Kontrabanda e armëve dhe dosja “Merimanga”…

anazapta

Përkujtimi dhe fjalimi që mbajti Sali Berisha për 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ndezi menjëherë debate dhe diskutime.

Nuk është çështja nëse duhej përkujtuar ajo masakër e tmerrshme nga politikanët shqiptarë, por nëse duhej të ishte Berisha politikani i duhur që duhej ta bënte këtë.

Ky është dhe thelbi i një sërë intervistash, shkrimesh dhe prononcimeve të ditëve të fundit. E, thuajse të gjithë bashkohen në një pikë: Srebrenica duhej kujtuar, por jo nga ai që ka furnizuar me karburant dhe armë industrinë serbe të luftës që bëri kërdinë në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë në ato vite, duke thyer në këtë mënyrë embargon që kishin vendosur Kombet e Bashkuara kundër ish-Jugosllavisë…

Andrea Dimushi ka qenë ish-kryetar i SHIK-ut Pogradec nga Maji ’92 në Mars ’93 dhe kryetar i SHIK-ut Kavajë deri në ’94.

Përfshihet në këtë debat me këtë intervistë ku rrëfen për një tjetër kontrabandë të përmasave të mëdha që është bërë në ato vite nga shteti shqiptar, atë me armë dhe municione në gjysmën e parë të viteve 90. Sipas tij, përmasat e saj kanë qenë të frikshme.

Mirëpo dy njerëzit kyç të kësaj kontrabande, Safet Zhulali dhe Bashkim Gazidede nuk jetojnë më. Çfarë të fshehtash kanë marrë ata me vete dhe pse është shumë e vështirë të zbardhet dosja me emrin e koduar “Merimanga”.

– Zoti Dimushi, ditët e fundit është rikthyer në skenën e debatit publik çështja e kontrabandës së naftës me ish-Jugosllavinë në gjysmën e parë të viteve 90. Mirëpo tek-tuk është prekur edhe çështja e kontrabandës së armëve. Në dijeninë tuaj, sa të vërteta ka në ato që përfliten?

– Kam lexuar mjaft shkrime këto kohë në shtypin e përditshëm, për tregtinë e armatim-municioneve, por edhe për ngjarjen fatkeqe “Trebicka” e AIY. Të bën përshtypje angazhimi maksimal i individëve të strukturave të larta shtetërore e krahas tyre, personazhe të lidhur ngushtë me pushtetin, të cilët përfshihen masivisht në këtë biznes herë të ligjshëm, por sidoqoftë të fëlliqur. Në vite kjo lloj tregtie është zhvilluar aq vrullshëm sa që nga babëzia nuk pyeti askush nëse tregtia bëhej si armatim, apo si lëndë e parë nga demontimi apo tjetërsimi i armatim-municioneve. Nuk pyetej me cilët kontigjente realizohej që nga Afrika, Azia apo Ballkani, mjaftonte të ishe blerës e të kishe paratë! Dhe paratë në këtë biznes të vdekjes gjithmonë janë me shumicë.

– Pse u zhvillua dhe ishte aq fitimprurës kjo lloj kontrabande?

– Të ndalesh e të mendosh një çast se Shqipëria ishte vendi që për nga numri i popullsisë posedonte një sasi të llahtarshme armatimi e municioni, i cili sot është zhdukur – e përveç ndonjë kacidheje, asgjë nuk u bë vlerë për shoqërinë, po vetëm për trafikantët shtetarë e individët e pangopur gjer në gjak. Kontraqbanda e armëve dhe municioneve ishte më fitimprurësja në atë kohë…

– Pse?

Le t’u referohemi vetëm disa shifrave të rrumbullakosura. Rreth 1000 (njëmijë po e theksoj) tanke, tërheqesa, amfibë, mijëra makina të çdo marke, rreth 200 avionë, mijëra topa-armë të lehta e të rënda… miliona predha-çeliku, bakri, bronxi a tunxhi… miliarda fishekë të gjithfarë lloj kalibrash ishin në arsenalin e ushtrisë të sistemuara në tunelet e shpërndarë në gjithë vendin e të paprekura gjersa në skenën politike hyri Ai njeriu, që patëm fatkeqësinë ta kemi jo pak vite kryetar shteti a qeverie, e që na solli në këtë derexhe ku gjaku nuk ka as vlerën e ujit. Ai që thirrej “01”, apo “Njëshi”- Sali Ram Berisha ose si e thërrasin shkurt tani Sali Gërdeci!

– Si është e mundur që zhvillohej një kontrabandë e tillë dhe të heshtej, të mos e merrnin vesh as institucionet përkatëse shtetërore?

– Kjo është një pyetje me vend. Por duhet të rikthehemi në kohë, 20 e ca vite më parë, për të kuptuar gjithçka dhe për të njohur të vërtetën. Duhet pranuar se për realizimin e trafikut të armëve, për hir të “sekretit shtetëror”publiku asnjëherë nuk merr dijeni, e për rezultat ky cikël i mbyllur në sekretin shtetëror nuk bën të mundur që minimumi të deklarohen paratë që hyjnë në buxhet. Kemi dëgjuar ndonjëherë sa dollarë kanë hyrë në buxhet nga kjo tregti, apo përse u shpenzuan paratë e ardhura nga shitja legale e armatim municionit? Kurrë?!

– Për ç’vite bëhet fjalë konkretisht?

– Ka ndodhur në vitet 94-95 dhe është angazhuar gjithë struktura kryesore e SHIK-ut të asaj kohe.

Andrea Dimushi
Andrea Dimushi

– Cili ishte destinacioni i kontrabandës, për shembull Bosnja, meqë atje bëhej luftë në atë kohë?

– Jo… nuk flitej për destinacionin, Bosnjën (luftën), ndonëse u bënë foto në Gjadër e Rinas gjatë ngarkimeve. Ky më shumë ishte problem korrupsioni, e mbulimi të trafikut… Duhej fshehur me çdo kusht trafiku, por për qëllimet e përfitimit me shitjet me dy çmime…

– Si bëhej ky trafik?

– Tashmë ky nuk përbën ndonjë sekret. Ndonëse jo rrallë trafiku zhvillohej në dritë të diellit si nga Rinasi, Kuçova, kalimet tokësore të kufirit, me det etj., apo realizohej demontim paraprak për ta tregtuar si lëndë të parë (rasti i Gërdecit), gjithmonë bëhej një luftë e madhe për ta kamufluar e fshehur këtë aktivitet nga sytë e njerëzve. Për këtë një kontribut ka dhënë edhe Shërbimi Informativ, nga strukturat e të cilit janë shpenzuar jo pak para për mbulim! Për të treguar një histori të vërtetë është dhe qëllimi i këtij shkrimi… Gjithashtu përfitoj nga rasti që ndonjë kërcënuesi t’i jap përgjigje për dy shkrimet e mëparshme…

– Pra ju jeni kërcënuar?

– Po. Por po ju përgjigjem këtyre kërcënuesve dhe po u them: nëse cenohem, unë e di nga do vijë e keqja e s’do ndalem si ca të tjerë që vrasësit i bëjnë temena…

– Kush ju ka kërcënuar dhe në ç’mënyrë?

– Kam Vishon (Ajazin) 50 m larg përballë. Mbase ai…

– Pse t’i “djegë” Vishos dëshmia jote për një histori të 20 viteve të shkuara?

– Sepse edhe ai i asaj kohe është. Ka qenë vasal i bindur ai.

– Le të kthehemi, Andrea, edhe njëherë te trafiku i armëve dhe municioneve. A ka ndonjë dokument që ta vërtetojë këtë në Shërbimin Informativ?

– Po, ka. “MERIMANGA”- është titulli i një dosje që gjendet ndofta akoma në një arkiv! Në nisje të punës, nisur nga emri i koduar, gjithkush mendonte se ishte një aktivitet zbulimi – por e vërteta tregoi se ishte një operacion mbulimi mafioz, që ia arriti qëllimit falë dredhive që realizoi Shërbimi Informativ.

– Mund të mendohet se dosja “Merimanga” ndodhet në sirtarët e Visho Ajazit dhe do të hapet ndonjë ditë papritmas?

– Po dosja është aty, pasi është shumë e ngarkuar. Kam folur me (Fatos) Klosin dikur dhe e garantonte që nuk ka lëvizur gjë. Për t’u hapur edhe mundet, por ka rrjedhur kohë e (Safet) Zhulali ka vdekur bashkë me Bashkimin (Gazideden). Historia e asaj dosje është sa e hidhur dhe intriguese.

– Pse nuk është folur deri më tani për dosjen “Merimanga”?

– Duhet të më kuptoni drejt, Xhevdet. Po e ritheksoj se nuk bëhet fjalë për trafikun në vetvete, por për mbulimin gjurmëve dhe ndarjen e fitimit me çmime që ndryshe shkruheshin dhe ndryshe ishin nën dorë. Operacioni në dukje bëhej qëllim-mirë, por në fund doli e vërteta për qëllimin e realizimit të tij.

– A ka ndonjë prapaskenë të organizuar nga kupola e shtetit të asaj kohe në këtë rast?

– Unë mendoj se ishte një kurth ndaj informacioneve që kish SHIK dhe nevojës për të ditur gjer ku ishte shkalla e njohjes për trafikun në njerëz që mund ta dëmtonin punën në këtë drejtim. Ishte nevoja e Zhulalit dhe Gazidedes për ta ditur gjer ku kish rrjedhur informacioni i trafikut.

– Ju mendoni se kishte rrjedhur informacioni nga brenda strukturave të shtetit?

– Po. Pra dikush apo disa kishin dhënë info për këtë mënyrë të realizimit të trafikut në SHIK. Por SHIK-u dhe Ministria e Mbrojtjes bënë çmos për ta bërë të pavlefshëm dhe për ta kthyer nga një realitet në një thashethem. Por ky nuk ishte thashethem, por një problem mjaft serioz.

Intervistoi: Xhevdet Shehu

Share This Article
1 Comment
  • Me gjidh kto qè ka bèr berisha dhe Enver Hoxha si ka bèr qè esht cilèsuar si diktator dhe nuk paska burr nene ti dal per Ball berishs po gèrrendet berisha çe do personi kush esht sali berisha ska byth as nji ta kundèshtoj po bèn berisha nè parlamentin shqiptar ça i do bytha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *