Në shtatorin e vitit 1992, krejt papritmas, miku im i vyer, Shaban Sinani, pa asnjë dyshim njëri ndër dijetarët më të çmuar në gjithë trevat shqipfolëse, më tha se, Ramiz Alia, i cili kishte tashmë disa muaj që nuk ishte më presidenti i Shqipërisë, kishte dëshirë të takohej me mua. Edhe unë kisha dëshirë të takohesha me të, nuk e kisha takuar asnjëherë më parë dhe, si ndodh rëndom, nuk do e takoja asnjëherë më edhe në të ardhmen.
Isha gazetar i “Zërit të Popullit”, dhe pa droje mund të them se isha ndër më kryesorët e asaj periudhe, kur shumë nga ata që për shumë vite kishin punuar aty, tashmë kishin ikur. Të ikurit ishin shpallur opozitarë fillimisht, pastaj ishin bërë një nga zërat e partisë që kishte ardhur në pushtet, Partisë Demokratike.
Ishim pak vetë në gazetë dhe na duhej të bënim disa shkrime në ditë. Ishin shkrimet e para kundër një regjimi që po vendosej ashpërsisht, përmes dhunës, dhe tash më vjen mirë që kam qenë nga zërat e paktë kundër kësaj politike të mbrapshtë. Të shkruash sot për “bëmat” e Sali Berishës është qejf, të shkruaje para dy dekadave për atë që kishte filluar të bënte ai, ishte e vështirë, për të mos thënë se ishte nga gjërat më të rrezikshme. Kisha thuajse çdo ditë nga një shkrim e më shumë se aq: njerëzit po largoheshin nga puna përmes disa copave letrash që i gjenin pas portave; këto kanë qenë largimet e para masive me urdhrin e një partie që po instalonte diktatin e saj; dhuna e rrugës, si kundërvënie e lirisë, po sundonte kudo, kishte një ngutje të jashtëzakonshme për rehabilitimin e kujtdo që kishte qenë i nëpërkëmbur në të djeshmen, deri edhe tek kriminelët e luftës; të burgosurit si agjentë të Serbisë, jo vetëm po rehabilitoheshin, por edhe ishin deputetë, ndonjëri edhe ministër apo në Gjykatën e Lartë; kisha serbe po hidhte rrënjët e para në veriun e vendit, ndërsa në jug kishte filluar shtrirjen kisha greke; enigma e vrasjeve të 2 prillit kishte rënë mbi gjithçka që mund të ndodhte në të ardhmen, përmes rrënimit njerëzit prisnin mrekullinë, por ajo nuk po vinte. Një qeveri që ,përmes mjegullës së politikës, po vidhte gjithçka kishte ardhur. Disa ditë para takimit kisha botuar në gazetë , në disa numra radhazi, shkrimin “Stop qeverive të tipit Vërlaci” dhe pikërisht në këtë kohë, krejt befas, më erdhi ftesa e ish-Presidentit të shtetit shqiptar, Ramiz Alia.
Një nxitje nga fati i babait
Nuk e dija përse më kërkonte, por edhe unë kisha dashur të takohesha me të. Ishte njëri ndër drejtuesit kryesorë të një pushteti që kishte shkuar, për më tepër, kishte qenë mik i babait tim, Zenel Islami. Enigmën e vrasjes së tim ati mendoja se do e kisha përmes rrëfimit të tij, pasi kishte ardhur koha të dija më shumë se sa kisha lexuar në dosjen e tij në Ministrinë e Brendshme, e po ashtu, edhe më tepër se do të lexoja disa vite më vonë në një dosje tjetër të tij, në Arkivin Qendror të Shtetit.
E gjithë kjo më është kujtuar këto ditë, kur njëra nga enigmat e kohës, ajo e Katovicës, doli edhe një herë në sipërfaqe, për tu pohuar një herë nga një njeri disi larg saj, e për tu mohuar dy herë nga dy njerëz që ndodheshin brenda saj. Ka më shumë se 20 vite që kjo histori përsëritet, herë pas here enigmat rreth saj janë shtuar, herë-herë gjërat kanë qenë më të qarta, por, sido që të ketë ndodhur, ajo është shfaqur e plotë në politikën shqiptare, e për fat të keq, është shfaqur më e dhimbshme se kudo tjetër. Edhe atë ditë, në vizitën e gjatë, disa orëshe me Ramiz Alinë, është biseduar për një gjë të tillë, megjithëse nuk është përmendur asnjëherë fjala Katovicë, marrëveshje apo diçka e ngjashme.
Kur unë shkova tek ai, i shoqëruar nga një njeri i çuar i zotit Alia, në katin e dytë të një pallati afër qendrës, njeriu i parë që takova ishte vjehrra e bijës së tij, shkodrane e vjetër, Mili, motra e heroit të popullit, Ahmet Haxhia, njëri ndër qëndrestarët e Vigut. Ne njiheshim prej viteve, mund të them se e njihja gjithë familjen e saj që kur kisha lindur, me nënë Lajën, e njohur për stoicizmin e saj e të tjerët. Duke qenë nip i Gjylbegajve, unë isha i lidhur njëkohësisht edhe me familjen e tyre.
Një poet bëhet shkaku
Në të vërtetë bisedën që ka lidhje me Katovicën nuk e fillova unë. Unë kisha shkuar në shenjë respekti për Njeriun që më kishte ftuar, por edhe për të ditur më shumë për jetën e vdekjen e babait tim. Kisha botuar pak ditë më parë një tjetër shkrim, “Unë, djali i Zenelit të Migjenit”, dhe e dija se Ramiz Alia ishte në dijeni të këtij fakti.
Nuk ndodhi ajo që prita në lidhje me historinë e babait tim. Zoti Alia më tha shkurt se asaj kohe, kur kishte ndodhur ngjarja me babanë tim, ai kishte qenë thjeshtë kandidat i Byrosë Politike, jashtë kësaj sfere, se kishte dëgjuar vetëm përciptazi për ngjarjen e kjo kishte qenë një punë për instancat e tjera të shtetit. Më tregoi për rehabilitimin e tij gjatë vizitës së Enver Hoxhës në qytetin e Pukës, por përsëri la pas vetes enigmën e mosdijes. Gjithçka ishte në natyrën e tij, hiqte diçka nga mjegulla e njëkohësisht hidhte pjesë të një mjegulle tjetër.
Bisedën për Katovicën, përmes një emri tjetër, e filloi poeti Frederik Reshpja, i cili erdhi pas meje, së bashku me një emigrant nga Lezha, dhe pasi qëndroi diçka më shumë se një orë, u largua përsëri.
Frederiku, me të cilin ishim miq të hershëm, botonte dhe drejtonte aso kohe një gazetë të ashpër kundër qeverisë. Gazetës i kisha gjetur unë emrin, dhe financohej nga Partia Socialiste, më saktësisht nga Shair Vukaj, i cili drejtonte PS ne Shkodër. Frederiku e respektonte zotin Vukaj, marrëdhënia mes tyre ishte jo e njëkahshme, ndoshta kjo e kishte bërë që ai, ish i burgosur politik, të ishte ndër kandidatët e PS-së në zgjedhjet e vitit 1992.
Pyetja që nxiti Udhëheqësin
Frederiku, si ishte në stilin e tij, e pyeti drejtpërsëdrejti:
Përse e bëtë këtë zgjedhje, përse zgjodhët Nanon e Berishën për të drejtuar shtetin? Ishte idea juaj apo ju a dha dikush tjetër këtë ide?
Zoti Alia nuk u përgjigj menjëherë. Ai kishte qëndruar pranë dritares dhe , pasi u mendua pak, i tha se kjo ishte rastësi, se ai nuk kishte pasur asnjë mundësi zgjedhje, por koha kishte qenë përcaktuese.
Frederiku, përsëri i drejtpërdrejtë, nuk e la të mbaronte fjalinë e tij, e cila do të ishte edhe më e gjatë se zakonisht, sikur përmes fjalëve të fshihte diçka që e dinte vetëm ai, dhe e ndërpreu:
-Zoti Alia, këtu jemi mes miqve, jemi tek ju, nuk ka prerje në besë, kush tjetër mund ta bënte këtë në mos do e bënit ju vetë. Ju kishit gurin, kishit arrën, kishit fuqinë për të shtypur arrën. Mes gjithë të tjerëve, ju përcaktuat dy komunistë. Çfarë marrëveshje keni bërë me to…
Nuk do të zgjatem me dialogun mes tyre, i cili dukej si në një teatër absurd, sepse njëri pohonte, tjetri mohonte, me atë qasjen karakteristike të njerëzve që dinë më shumë se kaq e nuk mund ti thonë të gjitha. Më pas, Frederiku botoi diçka në lidhje me këto biseda, por përsëri ishte gjithçka e njëanshme.
Vetëm për vetëm me Ramizin
Frederiku, së bashku me atë djalin lezhnjan, emigrant në Itali, u larguan. Më kishte mbetur mendja tek ato që kishte thënë poeti i disa herë dënuar, tek një enigmë që përcillte gjithçka që po ndodhte dhe vetja më dukej naiv që gjithçka e kisha marrë shumë seriozisht, sa kisha rrezikuar edhe veten.
Përballë meje ishte njeriu që i dinte të gjitha, ndoshta edhe i kishte përgatitur vetë të gjitha ato që kishin ndodhur, por , si duket, ose i kishin dalë nga duart pejzat e lojës politike që kishte thurur, ose kishte marrë një paralajmërim të ashpër që të heshtë. Në të vërtetë, edhe më pas, me heshtjen si shenjë e mosndëshkimit, do të ndeshesha edhe më pas, por asaj dite, pasi nuk kisha mësuar asgjë më shumë për ndodhinë me babanë tim, ndonëse isha tek njëri nga miqtë e tij të rinisë, kisha ende diçka më tej se ajo që mund të quhet e imja, personale.
Nuk e dija ende përse më kishte thirrur, gjithë ajo që kishim biseduar deri atë moment kishte pasur lidhje me mua, me ndërprerjen që bëri ardhja e shkuarje e Frederikut dhe me enigmën që ishte krijuar.
Asaj dite, për herë të parë, pas më shumë se dy orëve, unë kisha një pohim, ndonëse jo të plotë, se gjithçka kishte filluar tek zyra e tij, në mendimin e tij dhe të dikujt tjetër që ishte shumë pranë tij. Ai nuk kishte pasur kurrë besim tek anëtarët e tjerë të udhëheqjes, i kishte mbajtur afër se kishte pasur droje fillimisht prej tyre, por pastaj nuk kishte gjetur rrugë tjetër për të qenë larg tyre, vetëm duke i joshur me premtimin se përsëri ato do të jenë aty, Zot të fatit të vendit, jo vetë ata, por pinjollët e tyre, të afërmit, njerëzit që do të zgjidhnin vetë ata. Ai vetë kishte menduar gjatë për këtë zgjedhje, për të pasur një rrugë krejt tjetër, disi të pamenduar nga të tjerët, por që ishte qartësisht e lexueshme në mendimin e tij.
E kisha pyetur përse shteti u shkërmoq ashtu, si një letër e vjetër, përse gjërat nuk kishin lëvizur më parë nga vendi, kur duhej të ishin lëvizur, përse një herë, në fjalimet e tij na jepte kumtin e shpresës se gjërat do të ndryshojnë, e disa ditë më pas, na sillte haberin e mos-ndryshimit.
Disa incizime të konservuara
Besoja se ai kishte diçka për mua, ndoshta kishte një nevojë për mua, jo si djali i Zenelit, por si një gazetar i njohur, i cili, për më tepër, edhe sapo ishte zgjedhur në organet e larta drejtuese të PS. Nuk e dija se çfarë mund të ishte e gjithë kjo, kur më në fund, ai më tha të dëgjoja disa biseda të incizuara mes tij dhe të disa prej atyre që më pas do të ishin në drejtimin e pluralizmit në Shqipëri. Ishin biseda të zvarritura, ku kishte hutim, ngecje, ngurrim, por edhe besnikëri. Ishte përsëri diçka jashtë mendjes sime, kisha çar sinqerisht se gjithçka po bëhej për të mirën e një vendi që sapo kishte dalë nga rrënojat e një politike të mbrapshtë, kurse e vërteta ishte se nuk do të kishte ndërrim të erës, por vetëm të kuajve që do e tërhiqnin atë.
Po rrija në atë dhomë të vogël, ku kishte vetëm një raft librash, një kanape tre-vendëshe dhe një kolltuk, ku rrinte vetë Ai, dëgjoja fjalët e tij, të cilat nuk do të ishin të njëllojta me shpjegimet e më pasme dhe kur do të largohesha më premtoi se shpejt, shume shpejt do të kisha një kopje të incizimeve të bëra.
Kam qenë i bindur asaj dite, por jam i bindur edhe tash se, e gjithë ajo që donte të krijonte rreth vetes, ishte një mbështjelle mbrojtje, sepse tashmë lojërat e nisura prej tij kishin dalë jashtë kontrollit, dhe gjithçka mund të binte mbi fatin e tij. Një ditë më pas, ende nën ndjenjën e çuditshme të një takimi ku kisha shkuar me një shpresë tjetër, botova pjesë të bisedës sonë, pa e ditur se kjo kishte qenë një fragment i asaj që do të njihej nën okelion “Katovica”.
E gjithë kjo, tash, pas njëzet e ca viteve, do e kishte humbur rëndësinë e saj, nëse nuk do të ndodheshim para një Katovicë të re, e cila, qofsha i gabuar, mund të jetë edhe më e rrezikshme se e para. Kjo Katovicë e re mund të përmblidhet tepër shkurt nën pyetjen se kush e solli Lulëzim Bashën në politikën shqiptare, cila Katovicë e re u bë shkaku i kësaj ardhje, cila marrëveshje pret të zbulohet, cila enigmë fshihet pas saj. Enigma e re ende nuk ka filluar të zbardhet, jo se kërkon kohë, por sepse edhe sot, sa herë që mund të ndodhë një gjë e re, nxirret nga sirtari fillesa e pluralizmit, e cila sado e mbrapshtë të ketë qenë, nuk është asgjë me atë që vjen në ditët e ardhshme.
Nga vjen e ku shkon Lulëzim Basha? Cila Katovicë e solli atë në politikën shqiptare? Kjo është një temë tjetër, e cila nuk i takon këtij shkrimi…
Kush është Bedri Islami:
Ish-gazetar i Zërit të Popullit, disident që në ditët e para me ardhjen e Berishës në pushtet. Nip i atij që quhet “Luli i Vocërr” prej nga u frymëzua Migjeni për kryeveprën, në vitet ’90 Islami emigroi jashtë vendit dhe u lidh me rezistencën kosovare. Shumë shpejt arriti të bëhet pjesë e lidershipit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e nuklit të saj, Islami konsiderohet si njeriu që sot mban arkivën e fshehtë të shërbimit sekret të rezistencës kosovare. Në Kosovë Islami është një ndër autoritetet më të respektuara dhe i njohur për lidhjet dhe ndikimin në qarqe të larta politike. Aktualisht Bedri Islami jeton me familjen në Gjermani.

Katovica ekziston si qytet në poloni, ekziston si praktikë në shqipëri,mbetet të formësohet si teori? Por ka edhe linja te tjera që të çojnë te “katovica pa katovicën” d.m.th te një realitet katovician shqiptar edhe duke mos e marë parasysh platformen polake te saj!? Investigoni vetëm pse dy partitë e medha kane krijuar rrethin vicioz te pushtetit ku nuk lejohet asnje hapesirë për të tjeret. Brenda ketij rrethi jane mare vesh sa here u ka dashur qejfi dhe gjithnjë në fshehtësinë më të madhe!?
VR! “Katovica shqiptare pa katovicën polake” Katovica ekziston si qytet në poloni, ekziston si praktikë në shqipëri,mbetet të formësohet si teori? Por ka edhe linja te tjera që të çojnë te “katovica pa katovicën” d.m.th te një realitet katovician shqiptar edhe duke mos e marë parasysh platformen polake te saj!? Investigoni vetëm pse dy partitë e medha kane krijuar rrethin vicioz te pushtetit ku nuk lejohet asnje hapesirë për të tjeret. Brenda ketij rrethi jane mare vesh sa here u ka dashur qejfi dhe gjithnjë në fshehtësinë më të madhe!?