23 prill 2020

redaktor
DITA 23 korrik 2020

Presidenti, Ilir Meta njoftoi dje dekretimin e ndryshimeve të fundit në Kodin Penal që ashpërsojnë dënimet për qytetarët që shkelin rregullat e vendosura nga qeveria në kohë epidemie.

Megjithëse ndryshimet janë kritikuar ashpër nga organizatat e të drejtave dhe lirive të njeriut, Presidenti tha se ato janë miratuar pas një “diskutimi të gjerë teknikojuridik”.

Dekretimi i menjëhershëm vjen pas një serie mosdekretimesh nga Presidenca të ligjeve të qeverisë, pas shumë akuzave të ndërsjella mes krerëve të dy institucioneve, të cilët deri pak kohë më parë i drejtoheshin njëri tjetrit në publik me epitetet “burri i Monikës” dhe “gruaja e Bilalit”.

Por ditët e fundit “gruaja e Bilalit” papritur e vlerësoi shumë lart rolin e “burrit të Monikës” dhe kërkoi nga populli që të ketë respekt për të.

“Përplasjet e mëparshme kanë qenë të diktuara nga pozicionet e mëparshme. Pozicioni i Presidentit në këtë situatë nuk le asgjë për të dëshiruar, ka qenë në rolin e tij dhe me një përmasë përgjegjshmërie dhe është për t’u respektuar plotësisht. Mos të merremi se çfarë iku, por me çfarë kemi sot, e të shohim çfarë vjen” – tha Rama duke shtuar se ai nuk e ka fare problem që të thotë atë që mendon.

Për ta barazuar me rafishatë karagjozllëkun e radhës, dje gjatë fjalës së tij, pasi dekretoi ndryshimet e kërkuara nga Rama në Kodin Penal, Presidenti i mitingut madhështor ku u përbetua për mbrojtjen e Kushtetutës, i peshoi mirë fjalët kur u pyet mbi skandalin e fundit qeveritar të blerjes së mjeteve anti-Covid me çmimw shumë herë më të larta se tregu.

“Mënyra më e mirë është rritja e transparencës, aq më tepër kemi të bëjmë me një vëmendje të shtuar të të gjithë qytetarëve, unë mund të apeloj për të rritur transperencën në këtë drejtim”, tha Meta.

“Çfarë note i vendos Edi Ramës?”- u pyet ai gjithashtu. Edhe këtu Presidenti u tregua i matur. “Nuk ka ardhur akoma qershori, koha e provimeve”, replikoi ai.

Stina e re e dashurisë mes Ramës e Metës nuk është e papritur për ata që kanë kujtesë, pavarësisht se në teatrin e Tironës politike, ku maskat janë bërë njësh me lëkurën e fytyrës shumë përpara Covidit, të paktë janë ata që e hapin gojën për të nxjerrë të vjellën edhe kur e kanë në grykë. Preferojnë ta gëlltisin.

Siç shkruante me ironi dikush që i njeh mirë të dy: “Nëna Shqipëri tani u bë me dy burra: një për Kombin e një për Kushtetutën”

Por as Komb as Kushtetutë nuk i ka mbetur më.

Edhe sa kohë Shqipëria do vazhdojë të njëjtën histori të pështymës dhe lëpirjes që ka zëvendësuar prej 30 vitesh parimin me pazarin, ndëshkimin me kompromisin?

A mundet kjo klasë politike të jetë më e neveritshme dhe njëkohësisht më qesharake se kaq? – shkruhet sot në redaksionalin e DITA që mund të lexohet në faqen e parë të gazetës, ku shtriqet kokëprerë dhe gati për gatim një ngjalë e dhjamosur Lalzi.

 

Dita

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *