E fundi i fundit, populli nuk ka vrarë politikan, por mbi dy mijë veta ka vrarë politikani shqiptar. Në Shqipëri politikani nuk duhet të ruhet nga populli, por populli nga politikani… Demokracia nuk ka mekanizma dhe fuqi ta luftojë despotin. Demokracia ka forcë të madhe nëse respektohet ligji, por kur autokrati vihet mbi ligj, atëherë demokracia kapitullon….
Për më shumë se 2000 të vrarë, për qeverisje të keqe dhe për tolerimin e firmave mafioze, nuk ka dhënë përgjegjësi askush. As Sali Berisha. Për 27 veta të vrarë në Gërdec, nuk ka dhënë përgjegjësi askush. As Sali Berisha, as Ministri i Mbrojtjes. Udhëheqësitë shqiptarë kanë licencë për të vrarë, që nga Zogu, pastaj Enveri, deri tek Berisha.
A është logjike të pritet që dikush të vuajë dënimin me burg vetëm për katër veta? Një pritshmëri e tillë, nuk është logjike. Ata që kanë pritur një gjykim të drejtë, duket se nuk njohin ideologjinë e përzier, çorbë të Berishës dhe maninë e tij për pushtet. Ajo mund të lexohet në veprat dhe mendimet tij.
Në Europë nuk ka asnjë Kryeministër, që ka urdhëruar apo mundësuar të vritet qytetarët e vet. Në Europë nuk ka asnjë Kryministër stalinist, që udhëheq parti demokratike. Në Europë nuk ka asnjë vend, ku stalinisti i djeshëm të ketë aq pushtet, sa të ndalojë hapjen e dosjeve të tmerrit të epokës së vet staliniste. Në Europë nuk ka asnjë Kryeministër, që ka marrë pushtetin me vjedhjen e votave. Në Europë nuk ka asnjë Kryeministër, i cili nga mosdija dhe oportunizmi, ka mundësuar emigrimin e 37 për qind të popullsisë dhe të mburret me rezultate.
Derisa të tjerët përgaditen për zgjedhjet, ai përgaditet për t’ i manipuluar ato. Ai din se çudirat zgjasin disa ditë dhe harrohen. Ashtu siç u harruan kamionët me dinamit, çadrat dhe stilografët pistoleta me mbushje të rrezikshme. Ashtu si nuk u gjend ai para gjykatës për rrënimin e shtetit shqiptar, shpifjet dhe për haluciancionet e puçit.
E si mund të priten vendime objektive gjyqësore, kur ai vendet kryesore në pushtet, ka zaptuar me zvarranik të vet? As nesër nuk mund të pritet që Kryetari ta kundërshtojë Kryeministrin për vjedhjen e votave, ose parregullsitë. Nëse vret shqiptarë, kryeprokurori i sotshëm nuk do të reagojë, sepse pozitat nuk u janë dhënë duke u bazuar në profesionalizëm, por duke u provuar forca rezistuese e kurrizeve të tyre: sa më të përkulur, aq më të përshtatshëm për pushtetin e sotshëm despotik.
Njeriu nuk mund të çuditet me Sali Berishën, por njeriu çmendet me intelektualët, të ashquajturit intelektual që janë në shërbim të tij. Si është e mundur që ata njerëz, aq lehtë dhe pa u prekur në ndërgjegje, mbështesin njeriun që ka prodhuar aq shumë tragjedi dhe mes të tjerash: cënimin e sovranitetit, shitjen e naftës Millosheviçit dhe si mund ata ta kritikojnë Millosheviçin, kur Berisha ka qenë mbështetës i tij? Si mund ata intelektual t’ i nënshtohen atij dhe të mos mendojnë një sekondë tek familjet e sakatosura dhe të veshura në zi, fëmijët bonjak? Si është e mundur të gjenden 380.000 shqiptarë që i bëjnë “like” Sali Berishës në FB, vetëm pse të vdekurit, nuk janë vllezër dhe motra të tyre? Si është e mundur që në rrethin e tyre të ketë edhe poet, shkrimtarë, që për nga natyra intelektuale duhet të jenë hummanistë, por të jenë aq apatik, aq të topitur në ndjenja, sa t’ i sorrollaten atij njeriu me të cilin nesër do të turpërohen, ashtu si duhet të skuqen ata që i shërbyen dje Enverit? A jemi popull aq i mjerë, aq i pandjenja, sa mburrjen ta shprehim nëpërmjet kufomave të Zogut, nëpërmjet kufomave të Enverit dhe nëpërmjet kufomave të Berishës?
Partia Demokratike nuk është parti politike. “PD” është degë e “reformuar” e Partisë së Punës. Duke lexuar mendimet e tij, duke parë zjarrminë për pushtet, atëherë mund të konstatohet kjo: Sali Berisha do të rrezikojë prishjen e mardhënieve me të gjithë për të mbetur në pushtet. Ai din mirë se bota nuk do të pranonte kurrë bashkimin e dy shteteve shqiptare, trojeve jo se jo, që janë vetëm kararikatura të shteteve, por me këtë propagandë, shpreson të mbetet në pushtet. Bashkimi i dy shteteve shqiptare nuk mund të bëhet derisa të jetë në krye Berisha, jo derisa të jetë në krye Thaçi. Ai nuk ka çfarë t’ i ofrojë popullit dhe tani i thotë: me mua do të bashkoheni.
Një gjë dihet, demokracia nuk ka mekanizma dhe fuqi ta luftojë despotin. Demokracia ka forcë të madhe nëse respketohet ligji, por kur autokrati vihet mbi ligj, atëherë demokracia kapitullon dhe bëhet kroniste e lëvizjeve dhe ngjarjeve. Demokracia dhe shteti ligjor ka fuqi të madhe ekzekutuese nëse njeriu gjendet brenda shtetit ligjor, mirëpo jo kur ai ngrihet mbi të.
Ai duke vënë re se ka humbur shanset për të rifituar, kapet për kashtë nacionaliste për ta shpëtuar veten. E kush donë ta zmadhojë Shqipërinë? Personazhi kryesor që u zu duke zvogëluar Shqipërinë dhe cënuar sovranitetin e saj. E kush donë ta rrisë me bashkim numrin e shqiptarëve në Shqipëri? Personazhi që ka ndikuar në zbazejn e saj .
Sali Berisha do të mbetet një personalitet kontrovers në historinë shqiptare: si Zogu, si Enveri. Këta tre kanë bërë mirë, aq sa kanë ditur dhe kanë dëmtuar vendin, aq sa kanë mundur, edhe atë, nga pasioni i sëmurë për pushtet. Që të tre kanë vrarë shqiptarë dhe kanë pasur licencë si James Bond. I pari në monarki, i dyti në komunizëm, i treti në demokraturë. Për shqiptarin nuk luan rol rendi, ai vritet në çdo rend nga despotët e vet, sepse populli shqiptar, parapëlqen despotët, qëvrasinshqiptarëttjerë. A meritojnë këta tre përmendore? Po, sepse kanë bërë edhe vepra të mira. Këta meritojnë përmendore në qendër të Tiranës, por që të tre, me përmendore kokëposhtë dhe me këmbë përpjetë.
Nuk di a kanë pasur leje të armatosen deputetët në kohën e Enverit, por ligji për armatosjen e qeveritarëve dhe deputtëve para zgjedhjeve, paralajmëron skena kaubojësh, ndoshta edhe për t’ i mbrojtur votat e vjedhura nesër. Është për të ardhur keq kur imagjinon politikanë të armatosur, politikanë që kanë frikë nga populli i vet. Është për të ardhur keq të shohësh njerëz në vitin 2013, si dikur Isa Boletini. Po çfarë dallimi ka në mes një mafiozi të Korleones dhe një politikani i cili mban revole në shokë nga frika se po e vret populli? E fundi i fundit, populli nuk ka vrarë politikan, por mbi dy mijë veta ka vrarë politikani shqiptar. Në Shqipëri politikani nuk duhet të ruhet nga populli, por populli nga politikani.