Prapaskenat e Lazaratit në Tiranë

anazapta

Beteja për Lazaratin është shumë më e hershme. Përpara se fjalën ta merrnin kallashnikovët e policisë dhe të forcave speciale në jug të vendit, ajo kishte nisur në Tiranë. Ende nuk është bërë publike se beteja ka nisur shumë më herët në kryeqytet, në dy nga godinat më të rëndësishme të shtetit shqiptar që ndodhen në aksin e Bulevardit Dëshmorët e Kombit: nga ndërtesa e Këshillit të Ministrave tek Ministria e Brendshme. Ishte si skenari i një teatri real, të frikshëm, me shumë pikëpyetje që pati madje, edhe një provë e sprovë gjenerale përpara aktit final. Këtë javë, tani që e pamendueshmja ndodhi, janë edhe një sërë shenjash, kumtesh dhe detajesh, të cilët, në momentin që kanë ndodhur dhe veç e veç njëra-tjetrës nuk tregonin asgjë, por që sot, provojnë pikërisht këtë gjë: vullnetin e fortë të qeverisë shqiptare dhe vendimin e saj të hershëm për t’i dhënë fund feudit të paligjshmërisë në Lazarat.

Nga tetori në maj

Burime krejtësisht të rezervuara dëshmojnë se ideja e shpalljes së luftës kundër prodhimit të hashashit dhe ndërhyrjes në Lazarat, ishte një ide që kaloi në të paktën tre faza, kryesisht larg syve të publikut dhe me dëshmitarë e protagonistë që nuk e kalojnë numrin e gishtave të një dore. Edi Rama, kryeministër, i pari dhe më pas, Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm, e kanë vendosur një gjë të tillë dhe e kanë diskutuar paraprakisht që në tetor të vitit të kaluar. Të sapohyrë në zyrat e shtetit, ideja se mund dhe duhej të ndërhyhej në Lazarat, ka qenë në fazën e vet fillestare. Më shumë një dëshirë dhe vullnet politik sesa një akt i planizuar dhe i mirëfilltë policor. Sepse e tillë ishte situata dhe i tillë ishte miti i krijuar mbi fshatin e hashashit, plus dhe ngarkesën e pafundme politike që e shoqëronte pashmangshmërisht një gjë të tillë. Në thelb, trupa policore nuk kishte ndryshuar, por kishte ndryshuar koka komanduese e saj dhe mbi te gjitha, vullneti politik i shumicës së re qeverisëse.

Në dhjetor, me shtyrjen e datës për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, ideja u rikthye sërish. Me të njëjtën ngarkesë politike, por e shfaqur edhe si një nevojë për të dëshmuar përpara partnerëve ndërkombëtarë vullnetin për të luftën kundër trafikut dhe prodhimit të drogës. Kurse në javën e dytë të majit, atëherë kur rrota “fatkeqe” e avionit të italianit të drogës ngeci në rërë, plani i ndërhyrjes në Lazarat u bë emergjent, pavarësisht se nuk ishte lënë asnjë çast në heshtje. Pikërisht ky ishte momenti i fundit të dyzimit dhe çdo dileme të natyrshme për të ndërhyrë me forcën e forcave policore dhe të ligjit në fshatin ku ligjin e bënte antiligji.

Deri në atë moment, qeveria, kishte ende shpresë se do ta fitonte këtë betejë me bllokimin e trafikut në rrugë tokësore, duke rritur kontrollin në vijën bregdetare e porte, duke bllokuar me blloqe betoni aeroportet si dhe duke shtuar bashkëpunimin me dy fqinjët, Italinë dhe Greqinë. Në betejën që zhvillohej në terren nga policia dhe në Kuvend e media nga politika, shifrat që servirte Ministria e Brendshme, në mënyrë tërësisht paradoksale nuk mjaftonin më për t’u quajtur sukses i saj. Edhe pse thuhej se për çdo kilogram drogë të kapur gjatë vitit të fundit të qeverisjes së demokratëve, të majtët sekuestronin pesë të tillë, përsëri, ajo nuk mjaftonte. “Fëmija” pa emër i ishte lënë në derë qeverisë së majtë dhe “ati” i vërtetë i saj kërkonte pa pushim hesap për atësinë e tij. Koincidencat fatale që paraprinë rrëzimin e avionit të drogës në Divjake, akuzat politike para dhe pas rënies së tij, duket se i dhanë shtyrjen e fundit çdo dileme dhe çdo dyzimi: Është ora për betejën finale! Do të goditet në zemër të fenomenit, do të goditet fillimisht simboli. Si në një trup të mposhtur nga kanceri. Në fillim operacioni i dhembshëm dhe më pas kimioterapia.

 

Shenjat që paraprinë

Në fjalimin e parë në Kuvend kur votohej qeveria e tij, Edi Rama tha një fjali që, e shkëputur nga konteksti, afronte shpjegime kontradiktore. Një fjali që u duartrokit fort nga votuesit e tij që po dilnin nga një frustrim i gjatë tetë vjeçar politik: erdhi dita jonë!, dhe u godit po aq fort nga kundërshtarët e tij që e lexuan si një kërcënim për opozitën. “Prisni, prisni, nuk keni parë asgjë akoma!”, tha Rama atëherë. Me të njëjtin stil, me një njëjtin ton, me gjysëm misteri e gjysëm kërcënimi, edhe me dëshirën për të folur për “As”-in që fshihte nën mëngë, edhe me ngërçin që e detyronte të mos shtyhej më tej, në mënyrë të përsëritur, Rama i kthehej dhe i rikthehej debatit për drogën. “Prisni, prisni dhe do të shihni!”. Njëlloj si në teatër apo filmat horror kur rritet tensioni i spektatorit, sa më shumë kalojnë minutat e shfaqjes. Sepse në të vërtetë Rama e Tahiri po përgatisnin shfaqjen e tyre.

Personazhi i dytë që dinte çfarë do të ndodhte, ministri Tahiri bëri gjithë këto javë të fundit, krejt të kundërtën e eprorit të tij në qeveri. Nuk foli. Në këtë skenë e skemë hyri vonë publikisht. Me një zgjedhje e cila në llogari të fundit i doli për mbarë. Nga pikëpamja politike dhe ajo policore. Askush nuk vuri re se Tahiri, zakonisht i zhurmshëm dhe dashnori i ekraneve, nisi të shmangej prej tyre. Kryesisht nga debatet politike Kuvend dhe në studio televizive. Ai pothuaj nuk tha asnjë fjalë gjatë ndeshjeve për drogën në Kuvend mbas rrëzimit të avionit në Divjakë. Vetëm dy konferenca shtypi që dha ditën e rrëzimit të tij dhe të nesërmen, megjithatë, mjaftuan që pikërisht në ditët që flitej më së shumti për të, ai vetë të heshtte. Sipas parimit që sa më shumë të dish, aq më shumë e mban gojën mbyllur, Tahiri dinte se edhe për mundësinë e trafikut të drogës nëpërmjet ajrit kishte nisur një hetim policor. Që me shumë gjasa, e vërtetonte një gjë të tillë, por e çonte këtë mundësi në kohën kur qeverisnin demokratët. Për Lazaratin, deri më atëherë, Tahiri kishte mbajtur një qëndrim që dukej i dyzuar dhe që mund të komentohej në dy mënyra krejt të kundërta: “Është një problem kompleks, por që do zgjidhur. Lazarati nuk është vetëm një problem policor”. Dëgjuesit mund të zgjidhnin të merrnin si përgjigje edhe dëshirën për të ndërhyrë, edhe dilemën nëse duhej bërë apo jo. Ndërkohë, pakkush e dinte se po llogaritej që kjo sfidë, e cila nuk kishte asnjë shans të humbej, po konturohej plotësisht. Kësaj radhe me një plan policor të detajuar.

Drejtori i policisë

Absolutisht i pari që kishte mësuar se vendimi politik i qeverisë për të ndërhyrë në Lazarat ishte marrë, ishte Artan Didi, drejtor i përgjithshëm i policisë. Ai ishte personi përgjegjës për gjithë pjesën policore që duhej të shoqëronte vendimin politik për të ndërhyrë në Lazarat. Për bisedën e parë pa dëshmitarë mes ministrit dhe kryepolicit dhe komunikimet e tyre me vetë kryeministrin, vetëm mund të hamendësohet. Por ky është momenti që vetëm një grusht njerëzish me uniformë marrin dijeni për çfarë pritej të ndodhte, mes tyre edhe zëvendësi i Didit, Sokl Bizhga. Në mes të majit atij ju komunikua se plani i detajuar policor që ishte parapërgatitur duhej të vihej në zbatim. Por për të mbërritur deri tek plani, fillimisht ishte studiuar gjithë dokumentacioni i “marrëdhënies” mes policisë dhe Lazaratit. Të gjitha ndërhyrjet e saj aty u kaluan në sitë. Si kishin nisur, si kishin vazhduar, si kishte ndodhur më pas tërheqja. U vlerësua niveli i rriskut dhe u kalua në detaje teknike që përfshinin një pafundësi të dhënash. Që nisnin që me rrugët e hyrjes në fshat, me studimin e terrenit dhe deri me skedimin e gjithë elementit kriminal që mendohej se do t’i kundërvihej policisë. Një detaj tjetër që u zbulua më pas; e rriste dhe më tej shkallën e vështirësisë. Informatorët e policisë konfirmonin se në Lazarat, si një enklavë larg dorës së shtetit, kishin gjetur strehim dhe një numër i konsiderueshëm te kërkuarish nga policia që aty ndjeheshin të sigurte dhe larg prangave. E po kështu dhe një numër i pakonfirmuar punonjësish imigrantë që bënin punë sezonale në fshat në kultivimin e hashashit. “U shqyrtuan deri dhe listat e votuesve. U kontrollua sistemi TIMS për hyrje-daljet nga vendi të personave konkretë në mënyrë që kur të ndërhyhej të dihej se kush do të ndodhej në zonën e zjarrit”, dëshmon një burim policor. Ai hesht për mundësinë e infiltrimit të fshat të informatorëve të policisë që në ditën e ndërhyrjes, do të ishin syri dhe veshi i parë i policisë për atë që ndodhte në terren, por një gjë e tillë është shumë e mundur edhe sepse është tërësisht llogjike.

Vështirësitë e planizimit të ndërhyrjes ishin të shumta. Ato nisnin që nga sigurimi i logjistikës, armatimit, pajisjeve, ushqimit, përqëndrimit të forcave e deri tek saktësimi i numrit të efektivëve që ishin të nevojshëm. “Nëse duhen njëqind policë, do të shkojë në aksion dyfishi i tyre”, citohet të ketë thënë Tahiri, sipas të njëjtit burim. Në fakt shkuan rreth një mijë trupa policore dhe elita e ndërhyrjes së shpejtë e forcave speciale. Po niste beteja për të cilën shteti e dinte që nuk kishte asnjë shans të humbej. Vetëm të dielën paradite, nuk dihet se në çfarë rrethanash, u njoftua dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja që “…të dërgonte pajisje dhe asistencë të shtuar mjekësore në jug të vendit”.

Qarku ishte mbyllur, pritej vetëm të jepej urdhri për ndërhyrje. “Plani përfundimtar për ndërhyrjen në Lazarat u përfundua në fundin e majit. Ai parashihte që në rastin më të mirë operacioni do të niste dhe përfundonte në harkun e një jave. Por dita e fundit e majit dhe dita e parë e qershorit, për çudi; nuk nisi me Lazaratin. Paralelisht me të, ishte hartuar dhe një plan tjetër. Si në të gjitha skenat e teatrit në botë, kur përpara shfaqjes se madhe, bëhej dhe një provë gjenerale. Dhe ishte zgjedhur zona e Tepelenës dhe kryesisht Progonati për të vënë në provë provën e forcës mes shtetit dhe feudit rebel.

Prova dhe sprova e parë

Forcat e policisë së qarkut Gjirokastër dhe një grusht specialësh, nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë mësynë në Progonat. Në dy ditë, në fund maj dhe fillim qershor, ata hynë në këtë zonë, por u qëlluan nga banorët me armë zjarri. Edhe pse fitorja e policisë ishte e lehtë në dukje, edhe pse pati një sërë arrestesh, fakti që ndaj saj u qëllua me armë, bëri çuditërisht efektin e kundërt. Në Lazarat u ndoq me vëmendje çfarë ndodhi disa dhjetra kilometra më larg dhe u gjykua se nëse Progonati, si rrishtar në këtë punë i kishte shkaktuar kokëçarje policisë, ajo, edhe për këtë arsye, do t’i rrinte larg fshatit “krenar” e të sprovuar me kundërvënie ndaj uniformave blu.

Në gjuhën e luftës që ishte në prag, kjo përkthehej me “uljen e vigjilencës” të kundërshtarit. Arrestet dhe droga e sekuestruar në Progonat ishte vetëm statistikë për çfarë pritej të ndodhte. Ajo që kishte vlejtur për policisë në këtë rast, ishte analiza që u bë për çfarë shkoi mirë, çfarë shkoi keq dhe çfarë duhej bërë ndryshe. Progonati, megjithatë, kishte dëshmuar diçka thelbësore për moralin e politikës dhe të trupës policore: suksesi ishte i mundshëm! “Aksioma” tipike shqiptare se shteti është “…fis i madh dhe me të përfundon keq po të hysh në gjak”, u vërtetua edhe njëherë.

Po në ato ditë, Tahiri shkon në Gjirokastër dhe përuron një postë policie në fshatin fqinj me Lazaratin, në Derviçian. Aty premton monitorim nga ajri të territorit dhe ndërhyrje policore për çdo zonë ku është mbjellë hashash. “Policia është në krye të detyrës dhe do të ndërhyjë me çdo kosto kudo ku do të verifikohet mbjellje hashashi”, paralajmëron ai. Por dhe ky paralajmërim nuk mori më shumë vëmendje se një kronikë e thjeshtë politiko-policore, pavarësisht se sot është shumë e lexueshme që Tahiri po tundte shkopin. Rama, po në të njëjtën ditë në Gjirokastër, afroi karrotën. “Për një vit Gjirokastra do të ketë më shumë investime sesa dhjetë vjetët e fundit të marrë së bashku”, tha ai. I ishte afruar vetëm pak kilometra synimit të tij të vërtetë, Lazaratit, aty ku do të vendoste bastin e radhës të karrierës së tij politike. Duhej të fitonte. Askush nuk mund të parashihte se çfarë do të ndodhte nëse gjërat do të shkonin keq.

Dy javë më vonë dhe vetëm një javë përpara ditës së diskutimit të statusit evropian të Shqipërisë në Luksemburg, për një përkitje të rastit në kohë, shteti hyri në provën e zjarrit dhe e fitoi në pesë ditë. Një provë e sprovë që si rrallë herë pati duartrokitjen e pothuaj të gjithë opinionit publik dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Përjashtimet dhe kundërshtitë vetëm sa përforconin rregullin dhe u ngjanin fytyrave qesharake në dasmat perfekte që bëjnë sikur shijojnë tortën dhe kritikojnë ngjyrat e tollumbaceve. Edhe kësaj radhe, fati i kishte buzëqeshur guximtarëve.

Opozita

Edhe pse Rama e ironizoi, opozita ka pjesën e fetës së saj në të njëjtën tortë. Kryesisht në qëndrimin e kryetarit të saj të ri Lulzim Basha. Edhe pse opozita është fajtore për tolerimin e situatës së kultivimit të drogës në Lazarat e gjetkë, edhe pse lidhjet e saj me votuesit Lazaratas i dhanë mandatin e fitores në 2009-ën, edhe pse segmente të caktuara të policisë gjatë qeverisjes së saj kanë pasur një rol më se aktiv, bashkëpunues dhe direkt bashkëpronar në ngastrat e hashashit Lazaratas, edhe pse deri kur ndodhi nuk po e besonte se po ndodhte, opozita e ka megjithatë një meritë të madhe. Pavarësisht arsyeve ngushtësisht politike të saj, ajo ndikoi në ndërgjegjësimin e opinionit publik për rrezikun e drogës. Dhe për më shumë, ajo i hoqi vetes çdo mundësi që të përdorej si një mburojë politike për Lazaratin kur të ndodhte lufta finale. Përveç Doktorit. Por Doktori është gjithmonë një histori tjetër. Ai nuk mund të shpjegohet dot as me një logjikë normale dhe as nga një mendje normale. Doktori është thjesht unik edhe kur flet, siç foli të enjten në Kuvend dhe i shtoi CV-së së tij prej ish-presidenti, ish-kryeministri, ish-kryetari i PD-së, edhe një element të ri: atë të shefit operacional të policisë. Por dhe në pozicionin e tij të ri prej polici terreni mbeti vetëm kur e përjashtuan për 10 ditë nga salla që dikur e zotëronte me forcën e pushtetit. Sepse në të njëjtën ditë ra edhe rebelimi i Lazaratit, ra edhe vetë Doktori.

***

Mungesa e informacionit e nxori mendsh Berishën?

berishaaKa shumë mundësi që disa nga personat kyç në Lazarat të kenë patur dijeni mbi atë që do ndodhte. Përflitet se kjo e ka tërbuar më shumë Berishën për të çuar drejt degradimit të së enjtes së fundit në Kuvend.  As personat që kanë qenë të lidhur me të prej vitesh në Lazarat nuk i kanë dhënë informacion dhe as strukturat e Ministrisë së Brendshme ku gjenden ende shumë njerëz të administratës së dikurshme nuk e kanë bërë. Kjo ka lënë një shije të hidhur të humbjes reale të pushtetit tek njeriu që pretendon se di dhe se duhet të dijë gjithçka që ndodh në këtë vend. “Arkiva” e quajti veten disa ditë më parë ish-kryeministri që për shumicën e opinionit publik shqiptar aktualisht duhej të ishte në qeli dhe jo në krye të opozitës.

A.Nako

Share This Article
3 Comments
  • Z.Vangjeli,ju pergezoi per kronollogjin e pergatitjes dhe zhvillimit te operacionit policor ne Lazaratin problematik.Edhe gazeten DITA qe u jep hapsiren per te na informuar ne simpatizanteve te saj.Juve jeni nje analist i shkelqyer,fjale-pak e me shume “BRUM”,antipod i Çilit,Artanit(qe do ish-president),E.Demit,A.Çanit,Fevzos,e CO.Lazarati RA,por po reziston Saliu ndose eshte çakorduar.Tashme Rama duhet te permbys LAZARATIN e drejtesise se korruptuar 99% qe po e mban peng Saliu,i cili duhet te nxinte prapa hekurave..!

  • edhe une jam dakord me z.Lorenc qe plani strategjik”Barbarossa”per te pushtuar Lazaratin nga shteti sovran do kete qarkulluar prej 8-9 muajsh,besoj edhe Nato do kete dhene ndonje mendim,ndoshta edhe ndonje veteriner ka dhene opsione strategjike.Po qe se shteti donte te kursente energji per kete plan madhor,mjafton te me jepte mua nje batalion kembesorie dhe sapo te me grumbullonte ushtaret do shkoja pa plan fare.Ore,po talleni ju?Me sinqeritet e kam?Mendoni ju se Lazarati kishte shans te kundershtonte shtetin?Dhe na beni nje nder,mos nxirrni e dekonspironi ato femrat ushtare,se forcat e armatosura jane te tjeter fature e s’duhet te bejne show ne fejsbuk.Mire i bete femrat police per protestat e PD,mire speciale per Lazaratin,por kursejini,se mos i çoni ne Afganistan e Mogadisho,se atje behet lufte prej verteti. Me respekt nga gjermani i fundit

  • RRETHIMI “HENOR” I LAZARATIT

    Shprehjes “nuk keni pare asgje akoma” te Edi Rames, te thene gati nen ze ne kuvend, mes britmave te Halimit, fryrje-hundeve te Jozefines e Jorides, mes perplasjes se bankove te Palokes, Nokes, Rulit e Bodes me shoke, i duhet shtuar ajo me e hereshmja, e para pas fitores se 23 qershorit drejtuar votedhenesve te tij: “Heshtni !” me doren e ngritur si litorjanet e Benitos per tu mbyllur gojen qe ne gjeneze antisaliramberisheve.

    Nderhyrja ne Lazarat, ndryshe nga sa interpreton autori, ishte me shume e imponuar nga jashte dhe pak qendrim filibusteresh per t’ju shitur vendim marresve te BE-se si luftetare te pa kompromis e te ndergjegjesuar ne luften kunder krimit dhe droges.
    Nuk mund te spjegohet ndryshe “rrethimi henor” ne dy tre ditet e para i Lazaratit, nga ana e policeve te mendjendriturit Tahiri, duke i lene liri te plote largimit te pjeses me te madhe te krimineleve te ngujuar ne mbrojtjen e plantacioneve te kanabisit ne token e Alikove e Mahmutajve e kompani.

    Edhe show i Kostandinit te Luiza Xhuvanit ishte pjese e ketij plani dashakeqesisht te planifikuar, pas tre diteve nuk gjendej ne Lazarat po ne Tirane.
    Nderhyrjes ne Lazarat me “rrethim henor”, i mungoi hallka me e rendesishme e gjuetise se dhelprave te miqeve anglosaksone te Edi Rames, me zhurmat dhe te lehurat e qeneve kriminelet duheshin sjelle ne shtegun e qitjes per yu kapur apo eleminuar ne rast rezistence.

    Ishte thjesht nje ruajtje e status quose se krimineleve te organizuar me lidhje te pa diskutueshme me politiken shqiptare djathtiste e majtiste (kujtojme telefonatat e sms-te), pa shkaterruar deri ne themel kete dyshje fitim-prurese politike-krim i organizuar.

    Te tjerat jane pallavra pas nje bark-mbushje me fasule te kuqe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *