Bankat Mbyllin Përmbarimin Gjyqësor dhe marrin “çelësat” e shtëpive të debitorëve

anazapta

Reagime të shumta pas botimit të Udhëzimit të Ri

Gazeta DITA botoi dje Udhëzimin e ri për “Caktimin e tarifave përmbarimore për shërbimet e ofruara nga shërbimi përmbarimor gjyqësor privat”. Udhëzimi lidhet me një nga hallkat më delikate të një procesi jetik ekonomik, që lidhet me kreditë e këqija (që në Shqipëri kanë tejkaluar normat prej kohësh, fakt që u konfirmua dhe dje në raportin financiar të FMN dhe BB) dhe që vë në pikëpyetje, për pasojë, shumë aspekte serioze të sistemit ekonomik shqiptar në tërësi. Pas publikimit të këtij udhëzimi kemi patur dje reagime të shumta, sidomos nga grupet e interesit. Një letër e detajuar i është drejtuar dje DITA -s nga një grup përmbaruesish, të cilën vendosim ta botojmë të plotë, nisur nga rëndësia e çështjes, duke njoftuar se publikimi i këtij reagimi do të ndiqet në numrat e ardhshëm nga botime edhe të përfaqësuesve të Bankave dhe Qeverisë.

 

Me një udhëzim të rrufeshëm të datës 5.3.2014, me Nr.1665/1, Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë pas një “lufte” lobuese 1 mujore të disa Bankave Tregtare të mbështetura nga segmente të Bankës Botërore në Shqipëri, arritën të ndryshojnë aktin nënligjor për sistemin e tarifave përmbarimore, duke  mbyllur praktikisht këtë shërbim, i cili funksiononte prej më shumë se tre vitesh.

Akti i përbashkët normativ i dy ministrave të qeverisë është imponuar për vendimmarrje me një presion të drejtpërdrejtë të disa bankave duke kapërcyer çdo pengesë ligjore, strukturat e ministrive të linjës, grupet e interesit, legjislacionin në fuqi, madje edhe vetë ligjin themelor, Kushtetutën e Shqipërisë.

Tashmë Shqipëria si vendi i dytë në botë (pas Kazakistanit) me nivelin më të lartë të kredive të këqija apo huave të pakthyera, sa 24,4% e portofolit tërësor bankar, e përkthyer në shifra me mbi 1 miliardë euro nuk ka më asnje kontroll shtetëror të menaxhimit të tyre.

Të gjitha asetet dhe fati i i debitorëve bankarë do të mbetet në dorën e bankiereve apo shoqërive të dyshimta tregtare të lidhura me to, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë po marrin në duart e tyre frenat e financave,  të ekonomisë së rrënuar dhe si rrjedhojë  popullatës së vendit tonë.

Ndodhi që një dorë e fshehtë brenda sistemit bankar, mori iniciativën për ndryshimin e një akti normativ-udhëzimit 1240/5 të datës 15/9/2009, duke paralizuar tërësisht qëllimin e tij, dhe eliminuar një shërbim publik të cilin shteti shqiptar e përdorte me sukses prej tre vitesh, ate të përmbarimit gjyqësor privat.

Historik i shkurtër i përmbarimit privat

Në Nentor 2004 u hartua Plani Kombëtar i Veprimit mbi Rregullimin e Sistemit të Drejtësisë, ku u parashikua që në periudhën 2005-2007 të përafrohej edhe legjislacioni mbi shërbimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore duke ndjekur një strukturë të bazuar mbi standardet ndërkombëtare dhe ato të BE, nëpërmjet krijimit të shërbimit publik shtetëror (ekzistues) dhe atij privat.

Ekspertët më të mirë vendas së bashku me ata të huaj (misionit EURALIUS), mundësuan dhe “detyruan” qeverinë shqiptare të dërgojë në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2008, Ligjin Nr.10031 “Për Sëerbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat”, i cili u miratua. Së bashku me specialistët vendas dhe të huaj duke parashikuar  specifikat e këtij shërbimi të ri në realitetin shqiptar,  përcaktuan edhe tarifat financiare që do përdoreshin nga operatorët përmbarimorë për këtë qëllim.

Udhëzimi 1240/5 i datës 15.9.2009 u miratua nga Ministria e Financeve dhe e Drejtësisë, ndërkohë që vetëm në Shtator 2010 u licencuan 50 përmbaruesit e parë gjyqësorë privatë pas një konkurrimi publik të mbikqyrur nga Ministri i Drejtësisë së asaj kohe, Z. Bujar Nishani,  sot President i  Republikës.

Megjithëse tre vite me vonesë nga parashikimi, shërbimi përmbarimor privat filloi punën dhe në vitin 2011 dha rezultatet e para pozitive të funksionimit të tij. Vetëm 5 shoqëri përmbarimore së bashku me 20 përmbarues gjyqësore privatë dhanë një rezultat surprizë për vitin 2011 dhe gjysmën e parë të vitit 2012. Kreditorët bankarë dhe ata jobankarë u shprehën të kenaqur duke u shprehur me superlativa për këtë shërbim të ri.

Madje 2/3 e bankave të nivelit të dyte i morën rastet e tyre të “keqija” nga zyrat përmbarimore shtetërore për t’i transferuar në ato private. Këta të fundit (pra përmbaruesit privatë) të kënaqur me pagesat tarifore kryenin detyrën e tyre me zell ligjor të pakonstatuar më parë.

Sugjerimi i ekspertëve të BE-së funksionoi kur rezultatet e përmbarimit privat treguan se “.. e njëjta trupë njerëzore profesionistësh po të motivohej financiarisht dhe privatisht do të jepte rezultat tjetër edhe sikur të krahasohej me vetveten  kur punonte nën struktura dhe pagesa thjesht shtetërore”.  Këtu shembulli ishte i qartë: të gjithë përmbaruesit privatë të licencuar vinin nga zyrat shtetërore, pasi u testuan dhe tashmë punonin dhe bashkëpunonin me/për të njëjtët operatorë bankare, por në kushte të tjera tarifore të shërbimit që ofronin.

 Disa të vërteta rreth huamarrësve popullorë të quajtur “debitorë”.

Disa të vërteta erdhën bashkë me suksesin e përmbarimorëve privatë.  Procedura “e rreptë” përmbarimore nxori në pah edhe shumë defekte të sistemit bankar,  mënyrës dhe trajtimit të huamarrësve që po thirreshin apo emërtoheshin qartë me termat juridike si: debitorë, dorëzanës, apo hipotekues, porse të gjithë ishin humbës të mëdhenj përballë bankave.

Në fakt,  këto të vërteta nuk dolën nga ndershmëria profesionale e përmbaruesve privatë, por vetëm nga mënyra e organizimit brenda sferës ligjore të këtij shërbimi. Sistemi i punës së tyre, procedura ishte e përcaktuar dhe ekzakte brenda një kuadri të detyruar ligjor: Kodit të Procedures Civile,  Ligjit Përmbarimor Privat 10031, Udhëzimit 1240/5 në zbatim të tij për Tarifimin e Shërbimit, si edhe dhe një Kontratë Tip të cilën Ministria e Drejtësisë e nxori të detyrueshme për zbatim, e me të cilën përmbaruesit duhet të lidheshin në marrëdhënie shërbimi me kreditorë të ndryshem. Profesioni megjithëse ushtrohej privatisht, kishte karakter publik dhe si i tilëe, mbikqyrej dhe kontrollohej në shumë aspekte të rëndësishme nga Ministria e Drejtësisë.

Procesi i ri përmbarimor nuk linte pothuajse asgjë në dorë të përmbaruesit apo dëshirës së tij; as llojin e veprimeve, as afatin kohor të kryerjes së tyre, apo mënyrën e kryerjes së tyre. Çdo veprim ishte i parashikuar në ligj dhe një proces përmbarimor nuk zgjaste më tepër se 3-5 muaj punë.

Por bashkë me suksesin ndaj debitorëve realë erdhi edhe demaskimi i atyre fiktive: dolën në evidencë me qindra apo mijëra raste të huadhënieve fiktive,  kolateralëve fiktive, apo shoqërive tregtare të falimentuara. Për herë të parë dolën në pah vlerësimet fillestare të aseteve/kolateral të kryera nga bankat në momentin e një kredidhënie.

Fryrja dhe vlerësimi i rremë i pronave të paluajteshme kishte krijuar një ushtri kredimarrësish jo natyralë, të cilet në fakt ishte ushtria e debitorëve të ardhshem; ata kishin marrë një shumë parash si likuiditet, porse nuk kishin lënë asnjë garanci reale, një aset real apo një plan biznesi po të tillë.

Me qindra deri mijëra kredimarrës të quajtur “konsumatore” rezultuan fiktive,  të cilët jo vetëm nuk kishin lënë një garanci të besueshme, por në të shumtën e rasteve, as gjeneralitete apo adresime nuk kishin patur  “kohë” të linin.  Kategoria e huamarrësve “retail” të quajtur edhe shtëpihumburit,  patën jo vetëm fatin e viktimave të ardhshme të kulmit të krizës financiare të filluar në vitin 2006, por u bënë edhe ”karrem” më i majmë i kredidhënësve nëpërmjet kontratave të nënshkruara me shkronja shumë të vogla; termave të ngatërruar juridiko-financiarë, apo joshjesh fillestare të cash-it nëpërmjet parasë së dhënë.

Po kështu edhe kategoria ‘e korporatave’ kishte krijuar një komunitet debitoresh “të shëndetshëm”,  të cilët kishin marrë shuma parash në këmbim të ‘bujarisë’ së subjekteve kredidhënëse, të cilët në fakt ishin përfituesit fillestare apo përfundimtarë të këtyre shumave. Proceset përmbarimore përveç zhvillimit të tyre të suksesshëm, për rastet që po cedonin apo ngecnin, pa dashjen e tyre po zbulonin njëkohësisht shumë rreth sistemit të kredidhënies.

Terminologjia bankare për të mbajtur debitorët si kontigjent të tillë, edhe përtej pagesave të principaleve apo interesave bankare të shumave të marra, filloi të shpalosej qartë përgjatë shumë proceseve përmbarimore.

“Ristrukturimi dhe Riskedulimi” i marrëdhënieve bankë-debitorë doli në pah qartë se ishte jo  vetëm një truk “i ligjshëm”, por edhe një metode elegante për të mbajtur portofolin e kredive të këqija permanent dhe në progresion rrites edhe pas zgjidhjes se kontratave me kredimarrësit kur bankat nxirrnin urdhra ekzekutimi nëpër gjykata, apo kur procesi përmbarimor ishte në vazhdim ekzekutues.

 Përplasja me sistemin e drejtësise dhe eliminimi i tij

Viti 2012 ishte edhe viti i bum-it të kundërshtimeve përmbarimore në gjykata, për shkak të vlerave të rreme të kolateralëve, por edhe vetë kontratave bankare (titujve ekzekutivë).

Më shumë se gjysma e çështjeve përmbarimore u ankimuan nëpër gjykata.

Sistemi gjyqësor, së bashku me aktorët dhe problematiken e tij, sigurisht gjeti ‘gjah’ të majmë për të luajtur me pezullimin e proceseve përmbarimore.

Shkaku kryesor dhe moda e pezullimeve përmbarimore prej gjykatave lidhej me ndryshimin e vlerave të kolateralëve që krahasuar me ekspertimin fillestar (bankar) shpesh shkonte deri në dyfishin apo edhe trefishin e çmimit të aseteve kolateral të shënuar në dokumentat e kredidhënies bankare.

Ky ishte edhe momenti kur institucionet kredidhënëse nuk po menaxhonin dot më portofolin e kredive të këqija ashtu si edhe e kishin parashikuar. Përplasja e shumtë e rasteve përmbarimore në gjykata krijoi një masë të madhe procesesh për të cilat nga bankat ishin paguar tarifat ndaj përmbarimoreve,  porse rastet nuk ishin përfunduar,  jo për faj të këtyre të fundit, ndërkohë që vete debitorët po “shpëtonin” dhe po gjenin disa nga të drejtat që u takonin nga kontratat e huamarrjes me shkronja të vogla.

Drejtësia gjeti shkakun më të mbështetur në ligj për të thyer ligjërisht gjithë marrëdhënien e krijuar ndërmjet institucioneve bankare dhe kredimarrësve,  por  padashur edhe duke demaskuar pothuajse të gjithë portofolin e kredive të këqija të hedhurë  në procesin  përmbarimor,  duke krijuar kështu një premisë parashikuese se çfarë ishte në të vërtetë ai.

Kreditorët bankarë,  me shoqatën e bankave si përfaqësi, morën masat e menjëhershme për frenimin e këtij “boumerangu” që rrezikonte gjithë sistemin bankar.

Zgjidhja si gjetje efikase ishte vetëm një dhe e shpejtë:

“Propozimet për ndryshim të Kodit të Procedurës Civile, për përmirësimin e procesit të ekzekutimit të kolateraleve të kredive të humbura, duke rritur efikasitetin dhe shpejtësinë e ekzekutimit”.

Për këtë do të duhej që të “bindej” qeveria e asaj kohe,  Ministria e Drejtesisë,  por edhe Kuvendi i Shqipërisë.

Rezultoi e thjeshtë: Ndryshimet e K.Pr. Civile u kryen nëpërmjet LIGJIT Nr. 122/2013, të miratuar nga parlamenti shqiptar me një procedurë që u kundërshtua fort nga opozita e asaj kohe në Komisionin e Ligjeve, por edhe në seancën e zhvilluar për këtë qëllim.

Ndryshimet patën një jehonë jo të pakët dhe parlamenti shqiptar për herë të parë u kthye në kuzhinë ku gatuheshin ligje sipas oreksit bankar, pa pyetur për asnjë grup interesi, argument juridik apo zë parlamentar kundërshtues.

 

U ndryshuan duke u futur hullijtë e duhur bankarë,  nenet  511/1, 517,564,577,609,610,611 dhe 615 të K.Pr.Civile, të cilet kishin të bënin direkt me ekzekutimin përmbarimor dhe frenimin e demaskimit të sistemit bankar nëpërmjet atij të “kredive të këqija”.

I paprecedent në jurispudencën botërore ishte ndryshimi i nenit 517 ku ligjvënësit shqiptarë votuan kundër popullit të tyre kredimarrës, dhe pro institucioneve kredidhënëse, kryesisht të huaja, në këtë mënyrë:

“Me kërkesë të debitorit gjykata e shkallës së parë të vendit të ekzekutimit, në raste të veçanta, duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit ose rrethana të tjera të çështjes dhe pasi të dëgjojë kreditorin, mundet të shtyjë afatin e ekzekutimit të detyrimit në të holla ose të ndajë këtë detyrim në këste, përveç rasteve kur ky detyrim rrjedh nga një akt për dhënien e kredisë bankare.”

Pra, sipas këtij neni të K.Pr.Civil shqiptar, që prej datës 1 Shtator 2013 kur Kodi ka marrë fuqi ligjore, asnjë gjykatë shqiptare nuk ka fuqi juridike të vlerësoje por edhe ndihmojë nëse i kërkohet, gjendjen e huamarrësve shqiptarë edhe sikur ata të jenë në pozita të faktuara ekstreme apo madhore pamundësie, pasi kjo pengohet me ligj, dhe kjo e drejtë është lënë vetëm në dorë të mëshirës bankare.

Po kështu edhe moslejimi i pezullimit gjyqësor të proceseve përmbarimore (jo më tepër se 20 ditë), që lidhen me rastet e debitorëve që kanë marrë kredi bankare,  së bashku me uljen deri në 50% të vlerës së pronave të lëna kolateral në ankandet që do zhvillohen ndaj tyre, janë jo vetëm deformime të rënda të sistemit juridik shqiptar, por edhe fakte të qarta që tregojnë rënien e sistemit të drejtësisë nën influencën e disa duarve të dyshimta, sikurse edhe dorëzim e plotë të tij ndaj interesave të ngushta të disa operatorëve bankarë.

Udhëzimi Nr.1665/1 si akt asgjësues përfundimtar i interesave të debitorëve

Me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Nr. 1665/1,  Datë 5.3.2014 “Për Tarifat Përmbarimore”, u godit përfundimisht Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat, duke e kthyer në regres dhe kaos të plotë misionin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore në Shqipëri.

Një dorë e fshehtë edhe brenda vetë sistemit bankar arriti të “fuste” në strukturat e brishta të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave një projekt-udhëzim, nën maskën e rreme të propozimit të Bankës Botërore.

Ky projekt-udhëzim, i cili sot është një akt normativ fuqiplotë, kërkonte dhe arriti të kthejë nocionin e një shërbimi publik përmbarimor, thjesht në një strukturë tregtare në shërbim të interesave të dyshimtë bankare.

Jashtë çdo terminologjie ligjore dhe në kundërshtim të hapur me Ligjin përmbarimor apo K.Pr.Civile, për herë të parë në shërbimin gjyqësor përmbarimor u futën termat “shpërblim” apo “tarifa suksesi”, ku “subjektet përmbarimore duhet të kenaqin kreditorin me të ardhura Cash…apo t’u dorëzojnë atyre çelësat e pasurive të zëna nga debitorët”.

Tarifat e përcaktuara më parë nga specialistë fiskale dhe juristë të huaj apo vendas, u zëvendësuan papritur nga një tabelë tarifore ku Shërbimi Publik tërësor përmbarimor, u zëvendësua me “Veprimin e veçuar përmbarimor” nën moton “Një veprim një shperblim” ku suksesi i një procesi do varet vetëm nga kënaqja me cash apo marrëveshja kontraktore e dyshimtë e  kreditoreve me përmbarimorët të kthyer tashmë në subjekte thjesht tregtare.

Të drejtat e huamarrësve shqiptarë të kthyer aktualisht në mijëra debitorë përgjate viteve të fundit (ata vazhdojne ende të rriten në numër), sot mbeten në dorën e një marrëveshje të hapur tregtare interesi, apo të një dore të fshehtë që do menaxhojë marrëdhënien e  huadhënësve bankarë me operatorët tregtarë përmbarimorë.

Debitorët shqiptarë nuk i mbron më as drejtësia me instrumentat e saj gjyqësore, as legjislacioni shqiptar, e as qeveria që është tërësisht jashtë këtij procesi që po ndodh dhe po i ndodh shtetasve që ajo ka për detyre t’iu mbrojë interesat.

Pronat, asetet, shtëpitë, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të shqiptarëve huamarrës në bankat tregtare mbeten në dorën e një procesi që matet me moton e suksesit “kush kënaq me shumë kreditorin shpërblehet më mire” .

Një dorë e dyshimtë interesash të nëndheshme bëri që të ndryshojë aktet ligjore si Kodin e Procedurës Civile,  Ligjin Përmbarimor (disa herë), dhe së fundi Udhëzimin Tarifor jashtë çdo logjike kushtetuese dhe ligjore, duke anashkaluar të gjithë filtrat e administratës shtetërore, por edhe ato të grupeve të interesit.

Kodi i Procedures Civile kaloi në Prill 2013 të gjitha procedurat iniciuese, diskutuese dhe miratuese pa miratimin dhe refuzimin e një pjese të rëndësishme të opinionit publik, apo edhe të ish opozites parlamentare, sot në shumicë.

Udhëzimi i datës 5.3.2014 që “shpiku” Tarifat e Suksesit të Permbaruesve Gjyqësore Private, hasi pengesën dhe refuzimin e plotë të të gjitha hallkave propozuese, diskutuese dhe miratuese të tij.

Madje këtu merr rëndësi një fakt i rëndë ku: 10 nga 16 bankat e nivelit të dytë në Shqipëri kanë refuzuar daljen e këtij udhëzimi, duke komentuar edhe arsyet që godasin edhe vetë sistemin bankar në Shqipëri. Po kështu edhe komuniteti i përmbaruesve bashkë me atë të huamarrësve shqiptarë e kanë refuzuar me forcë duke u shprehur kundër tij. Nga burime të sigurta edhe vetë Drejtoria e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë e ka quajtur antikushtetues referuar nenit 118 të Kushtetutes këtë Udhëzim Tarifor.

I gjithë komuniteti i juristëve shprehet se “praktikisht shërbimi përmbarimor privat ka pushuar së ekzistuari,  me daljen e këtij udhëzimi, sepse edhe kontrata tip me të cilin ai funksionon si operator në treg ka 4 nene dhe 8 pika të tyre, të cilat nuk lejojnë asnjë kontraktim të mëtejshëm që prej datës 5 Mars 2014, pa u ndryshuar Ligji Përmbarimor Privat, vetë Udhëzimi i dalë për zbatimin e tij, së bashku me Kontratën e njëjtësuar Tip që do të duhet të formulohet  referuar këtyre materialeve ligjore”.

Praktikisht edhe vetë sistemi bankar me operatorët e tij është i detyruar të përdorë për ekzekutimin e kredive të këqija vetëm trupën e përmbaruesve gjyqësore shtetërore,  të cilët i ‘braktisi’ tre vite më parë për t’u mbështetur tek shërbimi përmbarimor privat.  Kaosi që do krijohet është evident.

Ky shërbim sot, thjesht ka pushuar së qeni instrument shtetëror dhe publik, nga i cili do duhet të garantoheshin edhe të drejtat e debitorëve të cilet po rrisin radhët e tyre në ushtrinë e madhe të huamarrësve shqiptarë.

Qeveria shqiptare është ende e re dhe pa përvojen imune të përballimit të sëmundjeve që bartin interesat  e vjetra apo të hershme, të cilat shfaqen kaq hapur me “çelësa në dorë” për të marrë pasuritë e shqiptarëve, edhe nëse ato nuk janë thjesht apartamente me dyer të mbyllura nga duar huamarrësish shpresë shumë, të cilët u kthyen dikur në debitorë. Por prapë ajo është një qeveri e zgjedhur për t’i mbrojtur ata…!

 

Share This Article
5 Comments
  • “… duke paralizuar tërësisht qëllimin e tij, dhe eliminuar një shërbim publik të cilin shteti shqiptar e përdorte me sukses prej tre vitesh, ate të përmbarimit gjyqësor privat”.

    1 Mld Euro debi nga privat te papergjegjshem..
    Kush duhet te paguaj ne vend te tyre nderkohe qe ata gezojne pasurite/pronat e blera me leket e bankes(Ne fakt lek te disa qytetarve te tjere)????

    A e dine se cfar demesh i ka shkaktuar permbarimi privat si bankave dhe kredimarrsve????

    Me vjen keq qe nje gazete e rreshtuar vazhdimisht ne krah te qytetarve, sot po mbron perembaruesit privat te cilet jan shnderruar ne sekser te se keqes.

    Pembarimi privat eshte shnderruar ne nje grup bandash qe manipulon dhe vjedh ne “menyre ligjore” duke demtuar si interesin e Kredimarrsve dhe ate te Bankave.

    Eshte per te ardhur keq qe e cilesoni aktivitetin e Permbaruesve privat si te sukseshem,nderkohe qe faktet flasin per te kunderten, sidomos ne rastet e kredive bankare.

    Ata kan pasur sukses duke shitur pasuri per 1/10 e cmimit real , dhe duke perfituar vet me shum se banka apo debitoret se bashku.

    Sinjqerisht me vjen keq qe dita i jep hapsire nje trajtimi te till pothuajse klientelist.

    • Vlora, shkrimit i mungon nje hyrje qe gjendet ne versionin print ku sqarohet se ky eshte mendimi i perfaqesuesve te permbaruesve dhe ne vijim do kemi mendimet e bankave dhe qeverise.
      Nje dite me pare ne botuam ekskluzivisht udhezimin e ri qe solli reagime te shumta.
      Po e shtojme hyrjen me qellim qe te behet gjithcka e qarte. Ndjese.

      Redaktori Online
      Erion Habilaj

  • Kesaj i bie qe qeveria lejon qe me te fortit te rrjepin te varferit per te pasuruar te pasurit!

    Si ministria e financave dhe ajo e drejtesise kontrollohen nga njerez te paafte qe jane vene aty per ti sherbyer interessave te oligarkeve te rinj. Edhe pse qeveria e sali barbarit ra, systemi dhe praktikat e vjedhjes se me te varferve vazhdojne.

    Si dje edhe sot, shteti drejtohet nga matrapazet e bankave, matrapazet e naftes, matrapazet e siguracioneve, matrapazet e ndertimit, matrapazet e kazinove…. etj etj matrapaze e dallaverexhinje qe operojne ne sherbim te klikes se re ne pushtet!

  • Vlores i them qe paska mbet ne emer e gjykim ne 1912.
    Flet te mbrojtes dhe fajtore sikur ky eshte problemi.
    Mbase e ka lexuar dhe nu e kupton mire qe behete fjale per ate vete, po te jete nje qytetar i ndershem.
    Gazeta nuk po mbron askend. Shkrimi nuk mbron gjithashtu kerkend..vetem demaskon cfare po ndodh me ligjet apo ata qe kane interesa ne vendin tone.
    Teoria, permbaruesit kane bere pislleqe dhe mos i mbro..eshte teori qe e perdorin bota kunder nesh: meqe disa shqiptare vjedhin e vrasin neper bote, greqi e gjermani duhet ti damkosim si popull. Madje per teorine e Vlores nuk duhete te ishte shpallur as pavaresia ne 1912, sepse duke pare shqiptaret e asaj kohe shume shoviniste kishin teorine se ‘ata s’dine te bejne shtet’..dmth meqe ka prokurore, gjyqtare, ministra, infermjere, permbarues, biznesmene qe bejne namin ne zanatet e tyre, ketu sduhet te ekzistojne fare keto profesione. Keshtu Vlora? madje as media sduhet te kete , duhet te mbyllet me ligj meqe shume jane te shitura dhe i perdorin ato per interesa te caktuara. Kete nxorri edhe gazeta qe po prishen ligjet dhe aktet e shtetit per tu kontrolluar privatisht nga disa te tjere. dime te gjithe per bema gjykatash e permbaruesish. Keto bankat qe thote vlora se kane dhene 1miliard euro doja ta pyesja perse i dhane kur gjithe bota ka patur krizeprej 10 vjetesh..madje anglia dhe amerika per pese vjet mbylli qindra banka dhe ndihmoi me miliona vete qe lane shtepite peng. Po ketu cndodhi? Perse bankat ishin me teorine e Sales, Shqiperia lokomotiva e ekonomise botrore, per ti rrjepur me pas bashke me permbaruesit keto prona qe u shiten sa 1/10 e vleres? Qe ka patur abuzim seshte gj e re por qe ta kene be vetem gjyqtaret permbaruesit pa ndihmen e bankave eshte sikur te thuash ne vlore ska det.

    • Vlores i them qe paska mbet ne emer e gjykim ne 1912.
      Flet te mbrojtes dhe fajtore sikur ky eshte problemi.
      Mbase e ka lexuar dhe nu e kupton mire qe behete fjale per ate vete, po te jete nje qytetar i ndershem.
      Gazeta nuk po mbron askend. Shkrimi nuk mbron gjithashtu kerkend..vetem demaskon cfare po ndodh me ligjet apo ata qe kane interesa ne vendin tone.
      Teoria, permbaruesit kane bere pislleqe dhe mos i mbro..eshte teori qe e perdorin bota kunder nesh: meqe disa shqiptare vjedhin e vrasin neper bote, greqi e gjermani duhet ti damkosim si popull. Madje per teorine e Vlores nuk duhete te ishte shpallur as pavaresia ne 1912, sepse duke pare shqiptaret e asaj kohe shume shoviniste kishin teorine se ‘ata s’dine te bejne shtet’..dmth meqe ka prokurore, gjyqtare, ministra, infermjere, permbarues, biznesmene qe bejne namin ne zanatet e tyre, ketu sduhet te ekzistojne fare keto profesione. Keshtu Vlora? madje as media sduhet te kete , duhet te mbyllet me ligj meqe shume jane te shitura dhe i perdorin ato per interesa te caktuara. Kete nxorri edhe gazeta qe po prishen ligjet dhe aktet e shtetit per tu kontrolluar privatisht nga disa te tjere. dime te gjithe per bema gjykatash e permbaruesish. Keto bankat qe thote vlora se kane dhene 1miliard euro doja ta pyesja perse i dhane kur gjithe bota ka patur krizeprej 10 vjetesh..madje anglia dhe amerika per pese vjet mbylli qindra banka dhe ndihmoi me miliona vete qe lane shtepite peng. Po ketu cndodhi? Perse bankat ishin me teorine e Sales, Shqiperia lokomotiva e ekonomise botrore, per ti rrjepur me pas bashke me permbaruesit keto prona qe u shiten sa 1/10 e vleres? Qe ka patur abuzim seshte gj e re por qe ta kene be vetem gjyqtaret permbaruesit pa ndihmen e bankave eshte sikur te thuash ne vlore ska det.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *