Kohët e fundit analistët Andi Bushati dhe Eduard Zalozhnja, nisur nga një kopertinë e gazetës DITA kanë debatuar në lidhje me strategjitë që opozita socialiste duhet të ndjekë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Nga njëra anë, Bushati mbështeste një fushatë elektorale ku opozita duhet të bazohet në sulme kundër modelit Berisha dhe pasojat negative që ka shkaktuar ky model për ekonominë dhe politikën shqiptare. Bushati ishte kundër një fushate e cila e portretizonte Berishën si një bashkëpuntor i shërbimeve sekrete sllave apo si një shërbëtor i regjimit komunist dhe familjes Hoxha. Nga ana tjetër, Zaloshnja argumentonte se të dyja këto modele duheshin kombinuar pasi opozita duhet t’i japë pushtetit Berisha goditje si “sipër brezit” (argumenti i Bushatit) ashtu edhe “poshtë brezit” (strategjia që kundërshtonte Bushati). Në këtë debat, personalisht do të mbështesja argumentin e Zaloshnjës por me një ndryshim thelbësor: Goditjet e opozitës nuk mund të klasifikohen si “sipër” apo “poshtë brezit” pasi nuk mund të injorohet e shkuara komuniste e Sali Berishës dhe impakti që ajo ka mbi mënyrën dhe metodat se si drejton Berisha sot.
Gjithashtu nuk mund të injorohen as lidhjet e mundshme të Sali Berishës me qarqe të caktuara sllave me pretendimin se Berisha çdogjë që e ka bërë nuk e ka bërë për sllavët por për të mbajtur pushtetin e vet në Tiranë . Një argument i tillë është absurd dhe i pakuptimtë pasi kurrkush në këtë botë, përfshirë edhe spiunët më të rëndomtë, nuk i shërbejnë një padroni pa pasur një përfitim, qoftë ky përfitim në vlera monetare ose pushtet politik. Aq më keq, nuk mund të injorohet fakti që një person i vlerësuar nga shumë analistë (edhe nga Bushati) si “gjeni” apo “i zgjuar” të mos arrijë të kuptojë pasojat e veprimeve te tij – p.sh. Berisha të mos ishte në gjëndje të kuptonte se duke thyer emgargon e naftës ai kontribounte direkt në fuqizimin e makinës vrasëse të Millosevicit. Në mos qoftë budalla, atëherë çfarë mund të jetë? Në qoftë budalla, si ka mundësi të mbijetojë kaq gjatë në politikë? Në mos qoftë budalla dhe nëse shkatërron me vetëdije interesat e kombit shqiptar, atëherë cili është ndryshimi midis një shkatërrimtari të tillë dhe një spiuni? Le t’i përgjigjet Bushati këtyre pyetjeve.
Argumenti im në këtë shkrim shkon përtej asaj për të cilën debatojnë Bushati dhe Zaloshnja. Argumenti im shkon përtej “çfarë ” dhe fokusohet tek “si, qysh, tek”. Midis të tjerash, dy pyetje do të ishin me interes për t’iu përgjigjur: (1) Mbi çfarë vlerash duhet të mbështetet strategjia elektorale e opozitës” dhe (2) Si duhet implementuar kjo strategji? Gjëja parësore për opozitën është të orksestrojë një fushatë elektorale të mbështetur tërësisht mbi moralin dhe etikën politike të aprovuar nga mbarë shoqëria shqiptare. Në këtë rast, beteja për drejtësi dhe prosperitet duhet të përbëjë themelin e strategjisë opozitare. Kjo betejë arriti kulmin dhe është e mëshiruar më së miri në masakrën e 21 Janarit, ku ngelën të vrarë nga forcat qeveritare Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Më 21 Janar 2011, populli i thjeshtë protestoi kundër korrupsionit dhe padrejtësisë së qeverisë Berisha-Meta si dy antivlerat më të rrezikshme që po shkatërrojnë shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Ajo që kërkon opozita sot nuk ka asnjë ndryshim nga ajo për të cilën Ziveri, Faiku, Hekurani dhe Aleksi dhanë jetën në 21 Janar.
Si i tillë, 23 qershori nuk duhet të portretizohet si një përplasje midis Edi Ramës dhe Sali Berishës por si një betejë midis heronjve të 21 Janarit dhe pushtetit të korruptuar/vrasës Berisha-Meta. Zgjedhjet e 23 qershorit duhet të jenë një betejë që i duhet kushtuar kujtimit dhe sakrificës sublime të Ziverit, Faikut, Hekuranit, dhe Aleksit. Edi Rama nuk mundet (dhe as nuk duhet) ta hedhë mbi supet e veta këtë betejë fisnike të skuqur nga gjaku i protestuesve dhe opozitarëve të pafajshëm. Nga ana strategjike, ky version do të largonte nga Rama shumë përgjegjësi politike, do të bashkonte, mobilizonte dhe inkurajonte mbarë bazën opozitare, dhe do të rriste admirimin dhe mbështetjen nga ana e votuesve të pavarur përkundrejt opozitës.
Në vazhdim, opozita socialiste duhet të implementojë një strategji elektorale tërësisht jokonvencionale. Çfarë do të thotë kjo strategji? Ajo do të thotë që opozita duhet t’i përgjigjet pushtetit Berisha-Meta me një sërë veprimesh që janë krejtësisht të ndryshme nga veprimet e pushtetit dhe të paimagjinueshme ose të nënvlerësuara nga ana strategjike. Së pari, ndonëse media mund të përdoret suksesshëm nga opozita si mjet komunikimi me elektoratin, ajo nuk duhet të konsiderohet si mjet kryesor i strategjisë së opozitës. Në realitet, media ka shumë pak ose aspak fuqi për të ndryshuar bindjet e votuesve. Gjithashtu, fuqia mediatike e pushtetit Berisha-Meta do të zeronte cdo përpjekje mediatike të opozitës. I njëjti argument vlen edhe për të kundërshtuar një strategji e cila bazohet tek fuqia e parasë apo tek avantazhet që gjoja sjellin në fushatat elektorale përfshirja e njërëzve me lek shumë , apo sic njihen me emrin “biznesmen”. Në se opozita bazohet tek fuqia e “biznesmenëve” ajo nuk ka asnjë shans të ballafaqohet suksesshëm me makinën financiare të pushteti Berisha-Meta. Në të vërtetë egziston një lidhje midis motivimit për të ofruar në parti njerëz publik edhe biznesmenë dhe besimit se media influencon ose ndryshon mendimin e votuesve. Kjo e fundit nuk qëndron aspak pasi në shoqërinë shqiptare egzistojnë dhjetra kanale shoqërore (si familja, eksperienca, shoqëria, miqësia, etc) që diktojnë sjelljen e votuesve, dhe media është një faktor shumë i largët dhe i pabesueshëm për elektoratin. Si rrjedhojë, futja e biznesmenëve në lojë nuk rrit shanset për sukses; përkundrazi ajo mund të ketë efekte negative.
Në ndryshim nga dy të parat, opozita duhet të ndërtojë një fushatë elektorale që do të fokusohej kryesisht në komunikimin direkt me bazën dhe individin votues. Nëse opozita ka bërë plane për të harxhuar resurse financiare në mediat vizive dhe të shkruara, unë do të këshilloja që pjesa dërrmuese e këtyre parave të përdoreshin për të promovuar sa më shumë komunikim dhe ndërveprime me bazën opozitare dhe votuesit e thjeshtë. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, Presidenti Obama përdori të njëjtën strategji në shtetin e Floridës dhe arriti të surprizojë të gjithë ekspertët të cilët kishin neglizhuar fuqinë që ka komunikimi i drejtpërdrejtë me votuesit e thjeshtë .
Gjithashtu, Bepe Grillo surprizoi mbarë Italinë me rezultatin e fundit në zgjedhjet parlamentare Italiane. Grillo i injoroi totalisht faktorët media (tradicionale) dhe “para” dhe e bazoi strategjinë e tij elektorale në fuqinë e internetit si mjet organizimi dhe në fuqinë e grupeve të punës me individët votues në lagje e qytete si mjete propagandistike/komunikimi me votuesit.
Por një fushatë vlerash dhe strategji e bazuar në metoda jokonvencionale nuk mund të konkludojnë suksesshëm pa pasjen e një lidershipi që personifikon vetë fushatën dhe strategjinë. Në rastin e Edi Ramës si lidership i opozitë s socialiste, dicka mungon ose duhet ndryshuar. Duket sikur Ramës i mungon idealizmi i tij i dikurshëm i cili kishte pikturuar në mendjen e njërëzve profilin e një udhëheqësi që ngrinte peshë zemrat dhe shpresën e miliona njërëzve anembanë Shqipërisë. Por mbi të gjitha duket sikur Ramës sot i mungojnë sopata dhe çorapet e tij të kuqe. Siç më tha këto ditë në një bisedë miqsh, kryeredaktori i Ditës, Thano, njerëzit kanë nevojë urgjente të ndjejnë që Rama ka veç të tjerave edhe pak çelik brenda. Derisa Rama të marrë në dorë si dikur sopatën dhe të veshë çorapet e kuqe, pjesa dërrmuese e popullit shqiptar do ta shikojë 23 qershorin si fatkeqësinë e radhës.
Paragrafi i fundit shume i drejte. Rama duhet te organizoje protesta masive edhe per te mbrojtur te drejten e votes. Dhe para 23 qershorit. Pushtetit dhe mbeshtetesve te tij u duhet bere e qarte se nuk mund ta mbajne pushtetin me force, apo me vjedhje votash. Se nje dite do te japin llogari para gjyqit. Rama mund te beje takime sa te doje, mund te shpalose edhe programin me te shkelqyeshem ne bote, por keto nuk kane asnje vlere neqoftese nuk ua ben te qarte mbeshtetsve te tij se ai do i shkuli dhembe e dhemballe Berishes nese prek edhe nje vote te vetme. Ndryshe Rama ka bere gabim qe e la Parisin.
Jeni gazetar me vlere Z Bledar por ka nje gje qe ne mos gabohem Rama ka nje strategji qe besoj se duhet kuptuar.Ajo ka te beje si fillim me marjen e pushtetit nepermjet zgjedhjeve,pastaj me finalen e madhe ku njethundraku te kete nje ambjent disi komod tek 313.