Për Edi Ramën edhe vorbullën mafioze

anazapta

 Nga Bedri Islami

Gjithçka është e qartë: pushteti ekzekutiv në Shqipëri ka përballë tij një oligarki të fuqishme të sistemit të drejtësisë, e cila, e strukturuar, jo rastësisht, prej shume viteve, është përgatitur pikërisht për një përballje të tillë. Çfarëdo që do të vendoset në ekzekutiv, sado e vërtetë dhe i hidhur të jetë njëkohësisht, për korrupsionin galopant që ka mbërthyer shumë nga shtresat e pushteteve, të gjitha po kthehen e do të kthehen mbrapsht pikërisht nga oligarkia e drejtësisë shqiptare, e cila është në fakt edhe një oligarki financiare. Lidhjet e saj me pushtetin që shkoi dhe pjesë që ende kanë mbetur janë pa dyshim më të fuqishmet që ka njohur ky vend, dhe të cilat, mjerisht, kanë ngritur tashmë një piramidë të fuqishme, nën hijen e së cilës, për ironi të fatit, mbytet çdo lloj drejtësie. Jemi në atë moment kur gjërat po trazohen gjithnjë e më shumë e askush nuk e di, nëse trazohen për t’u qartësuar, apo që edhe një herë llumi i kësaj strukture mafioze të dalë në sipërfaqe. Është krijuar një vorbull e pazakontë, në të cilën janë përfshirë ethet e politikës, erërat e gjyqësorit, mllefi i të larguarve, tërbimi berishian ndaj çdo gjëje që do të mund të çonte drejt zbulimit të zullumeve të tij, private e familjare, dhe poshtë kësaj vorbulle është ende e hapur humnera në të cilën mund të bjerë gjithnjë e më rrëmujshëm, e ardhmja e një vendi që synon evropianizimin e tij, por që ka një gjyqësor krejtësisht anadollak. Dilema për zgjidhjen e saj ende është e hapur, perceptimi i saj si një çështje që ka lidhje vetëm me kornizat e një grupimi politik dhe që është njëkohësisht jashtë nesh, e bën gjithçka edhe më të vështirë për të pasur baraspeshën e duhur, gjithnjë nën trendin e rivendosjes së gjërave aty ku duhet. Për të shkuar edhe më tej në këtë vorbull, aty janë edhe deklarimet e pafund të dhjetëra strukturave ndërkombëtare, që nga përtej Atlantikut e deri fare pranë nesh, të cilat, megjithëse bëjnë thirrje për një reformim të thelbësishëm të gjyqësorit dhe drejtësisë, përsëri, përfaqësuesit e tyre në këtë vend, vetëm kur largohen, kanë mburrjen e pamatë të deklarojnë se asgjë nuk ka ndryshuar.

Deri kur kështu?

Do të doja ta kaloje mendimin tim përmes katër “etydeve” politike.
1. Ndoshta njeriu më i interesuar në Shqipëri për të pasur një reformim të plotë të sistemit të drejtësisë është kryeministri i vendit, Edi Rama. (Ashtu si Nishani është njeriu më i interesuar për të pasur një sistem të deformuar dhe thellësisht militant). Edi Rama, jo vetëm sepse është në pozitën që dihet, por edhe e di të vërtetën e thjeshtë se, gjysmën e punës së tij e merr lumi, nëse nuk fiton pikërisht këtë betejë me sistemin e drejtësisë. ( Në të vërtetë gjithçka filloi si një reformë, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Presidenca e kthyen në një betejë, me kalorës që ndodhen jashtë dyerve). Të fitosh betejën me këtë sistem, i cili tashmë është thellësisht i deformuar është ndoshta beteja e mandatit të tij të parë politik e kryeministrit. Disa herë Ai vetë, i është kthyer kësaj teme, e ka ngritur atë me trazim kryeministror dhe qytetar, i ka quajtur disa struktura të këtij sistemi më të dëmshme se “lazaratase”, Gatet e drejtësisë i ka gjetur kudo, pastaj, kur i është dukur se duhen thënë edhe gjëra të tjera, u është rikthyer atyre, dhe të gjitha këto, me elokuencë, i ka bërë të njohura në diskurset e tij politike. Dhe Edi Rama është i njohur si një mjeshtër i fjalës, sidomos asaj të shkuar.

Por, më ndjeni zoti kryeministër, kjo nuk është detyra juaj. Kjo është detyrë e një analisti, e medias, e ndihmësve Tuaj, e gjithë secilit që ka ndër mend e guxon të thotë fjalën e tij, por nuk është puna juaj. Sidomos nuk është puna juaj, kur atë e përsërisni aq shpesh dhe, megjithëse në forma të lakmueshme, përsëri kanë të njëjtin kuptim. Ju mund ta përsërisni idenë tuaj të reformimit të sistemit të drejtësisë edhe dhjetëra herë të tjera, shumë më bukur e më fuqishëm se sa të gjithë analistët e marrë së bashku, por, e përsëris, kjo nuk është puna juaj.

Puna juaj është të ndërtoni ligje dhe t’i kaloni ato në parlamentin e Shqipërisë, përmes së cilave, ligjeve, të kemi një asfiksim të sistemit të korrupsionit, dhe ku secili nga qytetarët e këtij vendi ta ndjejë veten pjesë e kësaj ligjësie. Prej shumë kohe, ndoshta që nga ditët e para të qeverisjes suaj, njerëzit kanë pritur prej kryeqeveritarit të tyre pikërisht ndërtimin e kësaj ligjësie, si një ndër çështjet më primare, ku e drejta, e vërteta dhe ndershmëria të jenë mbizotëruese në sistemin tonë të drejtësisë. Mirëpo kjo, megjithëse po bëhet një vit nga qeverisja juaj, përsëri është e vonuar, ende , me gjithë rëndësinë e jashtëzakonshme, kjo ligjësi nuk ka përfunduar dhe nuk është dërguar në parlament, ende diskutimet po sillen e risillen nëpër dhëmbët e politikës, dhe më besoni, politika ka mokra aq të rënda sa mund të bëjë përshesh më shumë se një ligj të tillë. Aq më tepër kur asaj, politikës, nuk i intereson.

Nëse ju prisni që këtë ta zgjidhë Presidenti i vendit, atëherë jeni i gabuar dhe besoj se e dini mirëfilli se Ai, presidenti, është krejtësisht kundër Jush dhe ligjësive Tuaja, të cilat janë edhe ligjet tona.”Kapteri” i politikës nuk mund të bëjë atë që dëshirojnë njerëzit, sepse nuk është vënë në atë post për të qenë mbështetës i një drejtësie të reformuar, por mbështetës i një drejtësie të korracuar. Po ashtu, mos prisni që do të keni mbështetjen e një opozite, që po ashtu është e deformuar dhe, që këtë strukturë drejtësie e ngriti pikërisht si një mur mes jush dhe përballimit me ligjin. Ndoshta jeni i bindur edhe ju se, me një sistem të ndershëm të drejtësisë, më shumë se gjysma e një kabineti të dikurshëm qeveritar tani do të ishin pas hekurave, dhe kush është ai budalla që, pasi zgjohet milioner , të kërkojë një ligj , i cili, edhe i heq milionat, edhe e dërgon në bankën e drejtësisë.

Zoti kryeministër, ju i keni votat për të bërë një reformim të përgjithshëm të sistemit të drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ju shpalli luftë të hapur, jo juridike, sepse gjysma e tyre nuk janë të aftë as të mendojnë juridikisht, por luftë të hapur politike, sepse janë pinjollë të pistë të një politike hileqare. Ju nuk e keni të drejtën t’i shpallni luftë KLD-së, por duhet t’i hiqni bazamentin ku mbështetet deformimi i tyre. Ligjësinë e re, moderne,të ashpër, të drejtë, evropiane, të pa kompromis. Njerëzit ju votuan aq të shumtë me besimin se këtë do e bëni sa më shpejt të jetë e mundur. Bëjeni, është detyra juaj. Diskurset lëruani të tjerëve.

2. Ditë më parë, në një debat të zakonshëm, ku politika përzihet me argumentin juridik, zoti ministër i drejtësisë, Nasip Naço, deklaroi se nuk kishte asgjë personale me anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni. Ky i fundit, dihet tashmë, me të drejtë apo pa të drejtë, u bë personifikimi i së keqes së pa reformuar në një sistem, po ashtu të deformuar, peng i një politike që është e pranishme në gjyqësorin tonë. Thashë, me të drejtë apo pa të drejtë, sepse ndërsa rasti i gjingjonizmit është i njohur, ajo që ka shfaqur ai është vetëm fillimi i majës së ajsbergut të gjyqësorit shqiptar. Dhe ministri ynë i drejtësisë, në një përpjekje për të zbutur qëndrimin e tij, herë herë shumë parimor, e herë herë shumë tërheqës, deklaron se nuk ka asgjë personale me të. E ka gabim; të gjithë kemi diçka personale me Gjin Gjonin e gjngjonët e tjerë në sistemin e drejtësisë. Kemi diçka personale pasi, si është bërë e ditur, pasurimi i tyre i marramendshëm, nuk ka ardhur nga qielli, por nga zhvatjet që na kanë bërë, ne të gjithëve, edhe pse jo direkt: Pasuria e tyre ka rrjedhur nga xhepat e djersa jonë, pra edhe e ministrit. Nga shembulli i tyre tregohemi me gisht si një vend ku drejtësia rrjedh nga politika dhe ku gjyqtarët e prokurorët nuk të shohin në sy, por nga duart, në atë se çfarë do u japësh; ku zonjat e drejtësisë janë të ngarkuar me floririn e zhvatur nga njerëzit e thjeshtë; ku prokurorët janë njerëzit e gëzuar më shumë për ngjarjen e Lazaratit dhe të jeni të bindur se zhvatja ka filluar që tani; dhe ku askush nuk ndjehet i sigurt për të ardhmen e tij.

Nëse ministri i drejtësisë e merr luftën për reformimin e drejtësisë si një çështje thjeshtë e vetëm shtetërore, atëherë le të mos futet në deklarime private; por ajo është shumë më tepër se kaq. Ajo është edhe private, pasi të gjithë jemi qytetarë të këtij vendi, kemi të bëjmë me ligjet e tij në mënyrë personale, i njohim e i zbatojmë ato, po ashtu në vetë personale; dhe nëse dikush i zgjedhur apo i emëruar, zhvat, masturbon me djersën e tjetrit, vendos një pasuri marramendëse, kjo nuk është thjeshtë personale.

Pikërisht se bota e civilizuar nuk e percepton drejtësinë si një veti e shtetit, por edhe si një sipërmarrje personale, ajo ka drejtësinë që ka merituar edhe vendi ynë. Drejtësia kalon fillimisht përmes perceptimit politik, merr qasjen e saj juridike, shtrihet në ligjësi dhe në nene, dhe është thellësisht personale për secilin nga ne, po aq sa është e përgjithshme dhe shtetërore.

3. E gjithë opozita e sotme, e cila ka moton e saj “Shqipëria në protestë”, megjithëse u bë një vit që ndodhet në këtë derexhe, ende nuk ka sjellë asnjë mendim, ide apo vizion, jo vetëm për reformimin e sistemit të drejtësisë, por edhe për ligjësitë e tjera. Shteti i sotëm ka përballë një opozitë , e cila, përmes mohimit, kërkon ndezjen e një situate konfliktuale, pas së cilës mund të fshihen shumë nga “mëkatet e saj qeverisëse”. Dhe të tilla janë aq të shumta, saqë do të duheshin shumë e shumë kohë për të marrë të vërtetën e duhur. Që do të thotë : ndëshkimin e duhur. Kjo opozitë e ka ngritur gurë pas guri këtë oligarki të gjyqësorit, i cili njihet edhe si Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Dhe pakti është tepër i thjesht: ju pasurohuni, ne , po ashtu do të pasurohemi, hesapet mbesin brenda shtëpisë. Në se ju, të gjyqësorit, do të guxoni të futeni në gjykimin tonë, mos harroni se, jo vetëm një herë dhe jo vetëm një njeri, ka në dorë gjithë fijet e lojës suaj, pasurimit tuaj.

Që kur është hedhur ideja e reformimit të drejtësisë, kërkesë e bërë nga të gjithë institucionet ndërkombëtare, pra, që kur ishte vetëm ideja dhe nuk ishte shkruar asnjë nen i kësaj ligjësie, opozita hodhi falangat e saj të kundërshtimit.  E mësuar të ndërtojë një sistem gjyqësor sipas midesë së saj politike, opozita e sotme, ka të drejtën të mendojë se, si ajo dikur, edhe pushteti i sotëm, mund të bëjë të njëjtën gjë: të ndërtojë një sistem krejtësisht të deformuar, me militantë, të paaftë, merita e të cilëve është zhvatja e pazakontë.

Një opozitë të tillë kemi përpara dhe jo vetëm prej sodit: ajo ka qenë kështu gjithnjë. Ajo ka vetëm vazhdimin e asaj që ka qenë. Një intervistë e botuar në DITA, me ish prokurorin Violent Çoniku, nxjerr në pah dy anët e qelbjes së sistemit tonë të drejtësisë dhe të politikës së lidhur me krimin.

4. Ish prokurori Violent Çoniku, në një intervistë të gjatë me gazetarin Përparim Halili, tregon për takimet sekrete me Berishën, në vitin 1998 e më pas, kur diskutohej për rastin Hajdari. Ish prokurori tregon se Berishës i ka dhënë edhe dëshmi sekrete që më pas nuk janë bërë të ditura as në komisionin parlamentar, as në gjyq, as prokurorisë dhe këto qenkan enkas vetëm për njeriun opozitar Berishë, i cili ndodhej në opozitë dhe që e kishte urdhëruar ish prokurorin që për këtë gjëra të mos fliste as në shtëpi.
Që Berisha do të veprojë gjithë jetën e tij kështu, kjo është tashmë e qartë. Ai vetë, e as njerëzit e tij, asnjëherë nuk i janë bindur drejtësisë dhe as nuk e kanë ndihmuar atë, pasi , në këtë rast, shumë lehtë do të ishin objekt i drejtësisë. Edhe kjo e fundit i ka lënë në paqen e tyre politike, nuk ka marrë mundimin as ti thërrasë një herë. Dhe kanë pasur të drejtë: kush mund të thërrasë një njeri, tek i cili, privatisht, duke thyer çdo ligj, çdo sekret të hetimeve, shkon e raporton një ish prokuror, merita e të cilit paska qenë se ishte shok i ngushtë i Azem Hajdarit. Kush mund të thërrasë në hetim në njeri , i cili i thotë “lavire” ish prokurores së përgjithshme dhe ”hor bulevardi” Presidentit të Republikës, kur ata që e kanë për detyrë, në një pjesë të konsiderueshme janë “horat” e vendosur prej tij.

Prokurorë të tillë duhen gjykuar penalisht. Sepse sa të tillë kemi sot në sistemin tonë të drejtësisë, të cilët janë sot pjesë e rëndësishme e këtij klani mafioz të oligarkisë piramidale të drejtësisë vetëm nga lidhjet politike të krijuara? Sa njerëz janë të Argitës dhe të klanit të saj, kush mbron interesat e Shkelzenit, kush gjykoi e hetoi akuzat e Pollos ndaj berishës , kur u nda prej tij; kush hetoi akuzat ndaj Imamit kur ishte mbi tank; kush hetoi akuzat e Berishës për gjithë qeveritarët e deritashëm…askush. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe: ata ishin fijet e së njëjtës bandë dhe kjo bandë duhet shkërmoqur. Kjo është edhe shtetërore, edhe personale. Shteti shqiptar duhet të vendosë nenin numur një të sistemit tonë të drejtësisë: të gjithë ata që i shërbejnë politikës, le të venë atje, por të shporren nga drejtësia.

 

Share This Article
7 Comments
  • Me rrespekt te madh zoti Bedri per kta qe po shkruan por per sitemin e “” drejtesis “” Shqiptarejo se nuk dijn me e ba dhe vu se nuk i interreson kja gja sepse afer tyne mbajn nje kontigjent te madh kriminal te gjith politikanet ton

    • Pune e veshtire, por o sot o kurre! Mund te behej kollaj dhe me mire, nese politika, por jo ajo e jona, me konsesus, te bente nje reforme te thelle, duke kaluar me pare nga kushtetuta. Meqe kjo, sot per sot, mbetet nje utopi, atehere maxhoranca aktuale, ( nuk besoj se do te kete shans tjeter te krijohet nje maxhorance me 85 mandate, te mjafta per te miratuar ligje kushtetuese dhe per te bere reforma te ketij niveli) te hartoje, konsultoje me Komisionin e Venecies, dhe te paraqese ne parlament per miratim sa me pare ato ligje qe nuk bien ndesh me dispozitat dhe frymen kushtetuese, ne menyre qe te mos i jape shkas opozites t’i kontestoje ato ne Gjykaten Kushtetuese. Duhet zotesi, ndershmeri, kembengulje, vullnet dhe kohezion brenda kesaj maxhorance qe kjo te behet e mundur, sepse mendoj se edhe brenda maxhorances, nuk me duket se ka nga elemente te veçante, te njejtin vullnet politik. Kam bindjen se me vullnet politik dhe me parime te forta per reformim te sistemit te drejtesise, dhe jo vetem, mund te nisim nje rruge te mbare, per te shpetuar nga oktapolli aktual i sistemit te drejtesise (KLD, gjykata, prokurori dhe organet e hetimit). Jam i bindur se njerezit me shume se çdo gje duan drejtesi. Me te zgjidhen shume gjera qe lidhen me nevojat jetike te mbare popullit. Mendoni pak, qe per shkak te te metave te sistemit, dhe korrupsionit, shteti shqiptar detyrohet t’u paguaje ish pronareve sot per sot, neser me shume, mbi 8 mln Euro, te cilat do zbriten nga buxheti i shqiptareve, dhe kjo sepse sistemi i drejtesise ka shkelur ligjet ne fuqi. Pa mendoni pak per ato çeshtje te tjera ne gjykata per te cilat ka ka vakum ligjor, apo dispozita te komplikuara dhe te pazbatueshme, sa qe njerezit te bindur se kane te drejte nuk e marrin dot ate, apo qe gjyqet vazhdojne me disa vjet, me kosto kjo, per qytetaret dhe me zarfa per gjyqtaret. Keshtu qe sigurisht me ne fund do te vendose Strasburgu. Po a kane te gjithe mundesi te ndjekin keto rruge? Jo, prandaj do te kete edhe vetgjyqesi dhe kriminializim te shoqerise. Prandaj duhet urgjent reforma, por jo me fjalime, por me vepra, pa u trembur nga zhurmat e ndryshme pavaresisht se nga vine ato.

  • I ke rene pikes, z.Bedri. Po ashtu, kesaj “pike” i kane rene edhe plot te tjere qe kane shkruar drejt e sakte ne lidhje me bemat berishiane. Por, tani duhet veprim konkret per te materializuar keto mendime qe i perkrah i gjithe populli. Po presim…

  • I nderuar z. Islami, e keni kapur sume qarte ate “nuk eshte puna juaj” Te gjithe e kemi menduar kete dhe shpesh…por dihet si shkoje ca pune; kur s’ka vullnet gjeja me e mire e afert eshte retorika. Kete po ben z. Rama. Me shume respekt per ju, vec nje Kr-M te cilit i del nje deputet qe ne vend te tregoje provat ose te shkoje ne Shtetin fqinj per pafajsine, thote “pse u bera i keq sot per Saliun, kur dje isha i mire” Deputeti ne fjale eshte denuar per Trafik te qenieve njerezore e Prostitucion; Kr-Ministri yne heshti dhe se prishi terezine ne kete afere. Fare-fare. Ti kerkosh/tregosh z. Rama se c’duhet te beje, pas kesaj, fyen intelligencen e tij dhe tonen.

    Duhet nje perversitet i vecante mendimi [dhe sigurie] qe dikush te dale te deklaroje publikisht: “Jam i lare, sepse dje isha i lare…” dhe me vendim burgu nga Italia hyn ne Parlamentin Shqiptar. z. Rama dhe nese i hyp ne koke nje marrezi e tille, duhet ti lutet ” te pafajshmit” per voten. Le te flasim troc, e retoriken ja leme zotit Rama, qe futet nga tapite- tek bienalet; por tek rasti i z. A.N. shkoi “me pushime”.

    Reformen ne Drejtesi e bejne te Drejtit, z. Islami; jo te Inkriminuarit koke e kembe!

  • P.A.B. mendoj qe ne kete rast fjala i nderuar ju takon juve pas komentit domethenes, qe me keqardhje eshte e verteta therese e sunduese edhe pas rrotacionit ku pritshmerite na shetiten ne boten e optimizmit, e me pas, perdite, si ajo pika e ujit qe çan gurin, na kthjelluan dhe na kthyen ne realitetin e gjurulldise shqipetare, por tashme me protagoniste te rinj.
    Ndersa ketij zotit Islami, do ti rekomandoja te shkonte ca dite me ” pushime ” dhe te linte te qete gazeten tone DITA e lexuesit e saj. Keto dite me temperatura te larta, te ngrohin edhe mendimet e te shtyjne te sajosh shkrime si ky i sotmi, ku shpesh nuk kuptohesh se ku do te dalesh, dhe ne fund i fut ate mbylljen ex machina, pa surpriza, me pyetje retorike por pa zgjidhje, duke na thene e rithene te njejten gje qe nga mengjesi i vitit te kaluar kur dielli yt gazetaresk u shfaq ne titujt e gazetes DITA.
    Shko me pushime diku ne nje vend te fresket. Ndoshta ne mal. Qe te te ftohen mendimet.

  • Redaksia mund ta lejoni botimin e komentit te sapo derguar. Aty nuk ka asnje fyerje. Ne nuk mund te jemi gjithnje aprovues. Do te jemi shpesh edhe disaprovues.
    Na lejoni te bejme edhe kritika per ata qe shkruajne, sepse kjo ndihmon kedo, e aq me teper shkrues te vjeter, qe duhet te jene me te kthjellet ne ato qe prezantojne.
    Mendoj qe komentet jane interesante kur aty ka debat.

  • Une kam besim qe Edi Rama do ta reformoje sistemin edrejtesise tre kalbur nga Krimi e korrupsioni totalisht te komanduar nga kryehorri sali Berisha…qeveria po punon per kete dhe shume shpejt shqiptaret qe dhane Voten me kete Problem do te shikojne rilindjen…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *