Shkrijeni që ta shpëtoni

anazapta

Për çdo kënd është e qartë tashmë: Opozita e sotme, e përmbledhur tek Partia Demokratike, nuk është më një forcë e reformuar, por e deformuar. Çdo gjë që rrjedh në qelizat e saj politike, që nga shefi i vërtetë, dhe tjetri, i emëruar, e deri tek struktura metingashe e përhumbur, sjell në vetvete një amalgamë që shkon gjithnjë e më tej drejt rrënimit. Në dy zgjedhjet e fundit, politike e vendore, ajo u shashit drejt një firoje të paralajmëruar, sa që tashmë në të gjithë vendin, në rastin më të mirë, drejt saj shkojnë me bindje jo më tepër se një e dhjeta e popullsisë, dhe për përfitime të humbura ose të ëndërruara, edhe një dhjetë përqindësh tjetër. Kjo është humnera më e ndjeshme e një opozite, e cila do të duhej të kishte, të paktën, misionin e një ringritje, sado të vonuar, por të domosdoshme.

Përse ndodhi kështu? Çfarë kataklizme ndodhi që solli pas vetes edhe këtë rënie të pazakontë, sa që tashmë askush, ose më saktë, pak kush, e merr seriozisht atë?

Janë disa shkaqe, ndër të cilat, ata që mbeten edhe më tej pengesë e reformimit të saj, përbëjnë thelbin e regresit politik të një force që u prit si shpresë, vazhdoi si despote dhe përfundoi në vrasje.

Asnjë parti tjetër politike në Shqipëri, në njëzet e pesë vitet e fundit, nuk është dëmtuar aq shumë nga rëndesa e Numrit Një në politikën e saj. Duke dalë nga totalitarizmi politik, në kohën kur mendohej se nuk do të kishte më vend për ngritje përmendoresh, PD-ja u bë skuta ku kulti i Shefit ishte i barabartë me pasurinë, pozitën, forcën, paprekshmërinë. Përpara Trupicës së Berishës, pra trungut ku mbështetej koka e të dënuarit, shumica kanë ulur kokën pa kurrëfarë kundërshtimi. Kjo u kthye në një sëmundje kronikale: para vullnetit të tij, jo një a dy, por e gjithë struktura, nganjëherë bënte vërejtje të përvuajtur, ndonjëherë murmuritnin, por kurrë nuk kundërshtonin. Ata që e merrnin këtë guxim rebelimi, shpejt, shumë shpejt, do të gjendeshin në mesin e katër rrugëve dhe, për më tepër, do të ishin viktimat e Tabllosë Sinoptike të shefit të madh dhe të zagarëve të tij të lëshuar nga zinxhirët. Të paktë ishin ata që i bënë ballit rrebeshit dhe nuk u kthyen si djemtë plangprishës, aq të paktë, sa që vështirësia për të sjellë emra të tjerë përbri Bamir Topit, Oketës, Besnik Mustafajt, Mitro Çelës është shumë e madhe.

Nënshtrimi pa kushte ndaj Njëshit, megjithëse u ngritën kundër këtij Njëshi, kthimi i tij në një kult politik, financiar e ekonomik, nënshtrimi i vullnetshëm e pa kushte i shumicës partiake ndaj një oligarkie të paktë drejtuese, krijoi tek Njëshi iluzionin e dëmshëm, e më pas vrastar, se pas tij le të bëhej qameti, por ama, sa të ishte Ai, do të bënte qametin. Dhe, për fat të keq, e bëri.

Edhe tani, në këto ditë, ideja e Njëshit të pandëshkuar, është primare në opozitën e sotme, pavarësisht përplasjes së dy rrymave brenda saj. Dy rryma, të cilat nuk i ndajnë idetë dhe vizionet, por besnikëria ndaj Shefit të vjetër dhe shefucit të ri, pa e ditur ende mirë se nga do të shkojnë erërat e së nesërmes. Mos shkëputja nga Njëshi, si një fatalitet i ardhur nga komunizmi dhe i mbrujtur me idenë inatçore të njeriut të çmendur pas pushtetit, ka bërë që në PD, për kaq shumë vite, të mos ketë ide që mbesin, aspirata që të frymëzojnë, njerëz pas së cilëve mund të gjesh pjesë të vetes; ka bërë që në vorbullat e saj të përplasen inatet e jo idetë, të ndërthuren interesat e jo perspektivat e një vendi. Për njëzet e pesë vite, edhe kur nuk ishte në pushtet e shumëfish më tepër kur ishte në qeverisje, PD-ja, përmes liderit të saj, u bë porta që hapej për pasurimin marramendës; strofulla përmes së cilës mund të fshiheshe dhe të dilje përsëri në tregun e korrupsionit, pa të hyrë asnjë ferrë në këmbë. Kur Njëshi vetmitar u kthye në Njëshin familjar, atëherë kupola u bë edhe më e gjerë, më e fuqishme, PD u privatizua dhe, ashtu si u mbajtën kuajt e qentë e ish bashkëshortes së Berishës së vockël, ashtu u mbajtën të lidhur të gjithë ata që ishin përlyer deri në grykë dhe për të cilët informacioni ishte i vazhdueshëm.

PD erdhi në pushtet me idenë e zhdukjes së despotizmit të shtetit, por nuk e përligji despotizmin e qeverisjes së tij. Shteti komunist ra brenda një nate, përmes një inskenimi që e bëri vetë, jo nga prirja ndaj së resë, por nga droja e asgjësimit. Partia Demokratike, pas vitit 1992, sidomos pas korrikut të këtij viti kur për herë të parë humbi në zgjedhjet vendore, e mendoi veten si një forcë që duhet të qëndrojë gjatë në pushtet, me çdo kusht, edhe përmes dhunës, ani se do të bëhej kështu një autokraci në sistemin pluralist. Shumë shpejt ajo e humbi cilsinë me të cilën mund të qeverisej, ndjenjën e së mundshmes. Pak ditë pasi ishte zgjedhur president, në takimin me strukturat e PD-së në Shkodër, pyetjes së çfarë mund të ndodhë nëse socialistët fitojnë zgjedhjet vendore, Berisha u përgjegj i sigurtë se, “Socialistët nuk do të vijnë as për 50 vite në pushtet”.

Mendësia e qëndrimit në pushtet me çdo kusht ka qenë sindromi politik i PD-së. Ajo në asnjë rast, edhe pas vitit fatkob 1997, që e përgatiti kujdesshëm vetë, nuk e mendoi qëndrimin në opozitë si një shans për ringritje, por si një akt për të përbaltur gjithçka, për të shpërndarë helmin, për të përçuar në të gjitha institucionet ndërkombëtare renë e zezë të vendit. Asnjëherë, megjithëse më shpesh ka humbur se sa ka fituar ( në të vërtetë ka fituar vetëm një herë, me 22 mars 1992, nga lodhja e tejskajshme), pas çdo zgjedhje, ajo nuk e ka gjetur fajin ose gabimin tek vetja, por në forcën përballë saj, ndaj së cilës ka hedhur aq shumë shpifje, përbatime, akuza vrasjesh e vjedhjesh, sa që në çdo vend të botës, kudo qoft, njerëzit, në se do i kishin besuar në një të qindtën, do të duhej të kishin marrë armët.

Berisha ishte gojëtar i fuqishëm, njeri që besonte lehtë dhe hakmarrës, ai ishte nga ata liderë që koha i nxorri përdhunshëm nga zyrat e Komitetit Qendror dhe, që mjeshtërisht, ditën ta tërheqin popullin me fjalë për ta çuar në greminë.

Dy herë ka ndodhur kjo në fare pak vite, sa që të dukej se viti i prapshtë 1913 kishte qenë vetëm prologu i fatkeqësive që do të vinin më pas, gjatë gjithë shekullit të njëzetë, duke u përmbyllur me këtë njeri, që zoti e lindi për të keqen e Shqipërisë. Por ai mori pas vetes edhe krejt një strukturë politike, e cila qorrazi, në të dy buzëgreminat, nuk mori as guximin më të vogël për t[ thënëse ku po shkojmë kështu. Në fakt, disa nga njerëzit pranë tij, mjeshtërisht , i përgatitën ato, dhe këtë nuk e bënë thjeshtë për sytë e zgjuar e djallzor të shefit.

Në vitin 1997 gremina që hapën ata dukej e papërballueshme. Tashmë dihen ngjarjet e asaj kohe, armatimi i militantëve, hedhja në luftë e veriut kundër jugut, gjendja e jashtëzakonshme nën kontrollin e sigurimit famëkeq të shtetit të Gazidedes, shpartallimi i shtetit, emigrimi i një pjese të familjes së tij. Dhe, sikur të mos mjaftonin këto, në shtatorin e vitit 1998, duke goditur brinjë më brinjë një pjesë vitale të kombit, Kosovën, ai bën grusht shteti. E bën këtë pasi pushteti ishte më i dashur se sa shteti. PD-ja i shkon prapa, qorrasi. Pak vetë marrin mundimin, qoftë edhe të heshtur, të largohen prej tij.

Viti 2013 është përsëri një fatalitet. Një shekull pas famëkeqit 1913, tashmë haxhiqamilshe drejtohet shteti; përgatitet kriza për të hedhur krejt shtetin dhe për të marrë pushtetin; në duart e financierëve piramidalë lihen financat e shtetit, që edhe ashtu plasin; asgjë nuk e rëndon kujtesën e ndërgjegjen e qeveritarëve që shpejtojnë të shpërndajnë tenderat e fundit, të japin koncensionet që i lidhin këmbët Shqipërisë.

Ky është edhe mentaliteti i tashëm i opozitës. Në dy vite opozitare asnjë ëndërr nuk ka qenë më e fuqishme se sa kthimi drejt pushtetit, qeverisjes. Asnjrin prej tyre nuk e brente ndërgjegjja dhe nuk ishte i shqetësuar për krizën që lanë pas vetes; shqetësimi i tyre i vetëm ishte tek perandoria që kishin krijuar, cepet e së cilës kishin mbetur zbuluar.

Një forcë e tillë nuk mund të reformohet. E keqja është në vetë thelbin e saj; më shumë se sa në deklaratat luftarake të Topallit ajo është në spikamën politike që ofron; më shumëse tek liderët ish ministra që heshtin është tek stafeta e re e linjës bashiste që ende e ka njerën këmbë e njërin sy tek dera e Berishës; më shumë se sa tek jargavitjet halimiste e përçartjet muliste, ajo ka të keqen në përceptimin e shtetit si një mall pa zot, ku nuk u vjen keq për atë që kanë grabitur, por për atë që kanë lënë.

Viti 1997 duhej të ishte viti i shpërndarjes së kësa force që u shfaq me pamjen e ëngjëllit të reformës, kurse në fakt ishte djalli i kryengritjes, korrupsionit dhe mashtrimit, çka i dërgoi drejt vrasjeve. Çdo ndryshim i madh në histori nxjerr në sipërfaqe dy forca njerëzore; ata që janë prijës për nga natyra dhe ata që janë mashtrues të bindur. Në vitin 1997 maska e ëngjëllit të reformës ra marramendshëm shpejt dhe dëshmoi se krijesa që kishte lindur me ngut, PD, në fakt kishte qenë një krijesë e verbër. Ajo duhej ribërë, njeriu që kishte sjellur kombin në këtë fatkob duhej ndaluar të ishte pjesë e politikës, por socalistët e porsaardhur në pushtet, me ish shefin e dalë nga burgu, nuk kishin këllqe ta bënin këtë, ose pushteti u është dukur më i ëmbël se mjalta.

A duhet bërë tani? Kjo nuk mund të bëhet me asnjë dekret, aq më tepër tani, kur nuk jemi më në vitin 1997 dhe kur “falja” që u bë në vitin 2005, përmes rikthimit në pushtet të njeriut të së keqes, ka bërë një amnesti të pafalur ende.

Asnjë pushtet nuk mund të zhbëjë një forcë politike opozitare. Këtë duhet ta bëjë vetë opozita, por jo opozita e bllokut politik, shumë më e fuqishme se blloku i dikurshëm komunist, shumë më e pasur dhe shumë më cinike. Mjerisht opozita e sotme është bërë si teneqet që zhurmë bëjnë, por askush nuk i merr seriozisht. Edhe kur teneqetë bëjnë gjoja luftë, edhe kur bëjnë gjoja debate, vlera e tyre është drejt paqënies.

Shumë vite më parë, një njeri i mënçur, ndërsa diskutohej për abdikimin ose jo të mbretit, qetësisht tha se “çfarë na duhet mbreti, kur askush nuk gëzohet se i foli mbreti. Ose një mbret tjetër, ose pa mbret”.

A i duhet Shqipërisë një opozitë e deformuar, e cila nuk a ndër mend të reformohet? Apo i duhet asaj një opozitë e riformuar?

Unë jam i bindur se kjo e dyta. Në fund të fundit secili ka mendimin e tij.

Share This Article
5 Comments
  • Duhet pastruar nga radikalet ekstremistet islamike si nje parti jo demokratike por si nje parti e ekstremit te djathte e atij islamik me elemente teper te rezikshem per te gjith shoqerine me nje platforme ekstremistesh te etur per pushtet e egjemoni nje parti qe esht shum larg konservatorizmit modern europian duke pasur ne krye elemente qe nuk u kuvendon kultura europiane por babezia per pushtet e konservatorizmi islamik i nje demokracie islamike e jo nje partie te moderuar europiane qe lufton per zhvillim e simbas kohes kur esht puna tek ekonomia qe pushteti leshohet sepse e kerkon koha dhe ai nuk esht i perjetshem!
    Elemente ekstremiste dihen nuk esht e nevojshme ti permendim populli duhet te distancohen nga keta me platforma shum e shum te rezikshme per stabilitetin ne rajon e ne vend!
    Integrimi ne konservatorizmin europian si parti demokratike esht nje domosdoshmeri,por si fillim duhen te integrohen ne kulturen europiane e me pas nje debat te brendshem brenda saj per te then se esht plotesish e integruar per tu perballur me sfidat ne eu e ne rajonin e trazuar nga liderit e ksaj partiè!

  • Virusin e shpelles,kjo parti e mori qe kur maloku Sali Berisha u fut ne vathen e studenteve si “mik i partise demokratike”Goditjen e pesoi kur intelektualet qorra vune kyetar te partise shpellarin Sali Berisha,perfundimisht kjo parti u shnderrua ne ushtrine e Haxhi Qamilit me shembjen e qeverise se koalicionit.Qe nga ajo kohe kjo parti duhej shkrire pa marre pushtet i babezituri per pushtet Sali Berisha.

  • Parlamenti i vitit 91, vetem nga krahu i vetquajtur i djathte, PD, nga 40 deputete, 35 ishin spiune te sigurimit te shtetit diktatorial.
    Ne vitet 95 e me vone, saliu, qe kishte futur ne dore dosjet e sigurimit, filloi shantazhin ndaj te veteve, shantazh qe beri qe keta ish spiune, te mbyllin gojen edhe atehere kur sali berisha bente haptazi lojen antishqiptare.
    Sherimi!, ska sherim, vetem futja ne burg, eshte ajo qe sjell qetesine.

  • Partia Demokratike ka vetem nje zgjidhje nese kerkon qe te vije ne pushtet. Ne krye te zgjedhe Eduart Selamin. Ndryshe PD me Lulin do shkoje nga disfata ne disfate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *