Mediet kosovare kanë njoftuar në muajin Dhjetor të vitit të kaluar se një grup bashkëthemeluesish të fondeve për ndihmën e Kosovës i kanë dërguar në letër kryeprokurorit shqiptar Adriatik Llalla për hetimin e shitjes së Bankës “Dardania” e themeluar nga qeveria në ekzil e Kosovës në Shqipëri në vitin 1993. Gazeta “DITA” ka ndjekur këtë shqetësim të bërë publik dy muaj më parë dhe ka mundur të sigurojë dokumentet dhe aktet ligjore të shitjes së kësaj banke. Por le ta nisim historinë nga e para.
Në vitin 1993 në Tiranë themelohet “Banka Dardania”. Kjo ishte një bankë kapitali i së cilës në statut ishte regjistruar si kapital në pronësi të qeverisë së Kosovës. Aksionarë të kësaj banke ishin 9 fonde kursimi të krijuara në 9 shtete të Evropës (Gjermani, Austri, Luksemburg, Danimarkë, Francë, Zvicër, Suedi etj) me qëllim mbledhjen e kontributit prej 3 % nga emigrantët kosovarë për ti shkuar në ndihmë qeverisë së Kosovës.
Nga një vështrim i akteve ligjore duket se çdo gjë ka shkuar normalisht dhe fondet janë vjelë rregullisht. Madje deri në vitin 1999 kur u çlirua Kosova, banka “Dardania” zotëronte një kapital të konsiderueshëm për kohën dhe vazhdoi aktivitetin e saj edhe pas çlirimit të Kosovës, duke pësuar madje një shtim të kapitalit themeltar deri në 5 milionë euro (700 milionë lekë) në vitin 2002.
Kryeministri në ekzil i Kosovës Bujar Bukoshi, nga ana e tij ishte aksionar në këtë bankë duke qenë se ishte drejtuesi i “Fondit të Gjermanisë”. Në vitin 2002 kjo bankë duket se ka pësuar një zhvillim domethënës.
Statuti
Dokumentet ligjore tregojnë se më datën 19 Tetor 2002 është vendosur ndryshimi i Nenit 59 të Statutit të kësaj banke. Ky nen përcaktonte se pronare e kësaj banke ishte qeveria e shtetit të Kosovës. Por pas ndryshimit të statutit, ndryshoi pronësia.
Në vendimin në fjalë antarët e Asamblesë kanë arsyetuar se përderisa Kosova ende nuk ka një qeveri të sajën sovrane atëherë deri në realizimin e një qeverie sovrane, do të ndryshojë pronësia mbi bankën dhe pronarë të bankës do të bëhen 9 fondet aksionere. (më parë këto fonde kishin të sqaruar në mënyrë të qartë statusin e tyre si fonde aksionere por jo pronare të Bankës “Dardania”).
Pas ndryshimit të statutit duket se 9 fondet e shpërndara në Evropë, kanë fituar “imunitet” nga obligimi për të qenë në pronësi të qeverisë së Kosovës dhe kryeqëndra e këtyre fondeve , nyja që i lidhte të gjitha, pra “Banka Dardania” me këtë ndryshim në statut, kaloi nga një aktivitet mirëfilli shtetëror (për llogari të qeverisë së Kosovës) në një aktivitet privat.
Përfituesit
Fill pas këtij ndryshimi thelbësor në statutin e Bankës në vitin 2002, duket se u hap rruga për shitjen e kësaj banke dhe përfitimin e të ardhurave nga individë privatë e jo shtetërorë. Banka u shit në vitin 2005, një grupi italian investimesh në vlerën e 5 milionë eurove. Si shitës firmosi vetë Bujar Bukoshi ish-kryeministri në ekzil i Kosovës.
Por përpara se të firmoste këtë kontratë, Bukoshi kishte “larë hesapet” me aksionarët e tjerë të kësaj banke disa muaj më parë. Aktet ligjore të depozituara në gjykatë tregojnë se Bukoshi nëpërmjet “Fondit të Gjermanisë” të cilin e kontrollonte dhe e kishte në pronësinë e tij, ka përthithur të gjitha aksionet që zotëroheshin nga 8 fondet e tjera të shpërndara nëpër Evropë. Përthithja e aksioneve është bërë me kontrata të rregullta dhurimi ose transferimi të aksioneve nga përfaqësuesit e fondeve të tjera.
Të gjitha këto kontrata janë lidhur në një hark shumë të shkurtër kohor, përpara privatizimit të “Bankës”. Më pas, banka “Dardania” rezulton se është bërë 100 përqind pronë e “Fondit të Gjermanisë”, ndërsa këtë fond e kishte në pronësi individuale direkte vetë Bujar Bukoshi.
************
Letra dërguar kryeprokurorit Adriatik Lllalla më datën 14 Dhjetor 2012
I nderuar z.Kryeprokuror Adriatik Lalla
Besojmë se jeni të informuar se mërgata kosovare në vitet e 90-ta në Evropën perëndimore, SHBA dhe Australi, kishte themeluar fondet e para duke menduar legale për t’i dalë sado pak në ndihmë popullatës, qe ne mendonim te institucioneve të Republikës së Kosovës , luftës çlirimtare për liri dhe pavarësi dhe fondacionit “Drenicë jemi me ty”.
Po në ato vite është formua në Tiranë edhe “Dardania Bankë”, e cila për disa vite shërbeu si urë lidhëse mes fondeve të Kosovës në Perëndim dhe Këshillit financiar të Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Kjo bankë është menaxhuar nga një staf dhe është drejtuar nga Qeveria e Kosovës në Exil në krye me Bujar Bukoshin. Banka asokohe mendonim se ka luajtur një rol të veçantë në lehtësimin e bartjes së mjeteve financiare për Kosovën, dhe mendinim se ishte pronë e shtetit të Kosovës, por që duhej edhe të mbetej në pronësi të tij.
Mirëpo, në ndërkohë siç jemi informuar jo zyrtarisht ajo bankë është shitur dhe është tjetërsuar, dhe rreth këtij akti ka pasur shumë thashetheme, por që zyrtarisht neve nuk jemi informuar asnjëherë deri më tash se çka ka ndodhur me të! Neve, si bashkëthemelues të Fondit të Republikës së Kosovës në Gjermani, dhe, po ashtu bashkëthemelues edhe të “Dardania Bankës” në Shqipëri, nuk jemi të informuar kurrë rreth fatit të saj.
Shqiptarët, gjegjësisht mërgimtarët tanë që kanë kontribuuar në Fondin e Republikës së Kosovës me 3%, mjete të cilat janë derdhë në atë Bankë, kërkojnë po ashtu që sa më parë të ndriçohet ky rast, pra se çfarë ka ndodhur me atë bankë para se t’i drejtohen shteteve të BE-së me ankesë dhe lutje për zbardhjen e faktit se a ka keqpërdorime…!
*Bashkëthemelues të- ish-Fondeve të Republikës së Kosovës në Gjermani dhe të Dardania Bank