Nga Mero Baze
Një nga gjërat që kam përjetuar më keq më 21 Janar ishte Sokol Olldashi. E njihja aq mirë sa të mos e besoja kur u shfaq në mbrëmje në ekran të televizionit duke thënë se në makinën që goditi derën e kryeministrisë kishte dinamit dhe se do vriste nëse do të ishte Ministër i Brendshëm. Këtë të dytën e përmendi dhe gjatë fushatës së tij me Lulzim Bashën. Në një bisedë të gjatë reflektuese me të, pasi ishte thjesht një opozitar i ngeshëm, më tregoi disa detaje bindëse se çfarë kishte ndodhur brenda korridoreve të pushtetit dhe pse e shfajësonte Lulzim Bashën nga gjithë ajo histori. Më tregoi dy detaje pikante lidhur me 21 Janarin, ditën kur ndodhën vrasjet dhe ditën kur prokuroria kërkoi gjashtë oficerët e Gardës për t’i ndaluar dhe për t’i marrë në pyetje. Rrëfimi i tij në fakt nuk donte të më shfajësonte Bashën pse e kishte pikë të dobët, por ilustronin më së miri karakterin e pavendosur të tij dhe pafuqinë për të qenë i vërtetë para Berishës. Mes këtyre rrëfimeve, ai më shpjegoi dhe pozicionin e tij pse e kishte shpikur dinamitin në makinë dhe pse kish thënë se do të vrisja më shumë. Nuk është se isha dakord me atë që tha, por e besova dhe i thashë se ‘dikur do ta shkruaj këtë, por kur të mos të të prishë punë’. Po e përsëris rrëfimin e tij me fjalët e mia si një tregim. Tani nuk i prish asnjë punë. Fatkeqësisht nuk më la të prisja gjatë…
Lulzim Basha erdhi në zyrën time. Ishte i trembur nga gjithçka që ndodhte brenda dhe jashtë kryeministrisë. I shikonim ngjarjet të dy në ekran. Ai kishte qenë në kryeministri dhe tani i duhej të përballej me tensionin e dinamikës së ngjarjeve. Kur situata perceptoi dhe u pa se ishin vrarë njerëz, u lidh me Bamir Topin. Ai e ftoi të shkonte në zyrën e tij dhe të bisedonin. Kur u kthye, ishte më i qetë.
-Si shkoi biseda, i thashë.
-Mirë, më tha.
Nuk m’u duk negativ. Kur dola, më tha bëni kujdes me letrat se ka ngjarje. Ndërkohë që po bisedonim, mori në telefon Sali Berisha. Po i thoshte diçka të rëndë lidhur me Topin dhe ngjarjet që kishin rrjedhur. Shkuam bashkë në zyrën e tij. Dukej totalisht i axhituar dhe jashtë kontrollit. U hodh në sulm kundër Bamirit. Luli nuk foli. Nuk dija në i kish treguar që ishte aty, por për ta lehtësuar situatën, shkova në fund të zyrës ku ishte telefoni fiks dhe me autoparlant të hapur fola me badigardin e Bamirit, që e kisha mik qysh kur isha Ministër i Brendshëm.
-Ku është ai, e pyeta.
-Në shpi shefo, më tha, pushon tani.
Berisha më pa i çuditur.
-Me kë po flet, tha.
-Me rojën e Bamirit, i thashë.
I ra tërbimi i improvizuar menjëherë dhe tundi kokën.
-Lere mos na ngatërro tani, tha. Ai ka bërë puçin. Dhe vuri pak buzën në gaz.
Ishte e qartë që i duhej puçist. E kuptoi dhe Basha këtë dhe i tregoi se ishte tek Bamiri t’i bënte thirrje të ndalte puçin, por ai e paskësh kërcënuar dhe i kish thënë “kujdes me letrat”. Ishte një version emocional, krejt i ndryshëm nga ajo që unë isha dëshmitar pak më parë. Presioni i Berishës për të shpallur Topin puçist bëri të vetën. Basha modifikoi përshtypjet e tij nga takimi me Topin, dhe manovra ime për ta banalizuar situatën, po ashtu nuk funksionoi. Tani duhet të bëheshim gati për të mbrojtur grushtin e shtetit.
Unë vendosa vetë të dal në media. U thashë njerëzve të Gardës, që ishin në korridor, se makina që goditi gardhin, ishte e mbushur me tritol. Më panë pak si të çuditur dhe tundën kokën.
-Më duhet një konfirmim për këtë, u thashë, duke tentuar të tregoja ç’duhet të bënin.
I sigurt se në atë moment ata do të më mbështesnin, dola në TV dhe thashë atë që thashë. Në fakt asgjë nuk kishte ndodhur. As lajm për tritol nuk kishte dalë dhe as ndonjë provë nuk ishte siguruar. Në një farë mënyre më lanë vetëm në atë përpjekje që ishte boll justifikuese për dhunën. E vetmja gjë që vendosa të bëj është të mos ua përmendja më. Edhe herë të tjera Ndrea në fakt kishte refuzuar të zbatonte urdhra të paligjshëm, por atë sepse isha i bindur se do ta bënte. Nuk e bëri dhe thellë- thellë më erdhi mirë për këtë pas ngjarjes. Bile nuk jam i sigurt nëse ka qëlluar dhe vetë.
E dyta që thashë lidhur me vrasjet, ishte për t’i dhënë zemër njerëzve. Ajo e gjitha u perceptua si një përleshje ku ne dolëm fitimtarë me viktima nëpër këmbë. Jam përpjekur gjithmonë të jem i paqartë në atë deklaratë, por perceptimi është ashtu siç thua ti, më tha, që unë kam shprehur vendosmërinë për të vrarë. Ajo që më bëri përshtypje, tha, ishte se gjatë fushatës brenda PD-së, kur e thashë këtë gjë, nuk funksionoi. Askush nuk ma përmendi një përparësi. Ngjante në fakt si një garë mes meje dhe Lulit kush ishte më radikal më 21 Janar. E ndjeva nga heshtja që më rrethonte kur e thashë këtë.
Pastaj erdhi momenti i dytë i rrëfimit të tij lidhur me urdhër- arrestin për gjashtë oficerët. Lajmi përflitej dhe Luli erdhi në zyrën time për shkak të miqësisë që unë kisha me Ina Ramën. Ina foli me mua dhe më kërkoi që të bisedoja, të thërriste prokuroria gjashtë oficerë për t’i marrë në pyetje. Ja thashë Lulit në një klimë tërësisht të qetë, pa tensionin e një puçi të ri, dhe ishte dakord. I thashë Inës të dërgonte letrën se gjithçka ishte në rregull.
Pasi uli telefonin me ne, ajo kishte komunikuar me drejtorin e Policisë së Shtetit. Ai kishte komunikuar direkt me Berishën dhe i kishte treguar. Berisha mori sërish Lulin dhe i tha se kryepuçistja Ina Rama kërkonte të arrestonte zinxhirin komandues të Gardës.
-Ka hyrë në funksion Plani B, i tha.
Luli ia miratoi paranojën pa guxuar t’i tregojë se kish qenë në parim dakord me atë që po bënte Ina. Kështu u përfshi dhe ajo në listën e komplotit. Pas kësaj, gjithçka e komandonte Berisha, paranojën, skenarin dhe daljen nga kriza.
Ky ishte rrëfimi i tij për pafajësinë e Lulit dhe qëndrimet e tij nën presion. E pyeta pastaj pse u futëm ne gazetarët në listën e puçit të shtetit dhe pse i duheshim Berishës si puçistë.
-Nuk ju zuri kurrë në gojë, tha. Me zell më të madh ju futi Strazimiri. Ai donte të jepte një shenjë që ishte për zgjerimin e rrethit.
-A u përgjuan telefonat tanë, i thashë.
-Besoj që po, por askush nuk e kishte seriozisht me ju, më tha. Qarkullonte vetëm një sms jote me Edi Ramën që thoshe ‘shkoni bëni shurrën tek kryeministria’. Nuk di sa e vërtetë është.
Në fakt ishte e vërtetë dhe ishte një detaj që telefonat ishin përgjuar. Pasi kaloi kulmi i trazirës dhe shumë njerëz u përcollën të plagosur, unë që e ndiqja nga lart skenën, nuk isha i qartë për numrin e të vrarëve. Nuk dija kujt t’i thosha t’u bënte thirrje të tërhiqeshin. I bëra një sms Zogajt dhe Ramës ku në fakt përmendja diçka të tillë me gjysmë humor të zi. Batuta mori shkas nga një miku im, A.K., që hyri në atë moment në lokal ku rrinim dhe më pyeti ç’po ndodh.
-Asgjë, i thashë. Mbaroi, kaq ishte. Tani shko tek dera e kryeministrisë, bëj shurrën, por mos e kalo gardhin, dhe ik. Po e bërë këtë, do të ngrenë në detyrë kur të ndërrojë pushteti.
Humori i zi qarkulloi pak minuta aty rrotull dhe s’jam i sigurt nëse Olldashi e kishte këtë nga thashethemet e atyshme, nga një raportues i Agim Shehut që kishim në krah, apo nga sms. Sidoqoftë nuk ishte diçka me zarar. Dhe dukej që ne nuk ishim në fokus si puçistë. Ishim pjesë e një përpjekje të sforcuar për të ilustruar një ide të çmendur në kokën e Sali Berishës për puç shteti. Dhe ia arriti të na përdorë më shumë duke na falur se sa duke na akuzuar.
* * *
Artan Hoxha: Çfarë më ka rrëfyer një gardist
Një bisedë informale e ditëve të fundit e gazetarit investigativ Artan Hoxha me një nga gardistët e 21 Janarit. Përse ai dyshon që urdhri për të hapur zjarr ka ardhur nga instanca të larta dhe si i kujton gardisti 3 thirrjet e Ndrea Prendit për të hapur zjarr. Përse ishte Agim Llupo ai që qëlloi i pari së bashku me Ndrea Prendin dhe përse gardistët e tjetër nuk e zbatuan urdhrin. Përse Hoxha beson se KLD-ja dhe Presidenti vazhdojnë të veprojnë sikur Berisha është ende kryeministër dhe cili është preludi i tij për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe vendosjen e drejtësisë…
Sot mbushen 3 vite nga demonstrata dhe vrasjet e 21 Janarit. Si gazetari që jeni përfshirë në mënyrë përcaktuese për zbardhjen e vrasjeve, 3 vite më pas si e reflektoni atë që ka ndodhur? Çfarë përfaqëson sot për ju 21 Janari, 3 vite në distancë dhe kur raporti me ngjarjen shihet më ftohtë?
