24 orë sfilitje dhe zhgënjim

anazapta

Të shtunën më dt. 12 prill, atë ditë, kur në Tiranë një grup njerëzish protestonin për torturat vdekjeprurëse të gardianëve grekë mbi të burgosurin shqiptar, Ilia Kareli (Kudret Kume), policët grekë në Kakavi, gjetën rastin të “përgjigjeshin” në mënyrën e tyre të zakonshme çnjerëzore mbi një grup nxënësish të vegjël të shkollës jo publike  “Internacional” e qytetit të Vlorës, me president Kristo Selenica, që një pjesë të jetës së tij e ka kaluar si emigrant në Greqi, të cilën ai e quan edhe si atdheun e tij të dytë, sepse shkoi si një djal i ri beqar dhe u kthye që andej me dy fëmijë. Duke qenë kështu, kjo shkollë shpesh është bërë edhe qendër e ngrohtë e disa veprimtarive të ambasadës greke për raste të veçanta.

Por nxënësit përjetuan para disa ditësh në kufirin grek, atë që nuk e prisnin dhe as nuk e kishin parë; brutalitetin e disa policëve, që me siguri nuk e nderon shtetin grek. Ata ishin nisur për një ekskursion mësimor në Janinë. Pesë prej tyre “ndëshkuan” gjithë grupin e nxënësve, sepse në pasaportën e tyre shkruhej vendlindja “GREQI” dhe sipas policëve grekë, ndoshta hakmarrës për atë ç´po ndodhte në Tiranë, këta fëmijë të shoqëruar me mësuesit e tyre dhe me vetë presidentin e shkollës, të pajisur me pasaporta nderkombëtare, përbënin “shkelje të rrezikshme të ligjeve greke” !

Presidenti i shkollës arriti të lidhej edhe me zv.ambasadorin grek në Tiranë, por, as pas ndërhyrjes së tij dhe të konsullit grek në Gjirokastër, policët nuk e lejuan vazhdimin e udhëtimit të nxënësve.

Kaluan gati pesë orë, kur pesë nxënësit me vendlindje greke do kishin arritur afër Gjirokastës duke u kthyer për në Vlorë, kur policët grekë, ndofta nga ndërhyrjet e shumta, ose pasi u kënaqën nga sadizmi i tyre, e ngritën trarin e kufirit. Pas një kohe, erdhën dhe u bashkuan me grupin edhe pesë “shkelësit” e ligjeve greke. Kish kaluar tashmë ora 12.00 e drekës.

Por peripecitë nuk kishin mbaruar. Në kthim, rreth orës 23.00 të natës, policët grekë të këtij turni, “zbuluan” që në pasaportat e këtyre pesë “shkelësve”mungonte vula e hyrjes. Gjithë ajo ditë dhe ajo natë e nxënësve dhe mësuesve të “Internacional” të Vlorës kaloi nën kënaqësinë sadiste të policëve grekë në Kakavijë.

Rreth orës gjashtë të mëngjesit tjetër, të mezipritur nga prindërit shumë të shqetësuar dhe me mallkimin për udhëtimin që bën në tokën greke, ata, të zhgënjyer dhe të cfilitur u kthyen në shtëpitë e tyre.

 

Letër e nënshkruar

Petro Stogoi, Vlorë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *