Kanë kaluar 23 vjet nga lufta në Kosovë, ku u vranë mbi 13,500 persona, në mesin e tyre fëmijë, gra, të moshuar dhe civilë. Gjatë 98/99, në fshatrat dhe qytetet e Kosovës u kryen mbi 400 masakra nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe.
Ndër masakrat më të rënda është ajo e 15 janarit në Reçak. 45 civilë u masakruan pa mëshirë. Masakra u organizua dhe u krye nga forca policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Serbia refuzon të ketë kryer masakër.
Një ditë pas saj, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes dhe u tmerrua. “Nga ajo që pashë nuk ngurroj ta përshkruaj si masakër e tmerrshme dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është dita më trishtuese në jetën time” – tha ai.
Lajmi i masakrës sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Serbi.
Sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të bëjnë homazhe në Kompleksin memorial të Reçakut.
Prej përfundimit të luftës e deri më sot, në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Komisionin Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, sipas kërkesave të familjarëve, janë evidentuar 6.057 raste të personave të zhdukur. Fati i shumicës prej tyre tashmë është zbardhur, por për 1.647 persona ende nuk dihet asgjë.
Qytetarët e Kosovës gjatë luftës janë përballur edhe me dhunë seksuale. Numri i viktimave llogaritet të jetë rreth 20 mijë vetë, në mesin e tyre ka gra, burra dhe të mitur.
o.j/dita

Prandej lidhet kryeministri shqiptar Edi Rama me Aleksander Vuçiç pa i vu Serbise asnji kusht per NJOHJEN E KOSOVES.