Basha firmos dhënien e 5 milionë dollarëve fonde për tre kompani pastrimi për pastrimin e pjesës perëndimore të Tiranës. Procedura bëhet me negocim dhe përzgjidhen me urgjencë tri kompani, por Bashkia nuk bën të ditur se cila është Emergjenca që e ka shkaktuar këtë kontratë shtesë. Çfarë e justifikon këtë veprim të ngutshëm të kryebashkiakut, a ka lidhje me investimet në godinën e re të PD-së te SHQUP. Një kompani sllovene e lidhur me rikonstruksionin e SHQUP-it dhe lidhjet e kunatit të Bashës me tenderat e emergjencës në disa raste por edhe me “thelën e reklamave” prej 1.5 milionë euro që ka siguruar së fundmi tek Lotaria Kombëtare.
Brenda 24 orësh, nëpërmjet tre kontratave të njëpasnjëshme me tre operatorë privatë Bashkia e Tiranës ka akorduar një fond shtesë prej afro 5 milionë dollarësh për pastrimin e pjesës perëndimore të qytetit të Tiranës. Kontratat janë nënshkruar me kompanitë brenda datave 12-13 Shtator, pra rreth një muaj më parë dhe janë botuar së fundmi në buletinin e prokurimeve publike. Emergjenca e Bashkisë dallohet që nga modeli që zgjodhi për të prokuruar këtë shumë të rëndësishme prej afro 5 milionë dollarësh. Procedura e përzgjedhur ishte: Ne negocim pa Shpallje Paraprake të Njoftimit të Kontratës. Bëhej fjalë për angazhimin e 3 kompanive për pastrimin e zonës perëndimore të Tiranës, ndërsa këto kontrata në dokumentet e prokurimit janë konsideruar si “shtesë në kontratën fillestare”. Kjo lloj procedure e përcakton qartë se shtesat në kontratë mund të bëhen vetëm për shkak të rrethanave të paparashikuara që imponojnë një shtesë kontrate, pra shtesë fondi. Por cilat janë rrethanat e paparashikuara? Çfarë ka ndryshuar në zonën perëndimore të Tiranës, që të mund të justifikonte këtë shtesë në kontratë? Në dokumentet e tenderit një informacion i tillë mungon nga ana e Bashkisë së kryeqytetit dhe duket se ky lëvrim i rëndësishëm prej 5 milionë eurosh me urgjencë mbetet ende i pajustifikuar nga Bashkia e drejtuar prej kryetarit të Partisë Demokratike.
Implikimi me SHQUP-in
Periudha kur janë lidhur këto tre kontrata përkon posaçërisht me ditët e para të muajit Shtator, kohë kur nisi dhe rikonstruksioni i godinës së SHQUP-it, tashmë e përvetësuar si godinë e Partisë Demokratike. Në këtë godinë nisën punimet me një shpejtësi të madhe për rikonstruksionin e mjediseve të jashtme, të brendshme dhe rrethimin e saj të ri. Mbeten ende shumë të paqarta procedurat dhe prejardhja e financimeve për kryerjen e këtyre punimeve në godinën e demokratëve, por ka të dhëna të besueshme se Bashkia e drejtuar nga Lulzim Basha ka qenë tërësisht e investuar me fondet dhe kapacitetet e saj për të mundësuar “tërthorazi” kryerjen dhe financimin e këtyre punimeve. Burime të besueshme thonë se materialet e brendshme për rikonstruksion dhe akomodime janë blerë në filialin e një kompanie sllovene në Tiranë, kompani e cila është aktive në marrëdhëniet e bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës. Por SHQUP-i mund të mos jetë e vetmja emergjencë kreut të PD-së Lulzim Basha në ditët e para të Shtatorit. Tashmë është i sigurt fakti se në të njëjtën periudhë kur kërkoheshin investime urgjente për SHQUP-in, Lulzim Basha ka lidhur me shpejtësi 3 shtesa-kontratash me kompanitë e pastrimit të qytetit në Tiranë, në vlerën e afro 5 milionë dollarëve. Një shifër e rëndësishme e lëvruar me një procedurë.
Si funksionon procedura:
Procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit, mund të përdoret për të gjitha llojet e kontratave publike:
1) Kur nuk ka asnjë ofertë, ose nuk ka oferta të përshtatshme, apo nuk është paraqitur asnjë kërkesë në përgjigje të procedurës së hapur ose të kufizuar, me kusht që në kushtet fillestare të kontratës të mos bëhet asnjë ndryshim thelbësor.
2) Kur për arsye teknike ose artistike, ose për arsye që lidhen me të drejtat ekskluzive ose të drejtat e pronësisë intelektuale, kontrata mund të ekzekutohet vetëm nga një Operator Ekonomik i veçantë.
3) Kur ka një nevojë urgjente për shkaqe jashtë kontrollit apo parashikimit të Autoritetit Kontraktor si për shembull: tërmete, përmbytje, dhe kur afati kohor limit për procedurën e hapur, të kufizuar apo me negocim me shpallje paraprake të njoftimit, nuk mund të zbatohet. Rrethanat e krijuara për të justifikuar urgjencën në asnjë rast nuk duhet të shkaktohen nga Autoriteti Kontraktor dhe në asnjë rast nuk duhet të përdoren të për justifikuar realizimine investimeve komplekse, të cilat zgjasin më shumë se një vit buxhetor.
