BEHXHET GASHI
Në prag të 21-vjetorit të masakrës së Reçakut, Kosova, bota shqiptare, por edhe më gjerë, u përballën me një veprim tjetër të turpshëm të presidentit serb Vuçiç, i cili, në vend që të kërkojë falje publike për atë vepër kriminale makabër të dy dekadave më parë, ku forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 shqiptarë të pafajshëm, gra, burra të moshuar dhe fëmijë, paturpësisht, deklaron se kjo masakër është një trillim. Ky mohim i ngjarjes së ndodhur në Reçak, në 15 janar të vitit 1999, u prit me indinjatë dhe me kundërshtime, jo vetëm në Kosovë, por në tërë opinionin dhe kancelaritë botërore.
Një indinjatë të tillë dhe reagime të forta për këtë masakër pati në opinionin ndërkombëtar qysh kur ajo ndodhi, në janarin e vitit 1999, dhe më pas. Ato ditë, në shtypin botëror u ndie një nivel i lartë sensibilizimi. Media dhe shtypi i huaj pasqyruan dhe i dokumentuan botërisht bashkësisë ndërkombëtare krimin e kryer në Reçak nga serbët e Millosheviçit.
Në hulumtimet që kam bërë për realizimin e punimit tim për Master shkencor në Histori, lidhur me Konferencën e Rambujesë, unë jam përqendruar në shtypin frankofon, në disa gazeta prestigjioze, franceze, zvicerane dhe belge. Në faqet e tyre kam gjetur mjaft dëshmi, konsiderata dhe argumente, që vërtetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se në rastin e Reçakut kemi të bëjmë me një krim kundër njerëzimit.
Theksoj se është e padiskutueshme merita e Uilliam Uolkerit, shef i Misionit Vëzhgues në Kosovë, që e bëri publike këtë ngjarje, që kjo masakër, siç edhe ka theksuar sekretarja amerikane e Shtetit, Ollbrajt, “nuk mbeti e pazbuluar. Kjo ndodhi, sepse Uolkeri foli”.
Duke dëshmuar këtë krim para gjithë botës, gjenerali Uolker bëri të pamundur fshehjen e masakrës nga auroritetet serbe. Madje, ai kërkoi me forcë që të kryhej menjëherë një hulumtim i besueshëm ndërkombëtar për këtë krim monstruoz. Kjo bëri që ngjarja tragjike e Reçakut të trondiste botën, të shkundte diplomacitë ndërkombëtare për të kthyer më në fund sytë nga Kosova, për të pranuar, tashmë, se ekzistonte një “çështje e Kosovës”.
Gjatë studimit të gazetave frankofone, si Le Monde, Liberation, Figaro, Le Soir, Le Temp etj., mësova shumë të vërteta, si për vetë ngjarjen e 15 janarit në Reçak, ashtu edhe për qëndrimet e organizmave dhe të personaliteteve shtetërore ndërkombëtare, që e dënuan me forcë gjenocidin serb të kryer aty.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, deklaroi se është shokuar nga ngjarja. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Joschka Fischer, në emër të Bashkimit Europian shprehu tmerr e urrejtje. Për presidentin amerikan, Bill Klinton, vepra e Reçakut ishte një shkelje e hapur e premtimeve që autoritetet serbe i kishin bërë NATO-s.
Edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së njoftonte që do të mblidhet urgjentisht, në Nju Jork, për ta analizuar situatën.
Vetëm Rusia qëndronte memece!
Në shtypin e atyre ditëve theksohej se masakra e Reçakut, fshat i njohur si një nga bazat e UÇK-së, ishte një akt shumë i rëndë, që u bë për të terrorizuar popullin shqiptar të Kosovës, për ta nxitur atë që të ikë, të braktisë trojet e veta. Gjithashtu, nënvizohej se ky akt mizor u krye me urdhër të Beogradit.
Nga shtypi, bota mësoi shpejt se Uilliam Uolkeri shkoi vetë në vendndodhjen e krimit të nesërmen, më 16 janar, dhe pa nga afër mizorinë e serbëve. Pa asnjë hezitim, ai do të deklaronte para mediave se: Këtu është bërë një krim kundër njerëzimit. Uolkeri tregoi se kishte parë një skenë të tmerrshme: kufoma të përziera, sipër njëra-tjetrës, në një përrua pranë rrugës kryesore të Reçakut. Pjesa më e madhe e të vrarëve ishin të shpërfytyruar nga plumbat, që qenë gjuajtur drejtpërdrejt në kokat e tyre. Më poshtë, të tjerë të shtrirë, të shpërndarë mbi akull. Dy ishin me koka të prera. Mes tyre, dy femra të reja, nën moshën 18-vjeçare, të vrarë me plumb mbas shpine, dhe një fëmijë 12-vjeçar. Për këtë krim ai akuzoi pikërisht forcat e policisë dhe të ushtrisë serbe.
Në shtypin e kohës, theksohej se pikërisht ditën e masakrës, më 15 janar 1999, në Prishtinë po zhvillonte mbledhjen e saj qeveria e Serbisë, ku të katër kryesuesit e saj, midis të cilëve edhe lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, shefi i Vuçiçit, kërcënuan haptazi popullin e Kosovës, duke deklaruar se “do t’i qëronin hesapet deri në fund me terroristët shqiptarë”.
Por nga studimi i imtësishëm i gazetave frankofone, del kontributi i tyre për të paraqitur realitetin dhe sidomos prirja për ta përshkruar ngjarjen në bazë të informatave të marra nga terreni, duke treguar se kush ishin këta “terroristë”. Duke hedhur poshtë përpjekjet që bënin autoritetet serbe për ta paraqitur atë krim barbar ndaj një mase civilësh të pafajshëm, si një kundërveprim ndaj terrorizmit, mjaft shkrime nënvizonin se faktet dhe dëshmitarët okularë flisnin për të kundërtën, se “terroristët” e vrarë ishin thjesht civilë të moshuar, gra dhe fëmijë të paarmatosur. Policët serbë “të maskuar”, shkruanin autorët e shkrimeve, kishin hyrë në fshat, thyen dyert e shtëpive, detyruan gratë, fëmijët dhe burrat të dalin dhe i ekzekutuan. Ishin të shumtë ata gazetarë dhe vëzhgues të huaj që pohonin në shtyp e në media se atë ditë në Reçak kishin parë vetëm kufoma me veshje civile.
Në gazetën Le Monde, të datës 19 janar 1999, jepet rrëfimi i ambasadorit Uolker, i cili, ndër të tjera, thekson: “Kam shkuar në zona të tjera lufte, kam qenë dëshmitar i akteve tmerruese, por ky i tejkalon të gjitha ato që i kam parë më parë”. Uolkeri e përcakton ngjarjen “një masakër, një krim kundër njerëzimit”, i kryer gjakfohtësisht dhe jo në luftime. Më tej, diplomati amerikan thotë: “Është një shkelje e dukshme e të drejtave dhe të rregullave të luftës” dhe u kërkoi autoriteteve jugosllave të japin emrat e fajtorëve dhe emrat e atyre që kanë dhënë urdhrin për të bërë këtë masakër. Gjithashtu, ai kërkoi që “brenda 24 orësh” t’u lejohet ardhja hetuesve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, pasi “kemi prova mizorish, mbajtjesh arbitrare dhe vrasjesh”.
Ndërsa Beogradi jo vetëm që nuk lejoi shkuarjen e hetueseve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar në Reçak, por dha urdhër që shefi i MVK-së, Uolker, të largohej brenda 48 orëve nga Kosova dhe nga ish-Jugosllavia e mbetur (!)
Mediat botërore që e shoqëruan Uolkerin në vendngjarje e njoftuan menjëherë këtë masakër. Duke lexuar me vëmendje shkrimet e botuara në atë kohë, vëmë re që ngjarja trajtohet në forma të ndryshme. Pati në shtypin botëror edhe shkrime kontradiktore dhe çorientuese për publikun. Kjo, sepse disa gazetarë dhe të dërguar specialë raportonin në bazë të burimeve që ua shërbente Qendra për Informim e Serbisë. Është fakt që autoritetet serbe njoftuan ato ditë një version krejt të kundërt për ngjarjen, duke deklaruar se gjoja në Reçak kanë kapur armë dhe kanë vrarë “disa dhjetëra terroristë, më shumë se gjysma e të cilëve mbanin uniforma me emblema të UÇK-së”.
Duke e paraqitur ngjarjen si inskenim nga ushtarët e UÇK-së, serbët synonin ta mohonin kryerjen e masakrës, të krijonin pështjellime rreth saj, të shpërqendronin vëmendjen e ndërkombëtarëve për situatën në të cilën ndodhej Kosova. Nuk mungoi në shtypin e atyre ditëve edhe ndonjë shkrim që e shihte këtë vepër krimi si të organizuar nga SHBA, nisur thjesht nga fakti se Uilliam Uolker ishte amerikan dhe se, sipas autorëve, amerikanët ishin të interesuar të ndërhynin ushtarakisht kundër Jugosllavisë.
Pra, edhe pse faktet flisnin qartë që vrasjet ishin bërë nga policia dhe ushtria serbo-jugosllave, kishte gazeta që përpiqeshin ta shtrembëronin të vërtetën. Në grup gazetarësh merreshin në shkrimet e tyre me gjëra anësore, me fakte të tilla, si: a kishte shumë apo pak gëzhoja rreth trupave të vrarë etj.!!! Ata anashkalonin faktet që po tregonin përditë se Millosheviçi e kishte mbushur kupën dhe nuk kishin parë ose nuk donin t’i shihnin veprimet ushtarake të kasapit të Ballkanit kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, as paralajmërimet e bëra që më parë nga krerë të politikës serbe se në Kosovë do të ndodhnin krime të tjera.
Megjithatë, shumica e shkrimeve të botuara në gazetat frankofone që kemi analizuar, i përmbaheshin të vërtetës objektive, lidhur me Reçakun. Gazeta Le Monde, e datës 19 janar 1999, në artikullin e saj Do të ketë Reçakë të tjerë, theksonte: “Të mos shtiremi si të befasuar, as si të habitur... Sepse e dinim se çfarë pritej. E dinim që këto pamje të tmerrit të Reçakut ishin pothuajse të programuara. E dinim që kjo maskër ishte paralajmëruar vazhdimisht që nga momenti kur ushtarët në shërbim të „serbizizmit të madh“ të Sllobodan Millosheviçit filluan të martirizojnë popullsinë civile, të cilën po përpiqen ta nënshtrojnë sot në Kosovë, sikurse dje në Kroaci apo dhe në Bosnjë…“.
Më hapur s’ka ku të vejë. Më poshtë, artikulli në fjalë jep shumë qartë skenarin e krimit në Reçak, të organizuar dhe të urdhëruar nga Millosheviçi. Në këtë shkrim theksohet: pas vrasjes së një polici serb, ushtarë serbë me uniformë, por me maska, rrethojnë fshatin, marrin burrat, që kishin mbetur aty, dhe i vrasin një nga një, me nga një plumb në kokë, duke i lënë aty kufomat – dyzet e pesë persona, dy gra dhe një fëmijë dymbëdhjetë vjeçar.
Sipas shumë gazetave, falë denoncimit dhe qëndrimit të vendosur dhe të prerë të ambasadorit Uolker, rasti “Reçaku” vuri menjëherë në lëvizje strukturat ndërkombëtare, si ato diplomatike, edhe ato ushtarake. Kjo masakër shërbeu si një shkundje për mbarë opinionin ndërkombëtar, duke dhënë të kuptohej se Kosova ishte në luftë dhe se çështja e Kosovës ishte e ngjashme me atë të Bosnjës. Kështu shkruan në gazetën Le Temps, 20 janar 1999, Luis Lema, shef i rubrikës ndërkombëtare. Me një frymë tepër kritike, ai shprehet se konflikti në Kosovë ka karakter përsëritës, por Perëndimi dhe Europa nuk ishin të vendosur. Konflikti i Kosovës, theksonte ai, pason atë të Bosnjës. Kurse Eduard van Veltham, i gazetës Le Soir, shkruante më 18 janar 1999 se Reçaku ishte një goditje e ashpër edhe për vetë komunitetin ndërkombëtar, që qëndron prapë para pasqyrës, duke «mallkuar» pafuqishmërinë e tij. Me dylbitë në një dorë dhe fletore në tjetrën, vëzhguesit e OSBE-së mundën vetëm të numërojnë viktimat dhe të hetojnë vendet e shkatërruara vetëm pas betejave.
Reçaku, nënvizonin gazetat, të kujtonte tmerrin e Vukovarit, të bërë shkrumb e hi, masakrën e egër të Sarejevës; tmerret pas bombardimeve të Mostarit etj.
Pierre Lefèvre, i gazetës Le Soir, vë në dukje se rasti i Reçakut, jo vetëm shkaktoi dhjetëra viktima të pafajshme, por trazoi edhe ndërkombëtarët. Ai shkruan: “Diplomati amerikan Hollbruk, që ia kishte marrë me zor [Millosheviçit] një armëpushim në tetor, ka vlerësuar që Jugosllavia dhe NATO janë në buzë të një krize të madhe”. Ndërsa Pierre Hazan, i dërguar special i gazetës Le Temps, shkruan se pas vendimit të Millosheviçit për të dëbuar Uilliam Uolkerin, qëndrimi i vëzhguesve të OSBE-së u vu në pikëpyetje. Këta, pasi kishin mbledhur mjaft dëshmi brenda ditës, me frikën se ato do të zhdukeshin dhe do të shkatërroheshin nga serbët, anuluan lëvizjet e mëtejshme dhe përgatitën valixhet. Gazetari citon një diplomat europian të ketë thënë: “Nëse OSBE largohet, kjo për serbët duket si një thirrje për të bërë masakër. Parimisht, a duhet të shpëtojmë jetë apo të mbajmë kredibilitetin tonë para shtetit jugosllav, duke ndërhyrë ushtarakisht?”.
Në një shkrim të Labaki Maroun, Gazeta Le Soir, e datës 18 janar 1999, thekson: ”Tani duhet që «komuniteti ndërkombëtar» – siç quhet çuditërisht – të bëjë një goditje të madhe. NATO-ja mund të vendosë pikërisht për një bombardim ajror ndëshkues mbi pozicionet ushtarake serbe”. Gazeta citon, gjithashtu, zëdhënësin e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë të ketë thënë: “Koha e bisedimeve dhe e dredhive juridike ka kaluar. Është ora e veprimit”. Ndërsa Zhan-Zhak Frank, i dërguari special i kësaj gazete, shkruante më 18 janar 1999 se, pa dyshim, Arbour ka informata që mund ta shtynin Këshillin e Sigurimit apo NATO-n, ndoshta të dyja, që të merrnin, më në fund, masa për t’iu kundërpërgjigjur Beogradit, për përbuzjen që kishte treguar ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.
Pra, edhe në shtyp po dilte gjithnjë e më shumë në skenë opsioni për t’i dhënë Millosheviçit një mësim përmes forcës së armëve. Në artikullin e gazetës Le Soir: Mbas Reçakut, duhet reagim i shpejtë…, botuar më 19 janar 1999, citohet ministri i Jashtëm francez, Vedrin, të ketë thënë se presioni i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë maksimal. Kërcënimi me goditje ajrore mund të realizohet. T’ia rikujtojmë NATO-s që urdhri i aktivizimit, që iu dha forcave ajrore të Aleancës në tetor 1998, vetëm është i pezulluar, ndaj mund të zbatohet brenda disa ditëve.
Shtypi i kohës nuk mungoi t’u bënte jehonë edhe protestave që u organizuan në vende të ndryshme kundër krimit makabër serb në masakrën e Reçakut dhe në mbështetje të idesë se duhet një reagim i vendosur i strukturave ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Millosheviçit. Në radhën e parë të këtyre protestave qëndronte komuniteti i shqiptarëve të Kosovës në emigracion dhe mbarë shqiptarët e diasporës nëpër botë.
Siç shkruante gazeta Le Temps, e datës 20 janar 1999, ‘Të shokuar dhe të mbushur me indinjatë të thellë rreth 5000 kosovarë u mblodhën në Gjenevë për të protestuar kundër tmerrit të masakrës së Reçakut dhe për të denoncuar autorët e këtij krimi makabër, regjimin serb dhe kasapin Millosheviç. Grumbulli i fëmijëve mbante banderola me emrin dhe moshën e një fëmije të masakruar në Reçak….. Ueili Leuenberger, drejtor i l’Université Populaire Albanaise (Universiteti Popullor Shqiptar) dhe në emër të shoqatës Solidarité Genève-Kosove (Solidariteti Gjenevë-Kosovë), i bëri thirrje popullsisë të reagonte ndaj masakrave të bëra nga serbët në Reçak. “Burra, gra dhe fëmijë janë vrarë si kafshë nga kasapët e egërsuar dhe të drejtuar nga regjimi fashist i Beogradit”, tha oratori.
Gazetat theksonin se njerëzit protestonin edhe për faktin se ndërkombëtarët nuk bënë asgjë për të ndalur tmerret e shkaktuara nga ushtria serbe në Kosovë, si dhe kërkonin me forcë që Milosheviçi me ekipin e tij të merrnin ndëshkimin e merituar dhe shqiptarëve të Kosovës u duhej dhënë e drejta për të vetëvendosur. Protestuesit u kërkonin hetuesve ndërkombëtarë që të hidhnin dritë mbi të vërtetën e Reçakut, në mënyrë që shpata e drejtësisë të binte mbi urdhëruesit dhe zbatuesit e asaj masakre çnjerëzore.
Së fundi, theksojmë se, në këtë situatë, një rol aktiv aktiv luajti edhe shteti shqiptar, i cili intensifikoi lëvizjet diplomatike dhe kërkesat e tij në favor të Konferencës ndërkombëtare për Kosovën dhe të zgjidhjes njëherë e mirë të problemit të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, duke paraparë edhe mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake të NATO-s kundër Serbisë. Shqipëria edhe më parë e kishte ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave politike të popullit shqiptar në Jugosllavi, për normalizimin e gjendjes në Kosovë, nëpërmjet zgjidhjeve politike etj. Qeveria shqiptare e konsideronte këtë një çështje urgjente, sepse shenjat në Kosovë tregonin për një zhvillim që mund të kishte pasoja për stabilitetin në Jugosllavi dhe në tërë rajonin e Ballkanit etj.
Edhe më pas qeveria shqiptare u impenjua me pozicionin e saj të qartë për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Për këtë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s i tha ambasadorit të Shqipërisë, Kuko, se: “Përgjegjësia e Shqipërisë, në rastin konkret, është e dyfishtë, e para, të kontribuojë në unifikimin e shqiptarëve të Kosovës dhe e dyta, të influencojë që ata të paraqiten me një platformë unike dhe realiste në procesin e bisedimeve”. Tirana zyrtare ndoqi një politikë të moderuar dhe ekuilibruese, si dhe luajti rolin e saj moderator lidhur me Kosovën, që forcat politike shqiptare në Kosovë të flasin me një zë, madje, kërkoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i vëzhguesit në Konferencën e Rambujesë.
Njohja e opinionit ndërkombëtar me masakrën e Reçakut, nëpërmjet shtypit, e tronditi botën dhe i bëri kancelaritë Perëndimore të pranonin faktin dhe të bëheshin të vetëdijshme të shtronin çështjen: „A duhet, tani, menjëherë, të përdorim goditjet ajrore, me të cilat NATO-ja ka kërcënuar forcat serbe?”. Kështu, rasti “Reçaku” shkaktoi një kthesë të fortë në qëndrimin e diplomacisë Perëndimore, e cila vendosi t’i japë një shans të fundit paqes, duke organizuar Konferencën e Rambujesë. Nga ana e saj, Organizata Atlantike nisi menjëherë nga masat praktike, nga përgatitjet ushtarake, nga vënia në gatishmëri, duke parashikuar nevojën e goditjeve ajrore kundër Serbisë.
Pra, mund të themi se edhe jehona që ajo pati në shtypin botëror qe për diplomacinë ndërkombëtare një kambanë e fortë për t’u marrë seriozisht me “çështjen e Kosovës”. Shtypi dha alarmin dhe ndikoi drejtpërdrejt që masakra e Reçakut t’u paraprinte proceseve që çuan deri tek fushata e bombardimeve të NATO-s kundër objektivave ushtarake në Serbi.
Sot, në 21-vjetorin e masakrës së përbindshme të Reçakut, kur kujtojmë me dhimbje dhe veneracion jetët e pafajshme të Kosovës martire të humbura më 15 janar 1999, i tërë opinioni ndërkombëtar dhe kancelaritë perëndimore i quajnë të papranueshëm dhe të dënueshëm faktin që ende Serbia agresore nuk ka kërkuar falje publike për krimin e kryer, si dhe qëndrimin e turpshëm të Millosheviçit të ri, Vuçiç, i cili, me mohimin e ngjarjes dhe me retorikën e tij nxitëse po tregon se mbron krimet e rënda të luftës që Serbia ka kryer ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe se, ndërkohë që mëton të futet në BE, i ka mbetur ora prapa, në kohën e kasapit të Ballkanit.
Në reagimin e Bashkimit Europian ndaj qëndrimit të Vuçiçit thuhet qartë se “nuk ka vend për të mohuar ngjarjet që kanë ndodhur në Reçak në vitin 1999 dhe se pikëpamje të tilla janë në kundërshtim me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”.
Ndërsa deklarata e ambasadës së Zvicrës i kujton Vuçiçit se: “Çdo deklaratë për ngjarjet rreth konfliktit duhet të jetë e bazuar në fakte dhe të tregojë respekt për viktimat dhe familjet e tyre. Dënimi i krimeve të luftës duhet të sfidohet, sidomos kur bëhet fjalë për përfaqësues të institucioneve shtetërore”.
