Viti 2012 shënon sipas Bankës së Shqipërisë 21 subjekteve financiare jobanka, për shkak të shtimit të dy subjekteve të reja me këtë profil. Dhënia e licencave gjatë vitit 2012 konsistoi në licencimin rishtas edhe të dy subjekteve financiare jobanka. Këto shoqëri të cilat aplikuan për të kryer veprimtari si subjekte financiare jobanka dhe u pajisën me licencë nga Banka e Shqipërisë, janë: “Platinium Investment” sh.p.k. dhe “Zig Factoring” sh.p.k., të cilat ofrojnë përkatësisht veprimtarinë e shërbimeve këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbimeve të tjera ndihmëse për këmbimin valutor (Platinium Investment sh.p.k) dhe veprimtarinë e faktoringut (Zig Factoring). BSH thekson që deri në muajin mars të vitit 2013, u finalizua dhënia e licencave për kryerjen e veprimtarisë së faktoringut edhe për dy shoqëri të tjera: “Balcan Factors Albania” sh.a. dhe “Profactoring Albania” sh.p.k., si dhe u vendos revokimi i licencës për mosfillim aktiviteti për subjektin “Zig Factoring” sh.p.k, duke e çuar në total katër numrin e subjekteve financiare jobanka te cilat operojnë në fushën e faktoringut. Për një periudhë tremujore (20.06.2012 deri 01.10.2012) u pezullua me kërkesë të vetë subjektit financiar jobankë, “M-PAY” sh.p.k, licenca e tij për të ushtruar veprimtari financiare, ndërkohë që pas kësaj periudhe licenca u bë efektive dhe subjekti vepron në treg duke ushtruar veprimtarinë për të cilën është licencuar. Gjithashtu në kuadër të ndryshimeve në ligjin për bankat në drejtim të njohjes së institucioneve të parasë elektronike dhe më vonë me plotësimet në kuadrin rregullator, disa subjekte kanë shprehur interesin për të kryer veprimtarinë financiare të emetimit të parasë elektronike.
