Nesër është e hënë

anazapta

Sonte, në mbrëmje, gjithçka do të jetë e zgjidhur në njërën nga fushatat më pak të ngarkuara politikisht dhe me ngjarje të parëndësishme. Si ndodh gjithnjë, liderët partiakë, sipas një riti të përcaktuar nga stafet e tyre, u sollën nëpër të gjithë vendin, dhe, pasi bënë thirrje për alternativën e tyre, pasi thanë diçka edhe për kundërshtarin, janë në pritje të të korrurave.

Shumica e di se çfarë ka mbjellë në dy vite dhe është e bindur se nuk do të përsëritet viti 1992 në kahun e kundërt, kur zgjedhjet lokale, disa muaj pas fitores përmbytëse të PD-së në mars, u ndeshën me një goditje, po ashtu përmbytëse, në zgjedhjet vendore. Shumica është e bindur se do të ketë që nga e hëna mbi 50 bashki nën qeverisje, ashtu si është e bindur se ndonjëra prej tyre, si Shkodra, do të jetë për herë të parë nën drejtimin e saj.

Duket se do të jetë e vështirë të ndodhë një përmbysje në rritjen e qeverisjes së pëdëistëve, të cilët, që nga viti 1992 e deri më tash, pikën më të dobët e kanë pasur pikërisht në zgjedhjet vendore. Ndoshta edhe nga fakti se në dy vitet e fundit disa nga bandat e saj politike e goditëse janë shprishur, ose edhe thjeshtë nga fakti se shumë biznesmenë nuk janë të gatshëm të paguajnë për to për të sulmuar shumicën qeverisëse, drejt të cilëve kanë investimet e tyre.

Rasti më i fundit, qëllimi me armë drejt deputetes së LSI-së, Kryemadhi, në një fshat të Lezhës, kur dy vite më parë nëpër rrugë dilnin banda të tëra, ose edhe të vrisnin, më shumë sesa pamundësinë e krimit, dëshmon për goditjen e tij.

Nesër do të jetë e hënë, njerëzit do të rikthehen në punët e përditshme, shumë nga të cilët do të jenë me mendimin e zakonshëm paszgjedhor se diçka mund të ndryshojë. Por, si ndodh shpesh, nuk do të jetë një bekim që do të mbajë nën ethet e fitores për shumë ditë, pasi kthesa drejt së mbarës, edhe kur ke gjithë mbështetjen e qeverisë, si ndodh në rastin e kryebashkiakut të ardhshëm, Veliaj, nuk do të jetë edhe aq e shpejtë. Të parët, të cilët do të kenë ndjenjën e prekshme të pritjes së gjatë do të jenë militantët, të cilët, edhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit kishin ndjenjën e tillë në vetvete.

Nuk pres që të hënën tre kandidatët kryesorë të Tiranës të bëjnë atë që bënë në një të hënë të tillë, katër vite më parë, tre kandidatë të një qyteti të vogël verior, të Pukës. Ata, të tre, njëri i socialistëve, tjetri i demokratikasve dhe njëri i pavarur, si ndodh në Tiranë, të hënën në mëngjes, kur dihej se cili ishte fituesi e kush kishte humbur, shkuan të pinin së bashku një kafe, qëndruan e folën me njëri-tjetrin sa i deshi qejfi dhe për çfarë deshën, dhe, nëse kishte ndonjë që ishte hidhëruar nga rezultati e desh të protestonte, kur shikoi tre prijësit të pinin kafe e të bënin muhabet, shkoi edhe ai në shtëpinë e tij.

Nuk e pres këtë në Tiranë, nuk e pres këtë as në Shkodër, e ndoshta edhe në shumë qytete të mëdha, ku mëria politike është më e vogël se mëria partiake dhe ku kjo e fundit sundon mbi mendjen. Nëse këtë do e bënte Halim Kosova në Tiranë, ai mund të gjendej nën goditjen shokuese të shefave partiakë, të shpallur e të pashpallur, shefa de jure e shefa de fakto, të cilët, edhe më parë, kanë goditur njerëzit e tyre, qoftë edhe për një urim telefonik.

Megjithatë, të hënën, njerëzit do të fillojnë të mendojnë për disa nga risitë e kësaj fushate dhe të këtyre zgjedhjeve, sepse, në fund të fundit, edhe ata nuk shkuan si gjak i shprishur. Ka disa të tilla, të cilat, edhe për një kohë të shkurtër do të mbahen mend, ndërsa për një kohë të gjatë mund të sjellin përvijime të reja në jetën politike të vendit, ta bëjnë atë më njerëzore dhe më serioze dhe të nxjerrin si leshterikë disa nga kapërdisjet e “të fortëve”, që në të vërtetë janë brena vetes, të zgaqur.

Në Tiranë, për herë të parë, kandidon një figurë politike jashtë forcave politike, edhe jashtë forcës politike që e bëri të njohur si politikan e drejtues. Gjergji Bojaxhiu është njeriu i parë që tentoi të thyejë barrierën e gjatë drejtuese partiake, dhe, megjithëse nuk ia arriti, të paktën ai bëri provën e parë,dhe prej saj mund të dalë një lëvizje e re politike, e cila do të thyejë fillimisht barrierën e të fuqishmëve, por do të ketë ndoshta një shkurtesë jetësie. Kandidaturat e tjera të pavarura në Tiranë dëshmojnë se sharlatanizmi është ende i pranishëm në politikën shqiptare, ose ende ka “stërkëmbësha financiarë” sado të vogla të jenë, për të bërë gjurulldinë e diferencës.

Në Shkodër, sido që të jetë, e hëna do të ketë për herë të parë një kryebashkiake grua. Nuk do të jetë një shefe e bashkisë si deri më tani, kufizuar vetëm nën hartën e qytetit, por do të ketë një shtrirje aq të gjerë, sa kishin deri tani disa bashki së bashku. Zonjat kandidate kanë veçoritë e tyre, por më e veçanta e Keti Bazhdarit nuk është se ajo vjen nga bota e biznesit, por nga një shtresë e të përndjekurve politikë, afërsia e të cilëve në Shkodër me PS ishte një tabu e mbajtur forcërisht e qëllimisht kështu. Keti bëri edhe diçka tjetër, ndoshta më të vyer, ajo solli ndjenjën e tolerancës pranë njerëzve, diçka që e kishte tek vetja më parë në shumë e shumë vite.

Në Shkodër, figura kryesore e demokratikasve, Topalli, qëndroi e heshtur pranë “shemrës” së saj politike, Voltana Ademi. Ndoshta nga të gjithë banorët në atë bashki të madhe, Topalli është njeriu që e dëshiron më së shumti humbjen e Ademit, si një sprovë se në bastionin e saj politik, kur gjërat dalin jashtë saj, janë lehtësisht të humbura. Tom Doshi, figura kryesore dy vite të shkuara në kapin rozë, bëri një zgjedhje tjetër; ai e shpërnguli kampin e tij në Vau i Dejës, një zonë tradicionale e së djathtës, ndoshta me synimin për të treguar se ku shkon ai, qoftë në një zgjedhje parlamentare, qoftë lokale, përmbys të djathtën, të cilës i ka takuar i gjithë fisi i tij në të shkuarën.

Por, nëse në Shkodër, balanca do të jetë edhe një herë djathtas, gabimi i vetëm i bërë në këtë fushatë i së majtës është ndjenja e largët ndaj atyre që njihen si përkrahës të Doshit në Shkodër, që shpeshherë janë figura të njohura intelektuale.

Në Vorë, edhe e vogël, edhe e madhe, e vogël nga sipërfaqja, e madhe nga përfitimi; desh ndodhi një kataklizëm politik. Vora dëshmoi se politika, shpesh-herë është perdja pas së cilës fshihen interesa të mëdha familjare e financiare. Shefi i republikanëve, Mediu, desh bëri luftë me shumicën qeverisëse, vetëm se ia ngacmuan të fshehtat e krushkut të tij, kandidat i ripërsëritur në Vorë. Lobi grek përmes njerëzve të tij, tani krejt haptas, u bë i pranishëm në këtë fushatë, si të ndërmerrte një sulm për të ashtuquajturin Vorio-Epir.

Asnjëherë më parë nuk ka shpërthyer kështu nacionalizmi i çartur grek në një fushatë lokale, dhe Dule, si i përkëdhelur i këtij klani antishqiptar, ka vënë gjithçka në lojë, për të bërë të mundur rishfaqjen e tij politike, si një faktor. Dhjaku i djeshëm, si duket, do të mbesë dhjak i politikës, por jo i dobishëm për vendin ku rritur është e ku jeton. Tre liderët e mëdhenj partiakë, herë së bashku, e herë larg njëri-tjetrit, bënë fushatë në tre profile politike, që edhe i dallojnë nga njëri-tjetri. Ilir Meta i LSI-së ishte më praktik, më konkret dhe më i kapshëm nga të tjerët. Ai ngriti një staf me djem e vajza të reja, të cilët i anashkalojnë sorollatjet burokratike dhe që i kanë të qarta ato që do të arrijnë. Edi Rama, i socialistëve, e ripërsëriti slloganin e tij të njohur, tej së majtës dhe të djathtas, duke përdorur fjalën si gjënë më të kushtueshme për të rithirrur njerëzit afër tij.

Dy vitet e para të qeverisjes nuk kanë shkëlqyer, por kanë filluar të bëjnë shtet, ç’ka në fund të fundit kuptohet nga ata që e duan shtetin. Basha, i demokratikasve, në të gjithë fushatën e tij politike, si të ishte fjala për zgjedhjet parlamentare, ende nuk e kuptoi se fjala është për diçka më konkrete, më praktike, më të kapshme. Si duket, ora e tij ka mbetur në zgjedhjet parlamentare të dhjetë viteve më parë, dhe më shumë sesa meraku i bashkive, për të do të jetë e rëndësishme rritja e përqindjes qoftë edhe me një Njësh të vogël, për të dëshmuar se edhe pa Berishën, ai bën diçka.

Skifterët, brenda shqupasve, kanë heshtur, sepse ende nuk e kanë kohën e tyre. Vjeshta e këtij viti do i thërrasë ata në skenë. Por kishte edhe një veçori të përbashkët, ndoshta për mirë, ose ndoshta jo për të mirë, do të jetë në të ardhmen e politikës shqiptare. “Të vjetrit” e politikës, përgjithësisht, nga dy kampet e mëdha, u lanë jashtë lojës. Në PD heshti edhe Berisha, i cili u ndje vetëm përmes cicërimave, kur më parë ndjehej ulërima e tij.

Në PS, të vjetrit, liderët e dikurshëm, po ashtu heshtën. Ose u ndjenë fare pak. Sidoqoftë, e hëna po vjen. Nuk do të ketë as një përmbysje të madhe dhe as një fitore spektakolare. Çdo gjë është e pritshme, ashtu si është edhe e ditur.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *