Dy pamjet e lirisë

anazapta

Nga Viktor Malaj

(Vijon nga numri i kaluar)

Me sa kuptohet nga shkrimet e Stefanit, ai ka një vlerësim të lartë për lirinë, sidomos për lirinë individuale. Ky fakt e nderon atë dhe çdo njeri duhet të respektojë lirinë e tjetrit por, më së pari, lirinë kombëtare. Në të vërtetë koncepti i lirisë ka ndryshuar duke kaluar nga një fazë e zhvillimit shoqëror në një tjetër. Edhe sot, në vende, popuj dhe individë të ndryshëm ka perceptime të ndryshme të lirisë.
Kur flet për lirinë në tërësi dhe nga pikëpamja teorike Stefani ka të drejtë. Çështja është se ai dhe shumë të tjerë, me shkrimet dhe thëniet e tyre, krijojnë idenë se njeriu s’ka qenë kurrë më i lirë se sot, se vendet kapitaliste perëndimore që ata i përmbledhin në togfjalëshin “vende demokratike” janë themelueset e lirisë dhe se sot ato e kanë arritur këtë liri në pikën e fundme.1

Mirëpo e vërteta praktike, dhe jo teorike, është shumë më ndryshe nga sa na e paraqesin. Siç thoshte Sigmund Froid, “Liria individuale nuk është dhuratë e qytetërimit. Ajo ekzistonte në shkallën e saj më të lartë përpara cilitdo qytetërim”. Njeriu parahistorik, njeriu i komunës primitive ishte shumë më i lirë se qytetari i shekullit të 21-të në Evropë. Mirëpo jeta e tij ishte një ferr i vërtetë pasi ishte i pasigurt për jetesën dhe krejtësisht i pambrojtur përballë rreziqeve natyrore dhe të mjedisit. Me krijimin e familjes, me lindjen e vetëdijes se njeriu si individ i përket edhe një bashkësie tjetër si gjinia, fisi, kombi dhe deri mbarë njerëzimit, liria individuale filloi të kufizohej sepse vetëdija e përkatësisë dhe domosdoshmëria e bashkëjetesës bëri që të lindin edhe detyrimet ndaj njësisë që i përket.
Më vonë lindën edhe normat morale që, në vetvete, përbëjnë një kufizim të lirisë individuale, por është një kufizim i nevojshëm për hir të bashkëjetesës në grup apo shoqëri. Kur shoqëria njerëzore u nda në klasa dhe lindi shteti ndryshuan rrënjësisht edhe raportet e njeriut me lirinë. Shtypjen e saj më të skajshme liria individuale e pati në periudhën e gjatë të skllavërisë, e cila, për fat të keq, ekziston diku e hapur dhe diku tjetër më e sofistikuar edhe sot në shumë shtete të botës.
Kur u krijuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, themeluesit e saj ishin kryesisht pronarë skllevërish dhe pasardhës të kolonizatorëve evropianë që vranë shumicën e banorëve vendas dhe u grabitën tokat. Në kushtetutën amerikane thuhej se “Të gjithë njerëzit janë prej natyre njëlloj të lirë dhe të pavarur…”. Ata që i shkruanin dhe miratonin këto ishin shtypësit më të mëdhenj të lirisë individuale. Edhe pas miratimit të kushtetutës skllavëria në SHBA vazhdoi për më shumë se njëqind vite të tjera; kaluan edhe gati dyqind vjet që gjysma e popullsisë, femrat të fitonin të drejtën e votës. Po kështu edhe zezakët e fituan këtë të drejtë pas rreth dy shekujsh. Fillimisht e kishin të drejtën e votës vetëm të pasurit, jo më shumë se 10% e popullsisë. Po të lexosh apo dëgjosh propagandën shqiptare të këtij çerekshekulli të thuhet se Amerika ka qenë demokratike prej mbi dyqind vitesh sepse kishte pluralizëm politik, votime “të lira” dhe respektim të të drejtave të njeriut. Pyetja është: Për cilët njerëz është fjala? Nëse përjashtojmë shumicën dërmuese të popullsisë, duke mos i konsideruar njerëz, atëherë pohimi është i drejtë. Përndryshe, pohimi është një mashtrim i kulluar.

Qysh në Revolucioni Francez më 1789 lindi parrulla: Liri-Barazi-Vëllazërim! Për gati dy shekuj kjo mbeti vetëm parullë, jo vetëm në aspektin e brendshëm, por sidomos në qëndrimet dhe veprimet e shtetit francez në botë. Pushtime, kolonizime, grabitje marramendëse të pasurive nëpër botë, skllavëri dhe krime barbare ndaj popullsive vendase. Të njëjtën gjë bënin edhe shtetet e tjera të zhvilluara perëndimore. Duke njohur këtë histori nuk është vështirë të konkludosh se ka pasur dhe ka ende një hendek shumë të madh midis parullave, kushtetutave, konventave dhe propagandës nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, sjelljeve dhe praktikave të vendeve dhe shteteve nismëtare të këtyre të drejtave dhe lirive. Të fortët i ushqenin më mirë shtetasit e tyre, në saje të shtypjes, shfrytëzimit dhe rrëmbimit të pasurive të të tjerëve. Njësoj si në botën e egër. Luani, ujku dhe tigri e ushqejnë mirë veten dhe të vegjlit. Duke ngrënë kafshët e tjera të vegjlit e tyre nuk iu sjellin trazime dhe mund të jetojnë të lirë dhe të mbrojtur nga rreziku mjedisor. Por kjo mënyrë jetese nuk i ka bërë ato “kafshë shtëpiake”. Një fakt i tillë nuk mund të shërbejë si shembull për kafshët e tjera, jo vetëm pse është shembull i keq, por edhe sepse është i paarritshëm prej tyre.
Z. Stefani arrin në konkluzionin se liria kombëtare, liria nga pushtuesi i huaj, nuk ka asnjë vlerë për aq kohë sa nuk ekziston liria shoqërore dhe individuale. Ky konkluzion i tij është i pasaktë sepse të çon në mendimin se më mirë nën pushtimin e huaj sesa nën një regjim vendas që nuk më lë të lirë sa dua unë apo sa duhet të jem. Nga ana tjetër, koncepti i lirisë individuale nuk është aq absolut sa e shpreh Stefani dhe disa të tjerë. Liria nuk mund të jetë e drejta për të bërë çfarë të duash, por e drejta për të bërë gjënë e duhur. Dhe, në kohë dhe vende të ndryshme, koncepti i “gjësë së duhur” ka pasur e ka ndryshime. Edhe më themelor mbetet fakti se liria nuk mund të jetë reale vetëm pse lejohesh të bësh çfarë dëshiron. Ajo varet edhe nga fakti se sa i ke mundësitë personale dhe, sidomos, sa të lejon mjedisi shoqëror, politik e moral të bësh ato që dëshiron.
Edmond Burke thoshte se “Efekti i lirisë tek individët është se ata mund të bëjnë ato që duan por, përpara se t’i përgëzojmë për këtë, duhet të shohim se çfarë janë ato gjëra që ata pëlqejnë të bëjnë”. Në këtë kuptim ka rëndësi fakti se çfarë kërkon individi të arrijë nëpërmjet lirisë së siguruar. Personalisht besoj se liria nuk është tipari kryesor i ekzistencës dhe bashkëjetesës së shoqërisë njerëzore. Ajo është mjaft e rëndësishme dhe duhet mbrojtur dhe perfeksionuar, por liria pa sigurinë dhe drejtësinë mbetet liri e xhunglës ose, siç thoshte Frojdi “Liria për ujqërit është vdekje për qengjat”.

Aktualisht vendet perëndimore kanë një shkallë të lartë lirie të qytetarëve, por ky nivel ka ardhur në rritje në përputhje me përparimin ekonomik, kulturor dhe politik të këtyre shoqërive. Historikisht shqiptarët nuk kanë qenë më shumë se disa fise të lira, në kuptimin natyror, por krejt të prapambetur dhe me një koncept aspak progresist për lirinë individuale. Mendoj se ka ardhur koha ta shohim të vërtetën e të shkuarës tonë në sy dhe ta pohojmë pa droje, sepse vetëm kështu ndihmohemi të ecim përpara. Po të shohim si e kanë përdorur të parët tanë lirinë për t’u zhvilluar, nuk mund të mos dëshpërohesh. Kur bota themelonte universitete, shqiptari shtynte parmendën dhe i numëronte bagëtitë duke futur në xhepa aq gurë sa dhi i dilnin nga vatha; kur popujt e tjerë të botës shpiknin ligjet e shkencave të ndryshme dhe i vinin në shërbim të prodhimit të të mirave materiale, populli ynë rropatej pas tufës së bagëtive dhe gërvishte ngastrat e tokës me parmendën e drurit. Kalin e shalës e besonte si mjetin më luksoz të udhëtimit, të destinuar vetëm për “zotërinjtë”. Kur bota ndërtonte katedrale dhe i zbukuronte me piktura e skulptura, shqiptari ndërtonte në male kulla me frëngji për t’u mbrojtur nga hasmi dhe në fushë ngrinte shtëpi prej qerpiçi pa oxhak; kur popujt e vendeve perëndimore themelonin akademi shkencore dhe ushtarake për të studiuar si të mbrohej apo sulmonte fqinjët, shqiptari mësonte si të qëllonte hasmin në “shesh të burrave” apo prapa ferrës; kur popujt e tjerë shpiknin teknologjinë dhe ndërtonin uzina apo rrugë e hekurudha, shqiptarit i mjaftonin rrugët e dhive dhe, për të siguruar jetesën, iu zinte pritë udhëtarëve që transportonin drithëra me kafshë a qerre; kur bota i bënte vajzat mjeke, inxhiniere apo fizikane, shqiptari e fejonte vajzën në djep dhe e konsideronte gruan shërbyese të burrit, rrahjen e saj një detyrë bashkëshortore dhe e ngarkonte me dru si kafshë pune; shërbimin në ushtritë pushtuese e konsideronte fat dhe atdheu i tij shtrihej deri tek sinorët e fisit apo krahinës. T’i përmendje dijen dhe shkollën, i shkaktoje bezdi dhe dhimbje koke. T’i kërkoje të shkruante emrin e vet, e kishte po aq të pamundur sa të shpjegonte Ligjet e Njutonit apo Teoremën e Pitagorës. Kur vendet e tjera shpiknin kinemanë dhe filmin, shqiptari shihte veten në grykë të pusit dhe besonte se i ishin shfaqur xhindet.
Ku janë Platonët, Konfucët, Rusotë, Galiletë, Kopernikët, Kyritë, Ajnshtajnët, Homerët, Aligierët, Shekspirët, Gëtet, Verdët, Moxartët, Da Vinçët, Gojat apo Mikelanxhelot shqiptarë ndër shekuj? Asnjë për be.
Edhe kur bijtë më të emancipuar të shqiptarit e kuptuan se pa arsim, dije e kulturë nuk do të kishte zhvillim dhe, prandaj, u mblodhën të caktojnë një alfabet të gjuhës kombëtare, nuk ia dolën të merren vesh dhe vendosën të përdornin dy të tillë. Kur pjesa më e emancipuar dhe më e përgjegjshme e shoqërisë shqiptare vendosën të krijojnë shtetin e tyre të pavarur, nuk krijuan një, por dy qeveri që kundërshtonin njëra-tjetrën.

Në të tillë shkallë zhvillimi e gjeti popullin shqiptar shekulli i 20-të, kohë kur ai fitoi pavarësinë kombëtare dhe nisi krijimin e shtetit të vet. Thuajse të gjithë udhëtarët, diplomatët, studiuesit apo ushtarakët e huaj që shkelën në vendin tonë e përcaktojnë Shqipërinë e gjysmës së parë të shekullit të kaluar si një vend me nivel ekonomik dhe kulturor mesjetar. Atëherë çfarë shteti do të mund të ndërtohej me këtë “lëndë të parë”? A mund të besojmë ne se në këtë vend me popullsi në stadin e zhvillimit mesjetar do të mund të zinin rrënjë dhe të zbatoheshin ato parime politike që zbatohen sot në pjesën më të zhvilluar të botës?
Ne sot mallkojmë Zogun, Hoxhën dhe kastën politike të pas 1990 si fajtorët e vetëm të prapambetjes, por nuk pyesim asnjëherë veten: pse, ndryshe nga të tjerët, ne ndërtuam një shtet monarkik fals dhe surrogat i monarkizmit të Perëndimit? Pse ndërtuam një “komunizëm” ekstrem e brutal dhe një “demokraci” kaotike, amorale dhe antipopullore? Sepse i tillë ishte “mielli” dhe kur i jep furrtarit miell misri, mos prit të hash bukë gruri. Me prapambetjen tonë, psikologjinë, mentalitetet fisnore e krahinore, temperamentin dhe papjekurinë tonë ne s’kemi bërë gjë tjetër veçse u kemi shërbyer shtrembërimeve të të gjitha formave të organizimit politik. Çfarë bëmë ne kur fituam “lirinë” pas 1990? Hapëm sytë dhe pamë sa mbrapa ishim. Të gjithë fajin ua veshëm katër dekadave të fundit, pa e pyetur veten: Mirë këta që na qeverisën deri tani, përfshi edhe ata para tyre qyshkur fituam mëvetësinë na shtypën dhe nuk na sollën çfarë na nevojitej, por çfarë kanë bërë paraardhësit tanë gjatë shekujve dhe cila është trashëgimia që na lanë? Dogjëm e shkatërruam thuajse gjithçka kishim ndërtuar vetë deri atëherë; zaptuam tokat e të tjerëve dhe ndërtuam ku deshëm dhe si deshëm ne, pa pyetur as shtetin, as ligjin, as moralin; premë e dogjëm pyjet dhe grabitëm mineralet; e mbuluam vendin me plehra dhe refuzuam të paguajmë energjinë elektrike dhe taksat; u grindëm për pushtet dhe detyruam bashkësinë ndërkombëtare të vinte e armatosur për të vënë rregull; krijuam një “elitë” politike të papërgjegjshme dhe politikanin më jetëgjatë të Evropës dhe, njëkohësisht, më anakronikun, sharlatanin dhe më banditin e të gjithë banditëve. Çdo popull i qytetëruar do ta kishte dërguar në burg një individ të tillë kurse ne i dhamë imunitet nga ligji dhe mbështetje morale e politike. Cili popull tjetër i Lindjes u soll si ne? Asnjë. Prandaj regjimet e instaluara janë pasqyra jonë dhe pa ndryshuar veten tonë, pasqyrat do të tregojnë pak a shumë të njëjtat shëmbëlltyra.

Z. Stefani dhe të gjithë ne që përpiqemi të bëjmë opinion, duhet t’i kemi parasysh këto fakte kur flasim për lirinë dhe për regjimin e 1944-1990. Kur shqiptarët u detyruan të jetojnë për rreth gjashtë dekada nën diktaturë (monarki, plus socializëm real) iu duk se e humbën krejt lirinë, lirinë natyrore si qenie biologjike dhe më pak si qenie shoqërore. Me gjithë shtypjen dhe padrejtësitë e pësuara, duhet thënë se vetëm gjatë asaj periudhe shqiptari (në shumicë) arriti të kuptonte se nuk është vetëm pjesëtar i fisit apo krahinës, por edhe i kombit; se duhet t’i bindet jo vetëm forcës të së drejtës zakonore, por edhe ligjeve të shtetit; se dija dhe shkolla nuk janë gogol, por dritë që të shpie më larg se rrugët e fshatit; se veç dritës së diellit dhe asaj të pishës, ka edhe një dritë elektrike që “ta bën natën ditë”; se njeriu nuk sëmuret nga syri i keq dhe shtrigat, por nga shkaqe biologjike, natyrore dhe aksidentale dhe se nuk shërohet me hajmali apo fallxhore por vetëm me mjekë dhe spitale; se dija, shkolla dhe kultura nuk janë vetëm privilegj dhe e drejtë e atyre që kanë pasuri, por e kujtdo që ka mend; se femrat nuk janë krijuar për t’iu shërbyer burrave, për të ecur gjithmonë pas tyre, por për të qenë bashkudhëtare dhe ecur krah për krah me ta; se njeriu nuk vritet për një fjalë goje, por se fjala duhet të jetë produkt i arsyes e dijes dhe jo i pasionit dhe zakonit etj.
Krahina shqiptare që mburret më shumë se ka jetuar e lirë ndër shekuj është Mirdita. Por ajo ishte njëkohësisht edhe pjesa thuajse më e prapambetur e vendit, saqë E. Durham e çonte nivelin e saj të zhvillimit në shekullin e katërt. Kjo nuk tregon se popujt nuk duhet të jenë të lirë, por se liria në vetvete nuk mjafton për t’u zhvilluar. Ajo duhet të ekzistojë dhe zhvillohet paralelisht me dijen, kulturën dhe progresin ekonomik.
Menjëherë pas luftës shqiptari nuk kishte kohë dhe as mundësi të dëgjonte çfarë ka thënë Milli apo Frojdi etj. që citojmë ne sot. Shqiptarit i nevojitej urgjentisht rindërtimi i vendit, shkollimi, shërbimi mjekësor, punësimi etj. Ata që pretendon Stefani se do iu siguronin shqiptarëve një sistem demokratik e liri moderne kishin qenë aty prej shekujsh, bashkë me titujt aga, bej, bajraktar etj., dhe vendi ishte në nivel mesjetar zhvillimi. Nga ana tjetër, duhet pohuar se sistemi politik që synohej të ndërtohej, besohej se do të ishte një diktaturë e shumicës mbi një pakicë fare të vogël. Propaganda 26 vjeçare është përpjekur që të quajturin “revolucion shoqëror socialist” ta paraqesë si diçka të pangjarë, si kataklizëm, ndërsa Stefani e quan “tradhti” (ndaj kujt?!). E vërteta historike është se njerëzimi ka qenë i sunduar nga diktaturat qysh me lindjen e shtetit, nga diktati dhe diktatura e një pakice mbi shumicën. Për herë të parë në histori u krye një revolucion që pretendoi të përmbysë raportet dhe, papritmas, ata që ndër shekuj kishin udhëtuar kaluar, e panë veten njëlloj si të tjerët apo dhe më poshtë. Duhet të ketë qenë shumë e hidhur dhe unë e besoj këtë. Por kjo nuk do të thotë se ishte e padrejtë. Shumë dhjetëra vjeçarë apo, thënë ndryshe, disa breza kishin qenë të mjaftueshëm për të nxjerrë mësime dhe për t’u bërë pak më njerëzorë. Ata i kishin humbur këto shanse dhe krejt rrugëtimi i tyre historik iu dukej i drejtë.

Që liritë ishin të kufizuara nën diktaturë, kjo nuk ka fare diskutim. Ai njeri që nuk e do dhe nuk e kërkon lirinë, nuk meriton vlerësim. Por, ai që e konsideron liri një gjendje të tillë shoqërore, ku i forti i hipën në shpinë të dobëtit sa herë dëshiron, meriton nëpërkëmbjen. Sistemi në të cilin jetojmë ka dy të mira, të cilat duket se e bëjnë Stefanin të ndihet i plotësuar: lirinë e të shprehurit dhe atë të të zgjedhurit alternativ. Të dyja është mirë t’i kesh, por të besosh se ato mjaftojnë dhe të konkludosh se jeton në një sistem të drejtë, vetëmashtrohesh. Fakti që, më e urta dhe më e bindura kafshë, gomari i ngratë mund të pëllasë dhe të vrapojë aq sa ka takat, nuk e pengon ujkun që ta hajë. Diskutimi sillet rreth faktit se si ta mbrojmë gomarin: duke e bërë ujkun kujdestar të pyllit apo duke ia hequr dhëmbët? Apo duke i vendosur të gjitha kafshët të zgjedhin për kujdestar midis ujkut, tigrit, dhelprës etj.? Fakti që populli mund të votojë për cilindo që i pëlqen nuk e bën pushtetin të jetë automatikisht i tij. Pushteti i përket popullit votues, aq sa nusja iu përket dasmorëve që shkojnë ta marrin bashkë me dhëndrin.
Duket se Stefani beson se vendet më të zhvilluara janë të tilla vetëm në sajë të lirisë. Kjo nuk është fare e vërtetë. Faktori kryesor historik i zhvillimit të tyre është zhvillimi i dijes, kulturës dhe shkencës. Një faktor mjaft i rëndësishëm është pushtimi dhe grabitja e pasurive të pjesës tjetër të botës. Faktori i tretë, për të cilin unë mendoj se na shtyn ta pranojmë këtë sistem, është lejimi i iniciativës private. Ndërgjegjja njerëzore është larg të qenit e atillë sa të pranojmë se individi do punojë për shoqërinë si për vete. Nuk është epërsia morale që na shtyn ta pranojmë këtë model organizimi politiko-shoqëror. E thënë shkurt dhe thjesht, ne e pranojmë atë për hir të barkut dhe jo të shpirtit. Ne e pranojmë sepse siguron ritme më të shpejta zhvillimi. Morali i një sistemi politik dallohet nga fakti se cila kategori njerëzore përfiton më shumë prej saj. Dhe ne e dimë tashmë moralin e përfituesve realë që na pëlqen t’i quajmë me eufemizmin “të suksesshmit”.
Në kohën kur në Shqipëri dënoheshin apo internoheshin kundërshtarët politikë, në SHBA dënoheshin gjithashtu njerëz për motive politike, vriteshin demonstrues nëpër rrugë vetëm pse kërkonin rroga më të larta dhe shkurtime të ditës së punës, zezakët linçoheshin dhe s’lejoheshin të banonin apo shkonin në shkollë me të bardhët. Në të vërtetë, më të mbrojtur janë qentë sot në Amerikë se ç’ishin zezakët deri në vitet ‘70. Stefani thotë me të drejtë se qeveria në Shqipëri kontrollonte mendimin, por ai e ka krejt gabim kur beson se në vendet perëndimore kjo nuk ndodhte dhe se atje “qeveritë nuk mund të ndërhyjnë në jetën e qytetarëve, qoftë edhe me ligj”. Jo. Kjo ndodh edhe sot. Ne tashmë e dimë aferën e përgjimeve brenda dhe jashtë SHBA, deri tek Papa i Romës, ashtu siç dimë faktin se shërbimet përkatëse vëzhgonin dhe kishin hapur dosje dikur edhe për Nolin dhe Konicën në SHBA.

Regjimi i Hoxhës i cenoi liritë duke dënuar njerëz për agjitacion e propagandë dhe jo pse dënoi bashkëpunëtorët e pushtuesve, spiunët e të huajve, terroristët që vrisnin vajzat mirditore pse shkonin në aksione apo mësuesin që kërkonte shkollimin e gjithë zonës, terroristët që helmonin gjedhët apo u vinin zjarrin magazinave për të dobësuar ekonominë dhe kështu për të rritur pakënaqësinë e njerëzve tek regjimi. Këto akte i ka dënuar dhe i dënon gjithë bota dhe nuk bëjnë pjesë në “liritë qytetare”. Mëkati më i madh i regjimit nuk është fakti se na pengoi “të lehnim” por sepse, me gabimet dhe fajet e veta, na detyroi “të lehim”.
Stefani pohon se komunizmi dhe fashizmi (nazizmi) patën thelb të njëjtë. Kjo do të ishte një temë e gjatë, por konkluzioni i tij është i gabuar pasi kjo është si të krahasosh dhunën e një vrasësi serial me dhunën kundër dikujt që të ka hipur në shpinë, pavarësisht tejkalimeve. Nazizmi ishte kriminal në qëllim dhe në mjete, ndërsa komunizmi synonte një qëllim fisnik (ndonëse utopik) dhe, për shumë shkaqe objektive e subjektive, përdori edhe mjete abuzive dhe kriminale. Përndryshe, i bie që Stefani të jetë biri i një nazisti. Ky gabim e ka çuar atë tek konkluzioni se bashkëpunimi gjatë luftës me Hitlerin ishte njësoj si bashkëpunimi me Stalinin. Besoj se këtë pohim nuk do ta pranonte as Xhozef Makarti. Mbi të gjitha, në atë luftë i pari ishte pushtues, ndërsa i dyti kontribuesi kryesor në çlirimin e popujve të Evropës.
Në shkrimet e tij, Stefani thotë se triumfi i forcave komuniste qe alternativa më e keqe e mundshme. Nuk e di nëse e ka konsideruar alternativën e fitores së Fuqive të Boshtit dhe a do ishte dakord me të. Po të fitonin ato të Boshtit, në pushtet do të vinin bashkëpunëtorët e tyre vendas dhe do të kishin vepruar edhe më keq se komunistët, çka e dëshmuan edhe gjatë luftës. Nëse nuk do të ndodhte siç ndodhi, është e sigurt se fshatari S.Berisha nuk do ishte bërë kurrë as shoku Sali dhe as zoti Berisha, por do të ishte sot mixha Sali me një kërrabë në dorë pas dhive në Viçidol, ashtu si të parët e tij, të mitë dhe mbi 90% e shqiptarëve.
Pasi ka fajësuar Hoxhën për rënien në pozitat e tradhëtisë të Ballit dhe antikomunistëve, Stefani pohon se edhe kaosi dhe paligjshmëria e jetës së sotme shoqërore në Shqipëri janë për shkak të mungesës së lirisë tridhjetë vjet më parë. Mendoj se ky teprim është jo vetëm i panevojshëm, por edhe i pavërtetë. Po të ishte kështu, do të duhej që brezi i tretë, që e ka kaluar shumicën e jetës në atë sistem dhe pjesa e persekutuar që ka vuajtur më shumë mungesën e lirisë, të ishin kundërvajtësit më të mëdhenj të shoqërisë. Mirëpo ne të gjithë jemi dëshmitarë të faktit se këto dy kategori shoqërore janë ndër më korrektet me rendin dhe ligjin.
Sistemi politik pluralist u vendos para 26 vitesh në Shqipëri në rrethana kulturore dhe ekonomike shumë më të përparuara se në 1944. Në fushën ekonomike janë bërë ndryshime të ndjeshme por, në qoftë se këto arritje, që bazohen kryesisht mbi krimin, ia atribuojmë lirisë dhe parimësisë kjo do të thotë ta fyejmë lirinë dhe të tallim parimet. Unë nuk e konsideroj me vend përzierjen e Biblës në çështjet e organizimeve politike. Më duhet të them se sistemi aktual politik vështirë se ka ndonjë gjë të përbashkët me fenë e krishterë. Ndërsa, me të drejtë, e konsiderojmë ideologjinë komuniste si totalitare, nga ana tjetër, me hipokrizi dhe lajka pranojmë ideologjitë fetare të cilat janë gjithashtu totalitare dhe kërcënojnë me ndëshkim jo vetëm në këtë jetë, por edhe në “jetën e përtejme”.
Referimet ndaj Konicës lidhur me lirinë nuk na ndihmojnë shumë në këtë rast. Konica mund dhe duhet marrë për shembull si një shqiptar shumë i ditur, por moskoherenca e tij në trajtimin e ngjarjeve dhe personazheve historike nuk e nderon. Ndërkaq, Konica ka të drejtë kur thotë se ishin apo s’ishin 50 shqiptarë që e kuptonin lirinë. Por, ndërkohë ai vetë, pasi e kishte quajtur Mbretin një endacak, të pabesë, mashtrues, egoist, të pandershëm, zemërgur, se kishte zhdukur lirinë e fjalës e të shtypit, se e përbuzte karakterin e tij, ndërron faqen dhe bëhet diplomati kryesor i Zogut. Dhe këtë e bëri kur qindra kundërshtarë politikë të Monarkisë ndodheshin në burg ose në ekzil në Evropë.
Unë jam me Stefanin kur flet dhe mbron lirinë individuale në përgjithësi, por nuk jam në një mendje me të kur e absolutizon atë dhe nuk e vë fare në kontekstin e kohës, vendit dhe të rrethanave.

Fund

 

Share This Article
2 Comments
  • FAKTI I ‘DITES’: ‘Ata’ qe nje erek shekulli i lane shqipetaret edhe pa lesh ne B…tani kerkojne tu shesin ‘leshin’ e Topallit per mjekrren e Markasit!?
    —————————————
    Shkrimet e Viktor Malaj si nje nga 2 apo 3 penat jo maje thyer ne kete çerek shekulli jane ‘perla me vlere’ por per fatin e keq pa ‘vlere perdorimi’qe po te benim krahesim tjeter jane nje ‘makine moderne’ e montuar se prapthi .Nuk ecen!
    PSE!?
    E ashtuquajtura ‘loja luftash’ midis ‘yllkave’ e ‘qelesheve’ nuk eshte thjesht nje debat apo lufte gjela detish por nje PROPOGANDE pupuliste e mire organizuar dhe e financuar per qellime te caktuara po nga ‘ATA’ qe e filluan dhe ‘FITUAN’ kete lufte kunder shqipetareve 25 vjet me pare por tashme jo direkt e me vjolence por me forma te tjera me paqesore e ‘filozofike’.’Eshte me e lehte ta fitosh se ta ruash ‘fitoren’!
    Ne kete lloj ‘lufte’ propogandistike e pupuliste te ‘shpelare’ te financuar e organizuar gjithmon nga ‘kolonizatoret’ e qe duartrokitet nga kujslinget ‘qehallare’ te 126 parive apo ‘partive’ te ‘ballit te kombit”skenderbegasit’ ‘mar(K)sjane’ Stefane apo Nishane nuk kane te bejne as me Filozofine e as me ideplogjite apo teorite marksiste e komuniste e as me socializmin shkencor qe nuk dine nga ‘PJERDH GOMARI por ne kete lloj ‘lufte’ propogandistike si Stefanet dhe Nishanet jane thjesht ‘SHITES LESHI’ ose ‘kamikaze’!25 vjet me pare keta lloj ‘kamikazesh’ perfaqesoheshin nga Pasko,Hajdari e tere ‘trusti i lulelakres’ qe pushtuan vendin e plaçkiten pasurine duke e kolonizuar ish Shqiperine ne emer te ‘luftes me mullinjte e kAmunizmit’ duke i trajtuar shqipetaret si femija qe i tregon gogolin me gisht nga qielli e i rremben buken nga goja!
    Tani qe ish Memedheut nuk i kane ngelur asgje veç GONGALLAVE e vendi eshte ne nje KRRIZE si asnjehere ne historine e tij 100 vjeçare ‘Ustallaret’ qe e kane nuhatjen te larte e kane te qarte çdo te thote kur nje populli i shkon ‘THIKA NE PALCE’ dhe kerkojne ta ‘RUAJNE ÇIFLIKU’ e pasurite e vjedhura duke hedhur ‘shashka tymuese’ si 25 vjet me pare te tipit ‘kAmunist’,’regjim kAmunist’ e deri ne idjotesi ‘sistem kAmunist’ me shpresen se mund te arratiset edhe nje pjese e ngelur e rinise dhe ‘femijeve barkthare’ te ngelur ti vene ne gjume me PERRALLAT ME GOGOLIN KAMUNIZEM QE HANE FEMIJE TREGUAR NGA STEFANET E NISHANET!
    Shkurt po tentohet qe shqipetareve tu shitet edhe njehere ‘sapuni per djathe’ ose ‘leshi ‘ i Topallit per Mjekrren e Marksit per te shpetuar Topallin e tere oligarkine antishqipetare qe kane uzurpuar 25 vjet kete vend!
    Si konkluzion tere kjo lufte me ballista e kAmunista e aqe me teper me filozofirat bajate te teorive marksiste e komuniste behen nga ‘FRIKA’ e lindjes se ndonje force te RE politike qe pas 25 vjetesh te perfaqesoje 60 perqind te shqipetareve qe NUK VOTOJNE dhe 30 perqind qe deri tani kane votuar ‘gjasme’ subjekte te majta qe skane asgje me te ‘MENGJEREN’.Kjo lloj propogande duke perdorur TELLALLET Stefane apo Nishane behet per te ‘mbuluar ‘DESHTIMIT TOTAL ‘ te Amerikes ne radhe te pare e tere Europes ndaj ish Shqiperise ne planin ekonomik e pa ekonomi ska politike e per rrjedhoje edhe politik e ne çdo gje tjeter-TOKE E DJEGUR.Stefanet e nishanet dashje pa dashje si masha apo kamikaze ne duar te te huajve demtojne rende jo vetem informacionin por edhe me gjere per daljen nga KRRIZA te ketij populli ne udhekryq!

    P.S Sa i takon teorise marksiste e komuniste ato ne vendin tone te perkthyera as 5 perqind pane drite vetem ne vitet ’60 dhe ashtu te perkthyera keq nuk ishin veçse 2 apo 3 burra shqipetare me tru ti lexonin apo ti studjonin e pale interpretonin .Sot inteligjenca boterore i eshte rikthyer vepres se Marksit nder 3 me te lexuarit ne Bote pas Darvinit e Frojdit per te dale nga KRRIZA.Sa i takon sistemit ‘socialist’ mendimi ekonomik e shkencor ka vertetuar e te bind qe ekonomija GLOBALE boterore ne fakt eshte ne thelb ne planifikim e zhvillim ‘SOCIALISTE’!
    Prandaj shkrimet perla te respektuarit Malaj ngelen pa ‘vlere perdorimi’ se meret se pari me ‘skenderbegasin’ mar(K)sian Stefan Nishani dhe se dyti ‘harron’ qe ish Shqiperija ka 25 vjet qe ne pushtet ka ‘BALLIN E KOMBIT’ Respekt!

  • shkrim brilant ky i Gramshit qe u hap syte edhe qorrave pefshi edhe atyre qe votojne te mengjeren e bythes apo likes e Edvinit dhe ata paguajne leshtoret stefaner per te share te majten se kane frike nga e majta.Paradoksale!ky popull 25 vjet nuk perfaqesohet ne shtet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *