Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, njëkohësisht edhe Koordinator Kombëtar për Anti-korrupsionin, Bledi Çuçi, e vlerësoi pozitivisht raportin e “Transparency International” për perceptimin e korrupsionit në vendin tonë.
“Sot morëm një tjetër lajm pozitiv për Shqipërinë, ndonëse jo entuziast, por gjithsesi, një lajm pozitiv nga Transparency International , e cila publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për 2014, ku Shqipëria ka filluar ngjitjen në këtë Indeks kaq të rëndësishëm dhe është ngjitur pikërisht me 6 vende. Sigurisht që kjo nuk e kënaq objektivin tonë për ta nxjerrë vendin përfundimisht nga zona e kuqe dhe sot jam këtu për të evidentuar se reformat që janë ndërmarrë po tregojnë efektin e tyre pozitiv”, tha Çuçi.
Ekzekutivi i bën thirrje Kuvendit për të nisur sa më parë reformimin rrënjësor në sistemin e drejtësisë.
“Në këtë studim, vlerësimi më i ulët përsa i përket luftës kundër korrupsionit është ai i korrupsionit në drejtësi, ku Shqipëria merr vetëm 25 % të pikëve, krahasuar me 45 % që merr pikërisht ekzekutivi dhe degët e ekzekutivit. Ky është një tregues shumë i qartë i diferencës së madhe që ka midis perceptimit që ka për korrupsionin për sa i përket ekzekutivit, Qeverisë dhe perceptimit të korrupsionit që ka sistemi i drejtësisë”, sqaron Çuçi.
