Ndërtimi në kryeqytet është në ditët e tij më të vështira. Sipas statistikave të tremujorit të tretë të publikuara nga INSTAT, për periudhën korrik-shtator në Tiranë janë dhënë vetëm 3 leje ndërtimi. Në total, për të gjithë 9 mujorin, numri i lejeve të ndërtimit dhënë në kryeqytet është vetëm 8, nga 150 lejë në total, që janë dhënë në rang kombëtar për të njëjtën periudhë. Në tremujorin e tretë bie në sy numri i lartë i lejeve të ndërtimit për qytetine Kukësit, në 27, ndërkohë që në tremujorët e mëparshëm, qyteti i largët verior nuk kishte marrë asnjë leje. 18 leje janë dhënë dhe në Fier, një qytet që gjithashtu nuk kishte marrë asnjë leje në tremujorët e mëparshëm. Qyteti bregdetar i Vlorës, që deri në tremujorin e parë kryesonte përsa i përket ndërtesave të reja që merrnin leje të ngriheshin, i ka ulur ndjeshëm ritmet e miratimit. Në tremujorin e tretë u dhanë vetëm 4 leje, nga 11 në të parin. Shkodra është qyteti që përgjatë gjithë vitit ka përfituar më shumë lejë, 49 për tremujorin, apo një të tretën e të gjitha lejeve për të njëjtën periudhë. Sipas INSTAT, Në tremujorin e tretë 2013 janë miratuar gjithsej 88 leje ndërtimi, sipërfaqja e të cilave është 207.027 metra katror. Lejet e miratura për ndërtesa banimi zënë 61,4 % të numrit gjithsej të lejeve, dhe ato për ndërtesat jo rezidente 38,6 %. Përsa i përket, vlerës gjithsej të lejeve të ndërtimit të miratuara, është rritur 150,5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar, dhe 126,6 % kundrejt tremujorit paraardhës. Në këtë tremujor, ndërtesat zënë pjesën më të konsiderueshme të kësaj vlere me 99,9 %. Vlerën më të lartë të lejeve të ndërtimit për ndërtesa të miratuara sipas klientëve, e zënë klientët privatë me 96,4 %, ndërsa përsa i përket vlerës së lejeve të miratuara për punime inxhinierike sipas klientëve, klientët shtetërorë zënë 95,8 % të kësaj vlere. Gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është më i lartë në qarqet e Kukësit me 30,7 %, Fierit me 20,5 % dhe Shkodrës me 14,8 %.
