A do të zbresë si çdo njeri normal Berisha nga kali i pushtetit? Kjo është çështja! Mbase thelbi i çështjes. Më 23 qershor do ndodhë një rotacion politik që, më troç do të thotë, largimi i Berishës nga pushteti. Për këtë flasin sondazhet, këtë e shpreh opozita në shumë forma, këtë e lënë të nënkuptojnë ndërkombëtarët. Pra është pikërisht koha e ndarjes me Berishën dhe me një mënyrë të mbrapshtë qeverisjeje, ngado dhe si do që ta marrësh. Mirëpo, pikërisht te momenti i largimit ngecin të gjithë. Sepse Berisha e ka të vështirë zbritjen nga kali (i pushtetit). Berisha nuk e pranon humbjen. Dhe, do s’do, na kujtohet ajo shprehja e famshme e Namik Hotit. Alternativa e parë e Namik Hotit, pra ajo e vrasjes së kalorësit, përjashtohet për antihumanizmin që mbart. Ne që pretendojmë se po ndërtojmë demokracinë, jemi për metodat demokratike. Pra për largimin e Berishës me votë.
Kjo pashmangshmërisht na shpie tek zgjidhja e dytë që na e ka dhënë sërish të gatshme Namik Hoti. Pra kur kalorësi nuk do që të zbresë nga kali, vrisni kalin e tij, tha Namiku. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një metaforë, por me një metaforë të pranueshme dhe shumë afër konkretes. Sepse largimi i Berishës nga pushteti, do të thotë shkëputje nga një mënyrë e mbrapshtë qeverisjeje, gjynahet e së cilës nuk kanë të sosur dhe që ne do të vazhdojmë t’i vuajmë edhe për shumë e shumë vite të tjerë.
Por këtu sërish kemi të bëjmë me një problem të paparashikuar. Sepse aq sa Berisha ndihet kalorës mbi pushtetin e tij të shfrenuar, aq dhe pushteti ndihet i hipur mbi të. Duket absurde kjo, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një të vërtetë të trishtueshme. Sepse kemi të bëjmë me një tablo surrealiste: Berisha mbi kalë dhe kali mbi (apo brenda) Berishës. Pra Berisha mbi pushtetin dhe pushteti mbi shpinën e tij, një ngjizje e frikshme kjo. Në këto njëzet e ca vjet “Kali” ka marrë huqet e kalorësit. Duke filluar nga Jozefina dhe të gjithë ministrat… Ajo që tha Prof. Rexhep Qosja disa ditë më parë se po ndodh demontimi i Berishës mbart një të vërtetë të madhe. Ka filluar procesi, por se kur përfundon ai, askush nuk mund ta thotë. Ky është një problem ende i pazgjidhur nga ata që pritet të vijnë në pushtet.
Kjo që do të tregoj në vijim ngjan si përrallë, por ka një të vërtetë të madhe brenda saj. Në fillimet e karrierës së tij politike, kur papritmas u ndodh në krye të piramidës së shtetit, Berisha shkoi një ditë tek një ambasadë shumë e rëndësishme në Tiranë i falimentuar dhe u tha: Këtë këmborë që më keni varur në qafë nuk e tund dot. Po iki… Zgjidhni një tjetër. Bashkëbiseduesi perëndimor shumë i qetë, ngaqë edhe e kishte pritur këtë reagim të Berishës, ia ktheu aty për aty: Nuk do të ikësh! Aty të qëndrosh! Ne vërtetë ta kemi varur këmborën, por nuk të kemi thënë ta tundësh. Sepse atë e tundim ne…
Tashmë, duket se Berisha e ka humbur edhe rolin e mbajtësit të këmborës. Më shkoqur: kanë vendosur t’ia heqin këmborën.
Kur Berisha ‘dha dorëheqjen’ pas Referendumit dhe… fliste me vete!
Nga Xhevdet Shehu*
Po (ri)përjetojmë një moment historik: rënien e Berishës nga pushteti. Të gjitha zhvillimet e ditëve të fundit në fakt kanë të bëjnë me rënien e Berishës. Kësaj here, jo vetëm kaq. Berisha është në fundin e tij politik. Ata që duket sikur janë optimistë për një fitore të Berishës në zgjedhjet e 23 qershorit, përfshi edhe vetë Berishën, mashtrojnë me dashje ose janë naivë që nuk e kanë idenë e asaj që realisht po ndodh.
Disa prej këtyre e kuptojnë fare mirë atë që po ndodh, por kanë një besim të verbër te Berisha, tek aftësitë e tij për t’i kthyer disfatat në fitore. Në fakt janë nja dy-tre raste të këtyre njëzet e ca vjetëve të fundit që kjo ka ndodhur. Dhe përderisa ka ndodhur, atëherë pse të mos besojmë se mund të ndodhë sërish? – thonë këta që unë i quajta pak më sipër ‘të verbër’. Mirëpo kanë rrjedhur shumë ujëra, situatat janë krejt të tjera dhe alternativa që besojnë ‘të verbërit’ është kesaj here e pashpresë. Këtu më poshtë unë do të tregoj një episod se si është sjellë Berisha pas një humbjeje katastrofale, sikurse ishte referendumi për një projekt-kushtetutë në vitin 1994. Por, e ritheksoj, situatat kanë ndryshuar rrënjësisht në disfavor të Berishës. Kjo histori pavaresisht deshires se madhe te kategorise me siper, nuk ka kushte te përsëritet pas 23 qershorit 2013.
Tre opsionet pas referendumit për Kushtetutën
Po tani? Ç’do të bëhet tani? Po më tej?…
Këto pyetje janë bërë dendur natën duke gdhirë 7 nëntori 1994 në zyrën e kryetarit dhe nëpër koridoret e selisë së PD, janë bërë në Presidencë dhe, sidomos, në Qeveri. Dukej qartë se, më shumë se mosmiratimi i kushtetutës, humbësit i befasoi kalimi në minorancë. Dhe kjo donte te thoshte humbje e pushtetit. Më 6 nëntor ata e ndjenë thellësisht këtë humbje të pritshme dhe të pashmangshme. Dhe, pas shumë hamendjesh, diskutimesh e mëdyshjesh të pafundme, thanë me keqardhje:
– U pa puna. Do kalojmë në opozitë. Të shohim si do të qeverisin ata…
Këtu plasi sherri. Si? Ta lëmë pushtetin kaq lehtë, kaq shpejt? Mendimet ishin gjithfarësh, ku nuk mund të dalloje asgjë qartë në perspektivën e afërt e, aq më pak, në të largtën. Sidoqoftë, të gjitha opsionet e artikuluara atë natë, duket se u fokusuan shpejt në tre, që mendoheshin si rrugëzgjidhjet më të mundshme:
Së pari, dorëheqja e Presidentit;
Së dyti, shpallja e zgjedhjeve të parakohëshme;
Së treti, rrëzimi i Qeverisë dhe ndërtimi i një qeverie te re.
Opsioni i parë u shmang qysh atë natë, megjithëse u tha se Berisha e pati hedhur i pari këtë ide. Jo, nuk mund të sakrifikojmë Presidentin për një projektkushtetutë, – kanë kundërshtuar në udhëheqjen e lartë të Partisë Demokratike. Presidenti është shtylla jonë më e fortë dhe ai do të qëndrojë në krye të vendit. Me të në krye do ta rikuperojmë më lehtë humbjen…
Opsioni i dytë u përjashtua të nesërmen. E, pse duhet të bëjmë zgjedhje të parakohshme? Ky ishte referendum për kushtetutën dhe ne po përpiqemi ta bëjmë Shqipërinë me kushtetutë.
