Nëse garat bashkiake për Tiranën janë pritur me interes të veçantë si një përballje për t’u zgjedhur “kryeministër i dytë” i vendit, kjo është dyfish më e vërtetë kësaj here, me ndryshimin e sipërfaqes dhe popullsisë që do menaxhojë bashkia e re e kryeqytetit. Prandaj dhe është i kuptueshëm kujdesi, mund ta quash madje edhe stres të veçantë të partive politike, për të piketuar kandidatin më të përshtatshëm. Më në fund, dhe pasi u lakuan e u peshuan nga publiku një seri emrash, dy blloqet kryesore politike dolën me kandidatët e tyre: Erion Veliaj nga mazhoranca dhe Halim Kosova nga opozita.
Pikërisht tek profili i këtyre dy personazheve publikë, fshihen edhe arsyet shtesë përse kjo përballje do të pritet me interes të shtuar. Por jo vetëm kaq: Të panjohurat e ekuacionit të këtyre zgjedhjeve administrative janë shumëfishuar me futjen në lojë të kandidatëve të pavarur. Me pak, aspak ose shumë peshë, këtë do ta tregojë vetëm vota, por nëse kthejmë në kujtesë zgjedhjet e Tiranës së majit 2011, e kuptojmë se edhe pak vota mund të bëjnë diferencën. Ose së paku, diferenca e vogël e votave i mundëson kryetarit të KQZ-së të bëjë diferencën.
Në njëfarë kuptimi, mes Erion Veliajt dhe Halim Kosovës, edhe pse i kanë vënë përballë, nuk mund të bëhet fjalë për përplasje. Trajektoret e karrierave të tyre profesionale, publike apo politike janë zhvilluar në rrafshe kaq të ndara dhe pa lidhje mes tyre, saqë për të huazuar pak nga gjeometria e hapësirës, mund të flasim për dy “drejtëza të kithëta”.
Kur i dyti po mbaronte fakultetin e mjekësisë në vitin 1977, i pari donte edhe dy vjet të vinte në këtë jetë. Kur në vitin 1990 doktori i nderuar do merrte titullin Kandidat Shkencash, tjetri, ende fëmijë, nuk mund mendonte se pas fare pak vjetësh, siç ka rrëfyer diku, bashkë me dajën e tij do kalonte kufirin grek me këmbë, si klandestin. Dhe kur Veliaj do nismonte themelimin e lëvizjes Mjaft në vitin 2003, Halim Kosova ishte prej dy vjetësh në krye të repartit të Obstetrikës në spitalin “Mbretëresha Geraldinë”. Cili është pra, habitati socio-politik që ka sjellë këto dy produkte njësoj shqiptare, por të epokave të ndryshme, të përballen me njëri-tjetrin më 21 qershor?
Veliaj, manuali nga aktivisti drejt politikës
Erion Veliaj është një fëmijë tipik i tranzicionit. Me një peshë edhe më të rëndë ndërkaq, sepse është rritur pa të atin, vetëm nga nëna Shqiponja. Një djalosh që provon emigracionin, që kërkon nga vetja, që fati e ndihmon të arsimohet në SHBA, ekstrovers dhe aktiv, padyshim edhe i artikuluar. Porsa i intereson publikut, ai del në skenë në vitin 2003 me themelimin e lëvizjes Mjaft, një grupim veprimtarësh civilë që menjëherë zënë të ekspozojnë dhe ironizojnë qeverinë socialiste Nano në shumë pika të dobëta e skandale. Si një risi e deriatëhershme në fushën e shoqërisë civile shqiptare, Mjaft bie në sy brenda dhe jashtë vendit. Veprimtaria intensifikohet në vitin 2004 dhe sot, me një kthim të vështrimit prapa, ndonjë simpatizant i Veliajt mund të thotë se socialistët i largoi nga pushteti largimi i Ilir Metës nga PS-ja dhe aktivizmi i Mjaft-it. Sigurisht, po njësoj një tjetër mund të nënvizojë se PS-në e rrëzoi pesha e korrupsionit të vet dhe konsumimi nga pushteti, e po njësoj iluzioni se Berisha kishte zbrazur “hard-diskun” e 1991-97-ën dhe ishte riformatuar. Më e pranueshmja do të ishte se të gjithë elementët ishin të ndërthurur.
Kush e ka ndjekur Veliajn e atyre viteve, nuk është lodhur shumë ta imagjinojë në politikë, në një të ardhme. Ndërkohë që Edi Rama po ristrukturonte Partinë Socialiste dhe po konsolidonte jo krejt pa lodhje pushtetin e vet brenda dinozaurit të politikës shqiptare, Veliaj lë pas Mjaft-in në 2007-ën, dy vjet më pas del në zgjedhjet parlamentare me partinë e re G99, e cila nuk është se la shumë gjurmë; por ndërkaq u kuptua se kjo parti do ishte stacioni tranzit, apo trampolina e tij drejt Partisë Socialiste. Rrugët e Edi Ramës nga bashkia e Tiranës drejt PS-së dhe ajo e Veliajt nga aktivizmi civil drejt politikës, më në fund u kryqëzuan. Gjithsesi, selia rozë kishte përpara edhe një katërvjeçar opozitar.
Sot, Veliaj vjen si mëtues për drejtimin e bashkisë së Tiranës, pas dy vitesh si ministër jo i zakonshëm i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Pse nuk ishte i zakonshëm? Faktikisht, Veliaj kishte një sfidë jo të vogël kur mori detyrën ministrore. Duhej të tregonte se nuk ishte funksional vetëm me ekspozimin e problematikave, hallkave që nuk funksionojnë, gjetjen e një skeçi apo batute ironike, apo qoftë dhe organizimin e një proteste dhe sensibilizimin e publikut për një çështje. Jo, tani ishte në anën tjetër të barrikadës. Duhej të tregonte se si bëhen ato për të cilat dikur ke kritikuar. Të paktën një pjesë e tyre.
Këto ditë po renditen punët e mira që ka kryer apo ka nisur Veliaj në ministrinë e madhe të MSR-së. Reforma në pensione, infrastruktura e zyrave të punësimit, dëmshpërblimet e ish të përndjekurve, hapja e dosjeve etj. Nuk janë pak, por nga ana tjetër nuk është sekret se situata e përgjithshme e punësimit nuk është “rozë”. Kuptohet se ministria e tij nuk hap vende pune në kuptimin e parë të fjalës, por futja në skemën e ligjërimit të punës së zezë, është një hap përpara. Dhe duke vënë në kandar performancën e paraardhësit… vetë fjala krahasim bie poshtë. Por nga ana tjetër, dhe këtu jemi tek përpjekja e sforcuar për imazhin, Veliaj mund të na i kishte kursyer “rrëmbimet” e vogëlushëve romë dhe vrapin drejt spitalit kur gjendet çuditërisht pranë edhe një kamera. Aq më tepër kur, nga ana tjetër, në manualin e rrugës drejt politikanit që ai duket se e ka përvetësuar tashmë, mbase i shkau pa lexuar faqja që flet për kujdes në sensin e masës dhe keqkuptimin që mund të vijë nga kjo. Fjala është për dasmën e tij me Ajolën në kalanë e Gjirokastrës, që në fakt më shumë bëri zhurmë sepse u bë zhurmë. Çka gjithsesi, mund të shmangej.
Doktor Halimi, kandidat për kandidat
Gjithnjë i përmendur si specialisti që ka ndjekur ecurinë e barrës së shumë nënave të Tiranës dhe mbarë vendit që vinin të vizitoheshin tek ai. Gjithnjë, nga pak i përmendur si një kandidat i mundshëm për diçka politike nga e djathta; ose për bashkinë e Tiranës, ose i përfolur në rrethe prej pak vetësh të besuar, si mundësi për kryetar shteti sa herë shfaqej një krizë presidenciale. Dhe gjithnjë i lënë pastaj në profesionin e tij, pasi ishte gjetur kandidati tjetër. Mjeku i njohur Halim Kosova vetëm së fundi është angazhuar drejtpërdrejt në politikë, kur vendi bosh i ministrit të Shëndetësisë pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës në prill 2013, u plotësua për pak muaj. Paralelisht ai ishte në listën e sigurtë të kandidatëve për deputetë në Tiranë, një mandat që tani duhet ta dorëzojë. Karriera e tij më jetëgjatë ishte ajo profesionale, e periudhës 2001-2013 si shef i Repartit të Obstetrikës në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ndërkohë që paralelisht kishte dhe klinikën e vet private. Gjinekologu 61-vjeçar, është përmendur gjithnjë si një emër i preferuar i ish kolegut të tij Sali Berisha, por ka ruajtur një distancë të shëndetshme nga politika aktive. Sa për pjesën e biznesit në profesion, Mero Baze e trajton hollësisht. Ajo që mund të shtojmë në këtë segment, është pikëpyetja se përse vendosi dr.Kosova të angazhohej kaq vonë në politikë: E joshi ministria 5 mujore e Shëndetësisë; apo garancia se do ishte më pas deputet, kur ndërkohë ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar?
Një arsye mund të jetë se Halim Kosova nuk është ftuar e as propozuar ndonjëherë seriozisht nga PD-ja. Dhe duhet të ketë qenë një këmbëngulje gjenuine e kryeministrit të atëhershëm, që e solli në skenën e politikës. Thënë ndryshe, ishte një fishek rezervë në momentin kur PD në fund të pushtetit, u zbraz nga figurat që mund të rrezatonin njëfarë simpatie tek njerëzit. Dhe jo më kot thuhet se vetë Berisha as që do afrohet në fushatën e kandidatit të tij. Në kapërcyellin e gjashtë dekadave, dr. Kosova befas kandidon për të menaxhuar jo Obstetri-Gjinekologjinë, por një kryeqytet dhe rajon me mbi një milion frymë. A mund të perceptohet si avantazh elektoral në raste si ky, fakti që nënat mund të kenë mendim të mirë për të si mjek; përballë faktit tjetër: Që banorët e Tiranës do t’i ftojë të votojnë për Halim Kosovën, paraardhësi i tij që s’bëri asgjë për Tiranën?
Por Tirana është e madhe…
Ndërkohë, që “të mëdhenjtë” përgatiten për të garuar, vihet re një sulm i çdo niveli, mbi dhe nën brez, i portaleve të PD-së ndaj kandidatit të pavarur Gjergj Bojaxhiu. A është shenjë kjo se opozita druan që ai do tërheqë votues të sajtë? Logjikë aty të çon, dhe për këtë mjafton të sjellim në vëmendje propozimin-rrufe të kandidatit potencial të PD-së për Tiranën Besnik Aliaj, që po kaq shpejt e la mënjanë: E djathta të votojë Bojaxhiun, pa nxjerrë emër të vetin. Por ka edhe një tjetër të pavarur të djathtë që kandidon, Arben Tafaj. Është pastaj dhe ambientalisti Sazan Guri, që beson se mund të bëjë diçka për Tiranën.
Fushata është ende e panisur, dhe kjo periudhë është interesante sepse mundëson parashikime nga më të hazdisurat. A do kemi një garë treshe? Kush do luajë më shumë me mediat sociale? A do t’i bëjnë bllokazh mediatik partitë e mëdha kandidatëve “të vegjël”? Mos dikush tërhiqet rrugës? Sa vlerë do kenë në rezultatin e qershorit 2915, votimet e qershorit 2013?
Ka ende shumë të panjohura. E vërteta është që Erion Veliaj nuk mund të projektohet tek Edi Rama, vetëm pse të dy ishin 36 vjeçarë kur kandidonin për Tiranën; dhe as do ishte e udhës ta tentonte këtë. Ndërsa dr.Halim Kosova ka një element të fortë rastësie dhe rrethanash të krijuara në rrugë e sipër, që e çuan tek ky kandidim. Ndaj do të shohim një garim në orbita krejt pa pika kontakti me njëra-tjetrën. E mira e këtij elementi, është pritshmëria për një fushatë qytetare dhe normale. Por le ta mbyllim me nga një shënim për secilin, të bërë nga lexuesit e DITA-s: “Ky Erioni e nisi tek Mjafti dhe e la, e nisi tek G99 dhe e la, filloi tek ministria dhe e la: Këtë bashkinë, nëse e fiton, do ta çojë deri në fund apo…”.
Ndërsa për rastin Kosova, metafora shtrihet më thellë në kohë: “Në vitin 1992, Shqipëria ishte bërë për spital, dhe na gënjeu mendja se një doktor mund t’i bënte derman. Tani që e njëjta parti na sjell një doktor për Tiranën, mos do të thotë kjo se paraardhësi i tij e ka bërë kryeqytetin për spital?”

