Mbajtja e Zgjedhjeve Vendore të 08 majit 2011 u dekretua në një klimë politike mjaft të polarizuar, e cila ka nisur që pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe kontestimit të ligjshmërisë së këtyre zgjedhjeve prej Partisë Socialiste. Në këtë mjedis tepër konfliktual negociatat midis pozitës dhe opozitës kanë rezultuar të pasukseshme për të arritur një marrëveshje për formimin e një komisioni hetimor, deri në momentin kur, me një vendim të datës 29 dhjetor 2010, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, me një vendim me shumicë të thjeshtë, vetëm të anëtarëve të emëruar nga pozita dhe të kontestuar fort nga opozita, asgjësoi fletët e votimit të zgjedhjeve të vitit 2009 dhe dërgoi listat e zgjedhësve në arkivin e shtetit, vendim i cili filloi zbatimin e tij më datë 7 janar 2011.
Retorika u ashpërsua akoma më tej, madje kaloi edhe në sulme personale midis drejtuesve të PS dhe PD, sidomos pas publikimit të një skandali korrupsioni si pasojë e të cilit Zv. Kryeministri dhe njëkohesisht, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, më datë 14 janar dha dorëheqjen, çka solli artikulimin e kërkesave nga opozita për dorëheqje të qeverisë dhe për zgjedhje të parakohshme…”, nënvizohej në raportin paraprak të grupimit “Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë 2011”.
Kriza në të cilën hyri vendi pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 vazhdoi të thellohej nga dita në ditë, edhe pse opozita, e dëgjueshme ndaj këshillave të ndërkombëtarëve, zuri vendet e braktisura në Parlamentin prej 140 deputetësh dhe nisi të sillej si europiane. Përkundër sjelljes së saj, i pandryshueshëm mbeti qëndrimi i maxhorancës së drejtuar po me dorë të hekurt, si njëzetë vite më parë, nga i pandryshueshmi Sali Berisha, i ricikluar për të dytën herë, në postin e drejtuesit të qeverisë, falë bashkimit të votave me LSI.
Përmbysja “me institucione” e vullnetit të votuesve
Më datë 10 maj, Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ) i OSBE/ODIHR-it, së bashku me një delegacion nga Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Europës, nxorrën Deklaratën e Konstatimeve dhe Përfundimeve Paraprake, ku pasqyroheshin vëzhgimet e tyre gjatë ditës së zgjedhjeve dhe fillimit të procesit të numërimit… Ja çfarë shkruhej në të ndër të tjera:
“Në shumicën e rajoneve të vendit, numërimi i votave në 66 Vende të Numërimit të Votave (VNV) vazhdoi deri në mbylljen e tij në mënyrë përgjithësisht transparente, pavarësisht ritmit të ngadaltë. Në disa raste, kandidatët humbës i uruan për fitoren kundërshtarët e tyre. Por vonesat rritën tensionin në Tiranë, veçanërisht për shkak të ngushtësisë mes rezultateve paraprake. Pas përfundimit të numërimit në VNV-të për kryetar bashkie të Tiranës më 14 maj, rezultatet paraprake jozyrtare që KQZ-ja ia dha MVZ-së së OSBE/ODIHR-it tregonin se Rama kishte 10 vota më shumë se Basha (përkatësisht 124,623 dhe 124,613 vota). Por më pas, zyrtarë të PD-së, përfshirë kryeministrin Sali Berisha, i kërkuan KQZ-së të konsideronte si vota të vlefshme ato që u gjetën gjatë numërimit për zgjedhjet për kryetar minibashkie. PS-ja i kërkoi KQZ-së të nxirrte tabelat dhe rezultatet të përcaktuara tashmë nga VNV-të në Tiranë, nga që KQZ-ja nuk i kishte njoftuar rezultatet zyrtare për garën për kryetar bashkie të Tiranës. Më 18 maj, KQZ-ja filloi hapjen e disa kutive me vota për minibashkitë nga disa Komisione Zgjedhore të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) të Tiranës për të numëruar votat për kryetar bashkie të hedhura gabim. Tensioni është rritur qëkurse PS-ja protestoi kundër veprimeve të KQZ-së. Mbështetës të PS-së, përfshirë shumë deputetë të saj, u mblodhën para KQZ-së. Ata u zbrapsën prej policisë.
Më 17 maj, tri ditë pas mbylljes së numërimit për kryetar bashkie të Tiranës në VNV-në e fundit të Tiranës, kryetari i KQZ-së propozoi një projekt-vendim, sipas të cilit, fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar do të konsideroheshin të vlefshme dhe do të numëroheshin prej vetë KQZ-së. Ky numërim do të ishte vetëm për fletët e votimit gjetur në kutinë e gabuar, që ishin kontestuar në nivel VNV-je. Sipas kryetarit të KQZ-së, projekt-vendimi ishte propozuar me kërkesë të anëtarëve të 7 KZAZ-ve të Tiranës, emëruar nga PD-ja dhe LSI-ja lidhur me 60 kuti votimi. Anëtarët e emëruar nga opozita e kundërshtuan propozimin, duke deklaruar se KQZ-ja nuk kishte të drejtë të numëronte fletët e votimit dhe se mund t’i hapte ato në bazë të ankimimit të rezultateve zyrtare. Ata propozuan që KQZ-ja të nxirrte rezultatet në TPR-të e marra nga VNV-të. Seanca e KQZ-së, ku do të diskutohej projekt-vendimi, u ndërpre nga deputetët e PS-së dhe seanca u shty përpara se të kalonte në votim.
Më 18 maj, pas votimit të një vendimi “në parim” (prej 3-4 votash), ndonëse nuk ishte miratuar asnjë vendim përfundimtar, KQZ-ja filloi hapjen e 60 kutive të votimit. Për MVZ-në e OSBE / ODIHR-it, baza ligjore për hapjen e kutive të votimit ishte e paqartë. Anëtarët e emëruar të opozitës në KQZ u larguan nga seanca. Fundi i historisë tashmë dihet.
Po në Zgjedhjet e Qershorit 2013?
Në një intervistë të publikuar në revistën e përjavshme “Java”, të datës 17 mars 2012, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Uithers, ndërsa i vlerësoi zgjedhjet lokale të mbajtura në datën 08 maj 2011 “turpëruese”, nuk ngurroi të shprehte frikën e tij lidhur me ato parlamentare të përgjithshme, që sakaq janë dekretuar nga Presidenti i vendit për t’u mbajtur në 23 qershor 2013.
“Historiku i trishtë i zgjedhjeve të fundit shqiptare flet vetë. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 thjesht nuk i përmbushnin standardet e pranuara ndërkombëtare, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës qeverisëse për t’i shtrembëruar raportet ndërkombëtare, për të provuar të kundërtën. Ndërsa votimet për bashkinë e Tiranës vitin që shkoi ishin një farsë dhe për ta thënë troç, turpëruese për vendin. Më lejoni të flas shkoqur: Nuk më intereson se cili kandidat fiton apo humbet. Por procesi duhet të jetë i ndershëm”, – ka vlerësuar ish-ambasadori amerikan John Uidhers.
Sinoptikë…
Një projekt tinzar, që synon t’i japë partisë së maxhorancës qeverisëse një deputet në tavolinë, është cilësuar prej opozitës e dhëna zyrtare e dalë prej ministrisë së Rendit Publik, që synon t’i heqë një deputet qarkut të Beratit, të njohur si fortesë e socialistëve, për t’ja shtuar atë atij të Kukësit, që njihet si bastion i Partisë Demokratike dhe vendi nga vjen ministri aktual i Rendit, Flamur Noka, ish krahu i djathtë partiak i kryeministrit, Sali Berisha, njëherësh dhe kryetar i Partisë Demokratike.
“A është zgjedhja e Flamur Nokës ministër një ogur i zi për zgjedhjet?”, pyeste shtypi, ndërkohë që gazeta “TemA”, në një shkrim të publikuar në datën 21 nëntor 2012, me titull: “Ja si po i shton Flamuri shifrat e votuesve në mënyrë artificiale në Kukës, vetëm për dy muaj”. Raportonte: “Partia Socialiste disponon informacionin që vërteton rritje artificiale të banorëve në qarkun e Kukësit vetëm dy muajt e fundit të këtij viti, pak kohë para se KQZ të nisë shqyrtimin për rishpërndarjen e mandateve në zonat elektorale. Kështu kjo zonë mbetet e pandryshuar ndërsa mandati i kërkuar i hiqet Beratit. Sipas dokumenteve në periudhën shtator-nëntor, në gjashtë komuna të Kukësit janë shtuar rreth 600 banorë, të gjithë në fshatra larg qendrave të banimit. Sipas dokumenteve janë shtuar në komunën Topojan 166 shtetas me të drejtë vote, në Shishtavec 88, në Kolsh 141, në Gjinaj 73, në Golaj 60 dhe në komunën Fierzë 124 banorë. Këto rritje, vetëm për dy muaj dhe kryesisht ne komuna, mandatet e të cilave mbahen nga deputetë të Partisë Demokratike. Gjatë intervistës – për televizionin ‘Vizion Plus’, -Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, sqaron se ky proces është monitoruar prej kohësh nga selia rozë dhe vetë ai ka dërguar në adresë të Ministrisë së Brendshme tre shkresa në muaj të ndryshëm. Për ato të dërguara në muajin maj dhe korrik është kthyer informacion ndërsa për atë të dërguar në muajin shtator, përgjigja është dhënë dy muaj më pas, kohe e mjaftueshme për të kryer manipulimet…”
Kjo manovër, emërimi i ish-kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, në postin e zëvendës ministrit të Rendit, qënia ende e Ferdinant Pones në postin e zëvendësministrit të këtij dikasteri si dhe emërimi i një ish-këshilltareje të drejtueses së Parlamentit në krye të KQZ-së, janë sinjale që nuk krijojnë besimin se procesi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit 2013 do të garantojnë liri votimi. Ndërkohë, një vendim i organit suprem të Kolegjit Zgjedhor, për ndarjen e zonave zgjedhore, u ndesh në reagime të ashpra.
Një tjetër shenjë mosbesimi për mbajtjen e votimeve të lira e të ndershme në 23 qershor 2013, ka qenë edhe shpallja në datën 07 janar 2013 e listave të votuesve në njësitë e kryeqytetit. Sipas Kodit Zgjedhor i binte që listat duhej të ishin afishuar pesë ditë më parë, por ajo që përbënte skandal ishte fakti se listat e porsa publikuara të votuesve të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 qenë plot parregullsi të mëdha. Pjesëtarët e shumë familjeve qenë ndarë në qendra të ndryshme votimi, ndërkohë që askush nuk e përjashtonte mundësinë e përfshirjes në to të personave të vdekur, apo të mosqenë prezent nëpër njësitë votuese. Po ashtu, në mbledhjen më të fundit të KQZ-së është debatuar ashpër rreth bojës shenjuese të votuesve. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës në këtë komision kanë qenë kundër përdorimit të së njëjtës bojë të përdorur në zgjedhjet e fundit, me pretendimin se ajo fshihej lehtësisht, ata të maxhorancës kanë këmbëngulur në të kundërtën, duke ia dalë ta hedhim poshtë propozimin e opozitës dhe pas rreth katër orë debati kanë miratuar me shumicë votash variantin e propozuar prej tyre, pra për të mos e ndryshuar markën e bojës shenjuese.
Arvizu
Por ajo që e ka ngritur më lart pesimizmin e votuesve shqiptarë për mbajtjen e votimeve të lira e të ndershme ka qenë vlerësimi i ambasadorit amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, i cili në një bashkëbisedim të drejtëpërdrejtë me shqiptarët, të bërë në datën 08 janar 2013, në rrjetin Facebook, ka qenë shumë kritik me KQZ-në, duke thënë se është i shqetësuar me vendimet e saj të fundit, që kanë qenë të politizuara.
“Kanë qenë disa çështje që më kanë habitur pasi kanë qenë çështje administrative, të cilat janë politizuar. Kjo nuk do të ishte ogur i mirë për zgjedhjet e 23 qershorit”, -ka artikuluar në ligjëratë të drejtë ambasadori amerikan, duke i rikujtuar forcave politike se porosia e sekretares amerikane, Hillari Klinton, dhënë gjatë vizitës që bëri në fillim të muajit nëntor në Tiranë, ishte e qartë. “Përsa i përket zgjedhjeve, unë mendoj se sekretarja Klinton ishte shumë e qartë kur tha: “është e rëndësishme për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të drejta dhe të shihen si të tilla nga e gjithë bota. Së pari dhe më e rëndësishmja është që shqiptarët duhet të besojnë tek rezultatet” -rikujtoi ambasadori Arvizu.
Cilësia e zgjedhjeve 2013 është plotësisht në dorën e qeverisë, që S.Berisha e dikton prej më shumë se shtatë vite. Zotimin për të realizuar zgjedhje të ndershme e të lira Kryeministri i sotëm nuk e lëshon për të parën herë. Manipulimi i votave paskomuniste të shqiptarëve ka qenë permanent, pothuajse gjatë tetëmbëdhjetë vajtjeve të tyre përpara kutive të votimit. Procese ndër të cilët Sali Berisha ka qenë protagonist herë nën pushtetin e Presidentit e herë nën atë të Kryeministrit. Angazhimet dhe gjoksngrehjet e Berishës për të garantuar vota të lira e të ndershme rezultojnë të kenë qenë demagogji edhe në nëntorin e 1994-s, edhe në mbajtjen e zgjedhjeve të 26 majit 1996, por edhe në ato të majit 2011. Nga 1992-shi deri në 1998-n, kur Kryeministri i sotëm u detyrua ta lërë presidencën, janë zhvilluar pesë herë votime. Që të pesta problemore, sepse grabitja e votës, represioni, dhuna policore, manipulimi me certifikata false, etj., kanë njohur pika kulmore, duke eklipsuar zotimet e garancitë publike të ish-Presidentit. Por e njëjta sjellje manipuluese e votave të shqiptarëve, nga ana e të angazhuarit para BE-së për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme në 2013, ka sunduar edhe në dy palë votimet e mbajtura përgjatë periudhës kohore kur ai ka qenë kryesues i qeverisë, pra Kryeministër. Që parakupton mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit 2009 dhe atyre lokale të majit 2011 – që janë proceset më të fundit zgjedhore, e që mbahen mend jo vetëm si sjellëse të krizës më të thellë, që ka kaluar politika shqiptare, por edhe si votime që zbritën në tapetin e zhvillimit të tyre ambasadorët e vendeve perëndimore. Pas votimeve të kësisojshme, pllakosi kriza më e thellë dhe më e gjatë e politikës shqiptare. Në të dyja këto palë votime krizë-mbjellëse, Sali Berisha ka qenë kryeministër i vendit. Çka do të thotë se si votimet e mbajtura në nëntor 1994, për të etiketuarën si “projekt kushtetuta Berisha” ashtu edhe manipulimi i madh të 26 majit 1996, apo zgjedhjet e qershorit 2009 e ato të majit 2011, kanë qenë dirigjuar po nga Kryeministri në detyrë. Kryeministri që këtë fundtetori, pak ditë pasi BE vendosi kualitetin e zhvillimit të zgjedhjeve të qershorit 2013, si kusht për hapjen e negociatave me Shqipërinë për vend kandidat, nuk nguroi t’i parashpallë ato të lira e të ndershme. Madje garantoi, se ato do të jenë të tilla. Një angazhim ky që vërtetë nuk do të vihej në dyshim, nëse veprimet e ndërmarra prej levave të tij, deri më tash, në realitet, do të ishin krejt të kundërta”, -analizohej në shkrimin opinion me titull “Shakaja e Berishës për zgjedhje të ndershme në 2013”, ndërkohë që raportoheshin të tjera lajme që e shtonin mosbesimin për qënien e zgjedhjeve të qershorit 2013 të lira e të ndershme. Raportohej, psh, se: “Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, prezantoi të dhënat e fundit nga lista zgjedhore. Ai tha se në vend janë mbi 3.2 milion votues. Ndërkohë sipas INSTAT, në Shqipëri janë vetëm 2.8 milion banorë. Pjesa tjetër i mbetet të jenë emigrantë, të cilët rrallë kthehen për votime dhe vota e të cilëve është abuzuar sistematikisht…”
Do të kemi në Qershor një proces “të lirë” e “të ndershëm”, sikurse garanton kryeministri, apo thjesht një ritual si gjithë të mëparshmit? Pra, krizësjellës?
Fund