Mbetej vetëm rrëzimi i Qeverisë. Fakti që kryeministri kishte qenë dhe kryetar i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, ishte mjaft domethënës dhe atij mund t’i viheshin të gjitha kusuret, përfshi edhe gabimet në qeverisje, korrupsionin… “Koka e turkut” ishte gjetur…
Të martën, më 8 nëntor, shtypi ishte i jashtëzakonshëm. Sidomos ai i opozitës dhe gazetat e pavarura. Humbje fatale për Berishën. Shqipëria shpëtoi. Populli tha “jo!”, etj., ishin këta titujt që dominonin faqet e para të gazetave.
Mirëpo, po atë ditë një sinjal nga Partia Republikane, aleatja e vetme anemike e PD-së gjatë fushatës referendare, sikur frenoi paksa gëzimin e fitores midis opozitarëve. Në një deklaratë të kësaj partie atë ditë thuhej se rezultatet e referendumit që ishin publikuar nuk janë të sakta, prandaj nuk duhet nxituar. Numërimi i votave nuk ka përfunduar dhe, sipas të dhënave të kësaj partie, duhet të ketë fituar vota “Po”, (!) – thanë republikanët e Godos.
Në orën 20 të asaj dite, kur mbaroi afati 48 orësh për të dhënë rezultatet përfundimtare nga Komisioni Qendror, në TV u tha se Komisioni po punon intensivisht, ndërkohë që vazhdon mbërritja e procesverbaleve nga rrethet. Rezultatet e njoftuara deri tani, nuk janë të sakta, prandaj mos i besoni. Vetëm rezultatet e Komitetit Qendror (spikerat asokohe bënin shpesh lapsus duke ngaterruar me komisionin e votimeve me ish-forumin e lartë të Partisë së Punës), na falni – të Komisionit Qendror, janë të ligjshme…
Gjatë atyre ditëve, sipas shumë dëshmive të mëvonshme, janë bërë përpjekje maksimale nga ana e pushtetit për të ndryshuar në favor të tij rezultatin. Rezultati përfundimtar që u dha më 10 Nëntor, pas një trysnie dhe zemërimi në rritje nga poshtë që mund të shkonte deri në revoltë, nuk është plotësisht i saktë. 41.7 për qind u komunikua se kanë votuar pro projektkushtetutës, ndërsa kundër rreth 51 për qind. Sidoqoftë, këto janë shifra të korrektuara… Kur mori vesh fitoren e thellë, është thënë se opozita toleroi, duke lejuar të bëheshin manipulime të votave në mjaft zona, për të shmangur ndoshta aktet e dhunës dhe ndonjë pasojë tragjike.
Vizitë e Xhorxh Bushit në Tiranë më 12 nëntor 1994
Po atë ditë që u shpallën rezultatet, shefi im në Zërin e Amerikës më tha në telefon se në Shqipëri do të vijë për vizitë pas dy ditësh… Gjergj Bushati. (kështu e quanim midis nesh ish-presidentin amerikan Xhorxh Bush, pasi kishim qeshur me një shaka që tregohej midis shqiptarëve që nga koha e luftës në Gjirin Persik. Një shkodran pati thënë se presidenti i SHBA ishte me origjinë të largët nga qyteti i tij. Ndërsa vlonjatët “kundërshtonin” dhe “argumentonin” se Bushi i famshëm është lab nga Kurveleshi. Vetëm një lab mund të bëjë atë që bëri Bushi kundër Sadamit, i kanë vënë “vulën” ata).
Xhorxh Bushi mbërriti të shtunën paradite në Tiranë, si mik i Berishës. Ishte një ditë e ftohtë dhe me shi…
Nga kronikat…
“I ftuar nga Presidenti Sali Berisha, ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush, së bashku me bashkëshorten Barbara Bush dhe disa bashkëpunëtorë të ngushtë të administratës së tij, bënë një vizitë disa orëshe në Tiranë. Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shqiptaro – amerikane dhe ngritja e tyre në nivelin më të lartë, (sipas zëdhënësit të Presidentit) dominoi bisedimet e presidentit Berisha me zotin Bush.
Në takimin kokë më kokë që zgjati mbi një orë, presidenti Berisha e quajti zotin Bush një mik të madh të shqiptarëve, të cilët çmojnë lart kontributin e tij për përmbysjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë në Shqipëri. Këtë kontribut të zotit Bush, presidenti Berisha e krahasoi me atë të presidentit Uillson në fillimet e këtij shekulli për shpëtimin e Shqipërisë.
Gjithashtu kryetari i shtetit shqiptar theksoi vendosmërinë e zotit Bush për parandalimin e luftës në Kosovë, për të cilën shqiptarët i janë mirënjohës. Ai e garantoi mysafirin e shquar amerikan se Shqipëria është e vendosur të ecë në rrugën e demokracisë, ndërsa e quajti këtë një kontribut të madh për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. Te lidhjet e miqësisë dhe të bashkëpunimit me SHBA Shqipëria shikon një mundësi të madhe për konsolidimin e vlerave të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut…
Kurse zoti Bush shprehu respektin dhe admirimin e tij të madh për gjithçka është bërë në Shqipërinë paskomuniste. Ndihma për Shqipërinë është në interes të SHBA, tha ai, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara kërkojnë marrëdhënie në nivelin më të lartë me Shqipërinë dhe janë krenare për këtë…”.
Asnjë fjalë për referendumin e 6 nëntorit! Sikur në Shqipëri të mos kishte ndodhur asgjë. Të mos ishte prekur fare kjo temë në bisedimet e gjata që bënë kokë më kokë Berisha dhe Bush? Të ishte krejt e rastësishme kjo vizitë, vetëm 5 ditë pas referendumit? E pamundur. Po atëherë çfarë është biseduar? As atëherë dhe asnjëherë më pas nuk është folur për thelbin e kësaj vizite dhe të bisedimeve që pati Bushi me Berishën në Tiranë. Berisha atë ditë dukej mjaft i tensionuar dhe i shqetësuar. Pas bisedimeve kokë më kokë nuk u dhanë deklarata për shtyp para gazetarëve, sikurse ishte vepruar në raste të tjera të ngjashme, si fjala vjen me ish-presidentin Karter një vit e ca më parë.
Pritja në Pallatin e Brigadave
Më tej u shtrua një drekë zyrtare në Pallatin e Brigadave. Të zotët e shtëpisë, domethënë Berisha dhe zyrtarët më të lartë të shtetit ishin në pritje të mysafirit. Ata ishin rreshtuar, në paradhomën e madhe ku ishte shtruar dreka, ndërsa ne, një grup tepër i kufizuar gazetarësh, të RTSH, ATSH dhe Zërit të Amerikës, ishim në gatishmëri për të kryer detyrën.
Në pritje të ardhjes së Bushit nuk kishim se si të mos vërenim edhe nuancat më të holla, një lloj nervozizmi të përgjithshëm, që lehtësisht mund të lidhej me shqetësimin tradicional vendas për të nderuar mikun, por edhe një lloj hutimi në fytyrat e zyrtarëve të shtetit, që natyrisht e tejkalonte shqetësimin e një vizite të një miku, qoftë ky edhe Xhorxh Bush. Ata ende nuk e kishin mbledhur veten nga humbja në Referendum, sidomos Berisha e shprehte më shumë çoroditjen.
Njëri nga kolegët më preku në brryl, duke më treguar me kokë Berishën… Ai po fliste me vete! Dhe fjalët që mërmëriste i shoqëronte me grimasa ekspresive të fytyrës, si të aktorëve të pantomimave. E shoqja, Liria, e vëmendshme dhe e kujdesshme ndaj të shoqit, bëri sikur i pastroi një fije floku në sup, në fakt më tepër për t’i thënë “Mblidh veten! Këtu përpara e rreth e rrotull ka njerëz që të shikojnë…”. Por ai, si duket i bezdisur nga prekja e së shoqes, me një lëvizje të dorës i tha “më ler rehat” dhe vazhdoi të mërmëriste kushedi se ç’fjalë, me kushedi ç’përmbajtje…
Vetëm ardhja e mikut amerikan ia ndërpreu monologun. Bushi, i ndjekur nga e shoqja, hyri i qeshur e plot gjallëri në sallë me një farë ekstravagance. Këtë e shprehte dora e majtë e futur në xhepin e pantallonave, të cilën nuk e hoqi as kur u takua me Berishën dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në momentin e parë të takimeve të këtij niveli, përgjithësisht krijohen vakuume të mërzitshme, pasi nuk mund të hyhet menjëherë në thelbin e problemeve. Ndërsa në Pallatin e Brigadave “thelbi” atë ditë ishte dreka zyrtare, pasi problemet dukej ishin ezauruar në Presidencë. Dhe miqtë nuk mund të çohen menjëherë në tavolinë. Po përse mund të bisedohet në të tilla raste?
– Zoti President, – tha Bushi, ndërsa një nga guvernantët e Pallatit i kishte sjellë atij dhe të tjerëve nga një gotë pijesh freskuese, – ky pallat qenka interesant, – ndërsa sytë i shëtiste sa në tavanët e lartë të stolisur me shumë shije, në qemerët e portave të mëdha apo në kolonadat e mermerta. – Mund të më tregoni historinë e këtij pallati?
Berisha filloi t’i tregojë sesi Pallatin e kishte ndërtuar Mbreti Zog, i cili kishte sunduar në Shqipëri për 15 vjet para Luftës së Dytë. Ai renditi disa përparësi të monarkisë shqiptare në krahasim me regjimin komunist që u instalua më pas në Shqipëri. Bushi e ndiqte me vëmendje, duke bërë ndonjë ndërhyrje të vogël…
Vazhdimi i kronikës:
“… gjatë një dreke zyrtare në Pallatin e Brigadave presidenti shqiptar e quajti zotin Bush luftëtar kampion të Lirisë, veprimtaria e të cilit filloi në qiejt e Japonisë dhe u mbyll me çlirimin e popujve të Europës Lindore nga njëri prej sistemeve më tragjikë të historisë së njerëzimit.
Me rastin e kësaj vizite në Tiranë, Presidenti Berisha i dorëzoi zotit Bush Urdhërin e Artë të Skënderbeut, Heroit Kombëtar të Shqipërisë.
Ish-Presidenti Bush e quajti këtë një të papritur të madhe, aq më tepër që kjo dekoratë i jepet nga një njeri si Presidenti Berisha, të cilin ai e quajti një person të rëndësishëm dhe që është i lidhur ngushtë me angazhimin për liri dhe demokraci”.
Pas drekës, Bushi bëri ritualin e zakonshëm të të gjithë vizitorëve të huaj, duke shkuar te Kalaja historike e Skënderbeut në Krujë dhe, prej andej, u kthye në Rinas për t’u larguar nga Shqipëria po atë pasdite, në të rënë të muzgut, nën një qiell të murrëtyer që breronte një shi të ftohtë…
Ministrat ‘koka turku’
Nuk kishin kaluar as 24 orë nga vizita e Bushit, kur nga Presidenca më njoftuan se të nesërmen, pra më 14 nëntor, në orën 11, Presidenti do të japë një konferencë shtypi të rëndësishme.
Ç’do të thoshte kjo? Ai e kish dhënë një konferencë shtypi për referendumin më 7 nëntor, të gjithë e kishin marrë vesh rezultatin, ndonjë mbledhje e PD-së ende nuk ishte bërë, ndonjë zhvillim tjetër i rëndësishëm nuk kishte ndodhur… Ç’të ishte, pra, ajo gjë e rëndësishme që do të na kumtonte?…
Hymë si zakonisht në Presidencë ne gazetarët e përhershëm të atyre konferencave të shpeshta, disa minuta para orarit të paracaktuar. E njëjta enigmë na mundonte thuajse të gjithëve. Dhe fakti i parë që konstatuam ishte “optimizmi” në fytyrat e nëpunësve të Presidencës, që nga këshilltari politik, zëdhënëset, e deri te rojet.
Berisha hyri në orën ekzakte, me hapin e tij të madh. U ul i vetëm, siç ulej gjithmonë, në tavolinën përballë nesh krejt normalisht. Ishte një Berishë tjetër ky, krejt i kundërt me atë të një jave më parë, madje edhe me atë të dy ditëve më parë kur fliste me vete në Pallatin e Brigadave…
Objekti i konferencës ishte i njëjtë: Referendumi. Berisha do të bënte analizën e humbjes së projekt-kushtetutës.
Arsyet e asaj humbjeje sipas tij ishin tri:
– Pakënaqësia ndaj disa neneve të projektit të paraqitur;
– Pakënaqësia ndaj reformës, mënyrës së qeverisjes dhe korrupsionit të përfolur në segmente të caktuara të shtetit;
– Bashkimi i ekstremizmit të majtë e të djathtë…
Megjithatë, më 6 nëntor, pro kushtetutës votuan 42 për qind e shqiptarëve dhe kjo është lokomotiva e demokracisë – tha Berisha. Dhe më pas përdori një aritmetikë të habitshme: Rreshtimi Antikushtetutë numëronte 17 parti. Të gjitha së bashku ato morën 51 për qind të votave, domethënë nga 3 për qind secila. Ndërsa PD e vetme përballë tyre mori 42 për qind… (!) Ja lokomotiva!
Gazetarët mbajtën frymën dhe panë në sy njëri-tjetrin. Por Berisha vazhdoi më tej: “Partia Demokratike mendon se edhe projekti tjetër i kushtetutës të miratohet me referendum…”. Parlamenti u përjashtua sërish si rrugë për miratimin e kushtetutës. Ndërsa zgjedhjet e parakohshme nuk u zunë fare në gojë.
Ata që kishin pritur dhe shpresuar shumë se pas 6 nëntorit do të ndodhnin ndryshime të mëdha në skenën e politikës shqiptare, u zhgënjyen shpejt. Gjithnjë e më shumë filloi të kristalizohej mendimi se me votë të lirë, demokratike, Berisha nuk kishte për ta lëshuar kurrë pushtetin.
Pas konferencës së shtypit të 14 nëntorit, u pa se edhe Qeveria e Meksit nuk do të rrëzohej. Pas një mbledhjeje të gjatë të Këshillit Kombëtar të PD-së më 21 nëntor, kryetari i saj, Eduard Selami, i deklaroi Radio Tiranës se ndryshimet në Qeveri do të jenë të thella dhe se do të bëhen brenda javës…
Për këto ndryshime bëhej shumë zhurmë, zienin thashethemet. Që nga kryeministri e shumica e ministrave nuk pranonin t’i linin postet, duke lënë të nënkuptohej se “nuk jemi ne fajtorë për humbjen, po dikush tjetër…”. Por, se kush ishte ky dikush tjetër, nuk thuhej, ndonëse nënkuptohej qartë.
E ndërsa zienin kafenetë, rrugët e koridoret e dikastereve dhe ngjireshin telefonat nga thashethemet, më 23 nëntor ndodhi e papritura e parë: ministri i Kulturës, Dhimitër Anagnosti, dha dorëheqjen.
Në deklaratën e bërë me këtë rast, të cilën unë e transmetova thuajse të plotë te Zëri i Amerikës, Anagnosti bëri përgjegjës Berishën për humbjen në Referendum, ndërsa për Meksin thoshte se nuk ka kurajon të japë dorëheqjen. Qeveria nuk është mbledhur të bëjë analizën e rezultateve të referendumit sipas kërkesës që ai kishte bërë, kurse grupi parlamentar nuk kishte bërë analizë të drejtë për 6 nëntorin. Ai, gjithashtu shprehte pakënaqësinë për një lojë e përgojosje pas krahësh që i bëhej atij si ministër.
Natyrisht, për Zërin e Amerikës më duhej edhe reagimi i kryeministrit, komenti i tij për ngjarjen në fjalë.
Çuditërisht, Meksi më tha në telefon:
“Një njeri i ndershëm si Anagnosti, një njeri i shquar në fushën e tij dhe në drejtimin e ministrisë, sipas mendimit tim, në ato kushte të kufizuara që kishte Qeveria për reformën në këtë periudhë tranzicioni, sigurisht që ka të drejtë të ndihet i fyer dhe të mos pranojë të qëndrojë në një qeveri me ata, të cilët, në një mënyrë a në një tjetër, nuk kanë mbajtur sipas tij qëndrimin që duhej të mbanin”.
Menjëherë pas transmetimit të kësaj deklarate, në Zërin e Amerikës, u “zgjua” Eksperti Presidencial. Ç’tha tjetër Meksi? Kujt ia hodhi fajin e humbjes? A përmendi ndonjë emër? Mos foli gjë për zgjedhje të reja?…
Kishin filluar dyshimet. Dhe dyshimet tregojnë frikë, dobësi, ankth… Dhe nuk ishin dyshime dosido. Ato kishin filluar të binin edhe mbi kryeministrin. Ankthi dhe frika domethënë ishin shfaqur më lart… Pas Ekspertit, telefonoi kryeredaktori i RD-së, i cili më përsëriti thuajse të njëjtat pyetje. Duam ta botojmë deklaratën e Meksit, më tha. Ajo ishte, iu përgjigja, e gjitha u dha në radio… Sidoqoftë ne na duhet deklarata origjinale… Dhe dërgoi një gazetar që ta inçizonte… “Sepse nuk arritëm ta regjistronim”, tentoi të justifikohej.
Megjithatë, deklarata e Meksit nuk u botua as të nesërmen dhe as më vonë në gazetën e partisë në pushtet.
Më 25 nëntor në mëngjes mora vesh për një mbledhje të grupit parlamentar të PD për ndryshimet në qeveri, e cila kishte vazhduar edhe pas mesit të natës. Deputetëve të PD u ishte kërkuar të votëbesonin të gjithë ministrat, përfshi dhe kryeministrin dhe, për ata që nuk do ta kalonin këtë provë, do të thoshte shkarkim. Mbledhje tjetër për këtë çështje nuk do të bëhet, u ishte thënë deputetëve paraprakisht…
Dhe ata e kishin vlerësuar maksimalisht atë mbledhje.
“Burimi i sigurt” më tha emrat e ministrave që kishin humbur në votim. Ata ishin: zëvendëskryeministri Bashkim Kopliku, ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali, ministri i Jashtëm Alfred Serreqi, Manushi i Ndërtimit, Belortaja i Industrisë dhe Tregtisë, Dishnica i Financave si dhe Anagnosti i Kulturës, i cili kishte dhënë dorëheqjen dy ditë më parë.
Megjithëse e mora vesh këtë lajm që në mëngjes, prita se mos ai njoftohej zyrtarisht nga mjetet shtetërore të informacionit deri një gjysmë ore para emisionit të orës 18. Asnjë lajm për këtë, sikur të mos kish ndodhur asgjë një natë më parë, ndërkohë që thuajse gjithë Tirana i kishte marrë vesh ndryshimet.
– Atëherë le ta japim ne të parët lajmin, – vendosi shefi.
Mirëpo, sapo u transmetua ky lajm në Zërin e Amerikës tringëlloi me nervozizëm telefoni. Ishte Eksperti Qeveritar.
“Nga i more vesh ata emra që dhe?…”. “Nga burim i sigurt”… – iu përgjigja pa treguar emrin e burimit. “Po sikur ndonjëri prej tyre, Iksi apo Ypsiloni, të mos largohet, domethënë se do të jenë sërish ministra?…”. “Atëherë unë do të jap njoftimin zyrtar se ata, domethënë Iksi apo Ypsiloni, do të jenë ministra”- e sqarova i përmbajtur. “Na ke prishur shumë punë me atë lajm, kupton?”, ishin fjalët e fundit të Ekspertit, gjithsesi të përmbajtura, para se të mbyllte telefonin.
… Dy ditë më vonë në pritjen që u dha nga Presidenti i Republikës në Pallatin e Brigadave me rastin e 28 Nëntorit, u takova me kryeministrin, i cili, pasi më tha me të qeshur se “ma ke bërë çorap Qeverinë”, më konfirmoi se lajmi që kisha dhënë ishte plotësisht i vërtetë. Ministrat që kishin humbur votbesimin ishin të pranishëm në pritje, por ata ishin krejt të tulatur dhe mezi prisnin t’i përshëndeste dikush apo t’u thoshte ndonjë fjalë të mirë.
– A mund të ndodhë që të kthehet ndonjë nga ata Të shtatët (kundër Tebës)? – e pyeta Meksin gjatë mbrëmjes.
-Nuk besoj… Por edhe mundet, – u përgjigj mëdyshas ai, duke më treguar me kokë nga salla ku ishte ulur Berisha me Rugovën. Në kolltuqet pranë tyre ishin ulur e po bisedonin kokë më kokë Zhulali me ambasadorin amerikan.
– Mundet, – tha përsëri Meksi, – por nëse ndodh kjo, ta dish se unë… do të jap dorëheqjen!
Në të vërtetë, Zhulali mbeti sërish ministër i Mbrojtjes, edhe Serreqi ministër i Jashtëm, ndërsa Meksi nuk e dha dorëheqjen.
Dekretin për ndryshimet në Qeveri, Berisha e publikoi në ditët e para të dhjetorit. Me këtë dekret Teodor Laço zëvendësoi Anagnostin në postin e minsitrit të Kulturës, por Socialdemokratët thanë se ai nuk e ka mandatin e partisë për këtë emërim.
PSD e kishte braktisur përfundimisht koalicionin qeveritar.
Ndërsa republikanët, ndonëse e mbështetën Berishën në referendum dhe njiheshin si aleatë të tij, kishin një peshë të papërfillshme në koalicion. Pas 6 nëntorit edhe republikanët me Godon në krye, filluan të largohen gjithnjë e më shumë nga PD…
*Autori është ish-korrespondent i Zërit të Amerikës
Kavalieri i Vucidolit!!
Profet Namik Hoti 🙂 Ndejse paste i urti burre. Askush nuk i ka degjuar njerezit e urte ne kete vend. Kane bere hajer vetem te dhunshmit
E papame kopertina. jeni njesha, bravo
berisha do zbres nga kali, me sakt do ta zbresin me pahir. Pjesa me e veshtir do jet te zbres kali nga berisha, dmth te zhduket berishizmi nga institucionet e shtetit. Kjo do kerkoj vite, Demet e berishizmit jane shume te medha
Berisha as ka zbritur, as do te zbres na mbeti MUTI ne dere keshtu
eshte thene per ne o njerz te vuajme.
Jane te vegjel ata qe nuk kane gelltitur nje lug corbe te prishur,
Duhet kohe e gjate per ta qe te riten ne nje ambjent te pa
korruptuar.Dhe vetem ata do te dine si ta zbresin nga kali dhe ta
vene me duar ne pranga ate dhe mezat e tij.