KAMIKAZËT

redaktor

Nga Bedri Islami

Lufta u shpall: Të gjitha veprimet e fundit të disa institucioneve të pavarura, në fakt thellësisht të varura e të kapura, shpallën luftën e tyre ndaj qeverisë së sotme, shumicës qeverisëse dhe parlamentit. Institucioni i presidentit, më pas i Shërbimit Informativ, prokurorisë dhe hallkat e gjyqësorit, si në një komandë të vetme, jo papritmas, bënë shpalljen e luftës së tyre. Që nga 23 qershori i para tri viteve e deri më tani, mes shumicës qeverisëse dhe qeverisë nga njëra anë dhe pakicës dhe institucioneve të zgjedhura prej saj, ka pasur beteja të rastësishme, të ngritura me artific për të patur tension pak kohë, ndërsa tani, lufta është shpallur. Si çdo luftë, edhe ajo ka patur deklaratat luftarake, kërcënimet, sulmet verbale, goditjet, janë bërë paralajmërime serioze, ndërsa tani, mjerisht, është krejt diçka tjetër. Të gjitha institucionet e gjendura nga Berisha, që nga Presidenti e deri tek shefi i Shërbimit Informativ, janë në gjendjen e jashtëzakonshme që të detyron fillimi i një lufte të shpallur, e cila askush nuk e di se si do të shkojë më tej. Megithatë një gjë dihet me siguri; në tërbimin institucional nuk ka asgjë të papritur dhe, ajo që do të mbetet do të jetë vetëm një goditje tjetër ndaj shtetit.1

Sinjalin e parë të kësaj gjendjeje e dha një deklaratë e Berishës për përgjimet, të cilën ende, për fat të keq, edhe njerëz të mënçur vazhdojnë ta besojnë se kështu ka ndodhur. Shefi i Shërbimit Informativ, sipas një informacioni të paverifikuar sinjalizoi Kryeprokurorin se përmes strukturave të Ministrisë së Brendshme, me një paraturë  të futut ilegalisht, po bëhet përgjimi dhe transkripitimi i bisedave telefonike. Më pas, i njëjti, Visho Ajazi, informon edhe presidentin e shtetit dhe, ky i fundit, si është në detyrën e tij të zakonshme, informon shefin e tij partiak, Berishën.

Shefi i Shërbimit Informativ nuk denjon të informojë shefin e qeverisë, sepse, sipas bindjes së tij, ai i përket kampit armik, pra është njëlloj si të dërgosh një informacion tek armiku, edhe pse e ka detyrë të bëjë këtë. Për të justifikuar këtë ai gjen arsyetimin më banal, “se nuk kishte qenë informacion serioz e as i verifikuar”, por ndërkohë ia ka përcjellë institucioneve që janë në kampin e tij. Në kampin e tij gjendet edhe njeriu që e do më shumë se gjithë të tjerët luftën, në fakt, vetëm lufta mund ta shpëtojë, Berisha. Ai bën shpalljen e saj zyrtare: për më shumë saktëson se edhe cilët janë përgjuar, duke bërë një listë halucinante, dhe, me këtë mendon se gjithçka filloi.

Kjo nuk është e mjaftueshme. Nëse deklarata e Berishës është thjesht gëbelsiane, duhen gjetur provat, duhen bërë ndërhyrjet, duhet krijuar një skenar më i gjerë se kaq dhe në lojë futen dy institucionet e tjera: Presidenti, që bën sikur kjo ka ndodhur dhe, për të dëshmuar besnikëri dërgon në gjyq kryebashkiakun e Tiranës, për një park fëmijësh, e më pas, edhe shefi i prokurorisë, duke dërguar në arrest shtëpiak dy punonjës të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorin e Policisë duke e pezulluar nga detyra. Vendimet e fundit ai nuk mund t’i bëjë vetë, ndaj thërret në ndihmë gjykatës, për të cilët dosjet tek Berisha e jo vetëm tek ai, janë gati, të cilët janë rithyer në detyrë pikërisht për një rast të tillë. Gjyqtarë të tillë ka më shumë se sa mund të bartë edhe një shtet i madh, në fakt ata janë edhe tipari dominues në drejtësinë tonë.

Për të qenë lufta edhe më e plotë, shefi i opozitës, shefi de jure, Basha, pasi është kthyer nga një udhëtim hollandez, me zërin e fryrë dhe një fjalor të nxjerrë nga lufta e ftohtë, deklaron se, nëse një deputet e pakicës do të votojë pr reformën, atëherë do të digjen të  githë mandatet e opozitës dhe pastaj përgjegjësinë do e mbajë qeveria.

Në të gjithë jetën parlamentare të këtij vendi, në 25 vitet e fundit, nuk ka pasur asnjë deklaratë më tipike fashiste dhe antidemokratike deri në thelbin e saj. Përmes saj, shefi i opozitës kërcënon me luftë si në vitin 1997, ku u vranë për faj të shefit të tij politik rreth 5 mijë shqiptarë; ai në atë kohë “studionte” në Hollandë me paratë e VEFA-s ; i vendos të gjithë deputetët e tij në rolin e memecërisë dhe të vasalitetit, denigron komplet dinjitetin e integritetin e atyre që vazhdojnë ta kenë; ngre mbi parlamentin, atë pjesë që i takon, peshën e një njeriu dhe, në fund, si të mos mjaftonin të gjitha këto, gjen edhe armiqtë e jashtëm.

Kërcënime të tilla do i shkonin kohës së Hoxhës ndaj depërtimit grek, dhe kur i ka bërë, ka bërë mirë; por në një kohë të tillë, pluraliste, kur edhe brenda një force politike mund të krjohet hapësirë për mendimin ndryshe, krijimi i psikozës së përjashtimit, të dënimit dhe të linçimit brenda të vetëve, është thellësisht fashiste. Duhet thënë se kemi qenë me fat që kjo farë politike nuk ka sunduar në kohën moniste, sepse mund ta kishin pësuar njerëzit shumë e shumë më keq. Basha rikujton edhe një herë gjykimin ndaj Grupit të Deputetëve të vitit 1946, por kësaj here nuk është në dorën e tij t’i vrasë. Po të ishte në dorën e një njeriu të tillë dhe shefit të tij psiqikisht të sëmurë nga etja e pushtetit dhe fshehja e së vërtetës, mund të ndodhte.

Ka shkuar shumë kohë që kur disa nga drejtuesit e institucioneve të pavarura, por thellësisht të kapura, do të duhej të ishin diku tjetër. Socialistët, si gjithnjë, të pavendosur në hapat vendimtarë, i kanë lënë të vegjetojnë dhe që, jo papritmas, të rikthehen në ushtarët e bindur të destabilizimit të vendit.

Kërcënimi që vjen sot për krijimin e një gjendjeje anormale në Shqipëri do të duhej të ishte shqetësimi kryesor i tri institucioneve: presidentit, si drejtues i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sepse ajo po vihet në rrezik; të kryeprokurorit, sepse po bëhen deklarata thellësisht luftënxitëse, që nga ajo e Berishës për të rrokur armët kundër qeverisë, në të cilën prokuroria nuk gjeti asgjë shqetësuese; dhe i treti do të duhej të ishte Visho Ajazi, pasi, përmes deklaratave të tilla, jo vetëm rrezikohet siguria kombëtare, por edhe më tej se kaq, jepet mundësia e krijimit të strukturave paramilitare, si ishte ajo që u tentua me Gardën e Azem Hajdarit, të cilët, me këmisha të zeza, dolën haptas në një ditë prove.

Në fakt, të tri institucionet jo vetëm që nuk janë trazuar, por janë bërë pjesë e nxitjes së tyre. Janë bërë fillesa e nxitjes dhe mbulesa e krimit që ka ndodhur e që mund të ndodhë edhe në të ardhmen.

Kjo gjendje e jashtëzakonshme, që jo rastësisht kërkoi të thellohej deri në “krismat” e para, me lançimin e lajmit për arrestimin e shpejtë të ministrit të Brendshëm, Tahiri, me video seksi të ministrave që po paguanin miliona euro, e që na i paskëshin parë edhe analistët e paguar, synonin pikërisht atë që po synojnë edhe tani: krijimin e revoltës artificiale, ngritjen e njerëzve në revoltë për një çështje që do të dukej se ishte e tyre, justifikimin e dhunës ndaj qeverisjes dhe realizimit të një shtatori të ri puçist.

E gjithë kjo bëhet për ndryshimet kushtetuese, të cilat, sipas strukturave regresive në institucionet e pavarura, nuk duhet të kalojnë. Ka një shkak të thjeshtë përse nuk duhet të kalojnë: Opozita do të përgjigjet për krimet e kryera, krime në jetët e njerëzve, krime në ekonomi, në mjedis; gjykatat për rryshfetet dhe korrupsionin e pashoq; prokuroria po ashtu, ndërsa presidenti nuk do të kishte më mundësi të bënte lojën e të gjithëfuqishmit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Opozita, e në ndihmë të saj, disa nga institucionet e pavarura, e kanë shpallur luftën e tyre: rrëzimin e qeverisë, qoftë edhe përmes dhunës. Ajo që mbetet për të parë është tek qeveria: luftën e saj ajo mund ta bëjë përmes ligjeve dhe, mbi të gjitha, përmes ndryshimeve të domosdoshme kushtetuese.

Ata që mendojnë se duhet pritur edhe disa kohë për të patur konsensusin e një opozite që të kërcënon me luftë, ose na dinë naivë, ose mendojnë se po bëjnë politikë të zgjuar, ose kanë ndarë mendjen të jenë me opozitën deri në çastin e së vërtetës.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *