Dashuria e shëndetshme është ajo që nënkupton një shkëmbim të ekuilibruar midis dy partnerëve, që nuk e asgjësojnë identitetin e njëri-tjetrit, por takohen duke u respektuar ndërsjelltazi. Më poshtë keni disa këshilla të thjeshta për të ruajtur autonominë në një marrëdhënie
Shpesh, kur jemi të dashuruar mendojmë se është e nevojshme që të ndajmë gjithçka me tjetrin, por në çift është shumë e rëndësishme që të ruhet individualiteti vetjak. Çdo njeri duhet të ketë brenda marrëdhënies së tij ‘dhomën e sekreteve’, një vend simbolik, nga ku mund të marrë energjinë dhe ta transferojë më pas atë në raportin e tij.
Konservimi i identitetit shërben për ta mbajtur në harmoni raportin, duke shmangur rrezikun e shndërrimit të tij në një burg, në të cilin pretendohet që njëri nga subjektet, ose edhe të dy, të heqin dorë nga ‘qenia’ e tyre.
Psikoterapisti N.Branden thotë se “janë personat autonomë ata që jetojnë një dashuri të shëndetshme, sepse ndihen të rritur, dhe jo si fëmijë të përhumbur në pritje që dikush t’i shpëtojë. Nuk kanë nevojë për lejen e askujt për të qenë ata që janë dhe egoja e tyre nuk është vazhdimisht në lojë”.
Doktoreshë Françeska Saka nga Instituti i Psikologjisë dhe Psikoterapisë në Romë shpjegon se përse është e domosdoshme autonomia në një raport: “Dashuria e shëndetshme është ajo që nënkupton një shkëmbim të ekuilibruar midis dy partnerëve, që nuk e asgjësojnë identitetin e njëri-tjetrit, por takohen duke u respektuar ndërsjelltazi. Marrëdhënia nuk duhet përdorur kurrë si një burim i nevojshëm shpëtimi apo si një instrument shërimi. Dashuria nuk është të anulohesh për tjetrin, por është shkëmbimi i dy identiteteve që kanë mësuar të respektohen në ndryshimet që kanë.
“Parimi është ky: Nëse e dua veten, të dashuroj edhe ty më mirë, sepse të kërkoj të më shoqërosh dhe asnjëherë të të zëvendësoj me veten në rrugën e përbashkët”.
Për të mësuar më shumë mbi argumentin, pra se si të mbetemi autonomë në raport me partnerin, dr. Saka jep disa këshilla:
Mos hiq dorë nga hapësirat e tua. Të marrësh kohë për vete nuk do të thotë të përjashtosh tjetrin. Të kultivosh pasionet e tua tregon se ndihesh më mirë me vetveten dhe si rrjedhojë do të ndihesh më i qetë dhe i hareshëm edhe në raportin dyshe. Ndodh shpesh që kur heqim dorë nga diçka që na fal kënaqësi, krijohet te ne një ndjesi e vazhdueshme ndrydhjeje që në mënyrë të vetëdijshme ose jo mund të kalojë edhe në raportin në çift.
Sekretet e vogla bëjnë mirë. Intimiteti i një çifti dhe qëndrueshmëria e tij nuk maten nga të treguarit e gjithçkaje. Ta bësh pjesëmarrës partnerin në çdo gjë që të ndodh, nuk krijon një bashkëpunim më të fortë, më shumë sesa një lloj varësie ndaj tjetrit. Mëso të mbash diçka për vete dhe mos i trego të gjitha në çift, kështu do të çlirohesh nga ankthi i aprovimit.
Mbaji nën kontroll ndërhyrjet prindërore. Shpesh familjarët na kushtëzojnë. Edhe pse me qëllim të mirë, ata përpiqen të kufizojnë lirinë tonë duke na imponuar rregulla për të jetuar jetën dyshe. Edhe pse mund t’ua pranosh prindërve, vëllezërve dhe motrave rolin thelbësor që kanë në jetën tënde, mos u lejo që të ndërhyjnë në zgjedhjet që bën në çift.
Përgatiti: Dorina Gjuzi