Emra gazetarësh në lista deputetësh? Ndoshta. E dinë më mirë ata që i kanë të afërta e të mundësuara këto ambicie si dhe kryetarët respektivë të partive që kanë hartuar apo do hartojnë listat. Por spekullimet dhe diversionet janë bërë sport i përhapur këto kohë, dhe një i tillë është konsumuar dje: një “lajm” ku thuhej se në listën e PS-së për deputetë janë disa gazetarë. Thuhej fillimisht se përpjekja e Ramës për të dërguar gazetarin Alfred Peza si kandidat deputet në Peqin kishte hasur në kundërshtime të forta nga PS lokale. Këtë informacion le ta konfirmojë ose jo PS-ja, nuk di nëse ka ndodhur. Por di qartë se ajo që përmendej më pas ishte një gënjeshtër. Përmendej Mustafa Nano e Adrian Thano në një listë të hipotetizuar nga shkruesi si “listë” gazetarësh të Ramës për zgjedhjet e ardhshme.
Emri im dhe i Mustafa Nanos në këtë farë “liste” gazetarësh që do bëhen deputetë është i pavend dhe gazetari që e ka shkruar atë artikull do bëjë mirë të na sqarojë përse na ka përfshirë. Është një lajm i gënjeshtërt. E konfirmoj për veten time dhe zhvillova edhe një bisedë online me Nanon për ta pyetur edhe atë. Bisedën po e botojë për lexuesit e Ditës fare hapur:
(sic thashë më sipër, lidhur me z.Peza a ndonjë tjetër besoj do reagojnë vetë dhe nëse kanë ambicje për deputetë, mirë bëjnë dhe le ti zgjidhin e ti plotësojnë, kjo bisedë reflekton një reagim që na takon vetëm mua dhe Nanos)
A.Thano: Muçi, disa media kanë botuar e ribotuar gjatë ditës së djeshme një lajm sipas të cilit disa gazetarë, ku përmendet edhe emri Mustafa Nano, edhe emri im, do jenë në listat e PS-së për deputetë.
Unë po përfitoj nga rasti i kësaj bisede të them as nuk jam, as dua të jem në ndonjë listë deputetësh. Për
emrat e tjerë të përmendur aty nuk kam kuriozitet, por dua të di, a ka baza përmendja e emrit Mustafa
Nano?
M.Nano: Më duket punë e kotë dhe ta përgënjeshtroj një lajm të tillë, Adi. Dhe e di më të bukurën? Po them fillimisht diçka që duket sikur e ushqen këtë scoop të sajuar. Unë kam një interes gjenuin për politikën aktive; dua të them se nuk e shoh keq veten time si veprimtar politik; dua të them më konkretisht, se do dija, dhe do doja, të bëja gjëra të dobishme edhe nga
pozitat e një deputeti apo të politikani të karrierës.
Prandaj, kur dëgjoj lajme të tilla (nuk është hera e parë që më përmendin emrin në këtë kuptim), më bëhet të pyes veten: Si më paskan lexuar këto dëshira e vokacione “të fshehta”? Mirëpo, e vërteta është se ata s’më kanë lexuar gjë. Ata thjesht duan të më bëjnë pis. Ose ndoshta s’e kanë fare me mua. As me ty. Bëjnë ndonjë lojë, dhe neve na futin për hesape të tjera, pa e pasur në mendje t’na dëmtojnë imazhin.
Shkurt, përmendja e emrit tim nuk ka asnjë bazë. Nuk kam asnjë projekt timin për t’u përfshirë në politikë. Për më tepër, nuk di që ndonjëri të ketë ndonjë projekt për t’më përfshirë. E jam i sigurtë që s’do t’i shkonte në mendje askujt për t’më bërë një propozim të kësaj natyre, qoftë ngaqë e marrin me mend përgjigjen time, qoftë ngaqë janë në kërkim të njerëzve që s’ngjajnë me mua.
A.Thano: Mendon domethënë që nuk ka vlerë as reagimi…
M.Nano: Nuk është se mendoj. Nuk kanë asnjë efekt mbi mua. I shpërfill buzagaz. Ja, ti po më shtie në mendime për “këtë çështje”, dhe unë jam duke provuar një ndjesi të kotësisë. Dhe mendimi i parë që më vjen është: Janë lajme që kanë po atë rëndësi që kanë gazetarët që i kanë vënë emrin poshtë/sipër tyre. Apo ti mendon se nuk janë gjëra për t’u shpërfillur?
A.Thano: Ok, por zhurma që prodhojnë “lajme” të tilla dëshmon që sado që janë gënjeshtra ose gjysëm gënjeshtra, prodhojnë frikë e reaksion te ata që ëndërrojnë të zgjidhen apo të rikonformohen si kandidatë për deputetë. Dhe ndoshta këtu është më e rëndësishme të ndalemi. Si e shikon ti këtë, që diversionet e Berishës qoftë kur bëhen drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet amplifikimit të naiviteteve të dorës së tretë, sic më duket mua rasti i djeshëm, zënë kaq vend? Sidomos në PS, shfaqen këto frikërat pa fund nëse janë apo nuk janë në këtë listën e deputetëve, a thua se gjithë kontributin politik e japin ose nuk japin vetëm nëse janë aty.. Nga cfarë vjen ky “sukses” i diversionit dhe gënjeshtrës?
M.Nano: Nuk kam informacion mbi efektin që kanë këto “lajme” në grupin e atyre që ëndërrojnë të zgjidhen apo të rikonformohen si kandidatë për deputetë. Por nëse është e vërtetë që tremben, më duhet të them se e kuptoj si panik të ca njerëzve, për të cilët mandati i deputetit është karrierë, status publik, është pushtet, ndikim, hair, kulmi i një suksesi personal, haré familjare, kuptimi i jetës, është më në fund dhe mundësi për të bërë plaçkë. E megjithatë, kam përshtypjen se tremben kot. Duhet ta dinë më mirë se unë që kryetari i tyre nuk i ka duart e lira për të bërë ndonjë rinovim domethënës të grupit parlamentar. Nuk mendoj pra se do ketë prurje të reja të shumta në listat për kandidatë të PS-së. Edhe sikur të ketë, do jenë nga brenda, dmth do bëhen me logjikën e ruajtjes së ekuilibrave mes grupeve e klaneve të kësaj partie. Ja,
reaksioni që ka provokuar kandidatura e pëshpëritur, apo e planifikuar, e Alfred Pezës psh, e dëshmon fare qartë këtë gjë.
Foto: Pamja nga agjensia Balkanweb qe ka shperndare dje “lajmin” mbi nje liste me gazetare-deputete të PS-se
Nuk eshte as krim dhe as ” berje pis ” te behesh deputet. Krim eshte te shkelesh mbi normat morale te shoqerise dhe mbi ligjet e shtetit. Nano mund te jape kontribut te vlefshem edhe aty ku eshte si analist. Nuk mendoj se ka vend per ta
bere te madhe” edhe kete thashethem. Edhe tek PS-ja duhet ta dine shume deputete aktuale se kane qene fare te pavlere gjate kesaj legjislature. Thjeshte kane marre parate dhe nuk i kane sherbyer as partise se tyre dhe as elektoratit te majte.
Z. Adrian Me mire deputet jashte parlamentit, i popullit te te lexojne
se deputet ne parlamentin e votave te vjedhura, te te urrejne!
Te fala
Mustafa Nano eshte nje emer i nderuar ne gazetari.Pergojimi i emrit te tij ka prapavije politike dhe dihet se ne cilen kuzhine pregatiten keto materiale.Ne cfar do pozicioni qe te ndodhet Mustafa Nano ai eshte kontrubues per shoqerine tone dhe kete e ka treguar.