REDAKSIONAL
Demonstrata e PD-së, e publikuar që prej 24 qershorit, pra që të nesërmen e humbjes fatale të saj, më në fund eci në vazhdin logjik të saj…kapercyelli i humbjes së zgjedhjeve nuk ishte asgjë para kësaj. Protesta u deklarua si e lidhur me rënien e bustit të E.Hoxhës, por asnjë fjalim nuk u mbajt te busti; shkuan përpara Kryeministrisë.
Në shesh, nga e gjithë Shqipëria u mblodh një pakicë njerëzish, disa nga të cilët as nuk e kishin mendjen se çfarë po thuhej; edhe ata që u mblodhën, nga të cilët më i rëndësishmi ishte djali i Mejdanit, ikën nga erdhën. Fjalët plot britma të liderit juridik të PD-së as nuk ngrohnin dhe as nuk ftohnin. Shumë vetë që kishin pritur një zhvillim ndryshe, të thënë e stërthënë qindra herë nga lideri faktik, Berisha, e kuptuan se tashmë ishte koha e kthimit. Si duket, ajo fjala e urtë, e thënë disi më ndryshe nga diplomacia ndërkombëtare, “mos e ngrini gishtin, se ju presim bishtin”, kishte zënë vendin e saj.
Në të gjithë këtë valë, e cila dukej si shfaqja tragjike e mitingut përmbyllës të PD-së,disa muaj më parë, njeriu më i vetmuar ishte njeriu që e kishte thirrur këtë, ai që ishte nuni e kumbara i saj, që mendonte se përmes saj do të rizgjonte hijet e së djeshmes, por që më në fund, si asnjëherë tjetër, ndjeu pikëllimin e pashoq. Mes të tjerave ai ndjeu brenda vetes tre zhgënjime të mëdha…
Zhgënjimi i parë…filloi që në mëngjezin e herët, kur nga e gjithë makineria e tij propagandistike, e zhurmshme, çjerrëse dhe shpifëse, ishin vënë në lëvizje aq pak njerëz nga rrethet, saqë mund të numëroheshin edhe me sy të lirë. Qindrat e autobuzëve që kishte thirrur dikur me një bilbil të pushtetit tani ishin tkurrur, njerëzit që do të bënin lumin e demonstruesve po ashtu nuk do të ishin as një rrëkezë e zakonshme, dhe më kryesorja, kokat e nxehura, tek të cilët ai kishte varur shpresat, tashmë po strukeshin. Kjo ishte diçka që ai e kishte ditur, por nuk e kishte menduar kaq thellësisht, nuk e kishte përfytyruar se, megjithë thirrjet e përditshme, në mendjet e njerëzve kishte rënë nata e heshtjes, dhe se ai, si i plotfuqishmi i lagjes së banditëve, tashmë kishte humbur zërin e tij. Ishte e mjerueshme, pasi njerëzit nuk i ishin bindur dhe se, megjithë trukimet e zakonshme të tij, asgjë nuk ka lëvizur. Berisha ka menduar se, megjithëse kishte marrë paralajmërimet e duhura, njerëzit do e besonin edhe një herë, dhe që do të mund të fshihte gjithçka pas “sovranit”. Sovrani ka heshtur. Dita e 20 shkurtit ishte karikatura e turpshme e 23 viteve më parë, në vend që të rrëzonte përmendoret e të gjallëve, ai kishte rrëzuar edhe një herë staturën e tij, dhe këtë njerëzit, edhe brenda vetes, e kishin bërë dinjitetshëm, pa iu përgjegjur njeriut që dy herë e shpuri vendin në bregun e kaosit dhe të qametit. Braktisja do të jetë zhgënjimi i tij edhe në ditët e ardhshme, pas saj do të jetë ndëshkimi dhe harresa.
Si një mjeshtër i politikës dinake dhe idhnake ai e di fare mirë se ashtu si rivali i tij i deridjeshëm, gjithçka mund të tregohet mizore ndaj tij…dhe çfarë është edhe më e rëndë, mund të dëshmohet e ndershme dhe e drejtë ndaj familjes së tij biologjike e politike. Dhe nëse mund të ketë një dëshmi të ndershmërisë dhe të drejtësisë ndaj familjes së tij biologjike dhe politike, ai e di fare mirë vazhdimin.
Zhgënjimi i dytë i Berishës është qetësia. Fjalët e Bashës nuk mund të ndiznin as qiririn e një shprese në të shuar, megjithëse i gjithë gjestikulacioni i tij të kujtonte përsëritjen e një mësuesi të zvetnuar, trashja e zërit të kujtonte djathrat me vrima, përmes së cilave kalon era e shkurtit, shikimi i vërejtur kishte të bënte me shkumëzimin e hirrës në të derdhur. Në se ka njeri në këtë vend, që edhe pak orë pas fjalës së tij, mund të kujtojë një ide, një mesazh, një vizion, do të ndjehesha i lumtur, por kur edhe vetë nuk e kupton se për çfarë flet, cilët ke përballë dhe kush është problemi real i tyre, si munden ta kuptojnë të tjerët. Berisha , në mesin e turmës, ku nuk është parë asnjëherë më parë, si njeriu i pasionuar i metingjeve, në gjithë këtë mishmash idesh e fjalësh, më mirë se gjithë të tjerët, e ka ditur se boshësia është virtyti i pasardhësit të tij të përkohshshëm. Dhe përmes “boshit” mos prit ide, vizion apo shpresë.
Nuk ndodhi asgjë, megjithëse kishte përpjekje për të ndezur një lëmsh. Gjithë paraditen, përmes një foltoreje, ku nuk e ka më vendin, ai bëri gjithçka për të nxehur gjakrat, për të krijuar një miniaturë të 21 janarit, një mllef, që nis nga mendja e tij dhe, që, përmes haluçinacionit, kërkon ta shpërndajë tek të tjerët.
Në dhjetra e dhjetra demonstrata që ka bërë Berisha, kjo mund të jetë e vetmja që kalon kështu, vetëm me përpjekje të fashitura. Jo se ka zbutje, por sepse nuk ka kauzë. Ai u përpoq të krijonte një kauzë të tillë, sido kudo, u përpoq të ndërtonte modelin e dukshëm të një proteste që pa filluar ajo, e kaloi nëpër mendjen e tij gjithë fazhimin e saj, por nuk krijoi dot kauzën e vërtetë, për të cilën, si 23 vite më parë, ia vlente të përpiqeshe, të sakrifikoje dhe të guxoje. Ai tentoi të krijonte skena makabre, me policë që me qen rendin pas demonstruesve, por në vend të tyre gjeti vajza police, të sjellshme, të qeta dhe të sigurta. Ai deshi të krijojë në përfytyrimin e tij dhe në realitet rënien e busteve, tashmë të gjalla, por në vend të tyre shikoi se si po binin njëra pas tjetrës të gjitha idetë dhe vizionet për të cilat njerëzit ishin ngritur 23 vite më parë.
Dhe ashtu si na shkruante një mik i Ditës, si kudo tjetër ku prek ai, gjithçka ndotet, prishet, zbërthylet. Edhe ditën e 20 shkurtit ai e tjetërsoi, solli faqen komike të historikes që kishte ndodhur më parë, sepse, e gjithë ajo që kishte menduar të ndodhte, që kishte bërë thirrje të ndodhte dhe që kishte parashikuiar të ndodhte, ishte në të kundërtën e saj. Që nga demonstratat e para të PD-së, kur makiavelisht u vu në ballë të saj, Berisha ishte mësuar të linte pas vetes shkatërrimin, edhe kur gjithçka dëshmonte se ai e kishte pushtetin; këtë herë nuk ndodhi, dhe prandaj ai është më i egërsuar se zakonisht, shkroi mesazhe jaashtë normalitetit në rrjetet sociale, doli nga vetja, dhe e gjitha ajo që kaloi që në natën e 19 shkurtit, shpërtheu si përroi psiqik i njeriut të sëmuë nga idea e braktisjes.
Zhgënjimi i tretë i Berishës ishte në atë që ndodhi, mes paradites dhe pasdites së 20 shkurtit, që mund të përmblidhet krejt shkurt: një protestë paqësore nuk i hyn në punë Berishës dhe kjo nuk është ëndrra por zhgënjimi i tij.
Dhe ky ishte zhgënjimi më i madh, që do e ndjekë për shumë kohë. Nga e gjithë ajo që ngriti, furishëm dhe përbindshëm, në dorën e tij mbeti vetëm hiri. Së bashku me pyetjen normale pas një demonstrate: përse e bëmë këtë, përse thirrëm qindra mijra dhe erdhën një grusht, çfarë fituam me të dhe çfarë humbëm, është një ditë për t’u shënuar apo duhet të harrohet; dhe së bashku me të gjitha këto: çfarë fitoi dhe çfarë humbi vetë ai, do të jetë edhe më tej i besuar apo kuotat e besueshmërisë po shkojnë drejt zeros?
Pas saj, pra që sot, 21 shkurt, ai do të jetë edhe më ashpërsuar, edhe më haluçinant, pasi, jo vetëm që bota diplomatike i tregoi sinorët dhe as të mos i shkonte në mendje të përsëriste skenarët boshnjak apo ukrahinas, çka i trumbetoi përditë, por as të mos i dëgjohej zëri në sheshin ku kishte vrarë tre vite më parë, dhe për të cilat ende nuk është përgjegjur. Sepse, ai e ndjeu apo ia thanë, se do të ishte e tepërt, që, në të njëjtin shesh ku kishte pasur të vrarë dhe të plagosur, të flisnin njëkohsisht për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, dy vetë që kishin përgjegjësinë kryesore për jetët e vrara. Ishte njëkohësisht edhe e padurueshme.
Berisha e ndjeu zhgënjimin , pasi edhe miqtë e tij në Kosovë, qarqe ekstreme të lidhura me ish strukturat e “Sigurimit të atdheut”, një shtojcë e shërbimit të fshehtë serb, pas denoncimit publik, nuk iu përgjigjën, jo sepse nuk deshën, por sepse e gjithë ngrehina që po mendonin të ngrinin ishte e kalbur që nga fillimi. Përpjekjet e ndonjërit që ishte shpërblyer familjarisht nga Berisha nuk ndezën, pasi dua të besoj se edhe atje, progresi është në agun e tij.
Berisha tregoi se përmes bastardimit të politikës, masakrimit të saj, njerëzit duhet të gjejnë një rrugë tjetër, dhe si duket, e kanë gjetur tashmë. Kishin filluar ta gjejnë me 23 qershor, ku kishin shfryrë dufin e zemëratës, tani e dëshmuan se përfundimisht e kanë gjetur, duke mos iu përgjegjur thirrjeve vrasëse të një njeriu që në 23 vite politikë ka bërë të mira sa gishtat e njerës dorë, dhe ka bërë të këqija sa është e vështirë të numërohen. Dhe që nuk e kupton se duhet të jetë i lumtur nëse njerëzit harrojnë atë dhe politikën e prapshtë të tij.
Megjithatë ai është ende në mesin e zhgënjimeve. Por si thonin dikur, “binaja e madhe në të shembur e ka rrezikun”. Por ky do të jetë ndoshta një përjashtim nga rregulli. Po shembet, dhe megjithëse po e thërret rrezikun, njerëzit nuk po i përgjigjen.
20 shkurti e kishte vendin e tij si një datë e stuhishme dhe historike. Do të ishte e mjaftueshme me kaq për secilën ditë të vitit. Por ja që doli një haluçinant dhe e ktheu një pjesë të saj në një ditë të harresës dhe të zhgënjimeve.
* * *
Babi në shesh… Xeni në Maldive
Habjon Hasani
Nuk përbën për askënd habi fryrja dhe ekzagjerimi i shifrave në tubimet dhe protestat që bëhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Dreqi ta hajë, tani që kemi “dhe google map”, llogaritja e perimetrit të protestuesve me dendësinë mesatare të protestuesve për metër katrorë mund të nxjerrë lehtësisht numrin e pjesëmarrësve, por ja që nuk është e thënë. 150 mijë protestues këndonte dje Berisha në Facebook-un e tij. I rrumbullakosin gjithnjë shifrat, 100 mijë, 200 mijë, 150 mijë, jemi mësuar tashmë. E vërteta është se i gjithë perimetri ku ishin shtrirë protestuesit e djeshëm nuk i kalonte 3 mijë e 500 metra katrorë.
Por le t’i bëjmë hesapet si demokratë. Le ta marrim perimetrin pak më të gjerë, jo 3.500 por 3.700 metra katrorë. Në një metër katrorë, maksimalisht qëndrojnë 4 persona. Vazhdojmë t’i bëjmë hesapet si demokratë dhe të presupozojmë se në të gjithë perimetrin e protestës dendësia e personave ka qenë maksimale. Rezultati mesatar del diku tek 12 mijë protestues. Duke hequr dorë nga përllogaritja optimale, me laps e kalem, del me garanci aritmetikore se janë më pak se 10 mijë. Pra në një farë mënyre, prezencën dhe pjesëmarrjen e djeshme në miting Berisha e ka 15 fishuar. A duhet të habitemi dhe nga kjo fryrje shifrash? Kur mendon se ekzagjerimi është bërë nga i njëti person që pak kohë më parë krahasonte rritjen ekonomike të Shqipërisë me atë të Gjermanisë, gabimi me 15-fish, ose gabimi me 1.500% duket lule.
Por sidoqoftë sheshi nuk ishte bosh dhe në thelb ata 5 apo 6 mijë persona që qarkulluan dje gjatë mitingut janë tregues se PD-ja e pas 23 Qershorit, gjeti forcën për të treguar se mundet të mbledhë në shesh më shumë protestues se Altin Goxhaj. Në njëfarë mënyre, protesta e djeshme ishte një lloj prove historike se deri në muajin shkurt 2014 Partia Demokratike nuk ishte shndërruar ende në një OJF. Në fakt, kemi të bëjmë me një provë që PD-ja kishte nevojë t’ia demonstronte vetes së saj më shumë se sa qeverisë. Më së shumti njerëzit që ndodheshin në atë shesh janë ose simpatizantë zakoni të PD-së, nga ata më të ethshmit e saj, militantët safi, ose njerëz që realisht janë në hall dhe përballen me probleme ekonomike dhe që gjejnë rastin të protestojnë duke e parë këtë nismë të PD-së si një rast që u leverdis për të thënë të vetën. Kjo kategori protestuesish është dhe më delikatja dhe që natyrisht duhet të bëjë të reflektojë çdokënd, aq më tepër qeverinë, ndaj së cilës drejtohej protesta. Vetëm se…ka një problem.
Shkëlzen Berisha dhe Armina Mevlani janë parë dje në biznes klas në kthim nga ishujt Maldive
Nëse dje zyrtarisht Berisha e konsideronte këtë protestë si një protestë kundër mashtrimit qeveritar ndaj qytetarëve dhe gjendjes së vështirë që sipas tij qeveria e re ka krijuar në vend, varfërisë etj, nga vetë familja biologjike e organizatorit të protestës vjen një përgënjështrim tronditës. Shkëlzen Berisha kthehej dje drejt Europës, së bashku me të dashurën e tij pas një jave intensive relaksi në ishujt Maldive. Nuk po i hyjmë hesapeve të biletave të këtij udhëtimi që shkojnë në 5 mijë euro në klasin biznes, shtuar këtu dhe kostot e hoteleve me 5 yje, etj. Këto do ishin thjesht detaje plotësuese të një kamje tashmë të ditur të familjes së Berishës.
Thelbi i kontrastit qëndron në dy aspekte të tjera: Së pari është tregues i faktit se protestën në emër të varfërisë dhe drejtësisë shoqërore po e udhëheq një familje Oligarke. Kjo është diçka që nuk ‘ngjit’ dhe stonon kaq shumë sa që nuk bind as vetë Xenin, i cili në javën e fundit është shungulluar në diell…në Maldivet e ëmbla. Së dyti, kontrasti mes Xenit në Maldive dhe babit të Xenit në shesh, është tregues i faktit se “Oligarkia Berisha” , jo vetëm që po i gëzohet pushimeve dhe shlodhjeve të shtrenjta në ishuj ekzotikë, por këtë luks të siguruar nga varfërimi i shqiptarëve në 8 vitet e fundit, jo vetëm që po e gëzon, por po e gëzon duke qenë e bindur se një pjesë të kamjes së krijuar në 8 vite mund edhe ta financojnë për të ndezur protestat që bëhen në emër të luftës kundër varfërisë apo papunësisë.
Me siguri që është një kontrast i fortë, një ironi e hidhur e shoqërisë dhe momentit historisë ku jetojmë kjo e familjes oligarke që pasi i varfëroi shqiptarët tani po i mobilizon dhe po i financon në protesta kundër varfërisë. Por nuk duhet të habisë kërrkënd. Psikanaliza dhe psikologjia e shpjegon shumë mirë se është në natyrën njerëzore, çdo kriminel që i bën bisht ndëshkimit, nis dhe beson më tepër në efiçencën e krimit. Ndaj dhe s’duhet të habitemi, sikur ca javë më vonë, po prapë babi i Xenit, të organizojë edhe ndonjë protestë për “Gërdecin”, për sa kohë janë të pandëshkuar e kanë luksin që edhe të bëjnë pallë me fitimet e paligjshme në ishujt ekzotikë por edhe të bëjnë protesta në Tiranë. Për këtë nuk i bëjmë dot fajtorë, nuk është në dorën e tyre ndëshkimi.
ZOTI I MADHE vepron dhe denon ne forma te ndryshme o salush i vogel,pak nga pak po
mbyllet rrethi,uroj per nje kohe te shkurtet te mbetesh i vetmuar……..!!!.