Ndonëse ka edhe pak ditë kohë për të dorëzuar mandat pagesën në shkolla derisa të fillojë procesi i plotësimit të formularit A2, mbi 24 mijë maturantë kanë ndërmarrë këtë hap, duke konfirmuar dëshirën për regjistrimin në universitet deri më tani, për vitin akademik 2019-2020 i cili fillon më 14 tetor.
Në provimet e maturës kanë marrë pjesë rreth 36 mijë maturantë, ndërsa rreth 4% e tyre ka rezultuar ngelëse.
Sipas drejtorit të rrjetit akademik, Arjan Xhelaj: “Momentalisht jemi në procesin e shkarkimit të mandat pagesës, kryerjes së procesit administrative ku pasi bëhet pagesa maturantët shkojnë në shkollë për të konfirmuar se maturantët duan të aplikojnë për formularin A2”.
Plotësimit i formularit A2 në portalin U-Albania do të bëhet nga data 31 korrik deri më 5 gusht. Pra nxënësit kanë 6 ditë kohë kanë për të vendosur dhe për të plotësuar formularin A2 me 10 preferencat e tyre për degët ku duan të studiojnë.
Sigurisht, ata duhet të kenë parasysh edhe në kriteret e pranimit në universitet, mesataren dhe notat në provimet e maturës. Kujdesi duhet të jetë i shtuar edhe pse ata nuk kanë mundësi të ndryshojnë zgjedhjet, pas konfirmimit të aplikimit.
Xhelaj thekson:“Pas zgjedhjeve të preferencave në mandate pagesë ka pasur një kod sigurie, unik që duhet ruajtur dhe të futet në fund të procesit. Të dhënat rigrupohen sipas degëve, programeve të studimit, universiteteve dhe dërgohen në mënyrë automatike çdo universiteti. Më datë 25 gusht universitetet fillojnë të shkarkojnë të dhënat dhe bëjnë përllogaritjet e pikëve dhe nxjerrin renditjen. Kanë 5 ditë kohë për kryerjen e përllogaritjeve. Maturanti pastaj mund të hyjë dhe të logohet me ID e maturës dhe të shikojë renditjen e vetë për çdo degë studimi”.
Edhe tarifat e studimit, tashmë, janë bërë publike. Senati Akademik I Universitetit të Tiranës ka vendosur që tarifat për vitin e ri akademik të variojnë nga 25 mijë deri në 40 mijë lekë. Vihet re programet e studimit në profilin shoqëror janë më të kushtueshmet. Fakulteti i Drejtësisë dhe ai i Shkencave Sociale kapin vlerat maksimale, ndërsa Fakulteti I Gjuhëve te Huaja dhe I Shkencave të Natyrës vlerat minimale.
Fakulteti i Ekonomisë me tarifë 35 mijë lek dhe ai i Historisë dhe Filologjisë me 30 mijë lekë janë diku në mes.
Kujtojmë se pas protestës së dhjetorit, me anë të një VKM-je studentët me mesatare nën përfituan përgjysmim tarife, ndërsa ata ekselentët u përjashtuan totalisht nga pagesa e saj. Tarifat e studimit do të paguhen të plota nga studentët me mesatare nën 6./TCh
e.ll./dita
