E gjithë ajo që ndodhi ditën e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në rrugëtimin mes selive qendrore të Kryeministrisë dhe të Kuvendit, pavarësisht se e pritur me aq shumë zhurmë e bujë, në fund të fundit, nuk do të ketë asgjë që të mbahet mend. Do të jetë njëra nga protestat patericë të një partie që, sa herë ka rënë nga pushteti, aq herë i është drejtuar rrugës për të riqeverisur dhe pak herë i është drejtuar mendjes.
Por, në ndryshim me atë që ndodhte më parë, opozita e sotme e di fare mirë se njerëzit që qëndrojnë ballë saj nuk do të jenë në sojin e atyre që braktisin vendin dhe i lënë bosh sallat e kancelaritë e tyre, e po ashtu, përballë vetes kanë një shumicë qeverisëse, e cila nuk e “pret” demonstratën e opozitës me pompat e ujërave, shkopinjtë e gomës, kërcënimet, e aq më pak, as që i shkon në mendje të qëllojë drejt tyre. Edhe sikur një mijë herë, ditë më ditë, të protestojë 2B shqupase përballë selive qeveritare, asnjërit nuk do i thyhet thoi i gishtit të vogël dhe as do t’i prishet makiazhi.
Përse ishte një protestë e dëshpëruar e njerëzve të dëshpëruar:
Ata që e thirrën protestën, pak para fillimit të saj, duke e ditur të vërtetën përse mbahet e gjithë kjo zallamahi, bën tërheqjen e parë politike, duke e simuluar gjithë ç’ka do të ndodhte në një protestë për probleme ekonomike, e thirrur nga populli!!, dhe së cilës ata do i përgjigjeshin. Në fakt, me këtë, ata i hoqën të gjithë kauzat përse mund të turfullojë e të protestojë një opozitë. E lanë atë në mesin e rrugës, në besimin e rremë të një farë Gëzim Kalaje, në agjitpropin e një farë Gride, dhe në fund, në thirrjen e Bashës se, këtë qeveri, nëse nuk ikën vetë, do e rrëzojmë.
Një demonstratë, ashtu si e kishin reklamuar me të gjithë llojet makabre të imazhit sferat susllove të medias shqupase, duhej të kishte një detyrim të shfaqur politik, një kredo politike dhe, në fakt, për gjithë ditën e ditës, njerëzit ishin thirrur pikërisht për këtë. Befas në çastin e fundit ndodhi i gjithë devijimi i një loje politike, e cila sapo ka filluar, por që do jetë e pranishme të paktën edhe në shtatë vitet e ardhshme. Heqja e motivit politik, kthimi i një proteste ndaj atyre që vetë ata kanë lënë pas, dhe të cilën e di fare mirë çdo njeri që ishte në atë grumbullim, më shumë se gjithçka tjetër, ishte dëshpërimi i liderëve, të cilët, pas sondazheve të bëra, e morën vesh se e vërteta nuk është në reklamat e stisura në TV, por shumë më thellë se kaq. Liderët e shpallur e të fshehtë të PD-së e dinë fare mirë se protesta e thirrur prej tyre nuk i sjell në pushtet, as një qind të tilla nuk i sjellin ato, edhe sikur të bëhen nga të njëjtit njerëz në çdo fundjavë. Dëshpërimi liderit ishte se edhe vetë ata nuk i besonin kryetarit de jure të tyre dhe thellë-thellë janë lodhur me marritë e kryetarit de fakto. Aq më shumë kur lexojnë nga ai se në shesh ishin 250 mijë njerëz, dhe se këto njerëz, janë përmbysësit e ardhshëm të pushtetit.
Ishte një protestë e dëshpëruar, sepse edhe motivi ekonomik ishte i mbartur dhe jo i krijuar. Ideatorët e këtij kaosi ekonomik ishin aty, në rrjeshtat e parë, të vetëdijshëm se çfarë kanë bërë, e po ashtu, të vetëdijshëm se kthimi i tyre në pushtet, përmes “kaosit” ekonomik, tashmë është një temë e së kaluarës. Strukturat qeveritare e kaluan testin e parë të mos helenizimit të pushtetit, kjo rrit dëshpërimin shqupas, por nuk do të thotë se është në dëmin e vendit. Në të kundërtën, është në të mirën e saj.
Të mbledhësh në një shesh në Tiranë, pas një viti e diçka më shumë të një qeverisje, diçka më shumë se 11 mijë njerëz, do të thotë se ende nuk je ngritur nga gremina ku të kanë hedhur votat një milionëshe të 23 qershorit. Ëndërrimi i Bashës ishte për 200 mijë njerëz, por kur merr mesazhin se rrugës nuk janë më shumë se një e njëzeta e ëndrrës së tij, e kupton fare mirë se, sado të trashë zërin e të bëjë të fortin, gjithçka është dëshpërimisht e dështuar.
Shqipëria, është normale, do të ketë shumë më tepër opozitarë se ata që dalin në sheshe, si ishte ditën e djeshme. Opozitarët e kësaj qeverie janë ende në skalionin e tretë të hallkave të pushtetit, janë edhe në piramidën e saj, në Presidencë, në sistemin e drejtësisë, në bandat e rrugës, në tritolxhinjtë. Ashtu si janë edhe në gabimet qeveritare. Është e dejtë ta mendosh botën dhe qeverinë ndryshe. Por njerëzit që ishin prijës të kësaj demonstrate ishin vënë në provë 8 vite me radhë dhe më keq e kishin lënë se e kishin gjetur; më shumë e kishin vjedhur se sa e kishin ruajtur; më shumë kishin ngritur vilat e tyre se sa kishin menduar për hallet e njerëzve. Janë tepër të paktë ata që nuk e dinë këtë, ndaj edhe entuziazmi i turmës fillonte e rrudhej pas skalionit të parë, deri sa kalonte në heshtje.
Fjala patetike e Bashës të ngjante me një kopje të vjetër të shefit të tij politik. E njëjta çjerrje zëri, i njëjti mentalitet, e njëjta shterpësi. Nuk vinte prej saj asnjë lloj mesazhi, asnjë lloj ideje, veç asaj që lidhej me padurimin e riardhjes në pushtet, por edhe më shumë se kaq: për një vazhdimësi të mendimit të keq, thellësisht kërcënues, para së cilit mund të gjendet edhe një herë politika shqiptare. Në fakt, ai fjalim, dëshmoi se politika e pëdëiste ka mbetur ende në bunkerin e së shkuarës, ata ende nuk kanë bërë asnjë hap për të dalë jashtë izolimit bunkerist, metodologjia dhe mentaliteti i shfaqur ishin një vazhdë e natyrshme që vinte nga koha e kërcëllimit të dhëmbëve, mureve politikë dhe bunkerizimi i ideve.
Duke dëgjuar Bashën më është kujtuar një ngjarje e pranverës së vitit 1992, kur Berisha, i sapozgjedhur President, erdhi në një takim në Shkodër, me përkrahësit e tij në PD. I fryrë nga ndjenja e fitores, që e mvishte të gjithën mbi vete, disi donkishotesk, megjithëse ende i besuar, me ndjenjën e perceptimit të politikës si një vazhdim i luftës së klasave (ç’ka ndodhi edhe dje në fjalimin bashior), euforik si është ende në natyrën e tij, shpërfillës ndaj vlerave, ai iu përgjigj pyetjes së çfarë mund të ndodhte nëse socialistët vijnë edhe një herë në pushtet.
Fytyra e tij u egërsua, tiparet morën shpërfytyrimin e zakonshëm kur çmeritet, ngriti kokën dhe tha se: “Edhe për 50 vite socialistët nuk vijnë në pushtet në këtë vend, ne nuk do i lejojmë të vijnë më në pushtet!”. Në fakt tre muaj më pas, në zgjedhjet e pushtetit lokal, socialistët rierdhën. Jo për meritë të tyre, por për egërsinë e të parit të fisit pëdëist.
E njëjta gjë ishte edhe dje. Berisha e ndjente se koha e tij kishte përfunduar. Asgjë nuk mund ta sillte më atë, asnjë përmbysje nuk mund të ketë më dhe në fund të fundit, asgjë nuk mund të varet më nga ai dhe statuset e tij në rrjetet online. Më është kujtuar sepse e njëjta egërsi rierdhi edhe përmes pamjes së një lideri që mendohet se është i ri, i emancipuar, por që në fakt është kopja e keqe e më së keqes së shefit të tij.
Protesta mbaroi. Njerëzit shkuan në shtëpitë e tyre, nga kishin ardhur, shumica nga larg, duke i thënë vetes: “Përse shkuam?!”. Liderët darkuan përsëri në sallat luksoze dhe ndjenë një rigjallërim se mund të jenë ende dikush. Bunkeri hapi portat e tij, por nga bunkerizimi i politikës asnjë nga shqupasit nuk është i zoti të dalë. Të gjithë çelësat e të gjitha dhomave i mban një njeri. Ky dihet, mjerisht ka pas vetes një klonim politik të çuditshëm, pas së cilit, askush me mend nuk mund të shkojë.
Njerëzit e dinin këtë, ndaj ishin pjesë e një proteste të dëshpëruar.