Gjithçka nga ajo ngjarje tragjike gati është harruar. Madje edhe vrasësit sikur i kanë lënë në harresë, a thua nuk kanë kohë të merren me ta. Por 21 janari ka diçka që nuk do të harrohet kurrë. Ka katër protestues të pafajshëm që u vranë barbarisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për ironi, mesa di unë, mbi atë bulevard, qysh nga fundi i viteve ’30, kur e ndërtuan italianët nuk është vrarë askush. Nuk kanë vrarë në atë bulevard që mban një emër aq simbolik, “Dëshmorët e Kombit”, as Ahmet Zogu, as fashistët italianë dhe më pas nazistët gjermanë, as Enver Hoxha. U desh 21 janari që ata katër, Ziveri, Hekurani, Faiku dhe Aleksi të jenë të parët “Dëshmorë të Kombit” të vrarë mbi atë bulevard. Dje në mesditë jam ngjitur në njërën nga kafet që ndodhet tek Kullat, për të parë nga sipër nëse pllakat përkujtimore janë vendosur saktësisht në vendin ku janë vrarë katër dëshmorët e vetëm të bulevardit. Imazhi që të krijojnë ato katër përkujtimore kur i sheh nga lart, është i rëndë. Duket sikur gjaku i atyre katër, nga i kuq është kthyer në një ngjyrë ari, për të ndriçuar mendjen e çdo shqiptari. Për çdo njeri nga ata mijëra që ka qenë atë ditë në shesh, apo e ka ndjekur ngjarjen nga ekrani i televizorit, është një moment reflektimi, që të mos e harrojmë kurrë atë që ndodhi. Për shkak të emisionit që kam transmetuar dje në mbrëmje kushtuar 21 janarit, më është dashur t’i shoh dhe njëherë gati të gjitha filmimet. Me thënë të drejtën, kuptova se nuk kisha shumë nevojë për t’i rifreskuar ato imazhe. I kam aq të ngulitur në mendje, sa më mjafton thjeshtë të mbyll sytë dhe imazhet më vërshojnë sikur të jem duke parë një film. Sidomos vrasja e Ziver Veizit. Një ekzekutim barbar i një qytetari të pafajshëm me duar në xhepa, nga qitësit e stërvitur të pushtetit të degraduar. Dhe ajo që më trishtoi më shumë dje ndërsa po i shikoja nga sipër përkujtimorët, ishte fakti se vrasësit janë të lirë, urdhëruesit po ashtu. Nuk i ka hyrë gjemb në këmbë askujt nga ata që janë fajtorë për atë ngjarje. Pavarësisht drejtësisë së munguar për vrasësit e 21 janarit, shqiptarët e kanë dhënë tashmë verdiktin tyre me 1 milion vota për urdhëruesit e kësaj masakre. Ato katër viktima të pafajshme shërbyen për ta zgjuar nga gjumi letargjik ndërgjegjen e shqiptarëve. Ato katër përkujtimore të thjeshta, janë tashmë një aktakuzë e rëndë për ata që e përgjaken bulevardin dhe një apel për të gjithë në të tjerët që të mos heqim kurrë dorë nga të kërkuarit drejtësi për ta.
Si e vlerësoni procesin hetimor dhe atë gjyqësor në lidhje me vrasjet?
Për fat të keq, kemi para një proces hetimor të cunguar, për shkak të pengesave të njëpasnjëshme që vuri në atë kohë qeveria “Berisha”. Sikur të mos mjaftonte kjo, ky hetim i cunguar u ndoq nga një gjykim skandaloz, me ekspertë kriminalistë që rrëzonin teorinë e gravitetit dhe gjyqtarë që e kishin marrë vendimin e pafajësisë pa filluar ende gjykimi. Të gjithë këta varrmihës të këtij procesi, janë shpërblyer nga pushtetit i para 23 qershorit dhe sot shijojnë të qetë postet apo të mirat materiale. Tashmë pritet që Gjykata e Lartë të jap verdiktin final. Në fakt nuk është se pres ndonjë mrekulli prej saj. Nëse do ta rikthente dhe njëherë çështjen për rigjykim në shkallën e parë, do e cilësoja si një shenjë pozitive se diçka po lëviz për mbarë në këtë histori. Tashmë e dimë të gjithë se as Ndrea Prendi dhe as Agim Llupo nuk janë fajtorët e vërtetë të 21 janarit. Autorët e vërtetë janë ata që dhanë urdhër për vrasjet, ata që shpërblyen vrasësit pas krimit, që morën në mbrojtje qitësit dhe manipuluan provat, që penguan hetimet dhe hodhën baltë me 8 fëmijët jetime të Ziverit, Hekuranit, Faikut dhe Aleksit.
Çfarë parashikoni të ndodhë me këtë proces në vijimësi nisur nga situata aktuale e hetimeve dhe gjykimit?
Jo më larg se dje në mesditë dëgjova Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla të thotë:”Nga ana tjetër, me të drejtë partnerët tanë ndërkombëtarë ngrenë çështje që kërkojnë zgjidhje nga institucionet shqiptare, ku përmendet gjerësisht rasti “21 Janari”. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte deklarata e tij se: ”ajo që është pjesa më e rëndësishme në këtë diskutim, janë faktet ende të pazbardhura për njërën prej vrasjeve dhe veprimet arbitrare të ushtruara nga ana e policisë kundër protestuesve. Duhet të theksoj se hetimi është gjithëpërfshirës, ku përfshihen edhe ato pikëpyetje, për të cilat ka ndjeshmëri të lartë në media dhe në opinionin publik”. Kjo deklarate duket si një ogur i mirë, edhe pse në fakt kryeprokurori e pranon se janë ndërkombëtarët ata që e kërkojnë me ngulm zbardhjen e kësaj çështjeje. 21 janari dhe vendosja e drejtësisë në lidhje me këtë ngjarje është një gur prove jo thjeshtë për prokurorinë dhe gjyqësorin, por për gjithë politikën dhe shoqërinë shqiptare. Duke pasur parasysh faktet apo provat e reja që kanë dalë në lidhje me këtë ngjarje, po u them një detaj që më ka shqetësuar qysh nga fillimi. Kam pasur dyshim të fortë se vrasjet ishin bërë me urdhër. Më saktë që gardistët kishin qëlluar me urdhër të eprorit, të cilin sigurisht e kishte urdhëruar dikush më lartë. Në kontaktet e para që kam pasur me efektiva të Gardës në ditët pas 21 janarit, ky dyshim nisi të forcohej. Deri sa jo shumë javë më parë, kam mësuar nga oficerë të Gardës që kanë qenë atë ditë me armë në dorë dhe kanë qëlluar mbi demonstruesit, se urdhri është dhënë nga komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Ai ka thirrur tre herë “zjarr, zjarr, zjarr”. Dhe ka qëlluar me armën e vet kur ka konstatuar se pjesa dërrmuese e kompanisë speciale nuk i është përgjigjur duke mos e zbatuar urdhrin. Për këtë shkak vrasjet kanë ardhur, jo nga ushtarët apo oficerët e thjeshtë të gardës, por nga shefi i shtabit i njësisë speciale Agim Llupo dhe vet komandanti i Gardës. I pari që ka reaguar duke kërkuar moszbatimin e këtij urdhri është Alfred Ahmetcenaj, komandant i njësisë speciale, dhe pas tij Agron Malaj, komandant i asaj që u quajt një ditë më pas “grupi i zjarrit”. Fshirja e pamjeve të serverit të kryeministrisë dhe dëmtimi i pajisjes që regjistronte të gjitha urdhrat e dhëna nga eprorët e gardës ka shërbyer për të zhdukur këto gjurmë. Këto dëshmi që unë i kam marrë verbalisht duhen provuar nga prokuroria, dhe organin e akuzës nuk e pengon më askush për të shkuar te e vërteta.
Keni ndonjë mesazh për mazhorancën e re në raport me iniciativën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje dhe vendosjen e drejtësisë?
Mazhoranca e re, pavarësisht dëshirës së saj, nuk e ka në dorë të zbardhe e vetme çështjen. Ajo mund të krijojë avantazhe për hetimin e prokurorisë. Të vërë në dispozicion të hetimit të gjitha kapacitetet e saj, por fjalën e fundit e jep gjyqësori. Me këtë gjyqësor që kemi aktualisht, të drejtuar nga një KLD dhe një president që veprojnë akoma sikur Berisha të ishte kryeministër, e shoh të vështirë të arrihet te e vërteta.
* * *
Rexhep Qosja për 21 janarin
Në 17 prill të vitit të kaluar, gjatë prezantimit në Tiranë të librit ‘Kosova dhe Shqipëria: si janë dhe si do duhet të jenë’, akademiku i njohur kosovar, Rexhep Qosja, tha se librin e ka nisur me ngjarjet e 21 janarit në Tiranë, ku u vranë katër demonstrues të opozitës. Gjatë fjalës së tij, Qose u shpreh se edhe në Kosovë janë vrarë njerëz, por nga serbë, jo si në Shqipëri. “Janë vrarë në Kosovë, por nga serbët e Jugosllavisë”, tha Qose. Ai deklaroi se është ndier i tmerruar me faktin se si shteti vrau qytetarët e saj më 21 janar. Sipas Qoses, 21 janari është dita kur vdiqën idealistët dhe fituan gënjeshtarët. Ndërkaq vendimin e Gjykatës së Tiranës që shpalli të pafajshëm gardistët e akuzuar për “21 Janarin” Akademiku Rexhep Qosja e ka konsideruar vrasje të dytë. “Shpalljen të pafajshëm të vrasësve të katër protestuesve në protestën e 21 janarit prej Gardës Kombëtare e përjetova si vrasje të tyre të dytë, po aq kriminale sa vrasja e tyre e parë. Ky vendim i Gjykatës së Tiranës tregon qartë se gjyqësori shqiptar është gjyqësor stalinist, i cili mendon, gjykon dhe burgos siç mendohej, gjykohej e burgosej në gjyqet staliniste,” shprehet Qosja. “Garda Kombëtare, tha ai, ka mbrojtur qeverinë! Qeverinë që s’e rrezikonte kush! E dëgjuat çka tha një gjykatës a avokat? Gjykata jonë, tha ai, mori vendim në nivelin e vendimeve për çështje të njëjta të gjykatave evropiane! Kjo mendje katërkëmbëshe gënjen poshtër. Gardistët evropianë nuk i vrasin protestuesit as kur hyjnë në ndërtesën e qeverisë, e lëre më kur protestojnë rreth saj. Shembuj të tillë po shohim përditë në Evropë, por para një kohe edhe në Prishtinë. Policia kosovare nuk i rrezikoi protestuesit as kur hynë në oborrin e qeverisë. Mbas shpalljes të pafajshëm të të akuzuarve për 21 janarin, kryeministri i vendit, njëkohësisht edhe kryetar i partisë në pushtet, (që pretendon të jetë serish në pushtet edhe pas 23 qershorit), doli në një konferencë për mediet, ku foli për arritjet në bujqësi e blegtori, duke refuzuar të komentojë vendimin e Gjykatës së Tiranës,” deklaron Qosja.

nuk kane vraere shqiptarete shqipatrere se ata qe ishine ne atae qeveri dhe mbeshteten fuqisheme vrasjete pa asnje shkake nuk jan dhe smunde te jene shqipatre vec terorista sebogrek dhe nuk e mbane penge shqiparine berishajte apo bashate apo imamete apo ishe teroristi olldashi apo me i ligu meta po padronete e tyre qe kush i di nga ju gazetaret ti tregi apo dhe juve su lene te tregoni te verteten gjithsesi pere te mbuluare veten berisha apo basha duhete te denonin dike me te drejten e mos fpljes dhe pagimite te shtrenjte ashtu sic eshte gjalle milloshevici pere masakrate qe mori persiper dhe i beri po kaq hapure pere te poshteruare shtetin shqiptare qe ska she sekzistone kete nuk duhej te ndodhte se ra poshte qeveria rama kure nuk ka fuqi te kap nje gardiste jo me nje ishe ministere apo nje kulic te pashpirte perfundimishte bota po tallete me kete popull
Jeni shume te vonuar mbasi per KRIMINELET nuk duhet te kete meshire ,Berishjanet jane fare e qelbur e UDB Jugosllave ,keta duhet me kohe te pergjigjeshin perpara drejtesise,por po vazhdojne perseri percarjen e ketij Populli ,qe ne 97 duhej te fliste drejtesia por e vuri perseri kriminelin ne krye te shtetit per ta djegur fare..