Në ceremoninë e organizuar me rastin e 21-vjetorit të themelimit të FRESSH-it, kryetari i PS-së Edi Rama u shpreh i bindur se Forumi Rinor do të luajë një rol vendimtar në atë që socialistët e cilësojnë si Rilindje të Shqipërisë. Sipas Ramës, përmes fitores së socialistëve në zgjedhjet e qershorit do të rilindë edhe Shqipëria.
“Faleminderit të gjithë atyre që një vit më parë ishin këtu dhe faleminderit të gjithë atyre që erdhën gjatë këtij viti. Ju të gjithë bashkë, vajza dhe djem, që ishit dhe u bashkuat në këtë rrugëtim, gjatë një viti të REFRESSH-it e rilindem FRESSH. Faleminderit dhe gjithë më të rriturve që i dhanë një dorë bujare kësaj rilindjeje. Jam i bindur që kjo organizatë, sot 21-vjeçare do të luajë një rol vendimtar. Le ta shijojmë sot edhe faktin që ndërsa FRESSH bëhet 21 vjeç, një numër i madh 21-vjeçarësh i janë afruar FRESSH-it. Ju provuat se gjërat mund të bëhen ndryshe. Fale jush unë sot jam i bindur se ne jo vetëm do të fitojmë zgjedhjet e qershorit, por me fitoren ne do të rilindim Shqipërinë.”- u shpreh Rama.
Rama theksoi se Rilindja që do të sjellë PS do të sjellë drejtësi për shqiptarët.
Fokusuar tek taksat, Rama vuri në dukje se taksat do të përgjysmohen për popullin dhe do të rriten për qeveritarët.
“Qeveritarët e nesërm do paguajnë më shumë taksa se sot. Infermierët, mjekët, mësuesit do të paguajnë taksa më pak se sot. Kryeministri do jetë taksapaguesi më i madh në sektorin publik. Normalisht duhet të ishte presidenti, por besoj se do kemi miratimin e shumicës për çdo deklaratë që do bëjë për Vitin e Ri me qëllim ngritjen e humorit të popullit shqiptar”.
Një pjesëmarrje e veçantë ka qenë ajo e aktorit të spektaklit “Portokalli”, Flori, i cili ka imituar personazhin që nxjerr më mirë, kryetarin e PS Edi Rama, të cilit i ka dhuruar edhe një portokall.
“Unë nuk e di kush është bërë më i famshëm nga njëri-tjetri, ky nga unë apo unë nga ky. Por, meqenëse më dha portokallin, unë po i jap kollaren time”, është përgjigjur Rama me humor. (foto)