Shpërblimet, lista zyrtare e kategorive që do përfitojnë

anazapta

Pensionistët, familjet në nevojë, veteranët, policët rrugorë të kryeqytetit, mësuesit e shkollave të dalluara, nxënësit dhe studentët e ekselencës dhe disa kategori të tjera do të kenë mundësi ta festojnë Vitin e Ri me një dhuratë nga qeveria. Përmes një VKM-je, Këshilli i Ministrave ka vendosur që të shpërblejë për festat e fundvitit të gjithë ata të cilat kanë më nevojë. Ndonëse një qeverisje e majtë, jashtë vëmendjes nuk kanë mbetur as ish të përndjekurit politikë, të cilët do t’i gëzohen marrjes së një shpërblimi. Duke rikonfirmuar luftën ndaj krimit, Qeveria ka vendosur që të shpërblejë edhe familjet e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Kështu, familjet e policëve të vrarë dhe të gjitha familjet e ushtarakëve me misione jashtë vendit do të jenë përfitues të shpërblimeve të fundvitit. Dy kategori të reja që do të mbështeten, do të jenë edhe mjekët dhe mësuesit e dalluar., të cilët do të marrin 40 mijë lekë të reja.

Vendimi

Rama tha se me këtë vendim do t’i jepet fund traditës së lëmoshave dhe mungesës së stimujve për më të mirët. “Pamë të arsyeshme të kemi një qasje të re, t’i japim fund traditës së lëmoshave dhe mungesës së stimujve për më të mirët. Ashtu sikundër meritojnë vëmendje njerëzit në nevojë, meritojnë vëmendje edhe njerëz të spikatur të kësaj shoqërie që gjatë këtij viti kanë dhënë kontribut të posaçëm. Filozofi e re në dhënien e shpërblimeve, shpërblejmë personat me aftësi të kufizuar, familjet në ndihmë ekonomike, pensionistët që janë edhe grupet sociale më vulnerabël,” tha dje kryeministri Rama.

Shpërblimet

Sa i përket kategorive që përfitojnë shpërblim për Vitin e Ri janë pensionistët kryefamiljarë, të vetmuar ose në çift, familjet në ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar që marrin shpërblim prej 30 mijë lekësh ose 30 dollarësh; pensionistët shpërblim 20 mijë lekë ose 20 dollarë; veteranët e luftës dhe të përndjekurit e regjimit komunist mbi moshën 65 vjeç, shpërblim prej 50 mijë lekësh ose 50 dollarësh; për familjet e policëve të vrarë dhe të gjitha familjet e ushtarakëve me misione jashtë Shqipërisë shpërblimi do të jetë 100 mijë lekë ose 100 dollarë.

Mësuesit/mjekët

Po ashtu edhe trupa mësimore e 10-të shkollave të renditura të parat në klasifikimin e Maturës Shtetërore, do të marrin shpërblim 400 mijë lekë të vjetra ose 400 dollarë për çdo mësues. Gjithashtu edhe nxënësit e shkëlqyer, që nga pjesa e dytë e ciklit 9-vjeçar dhe për gjithë ciklin e mesëm marrin shpërblim me 50 mijë lekë ose 50 dollarë; studentët e ekselencës shpërblim me 50 mijë lekë ose 50 dollarë; trupa e 3 shërbimeve më të mira shëndetësore me 400 mijë lekë për secilin ose 400 dollarë. Njësia Policore e Qarkullimit të Tiranës do të shpërblehet me 400 mijë lekë për individ ose 400 dollarë; si dhe njësia e Parkut Kombëtar i Divjakës, do marr shpërblim me 400 mijë lekë ose 400 dollarë për person.

***

Dhjetë shkollat publike të renditura të parat

Qeveria ka vendosur që të shpërblej edhe mësuesit e 10 shkollave që kanë rezultatet më të larta në provimin e Maturës Shtetërore. Katër prej tyre janë në kryeqytet, dhe nga një në qytetet, Vlorë, Durrës, Korçë, Elbasan, Shkodër dhe Lushnjë.

“Ismail Qemali” Tiranë

“Sami Frashëri” Tiranë

“Qemal Stafa” Tiranë

“28 Nëntori” Shkodër

“Petro Nini Luarasi” Tiranë

“Ali Demi” Vlorë

“18 Tetori” Lushnjë

“Naim Frashëri” Durrës

“Themistokli Gërmenji” Korçë

“Dhaskal Todri” Elbasan

***

Filozofia e shpërblimit

Kryeministri gjatë fjalës së tij kërkoi të theksonte se qeveria këtë herë është përpjekur që të shpërblejë shtresat që kanë më shumë nevojë, por sidomos ata që janë dalluar në përpjekjet e tyre. Në këtë grup ishin mësuesit që patën rezultatet më të larta. Njësia e qarkullimit të policisë rrugore, nxënësit dhe studentët më të mirë, apo dhe tre shërbimet më të mira shëndetësore të vendit.

***

Administrata

Ashtu si një vit më parë edhe këtë vit, e sakrifikuara mbetet administrata publike. Qeveria nuk ka menduar të ketë ndonjë shpërblim për punonjësit e shtetit të cilët janë afro 110 mijë në gjithë vendin. Edhe këtë vit buxhetorët e shtetit do të festojnë me rrogën e zakonshme.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *