2012-a, 22 viktima në Shkodër

anazapta

Viti që u mbyll ka sjellë një rritje të numrit të viktimave, ndërkohë që i lartë është  edhe numri i vrasjeve për gjakmarrje

 Albana Qemali

SHKODËR – Viti 2012 ka shënuar 18 vrasje me 22 viktima në qarkun e Shkodrës. Këtë vit ka pasur një rritje e krimit të vrasjes në krahasim me një vit më parë ku kishte 16 të tilla me 17 viktima. Gjatë vitit 2012 në Shkodër ka pasur disa vrasje me më shumë se një viktimë, ndërsa gjakmarrja ka qenë e pranishme, edhe pse zyrtarisht jepet si hakmarrje dhe bëhen përpjekje për mos evidentimin me këtë motiv të ngjarjeve të rënda të ndodhura.

Nga 18 vrasjet e ndodhura, gjashtë kanë  qenë për gjakmarrje, ndërsa një tjetër ka pasur motiv gjakmarrjen, por viktimë mbeti një i pafajshëm. Gjithashtu, ka pasur 3 vrasje në familje si djali që ka vrarë babanë (Prekal, Shkodër), djali ka vrarë nënën (Shkodër), babai ka vrarë vajzën e mitur (Temal, Shkodër).

Viktima të vrasjeve kanë qenë  dhe femrat, madje dhe të mitura. I tillë është rasti i 17-vjeçares Marie Quku që u vra për gjakmarrje ndërsa ndihmonte gjyshin për të punuar arën në Kir të Dukagjinit në Shkodër. E moshuara Merjeme Kotrri goditet nga i biri me mjete të forta dhe vdes në spital, ndërsa 14-vjeçarja Marjana Bregu nga Temali vritet nga babai i saj, pasi nuk donte të rrinte gjatë verës në fshatin e largët malor, por të kthehej në banesën ku jetonin në Shkodër.

Vrasjet për motive pronësie kanë qenë  katër duke shkatuar 5 viktima ku rasti më i rëndë është  ai i ndodhur në Qelëz të Pukës, ku u vranë dy persona dhe u plagosën tre të tjerë, të gjithë nga familja Markaj. Vrasjet nuk kanë ndodhur vetëm në zona rurale apo malore, por dhe në qytet, afër spitalit apo universitetit ku viktima kanë mbetur dhe njerëz të pafajshëm që ndodheshin rastësisht në rrugë siç është rasti i 24-vjeçarit Aleksandër Qarri, në afërsi të universitetit të Shkodrës.

Nga vrasjet e ndodhura në vitin 2012 në Shkodër, 14 kanë qenë në këtë rreth, 1 në Malësi të Madhe dhe 2 në Pukë. Nga 18 vrasjet e ndodhura, pesë nuk janë të zbuluar nga policia (zyrtarisht nuk jepet autori).

Në ngjarjet me më shumë  se një të vrarë, ka dy vëllezër në Qelëz të Pukës, gjysh e mbesë në Kir të Shkodrës dhe djalë e baba në qytetin e Shkodrës. Përveç vrasjeve, si krimi më i rëndë, gjatë 2012-s ka pasur dhe vetëvrasje, vdekje aksidentale duke veçuar aksidentet automobilistike me pasojë vdekjen e personave.

Vrasjet e fundit u shënuan më 31 dhjetor. Dy persona mbetën të vrarë, ndërsa një tjetër u plagos. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në oborrin e Zef Markajt, në fshatin Hot i Ri, komuna Rrethina. Ajo që kishte nisur si vjedhje përfundoi në tragjedi, pasi Ardian Kola, i njohur si person në kërkim për vjedhje, shkëmbeu zjarr me dy vëllezërit Markaj. Për pasojë, u vranë kryefamiljari Zef Markaj dhe Ardian Kola, ndërsa është plagosur Gjon Markaj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *