Ditën e djeshme, në Krastë, që konsiderohet si mushkëria e qytetit të Elbasanit, u raportua një tjetër zjarr. Edhe ky zjarr, i cili u vu nën kontroll me vështirësi nga forcat zjarrëfikëse dhe dëmtoi një numër pishash, dyshohet të jetë i qëllimshëm. Policia raportohet se po punon për identifikimin e autorëve.
Por megjithëse rastet e zjarreve të qëllimshme janë shtuar, autorët e tyre nuk janë vënë para drejtësisë. Krasta u përfshi nga flakët edhe dy vite më parë. Ndonëse edhe atëherë bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, autori nuk u identifikua.
Vetëm në qarkun e Elbasanit, në vitin 2018 behët fjalë për 11 raste kur zjarri ka qenë i qëllimshëm. 9 prej autorëve të këtyre zjarrvënieve janë identifikuar, 8 prej të cilëve janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është arrestuar.
Ndërsa për periudhën Janar-Gusht 2019, bëhet fjalë për 8 raste zjarrvënie, të gjithë autorët e identifikuar janë proceduar në gjendje të lirë.
Sipas raportimit të TCh, asnjë rast për zjarrvënie të qëllimshme nuk ka mbërritur në gjykatën e Elbasanit. Kjo do të thotë se asnjë autor nuk është dënuar.
Rastet të gjitha janë të mbyllura në Prokurorinë e këtij qarku.
e.ll./dita