4) Për punime ose shërbime shtesë, të papërfshira në kontratën fillestare, por që, për shkak të rrethanave të paparashikuara, janë bërë të domosdoshme për kryerjen e punimeve ose shërbimeve të përshkruara në të, me kusht që kontrata t’i jepet Operatorit Ekonomik që kryen këto punime ose shërbime, si edhe kur vlera agregate e kontratave të dhëna për punimet ose shërbimet shtesë të mos tejkalojë 20 për qind të vlerës së kontratës fillestare.
5) Për punime ose shërbime të reja që kanë të bëjnë me përsëritjen e punimeve apo shërbimeve të ngjashme, që i janë besuar Operatorit Ekonomik që i njëjti Autoritet Kontraktor e ka shpallur fitues të kontratës fillestare, me kusht që këto punime ose shërbime të përputhen me projektin bazë, për të cilin ishte akorduar kontrata fillestare me procedurë të hapur ose të kufizuar. Sapo projekti fillestar është gati për tender, përdorimi i mundshëm i kësaj procedure duhet të përfshihet në njoftimin e kontratës për kontratën fillestare dhe Autoriteti Kontraktor duhet të vlerësojë koston e përgjithshme të përllogaritur
Dhurata e e Bashës për kunatin: 80 milionë me negocim
Kunato-kracia ose historia e lidhjeve të biznesit ku shfaqet vazhdimisht Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës. Nga llomkat e vogla 70 mijë dollarëshe të dhëna me “procedurë me negocim” te mega-biznesi i plehrave të Tiranës që kap xhiron e 1.3 milionë eurove në muaj.
Në fund të vitit 2012 Bashkia e Tiranës i ka dhuruar një tjetër tender një kompanie ku është prezent Erion Isufi, kunati i kryetarit të bashkisë Lulzim Basha. Bëhet fjalë për dhënien e së drejtës kompanisë “Megatek” për furnizimin me pajisje mirëmbajtje për Ndërmarjen Nr.2 të Bashkisë së Tiranës, e cila konsiston në mirëmbajtjen e semaforëve të kryeqytetit. Ky prokurim është kryer në mesin e muajit Dhjetor të vitit të kaluar dhe Bashkia ka vendosur që për kryerjen e këtij prokurimi mos të shpallë një tender, por të zgjedhë një procedurë e cila zakonisht përdoret për blerje ose shërbime në kushte emergjence. Kjo është procedura pa shpallje paraprake, ose e njohur ndryshe si procedurë me negocim. Shuma totale që do i akordohet kompanisë për të bërë blerjet është afro 73 mijë dollarë.
Me negocim?
Në fakt është një kalim fondesh nga shteti tek një subjekt privat pa patur kurrfarë gare, është institucioni i Bashkisë ai që përzgjedh kompanitë që do të marrin pjesë në negocime dhe më pas do të bëjë përzgjedhjen kompanisë së cilës do i akordohet fondi. Në rastin konkret përveç kompanisë Megatek, Bashkia ka ftuar në “negociata” edhe një tjetër kompani, por pak ditë më vonë Bashkia ka shpallur se prokurimi do të kryhej me kompaninë ku është prezent vetë kunati i kryetarit të Bashkisë. Ndonëse Shqipëria ka prej disa vitesh edhe një ligj që synon parandalimin e konfliktit të interesit për zyrtarët shtetërorë, duket se Bashkia e Tiranës “e ka ndarë mendjen”, duke shënuar kështu një tjetër precedent në “kunatizimin” e këtij institucioni.
Biznesi
Kompania “Megatek” është në pronësi të biznesmenit të njohur Dionis Teqja. Por në Këshillin Mbikqyrës së kësaj kompanie është Erion Isufi, kunati i kryebashkiakut Lulzim Basha (foto shoqëruese zotërinjtë Teqja e Isufi). Përveç Isufit antare e Këshillit Mbikqyrës së kësaj kompanie është dhe avokatja Erinda Ballanca e cila është tejet e njohur pasi ka përfaqësuar në disa seanca gjyqësore kryeministrin e vendit, zyrtarë të lartë të qeverisë si dhe disa biznese të lidhura ngushtë me qeverinë. Lidhjet Isufi-Teqja vijojnë në një mënyrë edhe me konkrete në të tjera kompani. E tillë është përshembull “Reno Albania”, ku Isufi dhe Teqja rezultojnë bashkëaksionarë dhe kanë secili nga 50 përqind të aksioneve të kësaj kompanie. Partneriteti mes të dyve është i konfiguruar edhe në të tjera kompani biznesi në Shqipëri, ndërsa emri i Isufit është lakuar fillimisht në medie në muajin Tetor 2008, kohë kur media po investigonte biznesmenin boshnjak Damir Fazllic dhe lidhjet e tij të fuqishme me qeverinë shqiptare dhe me vetë kryeministrin Berisha. Sikundër u zbulua, përveç transaksioneve të dyshimta nga Qipro me familjarë të kryeministrit, Fazllic rezultoi partner në biznes në dy kompani të tjera me Isufin.
keni filluar te beni opoziten e bashkise se tiranes? Mir beni..por fatet e shqiptareve nuk varen te bashkia por te kryeministria, instucion qe keni nje muaj qe nuk thoni asgje
Bashkia e Tiranës është institucioni i parë që duhet të përgjigjet për qytetarët e saj. Kryetari i Bashkisë sonë, megjithse me vota të vjedhura, nuk ka asnjëherë fonde për të hapur vende pune për qytetarët e tij të papunë! Ndërsa paska shumë para, me thes, për kunatin e tij???!!!
Kaq shumë kushtoka ky pastrimi i plehrave, në një kohë që plehrat asnjëherë nuk zvogëlohen por vetëm shtohen?
Një kryetar Bashkie që vjen në pushtet me vjedhje votash, që hap biznese për kunatin dhe farefisin, si nuk ndiqet penalisht për konflikt interesi kaq të hapur, sa ja bën muuuuuu???
Drejtësia shumë e vonuar me këtë figurë që ka edhe të tjera afera korruptive, si rruga e Kombit, apo 21 Janari, apo deti i falur?! Çfarë tjetër duhet të bëjë ky njeri që të jetë objekt i proceseve gjyqësore?!
Sa shpejt dilkan fondet nga zyrat e prokurimeve, për plehra, kur këto janë të Kunatit? Ndërsa kur bëhet fjalë për të mirën e përbashkët, për të zbutur sado pak gangrenën që shkaktuan si qeveri për 8-vjet me rradhë, për të hapur vende pune për qytetarët, as nuk bëhet fjalë të dalë as edhe një kacidhe nga zyrat e Bashkisë, me pretekstin se bashkia nuk është zyrë punësimi!
Bashkia që çke me të, është dhe duhet të vihet në funksion të punësimit nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës duke bashkëpunuar qoftë me bizneset ekzistuese, qoftë nëpërmjet akordimit të fondeve për hapjen e bizneseve të reja, të grup moshave të të rinjve dhe të grave, për të cilët e gjithë struktura qoftë ajo qendrore apo vendore duhet të angazhohen seriozisht. Si do të luftohet papunësia në se fondet gjithnjë shkojnë në të njëjtat xhepa?! Po pse akoma sehir do bëjnë shqiptarët duke parë se si pasurohen kunetërit e kryetarëve?!
Çfarë angazhimi më të rëndësishëm paska ky kryetari ynë, se sa punësimi dhe rritja e mirëqënies së qytetarëve të vet, përveç asaj të vetes dhe familjarëve të tij?! Përse vallë nuk gjejmë qoftë dhe një pushtetar të vetëm që ti ketë familjarët e tij të PAPUNË? Përse për qytetarët e tjerë nuk paska punë e për kunatin e farefisin ka gjithnjë punë dhe fonde?!
Këshilli bashkiak i qyeteti të Tiranës, për mendimin tim duhet të ndryshojë dhe formën dhe mënyrën e angazhimit të tij, ndaj qytetarëve të Tiranës. Sepse Tirana është kthyer në një qendër ku hanë vetëm pushtetarët, kunetërit, familjarët, të afërmit, miqtë etj etj., ndërsa për çudi, shumë qyetarë të lindur e rritur në Tiranë, as që bëhet fjalë të gjejnë një punë, sepse dyndjet e miqve e të afërmve nga rrethet nuk të lënë rradhë! Kur do marrë fund kjo maskaradë korrupsioni dhe të zbatohen praktika të qarta angazhimi real e jo me fjalime e replika mediash?
Nga ana tjetër, a ka ndonjë statistikë kjo bashkia jonë, se sa qytetarë të lindur e rritur në Tiranë ka të papunë? Përse duhen punësuar më parë ata që vijnë nga rrethet e tjera? Përse nuk vihen në punë angazhuese Bashkitë e rretheve të tjera dhe të ndjekin me përparësi punësimin e banorëve të tyre, sipas burime pasurore lokale?
Vërtetë lëvizja është e lirë, vërtetë jemi në ekonomi tregu, por Bashkia është një institucion shtetëror që duhet të luajë edhe rolin e RREGULLATORIT dhe të kujdeset së pari për qytetarët e saj vendas! Prandaj dhe Shqipëria është e ndarë në zona administrative sipas rretheve. Po të ishte ndryshe, nuk do ishte e nevojshme të kishim rrethe të tjera, por vetëm Tiranën dhe o burra të punojmë të gjithë në Tiranë, të ndërtojmë shtëpi të gjithë në Tiranë dhe pjesa tjetër le të mbetet djerrë e në mëshirë të fatit! Kjo praktikë e ndjekur deri më sot, na solli këtu ku jemi, rrumpallë pa plane e pa projekte të qarta! E po është e qartë që shteti nuk mund të funksionojë kështu. Shteti funksionon me PËRPARËSI, me RREGULLA, me Ligje. Kur të zbatohen këto atëhere mund të shpresojmë për Shtet!