I pafuqishëm para ingranazheve të gjyqësorit

Bledar Lumani

Odiseja e një banese të blerë ligjërisht këtu e 47 vite më parë. Peripecitë e gjyqësorit, dy gjykatës që japin vendime të ndryshme për të njëjtën çështje dhe Përmbarimi që vepron kaçakçe, përballë një fakti kokëfortë: Dy familje dhe shtatë vetë në mes të katër rrugëve

 

Ditën e botimit të këtij artikulli, dy familje fierake me shtatë anëtarë gjithsej, bëjnë 20 ditë që jetojnë në qiell të hapur. Për 47 vjeçarin Albert Shehaj nuk ka ngushëllim. Me një tufë dokumentesh e vendimesh gjyqësore ai pret nervoz para redaksisë së gazetës DITA, por shumë shpejt e kupton se në këtë pikë, kryesorja është që hallin e vet ta sqarojë me qetësi dhe kthjelltësi. I kanë prishur shtëpinë ku ai dhe familja e tij jetonin që prej vitit 1967 dhe “qetësia” është një fjalë goje, por ai ja del dhe nis rrëfimin nga fillimet e kësaj historie.

 Zanafilla dhe një vendim

Objekti i sherrit ka qenë një gërmadhë e rrënuar në vitin 1967, pronë e Sefer Trokës. Në kushtet e nevojave të ngutshme për strehim, autoritetet e kohës e ftuan Trokën t’u dilte zot atyre mureve dhe t’i kthente rrënojat në banesë, por ai nuk pranoi. Kësisoj, ajo ngrehinë dhe sipërfaqja rrotull iu blenë shtetit nga familja e Lame Shehajt për 250 mijë lekë. Ky i fundit e riparoi dhe e shndërroi në banesën e tij.

Këtu historia duket sikur mbyllet, por siç mund të merret me mend, gjithçka u rihap në vitin 1993. Këtë vit, Komisioni rajonal i Kthimit e Kompensimit të të Pronave kryesuar nga Shemedin Ruçi, troket në shtëpinë e Lame Shehajt dhe i kërkon dokumentacionin që kishte për këtë banesë. Ai u tregon Notën e  Transkriptimit. “Ata e përdorën këtë Notë jo për të na u njohur prona e blerë ligjërisht, por për ta regjistruar shtëpinë si objekt kthimi”, thotë Albert Shehaj, djali i Lames.

Në këtë mënyrë, fillon një kalvar gjyqesh 20 vjeçare mes familjeve Troka e Shehaj. Në shkurt 2004, gjykata e rrethit gjyqësor Fier me kryesues të trupës gjyqësore Amarildo Laçin dhe anëtarë Skënder Daminin e Andi Civicin, vendos rrëzimin e padisë së Galip Trokës kundër Lame Shehajt, me objekt “për lirim e dorëzim shtëpie banimi dhe sipërfaqe trualli 890 m2, e ndodhur në lagjen ’15 Tetori’ Fier”. Çështja apelohet dhe vendimi që ngjan sikur i vë vulën këtij konflikti, është ai i 15 qershorit 2005 nga Gjykata e Apelit Vlorë, me kryesuese të trupës gjykatësen Meme Rexha, dhe anëtarë Sokol Ngresin dhe Alaudin Malajn. Apeli vendos që Shehaj t’i lirojë dhe dorëzojë paditësit Galip Troka sipërfaqen e truallit prej 505 m2, dhe lënien në fuqi të vendimit të mëparshëm për pjesët e tjera. Pra, 129 m2 banesë dhe po kaq truall, gjithsej 358m2, t’u mbeten Shehajve. “Ky vendim është firmosur dhe pranuar edhe nga Galip Troka”, thotë Albert Shehaj.

 Dopio-konflikti

Por nuk qe e thënë. Trokajt vendosin të vazhdojnë gjyqin, duke shfrytëzuar ligjin për ish pronarët. Ata shkojnë tek Enti i Banesave dhe marrin një vërtetim në bazë të të cilit kërkohet lirimi i shtëpisë në fjalë. Megjithatë, gjykatësi Skënder Damini e refuzon kërkesën, me arsyetimin se Lame Shehaj e ka blerë shtëpinë ligjërisht, dhe nuk është strehuar aty as arbitrarisht, as ilegalisht. Ky vendim apelohet sërish nga Galip Troka në Apelin e Vlorës. Këtu historia komplikohet.

Trupi gjykues i Apelit, kryesuar nga Andi Civici dhe me anëtarë Sokol Ngresin dhe Hysen Salikon, vendosin më nëntor 2013 ndryshimin e vendimit të Fierit dhe pranimin e kërkesës së Galip Trokës për lirimin e shtëpisë së Shehajv, dhe lëshimin e urdhër-ekzekutimit për titullin ekzekutiv nr.2 datë 05.03.2013 të drejtorisë rajonale të Entit Kombëtar të Banesave. Mirëpo siç vihet re, si gjykatësi Civici ashtu edhe Sokol Ngresi, kanë qenë më parë të përfshirë në këtë çështje, dhe pikërisht për banesën e Shehajve më herët kanë vendosur që ajo t’i mbetet kësaj familjeje. Për kujtesë, Civici ka qenë i pranishëm në vendimin e kryesuesit Amarildo Laçi në vitin 2004, ndërsa Ngresi në vendimin e kryesueses Meme Rexha në Apelin e Vlorës, më 15 qershor 2005. Një konflikt i pastër interesi, për të cilin Albert Shehaj thotë: “Unë vetë jam i bindur 100%, por më kanë ardhur edhe sinjalizime përmes internetit (facebook-ut) nga njerëz që e njohin mirë hallin tim, se ata të dy janë korruptuar. Më kanë thënë edhe shumën që kanë marrë”.

 Përfundimi

Megjithatë përtej këtij pohimi, Albert Shehaj vazhdon procesin në Gjykatën e Lartë. Por përmbaruesi shtetëror Pëllumb Isufaj “nuk është i këtij mendimi”; në mars 2014 shkon në shtëpinë e Shehajt dhe siç pohon Alberti, “më tha do të të tërheq zvarrë”. Nuk arriti ta “zvarriste” sepse e zhvendosën në Lushnje. Por stafetën e vazhdon kreu i Zyrës së Përmbarimit  Fier Arjan Çepele, që vjen t’i prishë shtëpinë. Shehaj i kërkon dokumentin përkatës nga Enti i Banesave dhe bashkia, sepse çështja ishte ende në proces gjyqësor. Madje nga Enti i Banesave erdhi njoftimi se përmbarimi nuk duhet të bëjë veprime, pasi kjo çështje ishte në Gjykatën e Lartë. Çepele gjithsesi vepron me “iniciativë” dhe në mes të korrikut Albert Shehajt dhe të vëllait i prishin garazhin, gardhin, i presin dritat dhe furnizimin me ujë. “Më tha të firmos procesverbalin. Unë i thashë hapur: Ke marrë para; dhe firma që hodha thoshte, ‘përmbaruesi më grabiti shtëpinë’”.

Pas dhjetë ditësh, Albert Shehaj bëri kallëzim penal në prokurori ndaj përmbaruesit Arjan Çepele, për shpërdorim detyre. Por ndërkohë, familja e tij dhe e vëllait Eduart, shtatë frymë gjithsej, flenë në furgon ose ku të munden.

 

Ka shkelje ligjore

Sipas zv.drejtoreshës së përgjithshme të Entit Kombëtar të Banesave, zonjës Rajmonda Stefa, përmbarimi i Fierit ka vepruar në kundërshtim me ligjin kur ka vënë dorë mbi shtëpinë e Albert Shehajt. “Urdhri i ekzekutimit nga Apeli i Vlorës nuk duhet të zbatohej pa praninë e përfaqësuesve nga Enti i Banesave dhe pushtetit lokal, në këtë rast bashkia Fier”, thotë Stefa. Ky nxitim, sipas saj, flet për shkelje ligjore aq më tepër që çështja në fjalë ishte ende në proces gjyqësor pranë GJykatës së Lartë.

 

 

 Shënim/ I pafuqishëm para ingranazheve të gjyqësorit

 

Albert Shehaj ka edhe një “sekret” tjetër për të rrëfyer. E thotë me njëfarë mimike që shpreh zhgënjim, por që nuk zgjat shumë. “Unë jam socialist nga ata të vërtetët”, thotë, “nga ata që kanë bredhur mes plumbave në 97-ën për të mbrojtur njerëzit tanë nga SHIK-u i Saliut”. Domethënë, po të ishte demokrat apo ballist, apo me partinë e çamëve, mirë t’ja bënin? Nxiton të sqarojë se e përmendi këtë fakt për të thënë se padrejtësitë e gjyqësorit shqiptar vijojnë pavarësisht se cila parti është në pushtet. Shehaj këmbëngul se nuk i kërkon askujt asgjë në trajtë nderi apo shpërblimi: “Kemi jetuar me djersë, kemi qenë në shtëpinë tonë të blerë ligjërisht nga shteti i kohës dhe nuk i kemi rënë njeriu në qafë”. E përmendi këtë punën e afërsisë shpirtërore me politikën, për të më thënë se ja ka qarë hallin kryetarit të bashkisë Baftjar Zeqo, është ankuar tek deputetët e zonës, nga Gramoz Ruçi tek Ervin Koçi, nga Ilirjan Celibashi tek ministri i Drejtësisë, madje tek ai i Brendshëm dhe vetë kryeministri. E kanë mirëkuptuar, por me pafuqinë e kujtdo që e di se kjo është çështje e gjyqësorit. “Janë çuditur”, thotë, “por më kanë thënë që nuk futemi dot tek gjykata”.

Këto të fundit, në rastin konkret kanë të paktën një çudi, një flagrancë të hapur: Dy gjyqtarë që më herët kanë vendosur se shtëpia i takon të zotit, më pas ndryshojnë mendje dhe marrin vendim që ai të dalë nga banesa. Sipas Shehajt, “kur i thashë Andi Civicit, si ka mundësi që më parë kishte marrë vendim që shtëpia ishte e imja, dhe tani më nxjerr jashtë, a nuk ka konflikt interesi këtu?, mu kthye me ironi: Ou, pse kështu paskam vendosur atëherë?”

Megjithë irritimin e madh, është e pamundur të mos vëresh pafuqinë e këtij njeriu përballë ingranazheve të gjyqësorit. Kujton të atin, Lamen ndjesë pastë, që iku me një merak të thellë sepse kishte punuar gjithë jetën dhe kishte kujtuar se u la pasardhësve një banesë të blerë me para nga shteti, një pronë të siguruar me ndershmëri dhe djersë. “Ata ma bënë, ata të Kthimit të Pronave në 93-in, që e regjistruan si pasuri të kthyeshme vetëm se ishim të majtë”, pat shfryrë atëherë Lame Shehaj.

Nga ana e tij, Albert Shehaj thotë se pa llogaritur fare ngjyrat politike, tashmë të paktën shpreson ta ndihmojë bashkia me strehimin, me ndonjë kredi të butë apo forma të tjera që as ai nuk i ka mirë të qarta, por ndërkohë nuk do ta lërë betejën gjyqësore. “Një gjë u kam thënë deputetëve që njoh: Qeveria lufton me Gaten e Lazaratit dhe e bën zap, por mua më nxorrën nga shtëpia ime dhe më lanë në mes të katër rrugëve Gatet e Fierit”, thotë Albert Shehaj.

 

Share This Article
8 Comments
  • Ah more vella i dashur terroristet me te medhenj te Shqiperise fshihen ne diten me djell nen petkun e gjykateseve te pangopur.

    • Ti ankohesh tek Kryeministri o fakir; ai të dëgjon, të kupton e të jep të drejtë. Por më tej çtë bëjë? Gjykatat i komandon Salih Krimineli me anën e sakatnishanërve, cefërve, dhallërve, gjinërve e tërë qenërve të tij.
      Duhet përmbysur gjithçka në Piramidën e Saliut në Drejtësi, ndryshe do të vazhdojmë ta qajmë Drejtësinë në Shqipëri.

  • Ne shume raste shteti ja ka paguar pronen pronarit,ose ja ka kompesuar,,mirepo ne prona vepruan çetniiket e te dy kraheve dhe tjetersuan cdo gje.
    Une do jap shkurt nje shembull.
    -…nje pronar nuk donte te jetonte me qiraxhinj dhe ja shiti shtepine{kishte vile 3-kateshe dhe jeonte vetem} shtetit dhe mori nje me te vogel ne nje oborr kishe.Mirepo kur u plak jeta ju veshtiresua dhe mori nje familje te re ,si qiraxhinj,te cilet prveç qerase i jepnin plakut ndonje pjate gjelle,e lanin,pastronin,pra i dhane ngrohtesine e munguar…perpara se te vdiste plaku,ja la tapine kesaj familje me dokumenta se ishte i shkolluar.,kur erdhi demokracia,niperit hodhen ne gjyq qiraxhiun dhe ngelen te befasuar perballe denimit te plakut
    -kaluan ca kohe dhe niperit me manipulime duan te marrin shtepine qe i shiti plaku shtetit …
    – si do veproje shteti??,se ai po e merr,sepse jane marre syresh
    Kete realitet eshte dikush ne politike qe e ka perjetuar, kur ishte njeri i thjeshte,mund te jape versionin e tij..me real
    *****
    mendimi im,qe {se pjerdh njeri me falni }eshte se.po nuk u xhvesh nga petku i krimit,drejtesia,ky vend nuk merr forme,por lengon ,lengon se ne nuk kemi zgjedhur te duhurit…po presim verdiktin banditesk, keshtu u vodhen edhe ndermarrjet nga ish pushtetaret duke nxjerre ne asistence punetoret e duke vjedhur pronat ata qe skishin punuar ndonjehere,me vellezer e motra ,femijet e dajes se vdekur…..lloj lloj karnavalesh.
    …si perfundim..ne flasim per ndarje territoriale,kur territoreve ju ka dale pronari flasim per prona qe jane te xanuna …Keto jane probleme furtune,qe s’ju intereson zgjidhja.palove dhe paleve.

  • Zoti I ndeshkofte ata qe padrejtesisht ju nxorren ne rruge te madhe. I lutem cdo dite Zotit qe drejtesia te vendoset ne vend dhe per ju te gjihet nje zgjidhje sa me shpejt.
    Me respekt Sonila (mbesa Zanes)

  • Morpo emrin e njërit prej kétyre gjyqtarëve të korruptuar (sokol ngresi) më duket e dekretoi sot nishani për në vëndet bosh të Gjykatës së Lartë !!? Pa shikojeni një cikë këtë punë o “dita” dhe se përse grepi i nishanit përzgjedh vetëm këta të korruptuarit? I kanë në dorë apo jo? Shihe “dita” shihe këtë dekretfije mafioze? Tung!

    • @Autor ? Morpo emrin e njërit prej kétyre gjyqtarëve të korruptuar (sokol ngresi) më duket e dekretoi sot nishani për në vëndet bosh të Gjykatës së Lartë !!? Pa shikojeni një cikë këtë punë o “dita” dhe se përse grepi i nishanit përzgjedh vetëm këta të korruptuarit? I kanë në dorë apo jo? Shihe “dita” shihe këtë dekretfije mafioze? Tung!

      • Përsëri për Autorin? E dini pse e mbajta mënd emrin e këtij sokol ngresit ? Sepse më erdhi për te qeshur kur degjova nje mbiemër gati te njëjtë me emrin e një mekanizmi te pistoletës e të pushkës për të cilin në ushtri tregoheshin shumë barcoleta!? Duhet ta kenë zgjedhur për “kobure juridike” këtë ngrefsin ma ha mëndja? Tung!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *