me përmbajtje që s’i kupton dot, mjeti i fundit mbetet referendumi popullor. Por le t’i presim si do reagojnë “të merakosurit” pasi Komisioni i Venecias të shqyrtojë projektin.

Shkalla më e lartë e drejtësisë do të arrihet vonë, atëherë kur shoqëria shqiptare të jetë më e pjekur politikisht, më e pastër moralisht dhe më e përgjegjshme kombëtarisht, por për t’u ngjitur deri atje është e domosdoshme dhe e ngutshme kjo reformë e cila do të mund t’u hap rrugë përpjekjeve të tjera.

Share This Article
9 Comments
  • GJERGJ BOJAXHIU – NOW FOR THE FUTUR -TANI PER TE ARDHMEN

    TIRANE – Të dashur bashkëqytetarë!

    Shqipëria prej vitesh ka hyrë në një periudhë të zymtë rrënimi. Vjedhja, korrupsioni, klientelizmi, paaftësia dhe papërgjegjshmëria ka kapur levat e shtetit dhe po sundon sot, duke errësuar të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë. Politikanë të paskrupullt po fyejnë e po poshtërojnë dinjitetin tone dita-ditës. Gjendemi përballë një situate asfiksuese që kërkon të mbysë vullnetin tonë për të vepruar dhe shpresën për një të ardhme më të mirë. Shtresat në nevojë po goditen në mënyrë të pamëshirshme, ndërkohë që një numër i vogël oligarkësh shton pasuritë me një babëzi të shfrenuar. Dhjetëra-mijëra shqiptarë janë larguar nga vendi vetëm gjatë vitit të fundit – dhe ky është eksodi i dytë madhor pas atij të ‘91-shit.

    Çfarë duhet bërë në këto kushte? Para gjashtë muajsh, 16 mijë qytetare te Tiranes votuan për t’i thënë “Ndal!” këtij rrënimi. Por kaq nuk mjafton! Për të ndalur rrënimin tashmë alarmues, kërkohet një bashkim shumë më i gjerë. Kërkohet një besim dhe kurajë që nuk shteron, për t’i dhënë fund plogështisë dhe fatalizmit tonë. Gjuhës mashtruese të politikanëve nuk mund t’i përgjigjemi as me plogështi, e as me fatalizëm.
    Për çerek shekulli, shumë prej nesh që kemi shpresuar në ndryshime të mëdha – në krijimin e një Shqipërie evropiane – jemi dërrmuar nga zhgënjime të njëpasnjshme. Por zhgënjimi nuk duhet të na lidhë duart, sepse ne nuk jemi përgjegjës vetëm për fatin tonë, por edhe për fatin e fëmijëve tanë e të brezave që do të vijnë. Pikërisht në emër të së ardhmes së atdheut dhe të fëmijëve tanë, ju bëj thirrje që të bashkohemi nga veriu në jug, më shumë nga sa u bashkuam në zgjedhjet e fundit për Tiranën, në një lëvizje të re kombëtare, të ndërtuar po mbi të njëjtat parime.

    Tashmë nuk duhet të bashkohemi thjesht për të sfiduar, por për të fituar. Të mos bashkohemi vetëm për të shprehur zhgënjim dhe mllef, por të bashkohemi për të ndryshuar Shqipërinë nga rrënjët. Ne, së bashku, duhet t’ia dalim, sepse korrupsioni e ka kalbur shtetin në bërthamë. Ai po humb legjitimitetin me të njëjtën shpejtësi, me të cilën po grumbullon paratë e pista.

    Shqipëria ka një histori të gjatë përpara dhe nuk mund të mbahet peng prej atyre që çerek shekulli me radhë, nëpërmjet premtimeve të rreme, e kanë zhvatur e rrënuar. Ata nuk duan që ne të ngrihemi. Ata shpresojnë që ne të ulim kokën dhe t’u nënshtrohemi. Ata shpresojnë që ne të mos bashkohemi dot kurrë. Ata kujtojnë se ne kemi hequr dorë nga e ardhmja jonë dhe e pasardhësve tanë.

    JO, Kurrë!

    Bashkëqytetarë!

    Ka ardhur dita t’u themi “NDAL!” të korruptuarve e të paaftëve që po na drejtojnë.
    Bashkëqytetarë!

    Ka ardhur dita të kuptojmë se Shqipërinë nuk e rrënon vetëm veprimi i maskarenjve, por edhe mosveprimi i shumicës së ndershme.

    KA ARDHUR DITA QE TE VEPROJMË!

    Të bëhemi bashkë, të organizohemi dhe t’ua heqim nga duart të paaftëve dhe të korruptuarve Shqipërinë tonë, për ta zhvilluar atë siç e meriton. Duhet ta hedhim këtë hap së bashku për fëmijët tanë dhe për veten tonë.
    Jemi Ne që, me veprimin tone, duhet të tregojme se për Shqipërinë ka mbërritur një epokë e re.

    Ftoj cilindo që ndihet njësoj dhe shpreson njësoj që të bashkohet me nismën tonë të re politike.

  • Shumica parlamentare nuk po e kryen funksionin e saj me votat qe i ka dhènè populli.N.q.s. nuk do te votoje me 84 vota ,atehere le ti jap pushtet sali rrumpalles ta qeverise me 10 votat qe kerkojne ti shtojne gjoja shumices.N.q.s. votimi shkon me 94 vota e majta ne zgjiedhjet e ardheshme ka rene direkt por dhe e djathta mos kujtoni se do te ngrihet.Njè tjeter ka per tu ngritur por mos qofshin kurre si keto qe jane ende gjalle.Populli tani e ka pare ,kush ha kush vdes,kush vret dhe kush jep shprese.Hileqaret nje dite do te ndeshkohen per fatkeqesite qe i sjellin popullit.Edhe ata qe duken sikur punojne per popullin ne rreze te qafes do ta kene.

  • ******************************************************

    … shume drejt dhe sakte “flet” ky artikull

    populli duhet te tregohet i zgjuar kete rradhe, se eshte shansi i vetem per
    t’i shpetuar perfundimisht “padrejtesise” …

    Ata qe per 26 vjet e poshterruan drejtesine dhe besimin qe i dha populli
    te perballen me “BURGUN” ashtu si ne shume vende te Europes apo vendeve fqinje me Shqiperine.

    … Po Reformes ne Drejtesi ……. po, po, po

    … Berisha, Basha, Meta mos t’i lejohen qe dhe kete rradhe te prekin dhe tallen me Drejtesine qe kerkon Populli.

    … Edhe nese Meta rezon qeverine,
    populli duhet te votoje 100% Z.Rama, i cili ngul kembe per te mbajtur nje nga premtimet dhene popullit: “Do ve Drejtesine e Vertete ne Shqiperi”.

    *********************************************************************

  • Nje gje eshte e sigurte,mafia politike e instaluar ne pushtet per 25 vjete nuk do te dorezohet lehte dhe ne menyre paqesore, askush prej nesh nuk e mendon se edhe nese reforma ne drejtesi do te realizohet100% sic e ka ideuar maxhoranca do te duhet shum lufte per ta realizuar ate ne terren!

  • Eshte e qarte-kriminelet e ketij vendi dhe makutet,duan formulime te tjera ne draft.Eshte nje lufte finale,para se te filloje,besoj,zgjidhja ngerceve ne vend-gjykimi bemave.Por,maxhoranca duhet te gjeje mekanizma te terheqe me vete vullnetin masiv te popullit per te hedhur ne gremine te keqen,kushdo qofte-x-i,y-i,apo kokebidoni.

  • E vlerësoj këtë artikull dhe autorin e tij. sepse media është duke luajtur një rol shumë të keq, po e merr në qafë këtë vend, Moderatorët bëjnë sikur nuk kuptojnë kur dëgjojnë disa fytyra politikanësh që flasim për votim me 2/3, për kapje të drejtësisë nga Rama, për mosndërprerje të mandatit të kryeprokurorit etj. Pse nuk e thonë troç që kjo i intereson Ilir Metës, Berishës and kompani, duhet të ngrenë zerin mediat e pastaj të presim nga ndërkombëtarët

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *