Rrëmujat politike të demokracisë së brishtë shqiptare dhe dora serbe pas ngjarjeve të rënda të Tiranës. Raportet e ambasadorit Ali Riza Kolonja nga Beogradi për Tiranën, dhe një njoftim konfidencial nga prefekti i Shkodrës: Vrasjen e dy amerikaneve e kanë paguar serbët!
(Vijon nga numri i kaluar)
Ali Riza Kolonja, para vitit 1912 gjeneral i ushtrisë perandorake turke, në 1920, në Kongresin e Lushnjes, zgjedhur ministër i Luftës dhe kryetar i Shtatmadhorisë, në motet 1922-1923 përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin e Kufijve, prej këtu emëruar nga kryeministri Ahmet Zogu drejtues i Legatës Shqiptare në Beograd, në 8 mars 1924 mes të tjerash i raportonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë këtë mesazh: “Qeveri e Belgradit, në lidhje me demarshet e saj të mëparshme, bëri përsëri tashti përçapje të reja pranë Konferencës së Ambasadorëve për të dhënë pa vonim një vendim mbi pikat e kontestuara të kufirit shqipëtaro-jugosllav në Vermosh dhe Sh. Naum, që kur të arijë më 1 maj komisioni kufinor në Shqipëri të mos presë më kot, po të fillojë nga puna tue zbatuar në vent vendimin relatif të Konferencës”.
Çuditërisht në 1 maj, pak orë pasi qe bërë në Vlorë, mes një ceremonie funebre të shndërruar në miting shumë të madh politik, varrimi i Avni Rustemit, në Shqipëri protesta paqësore e opozitës së drejtuar nga Fan Noli, Barjam Curri, Luigj Gurakuqi e të tjerë, filloi të armatosej dhe duke u përleshur me ushtrinë qeveritare sulmoi njëri pas tjetrit qytetet kryesore të vendit. Kështu e mori pjesë-pjesë pushtetin lokal dhe për ta zotëruar atë qendror, hyri në Tiranë me pushkë në dorë në 10 qershor.
Në 16 qershor Noli njoftoi përbërjen e kabinetit të tij qeveritar, në datën 19 shpalli programin e saj me 20 objektiva. Ndërkohë në gusht Fan Noli duhej të ishte në Gjenevë, në mbledhjen e radhës së Lidhjes së Kombeve, ku do të diskutohej edhe për çështjen e kufinjve shqiptaro-jugosllavë. Kjo nuk qe punë e lehtë.
Një vit më parë, në 17 qershor, në Lidhjen e Kombeve qe vendosur që çështja e Vermoshit në Malësinë e Madhe, por mbi të gjitha e Shën Naumit buzë liqenit të Ohrit, të paraqitej për zgjidhje përfundimtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Ky në parim ishte një skandal i madh ndërkombëtar, sepse në 6 dhjetor 1922 Konferenca e Ambasadorëve pati këmbëngulur dhe vendosur që Shën Naumi të mbetej në territorin e shtetit shqiptar.
Rikthimi në gjykatë i këtij vendimi qe shenjë e plotë e një presioni në revansh i Beogradit mbi Tiranën, madje duke dalë edhe kundër Anglisë e Francës, të cilat qenë për alternativën e Konferencës së Ambasadorëve. Ofensiva jugosllave e periudhës prill-qershor 1923 është me të vërtetë një nga më të pashoqet për forcën e organizimit dhe të realizimit.
Ndërkohë qeveria pluraliste e Tiranës bëri një notë kundërshtimi. Porositi edhe legatat e saj nëpër vendet më kryesore të bënin propagandë mediatike në favor të një Shën Naumi shqiptar. Beteja për të zotëruar përfundimisht manastirin ortodoks u ashpërsua dukshëm në fund të vitit 1923.
Në 1924 të dy palët, Beogradi dhe Tirana, hynë në këtë gjendje të lartë tensioni dhe kryen përleshjen më të madhe diplomatike e mediatike. Ra në sy që Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, siç atë kohë thirrej ajo Jugosllavi, po punonte non stop dhe me çdo mjet të mundur, duke përfshirë të tëra strukturat e saj shtetërore, gazetat, kishën, lidhjet e diasporës së vet nëpër botë si edhe elitën e saj intelektuale.
Kur në Tiranë në vitin 1924, më problematiku pas motit trazues e të paqendrueshëm 1913, për çështjen e ruajtjes së territorit qe shumë e nevojshme rendi publik i fortë dhe bashkëpunimi i frytshëm mes partive dhe politikanëve, ngjau tepër qartë e anasjella, krejtësisht e kundërta. U krijua gjendja e trazirës totale.
Si të qenë masa dinamiti të vendosura nga e njëjta dorë në objektet më të ndjeshme, brenda 56 ditësh shpërthyen tri ngjarje destabilizuese: në 23 shkurt u tentua të vritej tek shkallët e parlamentit kryeministri, Ahmet Zogu, në 6 prill u vranë në Mamurras, tek udhëtonin nga Tirana për në Shkodër, dy qytetarë të vendit më të madh mbështetës të sovranitetit të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe në 20 prill u godit me plumba dhe ndërroi jetë, Avni Rustemi, politikani më i famshëm në vend, nacionalisti mit, njeriu që kishte ndëshkuar me vdekje mu në mes të Parisit Esat Pashë Toptanin. Ky, dihej edhe atëherë, kishte qenë mjaft bashkëpunues me Beogradin në kurriz të integritetit të tokave autoktone shqiptare.,
Jugosllavo-serbët tërë vitin 1924 sulmuan në mënyrë të përqendruar, për ta rrënuar imazhin e Shqipërisë, duke e paraqitur si shtet tipik në anarki të përhershme, me paaftësi të theksuar vetëqeverisëse, po ashtu si territor ku stërviteshin grupe terroriste bullgaro-maqedonase për të destabilizuar tërë Ballkanin.
Aksioni i opozitës politike të Fan Nolit me marrjen e pushtetit me forcën e armëve dhe për pasojë jo legjitim, i dha mundësi Beogradit të akuzojë se në Shqipëri po shkohej edhe më tej: po vendosej regjimi komunist bolshevik. Kjo ua lehtësoi rrugën për marrjen e Shën Naumit.
Ca më tepër që në kryeqytet, në hotelin “Bristol”, serbët kishin “kartën” tjetër të lojës së bixhozit të tyre diplomatik: Ahmet Zogun. Atë, në këmbim të manastirit mbi liqenin e Ohrit, e ndihmuan për ta sulmuar me dhunë qeverinë Noli.
Ky, i mbajturi peng nga Beogradi, nuk ua vonoi dorëzimin e Shën Naumit.
Ylli Polovina
Tiranë, më 28 maj 2016
Raportime nga Beogradi
(Fragmente ilustrues prej librit më të fundit të Ylli Polovinës “Krisma në parlament”)
Në 8 mars 1924 drejtuesi i Legatës Shqiptare në kryeqytetin jugosllav, me gradë diplomatike dhe rang zyrtar Ministër, Ali Riza Kolonja, i nisi Tiranës informacionin e tij të plotë mujor.
Mes shumë faqeve qenë edhe këto radhë, të cilat po ja përcjellim lexuesit siç ndodhen të shkruara në formën origjinale: “Princ Gjorgji, i vëllai i Mbretit, rron jetë fare private dhe i pafjalosur me Mbretin. Kërkon të botojë ca memuarë, por asnjë shtëpi botuese nuk ja pranon se thonë që janë kundër mbretit dhe Pashiçit. Kohët e fundit i kanë atribuar dhe relacione me Partinë Komuniste, të pajtuara mjaft me karakterin e tij revolucionar dhe të rrëmbyer.
Gazeta e këtushme “Republika” ndalohet dëndur sepse akuzohet se është kundër mbretërisë, një redaktor i saj ndodhet në burg, një tjetër gjyqi e nxori të pafajshëm. Mbreti ka me vete grupin e oficerave të quajtur “Dora e bardhë”, të cilët thonë se kanë aq shumë ndikim sa bëjnë politikën e shtetit, kurse kundër janë grupi i oficerëve “Dora e zezë”.
Më pas Kolonja raporton: “Krijimi pas lufte i shtetit kroato-serbo-slloven ishte i papritur dhe nuk qenë të përgatitur, kishin jetuar më vete dhe me zhvillime të ndryshme, serbët i ka përkrahur gjithnjë Rusia cariste. Pashiçi me qeveritë e tij e ka qeverisur pothuaj njëzetë vite parreshtur dhe arriti pas shumë mundesh ta madhojë Serbinë e vjetër”.
Ali Riza Kolonja po ashtu e vë në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se “Ministria e Punëve të Jashtme Jugosllave botoi një komunikatë “Me që misioni politik i Legatës ruse në Belgrad pushoj, z. Stradman gjer tashti Ministrë i Rusisë në Belgrad, ngarkohet me përkujdesjen e interesave të emigrantëve rusë në Jugosllavi, si delegat për refugjatë”. Kjo duhet të jetë përçapje e parë e qeverisë jugosllave për njohjen e qeverisë sovjetike”.
Më tej: “Qeveri e Belgradit, në lidhje me demarshet e saj të mëparshme, bëri përsëri tashti përçapje të reja pranë Konferencës së Ambasadorëve për të dhënë pa vonim një vendim mbi pikat e kontestuara të kufirit shqipëtaro-jugosllav në Vermosh dhe Sh. Naum, që kur të arijë më 1 maj komisioni kufinor në Shqipëri të mos presë më kot, po të fillojë nga puna tue zbatuar në vent vendimin relatif të Konferencës. Në rrethet politike serbe bëri një përshtypje të mirë shumë refuzimi i agrementit prej qeverisë shqiptare për personin e z. Karajofovit si përfaqësues i Bullgarisë në Tiranë, i cili këtu është i njollojtë si një agjent shumë aktif i komitetit maqedonas. Çdo lëvizje e ndonjë bullgari në Shqipëri komentohet liksht këtu, dhe quhet si qëllim agitacie në formim të çetave shqiptare në bashkim me bullgarët kontra tokës serbe”.
Pasi e informon ministrinë e vet se për këtë çështje të fundit me anë bisedimesh në Beograd ai e ka qetësuar qeverinë jugosllave, Ali Riza Kolonja ngul këmbë që edhe qeveria shqiptare në Tiranë të punojë me bisedime edhe me shefin e legatës jugosllave që edhe ai ta qetësojë për luajalitetin shqiptar qeverinë e Belgradit.
Vijon diplomati Kolonja: “U shkruaj edhe këtu me një gazetë për oportunitetin e mbylljes së kufirit në liqen të Ohrit dhe ndalim eksportimi drithi në drejtim të Pogradecit, porse këto vende qenkeshin sheshuar gjoja çeta bullgare të rregulluara. Botimet në gazetën e këtushme “Politika” të letrave të korespodentit të saj z. Mill Jeliç, kur ishte në Tiranë, janë gjetur shumë të pëlqyera nga tërë populli këtu, se ato çkoqin mjaft mirë jeta e sotme politike dhe sociale në Shqipëri. Shqiptarët të ndodhur këtu për punë prej krahinës së Gorës-Lumë, lihen të punojnë dhe autoritetet e këtushme u kanë dhënë leje banimi të gjatë në Jugosllavi. Pasaportat dhe certifikatat e dhëna nga legata jonë deri tani nuk janë refuzuar nga policia serbe dhe çdo demarsh i kësaj legate në favor të shtetasve shqipëtarë është pritur mjaft mirë gjer tashti. Formimi i qeverisë së re shqiptare posa nuk ju komunikua kësaj Legate drejt prej asaj Ministerie, duhet me hollësi të na vijë, duke deklarur se dhe kabineti i Ahmet Zogut ashtu dhe ky i tanishëm ka për program forcimin e relacioneve të sinqerta me Jugosllavinë”.
Më 25 mars 1924 Seksioni I-rë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë ia doli të sigurojë fshehtas një shkresë të shpërndarë prej konsullatës të Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene në Shkodër. Në të mes të tjerash thuhej: “Misioneve diplomatike dhe Konsullatave të Mbretërisë S.H.S. përjashta…Instruksioni nr2….jini të lutur t’i paraqitni Ministrisë së Punëve të Jashtme informacionet e përmbledhura në vendet ku jeni akrediatuar si vijon:
1. Gjithë informata e kësaj Zyre. Dy herë në javë t’i paraqiten Atasheut ushtarak, e ku nuk ka, punonjësit më të madh diplomatik.
2. Në mos keni kredi në Nr2, shpenzoni nga të hollat e mbledhura prej taksës së vizave dhe çdo muaj na lajmëroni shumën.
3. Kqyrni mirë punët ushtarake e veçanërisht në ato provinca që janë në kufi të mbretnisë S.H.S.
4. Mund t’i paguani shuma më të larta spiunëve ushtarakë.
5. Lajmëroni në atë çast lëvizjet e ushtrive.
6. Për të bërë kursime të kredisë së fshehtë përdorni si konfident emigrantë që mund të marrin lajme.
7. Kqyrni mirë organizatat e emigrantëve, në është çështje me ngutësi na lajmëroni telegrafisht…
8. Kqyrni mirë organizatën bullgaro-maqedono-shqiptare dhe mundohuni me çdo mënyrë për vepra aktive. Për këtë gjë mund të përdorni nga dy konfidentë për secilin grup.
9. Në këtë çështje punoni sa të mundni me qëllim që të provokoni likujdimin e kësaj organizate.
Në 2 prill, në raportin mujor, Ali Riza Kolonja e informonte ministrin e tij në Tiranë, Iljaz Vrioni, se Nikolla Pashiç kishte ngritur kabinetin e ri, ku ministër i Jashtëm qe Ninçiç. Para se ta krijonte ai pati thirrur shefin e opozitës Davidoviç, por ky i fundit i kishte refuzuar konsultimet. Atëherë ai, shkruan më poshtë Kolonja, me korrupsion i rrëmbeu 14 shokë nga Partia Demokrate, duke i dhënë edhe pesë portofola ministrorë dhe dy nënsekretarë shteti.
Më pas: “Eksitimi gjoja i Komitetit Kosovar në Shqipëri vazhdon të jetë kokëçarje për serbët, se punon për të kallur në katundet kufinare të Serbisë urrejtje kontra këtij shteti, tue u folur të qëndrojnë me shpresa se Shqipëria është me u zgjeruar gjer në Shkup…Shtypi i këtushëm i inspiruar ka botuar që Komiteti Kosovar ka dashur të hedhë njerëz nga ana e Dibrës në tokën serbe dhe që për këtë është çuar në Peshkopë dhe një kapedan Ramo për të bërë propagandë në favor të Komitetit. Mbas ca lajmeve dhe të tjerë, dhe Hasan be Prishtina, paska udhëtuar gjer në Vjenë ku qënka bashkuar me Radiçin e kroatëve, për një marrëveshje të politikës kroate me atë të kosovarëve”.
Në vazhdim të raportimit të plotë mujor Ali Riza Kolonja i shkruan ministrit të vet në Tiranë se në Jugosllavi “Relacionet me Italinë janë krejt miqësore, dhe dita me ditën po kryen kujdesje për të marë formën definitive aliate. Relacionet me Francën janë gjithë ashtu si më parë, krejt të sinqerta”. Kur bie fjala për marrëdhëniet e Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene me Anglina, informon se patën ardhur në Beograd dy oficerë britanikë të shtatmadhorisë për t’u informuar mbi gjendjen e ushtrisë jugosllave. Ata kishin udhëtuar më parë në Greqi, në Rumani dhe në Bullgari. Ministri jugosllav i Luftës ua pati dorëzuar të gjitha të dhënat.
Për sa i përkiste marrëdhënieve të Mbretërisë SKS me Shqipërinë “qeveria jugosllave mori me kënaqësi njoftim për ekspulsionin e dy gazetarëve bullgarë nga Shqipëria” se ajo “shpreson që edhe anketa e qeverisë shqiptare në Korçë për konstatimin e ndeshjes atje në atë qark të komitave bullgarë do japë rezultate favorablë dhe do të vërtetojë të dhënat e qeverisë jugosllave”.
Në vijim raportimi me shkrim i Ali Riza Kolonjës thotë se “Mbledhjet e Asamblesë shqiptare po vëzhgohen së këtejmi dhe munt të thuhet që nga vazhdimi i punërave të Asamblesë gjer më sot, këtu kanë përshtypjen që ajo ka për më të voglin qëllim dhe kokëçarje të kryemin e një konstitucioni të shtetit dhe që me të tepërtën kohë është më u marë me çështje personale dhe embicie, të paçdukura edhe në karakterin e kombit shqiptar; e që nuk ka me arrirë të mbushë dot detyrën që i është ngarkuar, e kështu nuk është me i përgjigjur as fare shpresave që ka mvarur populli shqiptar në asamblistët e tanishme, as shpenzimet të mbëdha të tyre.
Këto të meta e atribuojnë këtu, në mungimi i kapaciteteve të shqiptarit për të kryer vetë një organizim dhe për sëpari me parti të organizuara me prncipe, nevojë fondamentale për krijimin dhe konsolidimin e një shteti mbas formës së shteteve tjera të Ballkanit dhe të Evropës, ku ndodhet edhe Shqipëria”.
Pastaj shefi i Legatës së Shqipërisë në Beograd tërheq vëmendjen e ministrit të vet në Tiranë, Iljaz Vrionit, se “S’është çudi dhe, që kjo gjendje e sotme precaire e Shqipërisë të gjykohet tepër e pëlqyeshme pa dhe të favorizohet e të yshqehet prej shteteve fqinjë me mënyra jo lehtë të kuptueshme. Kurse dihet që vetëm me vazhdimin e situatës së tillë e të kaosit në Shqipëri munt të ekzistonë shpresat për apetitet agresive të tyre”…
Tepër sekrete: Jugosllavët po përgatisin në Shqipëri vrasje njerëzish të rëndësishëm
Në 10 prill larg syve të opinionit publik dhe kërshërisë së tyre të ndezur, në fshehtësi të plotë, prefekti i Shkodrës A. N. i dërgoi një telegram Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Teksti qe ky: “Ju parashtrojmë se para dy javëve nji konfident mjaft i zoti për me mbledhë informacione dhe qi ndodhet në kontakt me personat e Konsullatës së këtushme Jugosllave, na kishte lajmue se me shtymjen e agjentave Jugosllav mbrenda dhjetë ditësh do t’u bante nji atentat në Tiranë kontra personave me randësi. Kjo Prefekturë tue mos pasë besë në seriozitetin e lajmit nuk bani të njoftun at Ministri. Ngjarja e vrasjes së dy Amerikanëve na shtyeni të besojmë vërtetimin e lajmit të sipërme, prandaj dje thirrëm pranë vedit konfidentin e nalt-përmendun, i cili na tha se vrasja e dy Amerikanëve asht e pregatitun prej Jugosllavëve me ndërmjetsien e dy agjentave Jugosllavë t’ardhun në Shqipni prej Gjakove dhe e organizue prej Attashe-militerit Jugosllav në Tiranë e Konsullit të këtushëm. Me këta shërben dhe nji i qujtun Gjuro Gjevashkoviç në Durrës. Konfidenti shtojë se organizata Jugosllave nuk do të mjaftojnë vetëm me kaq por në këta ditë do të bajnë dhe nji atentat tjetër kontra nji personit të huej sepse Konsulli i këtushëm në këta ditë ka paguem dhe 10 000 fr. Francet për kët qëllim. Thotë se Jugosllavia tue mos pasë besime miqsie me Qeverien e sotshme do të vazhdojnë në të tilla provokacjone me atentate t’arratisuna për me fitu kështu të drejtë për okupacionin e Shqipnis Sipërme. Këta lajme sa do qi janë të pa kontrollueshme për dijeni e shohim të nevojshme t’ia bajmë të njoftun Ministries”.
Duket që z.Polovona nuk e zotëron lëndën. Shën Naumi nuk ishte problem i vëtëm, pasi Shqipëria nuk kishte ende kufij. Këto kufij u nënshkruan në vitin 1926 në Firence të Italisë. Shqipëria me kufij, nën garancitë e fuqive të mëdha ishte një sukses i jashtëzakonshëm i Ahmet Zogut.
Ylli Polovina nuk i respekton arritjet e shkences se Historise se Shqiperise per Revolucionin Demokratik te Qershorit 1924 dhe shkruan ne tym; por ti artan vlora me qe te pelqen te japesh mend lexo nje here studimin shkencor te Prof. Kaliopi Nska mbi Shen Naumin dhe pstaj merr guximin e shtype tastieren e laptopit.
shqipetaret naïve dhe dembela per shekuj ne shenjesteren e serbise grabitqare.
ne vitet 90′ serbia e pati te lehte te dhjetfishoje agjenturen me ndihmen e njeriut te tyre salih berisha.
vetem ndikimi amerikan e ka ruajtur integritetin territorial te shqiperise.
Mirepo nje turrme lamashesh katoliko-zogiste, nga ato qe na la peshqesh UDB, ngulin kembe se Zogu doli i fituar me pazarin e Shen Naumit, madje e pershendesin kete turp kombetar me argumentin se po ta kishim ne, do e kishte prishur Enveri manastirin. Ketyre plehrave u intereson vetem feja e jo trualli (atdheu).
E cmundet te prisje nga komandant i ushtris turke ne patriot shqiptar neser?
Keta turq te shqiptarizuar ishin si kurvat dhe jugosllavia ne mbreterin e saj beri si deshi me ķta fytyra qe shiteshin per nje karrige kurse nolin e debuan se desh te sillte amerikanizimin qe asnje nga vendet europiane nuk e desh ket sher ne mes te europes,esht e njejta metode edhe sot te renojm inflyencen russe dhe myslimanet ti kemi vegla interesash e treg ne injorancen primitive te ashtuquajtur sukses ne nato?
@Artan. Mund t’i japesh vetes cfardolloj nofke, por jo Vlora…Komento cfare te duash dhe jep opinionin si te te pelqej, por jo me nofken Vlora. Shpresoj te jem i mire kuptuar prej teje…Ne rregull…
klm
NUK I SHTE FAJI I SHQIPTAREVE … ME KULTUREN ARTINE QE NA DHA TURQIA PREJ SHEKUJSH ….. KEMI SHANCIN QE NUK U BEME TE GJITHE KANIBALE …… TURQIT E SHITEN SHQIPERIN PER TU PASURUAT … KISHIN TE DREJTE SISHTE TOKA E VET…. DHE ZOGU BERI MEKSIMUMIN PER KOHEN … KUR KE TURQIT SI KALI I TROJES ..KEMI GREKUN SI NJE SOPATE NE KOKE …KISHIM SERBET SI .. KANIBALET E BALLKANIT ….. HAJDE TJA DILTE ZIGU .. DHE AS Q SA JA DOLI .JA DOLI ME DINAKERI … E MBAJTI MIRE ME ITALILE DERI SA … MA AUSTRO HUNGAREZET .. ATO SHIN ALEATE TE VERTETE .. TE TJERET ISHIN VAMPIRA QE PISNIN RASTIN TE NA PISNIN KOKEN…. PRANDJ UNE PER VET ..SA VEJ SHUME FAJIN QEVERISE … …. PASTAJ ESHTE MENDIMI VETEM I IMI CDO PERSON KA MENDIME TE NDRYSHME ..POR TE JENE REALISTE …. DHE MOS HARRONI SE NE KETE KOHE KISHTE SHUME DIKTATORET NE BOTE NE EUROPE …
Kembimi i Shen Naumit me tokat qe Shqiperia perfitoi eshte suksesi me i madh e ndoshta i vetmi i diplomacise shqipetare. Merite kjo e diplomatit dhe intelektualit te njohur Mehdi Frasheri dhe koleget e ti diplomat te kohes.
I tere materiali original i mareveshjes eshte i publikuar.
dhe dihet. Ajo e historianeve komunist per “tradhetine e Zogut” eshte banale qesharake. Zogu nuk aresytohet per tjera te beme por per Shen Naumin aspak.
Kembimi i Shen Naumit me tokat qe Shqiperia perfitoi eshte suksesi me i madh e ndoshta i vetmi i diplomacise shqipetare. Merite kjo e diplomatit dhe intelektualit te njohur Mehdi Frasheri dhe koleget e ti diplomat te kohes.
I tere materiali original i mareveshjes eshte i publikuar.
dhe dihet. Ajo e historianeve komunist per “tradhetine e Zogut” eshte banale, qesharake. Zogu nuk aresytohet per tjera te beme por per Shen Naumin aspak.