Disa ndodhi të tmerrshme të tranzicionit shqiptar na rrinë në mendje të varura si ora në mur. Na rrinë përballë, si për të na kujtuar se ato jane aty, akoma lavjerrese dhe këmbëngulëse në tërheqjen e vëmendjes. Por ne nuk mund të sillemi njëlloj ndaj tyre, ndërsa koha kalon: Kujtesa e njeriut është e koduar të regjistrojë dhe të ruajë tërësisht faktet e një realiteti, por jo tërësisht emocionet shoqëruese të tyre. Ndjeshmëria që kemi përjetuar derivohet në kohë dhe tretet me kohën, duke shkuar herët a vonë, drejt shuarjes.
***
Ndodhitë e këqija na vijnë nga thellësia e së shkuarës si momente të ngrira. Mjaft prej këtyre ndodhive, paten brenda jo pak mort, zi, emra të vuajturish dhe emra të vdekurish. Shumë shpirtra kanë flatruar të trembur nga kjo botë e ndyrë, për shkak të këtyre ndodhive, që hynë në histori si gjëma. Ky paska qenë fati ynë. Gjëmat e tranzicionit kanë shoqëruar shkulmin popullor për liri dhe demokraci. Asnjë popull tjetër nuk mban mend humbje kaq të mëdha, të shpeshta dhe të padrejta jetësh njerëzore. Na kujtohen lajmet e kobshme me njerëz që luftonin e mbyteshin mes dallgëve të detit, për të ikur, apo ngjarje të tjera, mes acarit, me njerëz të ngrirë nëpër male e lugina të huaja. Mbajmë mend se si në vitin ‘97, koha bëri një ndalesë. Mijëra njerëz u shuan dhe u harruan dhe shteti u shkreh. Pastaj plasi Gërdeci. Shpërthimi i tij shkakton akoma lëkundje në themelet e qenieve tona, mbi dhe dhe nën dhe. Tronditjet kolektive vazhdojnë. Vrasjet ordinere, vrasjet politike, hakmarrjet, të gjitha kanë krijuar një etikë të kobshme fataliteti në vend, ku vdekja pushton gjithnjë e më shumë hapësirat e jetës. Vit pas viti, kalimtare të epokës së zezë të tranzicionit, duke u shëmbëllyer si kasaphana luftërash, këto ndodhi do t’i kemi përgjithmonë të gdhendura në memorie, si emrat e gdhendur në gurët e varreve…
***
Është normale të ketë kureshtje për mënyrën se si sillet shteti dhe pushteti ndaj këtij trazimi etnor. Rrjedhimisht, është e natyrshme të kërkojë të dijë dikush se si funksionojnë gjërat në mendjen e Sali Berishës, ndërsa ky ka qenë edhe dëshmitar, edhe pushtetar në kohën kur këto tragjedi kanë ndodhur. Dhe njëlloj, është normale të ketë njerëz qytetarë të vullnetshëm, të duan të hyjnë në kokën e kryeministrit, për të kuptuar e shpjeguar njëfarësoj raportet e këtij njeriu me vlerën e jetës dhe fuqinë e frikshme të vdekjes. Disa mund ta bëjnë këtë gjë për të gjetur shpjegimin, arsyen, apo motivin se përse në Shqipërinë e Saliut, gjëmat kanë zëvendësuar normalitetin. Të tjerë mund ta bëjnë këtë gjë nga nevoja për të përjashtuar më fatalen, barbaren, më shkatërruesen gjë: gjithkush do të dëshironte që jetët e humbura kot në vitin ‘97, kasaphana e Gërdecit, vrasjet dhe krimet, duke qenë të përbindshme, të kishin doemos një shkak, një përligjje çfarëdo, një motivim, por kurrsesi arsyen se kryeministri i tyre, pushtetar, vrau dhe vret gjakftohtë për sundimin e tij; se kryeministri është një kriminel gjenetik, i lindur, një psikopat barbar si norvegjezi i ishullit tutje, apo më keq se ai, një frelëshuar në delir, si Hitleri i dikurshëm…
Dyshimet e gjithkujt mund të sillen si re të zeza në kokën e shtetasve, pavarësisht çfarë mendojnë, supozojnë apo besojnë ata për kryeministrin e tyre, por megjithatë, një gjë është e sigurt: Shqiptarët nuk do të fshijnë kurrë nga mendja as Gërdecin, as vitin ‘97, as të tjerat! Por, sikundër u tha më sipër, vit pas viti, nuk do të ndiejnë njëlloj për ato. Koha i lehtëson dhimbjet e së shkuarës, po aq sa i shëron veprimi dhe kjo është arsyeja që koha, në perceptim, më shumë se çdo gjë, është aleate e pushtetit. (Në këtë rast, e Saliut). Ajo punon për të, duke përdorur harresën. Aq më tepër që shqiptarët, mungesën e kujtesës e kanë një veçori kombëtare, ashtu si veçori kombëtare kanë varfërinë apo paaftësinë çoroditëse dhe befasuese për të qeverisur veten e tyre.
***
Për këtë arsye, mendimi se koha, në njëfarë mënyre, është aleate e pushtetit, përbën një parim, i cili në çdo rast shprehet me fjalën e vjetër: “Çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë!”. Por ka një përjashtim! Ne mund të supozojmë se ekziston një ngjarje e tranzicionit shqiptar, e cila e ka sfiduar fjalën e moçme që përmendëm më lart, parimin e saj. Ekziston një ngjarje e çliruar nga ligjet e kohës dhe ligjet e kujtesës. E futur egër edhe vonë në histori, ajo është një moment, në të cilin koha vërtet ka ndaluar. Ndryshe nga ndodhitë e llojit të saj, kjo ngjarje është e pandikuar nga inercia dashamirëse e rrjedhës së kohës, nga koha vetë, që i jep jetë dhe më shumë pushtet, pushtetit.
Edhe pse kanë kaluar shumë ditë e muaj, asgjë nuk ka ndryshuar e ngrirë dhe dhimbja, ndjesitë, pikëllimi, të gjitha janë po ato të ditës së parë: mish, plagë, vuajtje dhe gjak për shumë njerëz. Cila është kjo ngjarje, si një masë e patretshme, që refuzon të hyjë në kujtesën e shqiptarëve si një materie në errësirë e hapësirës?
Është 21 janari! Si një përjashtim, ndoshta për shkak se dhimbja publike i kaloi kufijtë e së zakonshmes, apo kushedi për çfarë arsye tjetër, duket se midis tragjedive të tjera të tranzicionit, 21 janari hyri në histori për të mos “ngrirë” kurrë. Ndryshe nga të tjerat, do të jetë përjetë një plagë e pambyllur, që do të rrjedhë pa pushim. Emocionet e kanë përshkruar hapësirën dhe kohën, pa u ndikuar prej tyre; pikëllimi qytetar, edhe sot duket i njëllojtë me atë që turma ndjeu më 21 janar, kur shteti qëlloi e vrau të pafajshmit në shesh…
Procesi i lartpërmendur “i ngrirjes” së ngjarjes, me sa duket nuk do të ngjasë. Dhimbja për të vrarët nuk do të shuhet, pavarësisht rrjedhjes së pashlyeshme të kohës. Befasimi do të jetë po ai i ditës së krimit, ekstrem, i zi, lotsjellës, sepse më 21 janar, shteti vrau. Nuk ishte një vrasje e zakontë. Shteti vrau pastër, me vetëdije të plotë, me gjakftohtësi, mallkueshëm. Vrau për hir të pushtetit, duke sjellë një harbutëri anarkie në psikozën kolektive të njerëzve për institucionet. Kjo gjë e veçon 21 janarin nga tragjeditë e tjera. E bën ngjarjen rrëqethëse përgjithmonë. Në një përgjithësim, shteti nuk vrau, por u vetëvra. Shteti, i krijuar pikërisht për të kundërtën e asaj që ndodhi më 21 janar, nga një marrëveshje e përbashkët për të siguruar jetën, solli vdekjen. Vrau katër shtetas të pafajshëm. Vrau veten e tij. Në njëfarë mënyre, më e saktë do të ishte të thuhej që pushteti, duke qenë shkak, duke qenë edhe një kuptim, ishte në këtë rast vrasësi i katër qytetarëve. Nuk vrau shteti qytetarët, por pushteti vrau shtetin.
Historia njerëzore ka raste ngjarjesh që kanë sfiduar kohën, ndërsa perceptimi botëror është i tillë që, duke qenë i pranishëm në to gjaku njerëzor, magjia afrohet si një dhimbje e përjetshme, që rrjedh në kohë e nuk rresht. Në Malin e Shenjtë në Greqi, në njërin nga manastiret, gjendet një dorë e prerë shenjtori, që ka jetuar këtu e 2000 vjet më parë. Dora është kockë, mish e lëkurë dhe plaga e prerjes është ende e njomë. Një vizitori besimtar i duhet të puthë dorën e gjallë të shenjtorit të vdekur 20 shekuj më parë, për të shprehur mirënjohjen ndaj mikpritjes së shenjtë të manastirit. Dhe, të puthësh atë dorë, ku ndihet qartë ulërima shekullore e shenjtorit të masakruar qyshkur, është një ndjesi e përbindshme, që nuk mund të përshkruhet.
Njëlloj, në tragjeditë e Shekspirit, ku duart me gjak nuk lahen kurrë…Ndjesira të ngjashme me sa duket do të prodhojë përgjithmonë 21 janari shqiptar. Sepse kjo ditë ka njëherësh shenjtërinë e dhimbjes dhe pafajësisë, si dhe madhështi shekspiriane. Edhe këtu, gjakimi makabër bëhet për të ndenjur sa më gjatë në pushtet.
Dhimbja, aty ku gjaku rrjedh e zjarri i zemërimit nuk shuhet, rreket të fitojë një përmasë të re. Dhe kjo është e kuptueshme. Akoma plagë edhe prush, 21 janari, përkundrazi, përdor aq më shumë kohën për ta sfiduar kohën, tek është duke ndodhur e kundërta, jo ngrirja, jo lehtësimi, jo shërimi, por rëndimi i saj. Fakti se kjo është një histori që ndodh në një vend ku pushteti vret shtetin dhe mungon tërësisht drejtësia, si rrallëkund në planet, e çon ulërimën e dhimbjes në qiell, si një përpjekje të përzotshme që rreket të zgjojë perëndinë, që të paktën perëndia, të vërë dorën e saj në këtë copë të mjerë e të dhimbshme të natyrës që vetë ajo ka krijuar.