2013, si ka ndryshuar eksporti me vendet fqinje

anazapta

Të dhënat e publikuara nga INSTAT për nivelin e import eksportit për vitin 2013, japin një panoramë të qartë se cilët mbeten partnerët tanë kryesore. Sipas këtyre të dhënave Italia ka vijuar të mbetet partneri kryesore përgjatë vitit 2013. Në vlerë absolute, eksportet drejt këtij shteti janë rritur me 5 për qind me bazë vjetore, duke arritur në 114 miliardë lekë. Megjithatë, pasha e Italisë drejt totalit, ka rënë në 46 për qind, nga 51 për qind që ishte në 2012-n, për shkak të rritjes më të shpejt të shitjeve jashtë vendit nga shtetet e tjera. Produkti kryesor i eksportuar drejt Italisë janë tekstilet e këpucët, me 52 për qind të totalit. Spanja prej tre vitesh është kthyer në partnerin e dytë kryesor të vendit. Eksportet drejt këtij vendi u rritën me shpejtësi nga zero disa vjet më parë, ndërkohë që vijuan të zgjerohen me ritme të moderuara edhe në 2013-n. Sipas INSTAT, shitjet drejt Spanjës u rritën me 22 për qind, në 24 miliardë lekë. Në këtë shtet shkuan 10 për qind e eksporteve tona, nga 9 për qind që ishte kjo peshë një vit më parë. Produkti kryesor që shkon në Spanjë është grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 93 për qind të totalit. Këtë vit u konstatuan dhe rritja e eksporteve të tekstileve e këpucëve, por ato mbeten sërish të ulëta. Ka një rritje të ndjeshme të eksporteve dhe drejt shteteve të tjera të BE-së, që sipas INSTAT u zgjeruan me rreth 130 për qind në 30 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e eksporteve të mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë. Drejt Kosovës, eksportet shënuan një rënie me bazë vjetore me 6 për qind, si rrjedhojë e ngadalësimit të eksporteve të materialeve të ndërtimit e metaleve, pas bllokadës së produkteve shqiptare nga pala e Kosovës. Ky produkt gjithsesi, zinte 52 për qind të totalit të shitjeve tona në shtetin fqinjë. Drejt Kinës, eksportet pothuajse u dyfishuan, duke arritur në 11 miliardë lekë. U shënua një rritje e ndjeshme me 43 për qind edhe e eksporteve drejt Gjermanisë, por pesha e tyre mbetet e ulët në raport me vitet e kaluar, kur Gjermania ishte partneri i tretë apo i katërt i Shqipërisë. Shitjet drejt Turqisë shënuan një tkurrje të fortë prej 31 për qind me bazë vjetore. Eksportet drejt shtetit grek kanë vijuar rënien për të distain vit radhazi, duke bërë që Greqia të renditet vetëm në partnerin e tetë tregtar, nga vend ii dytë që zinte pak vite më parë. Në 2013-n u shënua një rënie me bazë vjetore prej 17 për qind, në 7.8 miliardë lekë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *