Prof. Ksenofon Krisafi
(Vijon nga numri i kaluar – Kliko KETU)
Fushata e spastrimit etnik dhe mizoritë që vazhdonin me gjakftohtësi nga falangat e krimit shtetëror të Milosheviçit, shuan çdo shpresë te drejtuesit e NATO-s, të cilët u detyruan t’i drejtoheshin opsionit më ekstrem, fillimit të sulmeve ajrore. Ajo avancoi si shkak të ndërhyrjes argumentet e rendit humanitar, moral e madje “civilizues”, sepse siç shprehej në atë kohë Lionel Zhospen, kjo ishte një betejë për qytetërimin. Më 20 mars 1999, u larguan nga Kosova 1 400 inspektorët e OSBE dhe të organizatave joqeveritare, që ishin vendosur atje, sepse mund të nisnin sulmet ajrore të NATO-s. Sërish me shpresë se mund të triumfonte arsyeja te pala serbe, me synimin për shmangien e tyre, më 22 mars, një ditë para nënshkrimit të urdhërit për fillimin e sulmeve, i dërguari i posaçëm i ShBA-së, Riçard Hollbruk bëri tentativën e fundit për ta bindur Milosheviçin që të pranonte marrëveshjen e paqes në Kosovë. Por, më kot, sepse ai nuk lëvizi nga qendrimet e veta. Ishte me sa duket akti i fundit i asaj që me të drejtë u quajt “diplomaci ndëshkuese”. Të nesërmen Hollbruk shkoi në Bruksel, në selinë e NATO-s, ku informoi se bisedimet nuk patën rezultat. Me keqardhje pohoi se situata nuk kishte qenë ndonjëherë kaq e errët sa kësaj radhe. Më 23 mars Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, dha urdhërin e fillimit të bombardimeve kundër Jugosllavisë, nën emërtimin Forca përcaktuese, që më 28 mars, u ripagëzuan Forca aleate.
I ndodhur në Gjenevë dhe i përfshirë gjithë shqetësim në vorbullën e diskutimeve të vazhdueshme rreth ngjarjeve në Kosovë, në mbrëmjen e vonë të 24 marsit 1999, pashë në ekranet e TV lajmin se pak para orës 20.00, qielli i ish-Jugosllavisë ishte mbuluar nga avionët e NATO-s, të cilët sapo kishin nisur bombardimin e territorit të saj. Një lajm që shkaktoi ndjesi të shumfishta, më së fundi Bota demokratike, e rreshtuar përkrah popullit të Kosovës, kishte ndërmarë një hap të rëndësishëm edhe pse ekstrem. Po ndëshkonte Jugosllavinë për ta detyruar që të ndërpriste genocidin dhe masakrimin e popullsisë së Kosovës. Nuk mund të mohohej edhe ndjesia tjetër që lufta ishte luftë dhe do të kishte sërish viktima, të gjymtuar e dëme materiale. Por, sidoqoftë shpresohej se pas lufte do të vinin ditë më të mira për Kosovën, do të krijoheshin kushte për të shpëtuar nga zgjedha serbe, për të fituar lirinë dhe midis shqiptarëve dhe serbëve të hapej një epokë e re marrëdhëniesh bashkëpunimi fqinjësor.
Mësuam se një ditë më parë, zëvendëspresidenti amerikan, Al Gore, kishte njoftuar personalisht kryeministrin rus Evgeni Primakov, i cili, më 23 mars ishte nisur për një vizitë katërditore në ShBA. Lajmi për fillimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj Jugosllavisë mbërriti gjatë kohës që avioni i Primakovit ndodhej mbi Atlantik. Moska e priti keq dhe e konsideroi sinjal që dëshmonte rënien në nivelin më të ulët të marrëdhënieve ruso-amerikane që nga fundi i luftës së ftohtë. Ai u bë shkak që avioni të bënte një rrotullim, për t’u kthyer mbrapsht, për një ndalesë të shkurtër në aeroportin Shannon, të Irlandës. Së andejmi Primakovi njoftoi anulimin e vizitës në ShBA dhe shprehu “kundërshtimin e vendosur” të vendit të vet ndaj sulmeve të NATO-s në Jugosllavi.
Operacioni i Forcës Aleate, i ndërmarë nga shtetet anëtare të NATO-s, synonte goditjen dhe shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake, industriale, mediave (stacioneve të radiove dhe telekomunikacioneve) rrugëve dhe hekurudhave në Serbi dhe në Kosovë.
Atmosferën e kësaj ndodhie të veçantë e përshkruan në mënyrë unikale Ismail Kadare, në shënimet e atyre ditëve në Ditarin e tij. Ai thotë shprehimisht: “Data 23 mars 1999, Havier Solana, me fytyrë të tronditur dhe me zë që më duket i holluar, shpall se ka dhënë urdhër të bombardohet Jugosllavia. Pastaj përqafohet në mënyrë të çuditshme, me njëfarë mallëngjimi me ata që ka përbri. E kuptoj tronditjen e tij. Ka diçka prej vdekjeje, prej kishe, prej kambane mortore në skenën që shohim në televizion. Vëzhguesit e fundit të OSBE-së po ikin nga Kosova. Po largohen ata që e mbrojtën, që e deshën, William Wallker. Qindra të tjerë, midis të cilëve mikesha jonë franceze, Miriam Gaume. Përpiqem të marr me mend atë që po ndodh. Pas çdo makine që largohet, Kosova duhet të ngjajë edhe më e shurdhër. E braktisur në mëshirë të fatit. Pa dëshmitarë. E kemi pritur me padurim këtë orë dhe tani ajo ngjan me pagëzim. Ngaqë kam qenë përzier në këtë punë e ndiej ndoshta më fort. Ankthi i së panjohurës zotëron mbi gjithçka. Skena po zbrazet. S’ka pse të gënjejmë veten. Ata ikin sepse atje s’mund të pritet veçse një gjëmë. Veç qoftë e shkurtër. Kosovarët e ndiejnë me siguri. E kanë ditur gjithmonë qyshse i kanë hyrë kësaj rruge. Kjo e bën flijimin e tyre edhe më të madhërishëm. Midis heshtjes, një popull i tërë po pranon të vërë kokën në satër. Për të paguar çmimin e lirisë. Nuk i ndodh çdokujt një gjë e tillë.”
Ndërkohë që nisën sulmet, në Beograd, disa mijëra vetë morën pjesë në një koncert roku anti NATO. Një veprim i pashembullt, shpërfillje dhe tallje ndaj dhimbjes së një populli të tërë, që ishte vrarë, dëbuar përdhunisht dhe terrorizuar nga udhëheqja e tyre dhe sistemi luftarak vdekjeprurës serb. Ishte gjithashtu sfidë cinike, ndaj reagimit të detyruar të Botës paqësore, ndërhyrjes humanitare të armatosur të NATO-s dhe shprehje e urrejtjes ekstreme antishqiptare…
Më 8 prill 1999 ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Unionit Europian, miratuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën e gjykonin “të nevojshëm dhe të justifikuar” operacionin e NATO-s në Jugosllavi dhe bënin përgjegjës Sllobodan Milosheviçin. Ata shpreheshin të skandalizuar nga tragjedia humanitare, viktimë e së cilës ishte popullsia e Kosovës dhe nga aktet barbare të kryera nga ana e autoriteteve serbo-jugosllave. Uniteti dhe vendosmëria e Aleatëve, sipas ShBA, ishte nënvleftësuar nga Beogradi…
Robinsoni: Lufta mjet i vendosjes së paqes
Ndërkohë që mbi pjesë të territorit të ish-Jugosllavisë binin bombat e lëshuara nga avionët e NATO-s, në Komisionin e Drejtave të Njeriut, në Gjenevë, vazhdonin diskutimet, pjesë e të cilave ishin edhe zhvillimet në Kosovë. Në fjalën e mbajtur në emër të delegacionit shqiptar, në seancën e 6 prillit 1999, ku u trajtua “Çështja e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në çdo pjesë të botës”, u deklarua se “duke bërë një retrospektivë në diskutimet dhe rezolutat e sesioneve të mëparshëm, konstatohet menjëherë se vitet kanë shkuar, rezolutat janë shtuar kurse njerëzit në ish Jugosllavi kanë vazhduar të ndjejnë edhe më dhunshëm shkeljen brutale të të drejtave të tyre. Shembulli më i freskët është Kosova ku terrorizmi i organizuar shtetëror dhe dhuna e përditshme nga ana e autoriteteve serbe e ka çuar një popull të tërë në kufijtë ekstreme të ekzistencës së tij.” U vu në dukje fakti i mirënjohur i përsëritjes së trajtimeve të tilla mizore serbe ndaj shqiptarëve gjatë më shumë se një shekulli e gjysmë dhe u theksua se “Historia e Kosovës nën Serbinë është për fat të keq një cikël sistematik spastrimesh etnike. Le të kujtojmë masakrat në vitet 1876-81, 1910-1913, ’20 – ’40, të shekullit tonë, shpërnguljet masive pas Luftës së Dytë Botërore etj. Këto barbari të harruara në kontinentin tonë, regjimi i Milosheviçit…i ringjalli,… i çoi në ekstrem (dhe)… guxon të sfidojë bashkësinë ndërkombëtare, të shpërfillë normat e së drejtës dhe parimet elementare të moralit njerëzor. Në mes të Europës së qytetëruar, në vigjilje të mijëvjeçarit të tretë ai merr kurajon të përgjakë popuj dhe të ndërmarrë ndaj tyre operacione të spastrimit etnik… Në Kosovë… përdori tërë makinën e vet luftarake për t’iu mohuar edhe të drejtat më elementare përfshirë të drejtën për jetën…
Një bilanc i paimagjinueshëm e tepër tragjik erdhi pas kësaj fushate shfarosëse: disa mijëra të vrarë e të pushkatuar, madje edhe liderë politike, intelektualë, gazetarë, shkrimtarë, avokatë dhe personalitete të tjerë të shquar, mijëra të burgosur, të torturuar apo të zhdukur pa gjurmë …, dhjetra mijëra shtëpi të djegura e të shkatërruara… Dhe këtë veprimtari kriminale të pashoqe propaganda e tij zyrtare serbe nuk heziton ta paraqesë… si diçka që është në përputhje me legjislacionin e vet dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse drejtohet ndaj terroristëve me të cilët Beogradi identifikon luftëtarët heroike të UÇK dhe gjithë popullin kosovar.”
Këto fjalë shqiptoheshin në një nga sallat e Pallatit të Kombeve, në Gjenevë, nga përfaqësuesi zyrtar i Shqipërisë, përmes emocioneve të fuqishme, në një kohë kur Kosova, pjesë e Shqipërisë etnike, shkretohej, digjej e shkatërrohej nga barbaritë serbe dhe kur kosovarët, vëllezërit e një gjaku, të një gjuhe e të një etnie, vriteshin, masakroheshin, terrorizoheshin dhe dëboheshin nga vatrat e tyre nga hordhitë “moderne” të Beogradit. Shumë përpjekje ishin bërë nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe thirrjet e rezolutat e panumërta të miratuara nga një varg forumesh, ndër të cilat edhe nga organe të OKB, siç ishin Asambleja e Përgjithshme, Këshilli i Sigurimit, Këshilli Ekonomik e Social, Komisioni i të Drejtave të Njeriut etj. Por, ato kishin rënë në veshin e shurdhër të Beogradit. S’mbetej gjë tjetër veç rrugës së forcës për ta detyruar atë që të ulej në tryezën e bisedimeve, çka u përmend edhe në ndërhyrjen zyrtare, ku theksohej se “Goditjet që NATO ndërmori kundër objektivave ushtarake serbe janë një veprim i bazuar mbi vlerat themelore të demokracisë dhe mbi respektin e dinjitetit të qënies njerëzore. Kjo është përgjigja më e mirë që bota demokratike u jep regjimeve gjakatare e pushtuese. Qeveria shqiptare falenderon dhe përshendet angazhimin e Shteteve të Bashkuara, BE, të Mbretërisë së Bashkuar, të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe aleatëve të tjerë të NATO-s, si dhe të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, për mbështetjen që i dhanë popullit të Kosovës.”
Duke iu drejtuar popullit serb, i cili në ato ditë të vështira të historisë së tij, detyrohej të paguante indiferencën dhe tolerancën e vet të pafalshme ndaj bandës kriminale që e përgjaku dhe e armiqësoi me sllovenët, kroatët, boshnjakët, shqiptarët etj, duke e izoluar nga bota e qytetëruar, u nënvizua se ai duhej të ndërgjegjësohej që e vetmja zgjidhje e mundshme dhe e drejtë, ishte braktisja sa më parë e klikës kriminale të Milosheviçit. Vetëm kështu Ballkani do të shpëtonte nga flakët e luftës dhe popujt e tij do të merrnin frymë lirisht, do të jetonin në paqe e miqësi me njëri tjetrin, ashtu siç kishin ëndërruar përfaqësues të shquar të tyre, vëllezërit Frashëri në Shqipëri, Levski, Botevi e Karavellovi në Bullgari, Riga Fereos në Greqi, Markovici e Tucoviçi në Serbi etj. Më poshtë u fol për përpjekjet e Milosheviçit dhe klikës së tij për ta fshehur të vërtetën e Kosovës, përmes një terri informativ, i cili synonte privimin e opinionit publik botëror nga mundësia për të mësuar të vërtetën rreth asaj që po ndodhte në Kosovë. “Por e vërteta nuk mund të fshihet. Mijëra gra, pleq e fëmijë që mbërrijnë në Shqipëri, në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe në Mal të Zi, sjellin dëshmi rrënqethëse të përmasave të krimit. Shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, në këto momente tragjike e shumë të rënda që kalojnë motrat dhe vëllezërit e tyre në Kosovë, ndjehen pranë tyre, iu kanë hapur shtëpitë, ndajnë me ta bukën e gojës dhe po bëjnë gjithëçka për t’i ndihmuar në lehtësimin e dhimbjes së madhe.”
…Pas gati një muaj e gjysëm fjalimesh, ndërhyrjesh, diskutimesh, debatesh dhe miratim rezolutash, më 30 prill 1999, përfunduan punimet e sesionit të 55 të Komisionit të të drejtave të njeriut. Komisionerja e Lartë, Mary Robinson, në fjalën e mbylljes, iu rikthye sërish çështjes së Kosovës. Pasi bëri sërish një historik të origjinës së konfliktit dhe evolucionit të tij, ajo tha se “konflikti dëshmoi që lufta ishte bërë mjeti i vendosjes së paqes dhe ky fakt i vetëm do të duhej ta nxiste bashkësinë ndërkombëtare që të reflektonte…Përsa kohë që diplomacia nuk do të triumfonte, shqiptarët do të vazhdonin të dëboheshin nga Kosova dhe serbët do të bombardoheshin pafundësisht.”
Kapitullimi i Milosheviçit dhe çlirimi i Kosovës
… Më 3 qershor 1999 Milosheviçi pranoi kushtet e paqes që iu paraqitën bashkërisht nga BE dhe Rusia një ditë më parë… Në 8 qershor 1999, palët negociatore ranë dakord për ndalimin e bombardimeve dhe tërheqjen e trupave serbe nga Kosova, pak a shumë, në të njëjtën kohë… Më 9 qershor 1999… në aeroportin e Kumanovës, të kontrolluar nga francezët, u takuan gjenerali anglez Majkëll Xhekson (Michael Jackson), komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë dhe gjenerali Nebojsha Pavkoviq, ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, i akuzuari i Hagës për krime lufte. Ata nënshkruan marrëveshjen ushtarake dhe teknike ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, për tërheqjen e forcave serbe nga Kosova. Marrëveshja parashikonte që nga Kosova duhet të largoheshin të gjithë personat dhe organizatat me aftësi ushtarake duke përfshirë ushtrinë e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paraushtarakë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, punonjësit e departamenteve të Sigurimit të Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë Publike, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar nga KFOR-i. Marrëveshja kishte përcaktuar një zonë sigurie ajrore prej 25 kilometrash përtej kufirit të Kosovës, si dhe një zonë prej 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në, ku nuk do të vendoseshin armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarëve të kufirit. “Marrëveshja e Kumanovës është akti themelor ndërkombëtar juridik, në bazë të së cilës Kosova u çlirua nga pushteti i RF të Jugosllavisë, nga Republika e Serbisë…” Në horizontin e të ardhmes së saj shndërrisnin ditë të bardha.
Sulmet e avionëve të NATO-s ndaj territorit të Jugosllavisë, kishin ndaluar dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 1244, që i hapi rrugën legale vendosjes së një pranie ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë. Misioni i Kombeve të Bashkuara UNMIK, do të instalonte “një administratë të përkohshme në kuadrin e së cilës popullsia e Kosovës do të mund të gëzonte një autonomi substanciale në përbërjen e Republikës Federale të Jugosllavisë”.
Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe Marrëveshja e Kumanovës, që sanksionuan juridikisht hapin e madh të vendosjes së UNMIK-ut dhe KFOR-it dhe fillimit të rikthimit të kosovarëve të dëbuar, krijuan premisat bazë të inagurimit të lirisë.
… Qershori i ngrohtë i vitit 1999 në Kosovë do të vinte bashkë me lirinë, e cila mbërriti pas 78 ditë bombardimesh në ish Jugosllavi nga avionët e NATO-s. Ato ishin konkretizim i ndërhyrjes ushtarake për qëllime humanitare dhe shënuan mbarimin e etapës klasike të së drejtës ndërkombëtare. Me glorifikimin deri në ekstrem të sovranitetit kombëtar, ajo e kishte shndërruar atë në dogmë, në element përmes të cilit abuzohej dhe përligjej dhuna dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e regjimeve autoritare ose diktatoriale ndaj popullit të vet. E drejta ndërkombëtare, pa e mohuar vlerën dhe rëndësinë e sovranitetit, riafirmoi domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të njeriut si një ndër angazhimet më themelore dhe shërbeu kështu edhe si një instrument që, në ato kohë, do të kontribuonte edhe në konsakrimin e realizimit të ëndrrës shekullore të shqiptarëve.
Ditën e madhe të 10 qershorit 1999, lajmin e lirisë së Kosovës, do ta përjetonim me emocione të jashtëzakonshme, të papërshkrueshme në mjediset e Misionit, në korridoret e pafundme të Pallatit të Kombeve, në Gjenevë, nëpër sallat, zyrat dhe baret e shumta të tij. Kolegë e miq nga vende të ndryshme, funksionarë të organizatave ndërkombëtare me seli në Gjenevë, gazetarë, drejtues të kantonit dhe republikës së Gjenevës, personalitete të ndryshme të jetës politike, kulturore, artistike nga Zvicra, banorë e studentë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi etj, që jetonin, punonin ose studionin në Zvicër dhe vendet përreth, na vizitonin në Mision, na takonin, na telefononin ose na shkruanin. Shprehnin përgëzime dhe urime për këtë ditë të jashtëzakonshme në historinë e Kosovës dhe të krejt shqiptarëve.
Në bazë të Rezolutës 1244, do të vendoseshin në Kosovë 37 200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Me hyrjen e saj në fuqi, më 11 qershor 1999, u hap rruga për vendosjen në Kosovë të Forcës së paqes, KFOR-it, të drejtuar nga NATO-ja. Të nesërmen trupat e para të këmbësorisë së saj nisën zbarkimin, ndërkohë që filloi largimi i forcave serbe nga Kosova. Administrimi i saj i kaloi Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara- UNMIK dhe institucioneve të Kosovës, Kuvendit, Presidentit dhe qeverisë. Serbia nuk do të kishte më asnjë kontroll mbi të, megjithëse ajo ishte protektorat i OKB-së dhe nga pikëpamja formalo-juridike mbetej pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë. Sidoqoftë tërheqja e forcave jugosllave ose më saktë dëbimi i tyre dhe vendosja e administrimit të përkohshëm të OKB në Kosovë, shënuan nisjen e ngritjes së saj të pandalshme. Nga Kosova u dëbuan rreth 47 mijë ushtarë serbë, që ishin disa mijëra më shumë nga sa duhet të ndodheshin sipas njoftimeve të shërbimeve inteligjente. Misioni i përkohshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të administronte vendin për një periudhë kohe.
Në fushatën e NATO-s në Kosovë, u angazhuan 1 055 avionë dhe helikopterë, që niseshin nga aeroportet e Britanisë së Madhe, Italisë, Maqedonisë, Turqisë, Shqipërisë, Hungarisë, Francës, Holandës, Danimarkës, Kanadasë, Spanjës, Norvegjisë, Luksemburgut, Portugalisë, si dhe nga Grupi aeronaval Theodore Roosevelt dhe aeroplanmbajtëset e US Navy në Mesdhe, të cilave iu bashkuan aeroplanmbajtësja franceze Foch dhe shumë fregata franceze, kryqëzorë etj. Tre të katërtat e avionëve u vunë në dispozicion nga ShBA-ja, Franca furnizoi 87 avionë dhe helikopterë, kurse diferenca nga anëtarët e tjerë të NATO-s.
Gjatë luftës nuk u dëmtua asnjë anije, tank ose helikopter i Aleancës, me përjashtim të dy avionëve amerikanë që u rrëzuan në sulmet ajrore në ish Jugosllavi. Pilotët e tyre u gjetën dhe u tërhoqën nga komando të specializuara. Humbjet njerëzore të NATO-s gjatë bombardimeve ishin vetëm tre vetë. Serbët, sipas njoftimeve të Ministrisë jugosllave të informacionit, humbën së paku pesë gjuajtës MiG-29, 462 ushtarë dhe 114 anëtarë të forcave të sigurisë. Nga bombardimet e avionëve të NATO-s pati viktima edhe midis civilëve. Statistikat e Human Right Watch raportojnë se gjatë nëntë incidentëve të veçuara, pati 489 deri në 528 civilë të vrarë, nga të cilët rreth dy të tretat, 303 deri në 352, ishin refugjatë kosovarë.
Lufta edhe pse u përdor si mjeti i trajtimit in extremis të çështjes, u pranua dhe u justifikua nga qarqe politike, diplomatike, intelektuale, shoqëria civile, nga personalitete, individë etj. Ato e vlerësuan si provën e një rendi humanitar që po instalohej në botë. Vaclav Havel e quajti “lufta e parë e vlerave”. Në pranverën e vitit 1999, kur në Rambuje zhvillonte punimet konferenca ndërkombëtare për vendosjen e paqes në Kosovë, Bernar Kushner i drejtohej Slobodan Milosheviçit: “Sa shumë herë kemi shpresuar se do të vinte një ditë … kur ne do t’i thoshnim një diktatori: Zoti diktator, ne do të të pengojmë që të shtypni, të torturoni, të masakroni popullsitë tuaja”. Kjo ditë e bekuar kishte ardhur me kapitullimin e Milosheviçit, pas fushatës së bombardimeve më se dy mujore të ish – Jugosllavisë nga forcat ajrore të NATO-s dhe çlirimin e Kosovës, e cila do të bëhej shumë shpejt shtet i pavarur, anëtar i denjë i bashkësisë botërore dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare.
23 mars 2019

Demo si filoserb jep ndonje mendim, se ne fakt reagimet e tua vijne era bajge…