“Fiqtë” e politikës

anazapta

Njomëzaku i Berishajve, si e quajnë shkurt, Zeni, ia kujtoi ministrit të tashëm Veliaj se, si pak kush tjetër, ishte rritur duke shitur fiq dhe se, ai Zeni, i rritur në një traversë të lartë politike, sidozot kushërinjtë e tij, nuk ishte martuar kurrë me një kushërirë. Pse iu desh njomëzakut të padiste veten, si në fabulat e largëta të fëmijërisë, askush nuk e di; ndoshta as ai vetë dhe aq më pak babai i tij, i cili, i njohur për replikat, të paktën do i kishte thënë, “mos u bëj budalla”, lëre këtë punë se nuk është për ty.

Nuk më ka interesuar kurrë se me kë është martuar herën e parë njomëzaku i Berishajve dhe as nuk do më interesojë se me cilën do të martohet herën e dytë. Më ka interesuar vetëm fakti pse babai i tij, i njohur si një revolucionar i devotshëm, jo papritur u martua me një vajzë, Sllobodanka, më pas Lirie, gjysma e së cilës ishte serbo-malazeze dhe për më tepër me dy këmbët në strukturat e larta të KOS, shërbimi i fshehtë ushtarak serb; dhe pse i biri, martesën e parë e bëri me të bijën e një njeriu që kishte të dyja këmbët e lidhura me oficerët e lartë të UDB-së, të cilët e kishin ndihmuar në të gjithë jetën e tij. Kur, më pas, kjo alternohet edhe me vajzat brenda fisit, ose çfarë është më e keqja, ku je në besë, mik shtëpie dhe i pritur si një gjysmë perëndie, është pak i rëndë abuzimi i dyfishtë; fillimisht martesa e më pas braktisja.

Por më e rëndësishme se kjo është diçka tjetër:

Veliaj, kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, në të vërtetë i rritur jetim, mund të ketë shitur fiq, mund të ketë qenë edhe në rrugët e qyteteve duke kërkuar punë të çfarëdoshme, pasi vetë jeta e ka detyruar për këtë. Kjo nuk e turpëron atë, kjo i bën nder atij. Pa e ditur ende këtë fakt, figura politike e Veliajt më është dukur e ftohtë, disi e jashtme, dhe ky është nga ata rastet kur nuk duhet ngutur për të formësuar një mendim për një figurë politike.

Që njomëzaku i Berishajve është rritur krejtësisht tjetër, edhe kjo dihet. Nuk e ka ndjerë diktaturën, në të vërtetë ka ndjerë dëshpërimin e babait të tij pse kjo diktaturë nuk po e bënte pjesë të saj; nuk i ka ndjerë mangësitë, megjithëse i ati nuk kishte ndonjë privilegj të veçantë; dhe kur kishin ditën, i morën të tjerëve dritën.

Jam plotësisht i bindur se për këdo është më mirë të shkosh pas një njeriu që shet fiq, qoftë edhe me hile, se sa pas një njeriu që shet predha dhe hedh në erë një fshat të tërë. Është më mirë të shkosh pas një njeriu që mund të ketë bërë ndonjë mëkat rinor, dhe unë nuk e di përse mund të jemi në një mendje, se sa pas një njeriu që , pasi dërgoi si qehaja burrin e tezes, shikoi pa ndjerë dhimbje varrimet masive të 26 vetëve, e më pas dërgoi sekserët për të blerë gjakun.

Është më mirë që, ashtu mundimshëm, me frutin e punës tënde të ndjekësh shkollat prestigjioze të botës dhe të ndjehesh i lirë; se sa të bllokosh proçese të rëndësishme të vendit tënd, thjeshtë duke matur se sa larg shkon përfitimi yt. “Fiqtë” e Berishës, së madh dhe të vogël, nuk mund të krahasohen me asgjë tjetër, veçse me veten. “Atdhetarët” e përlotur berishianë, edhe një linjë të fuqishme e cila do të lidhte Shqipërinë dhe Kosovën në një njësi të vetme energjitike, e përvëluan, sepse pas saj qëndronin interesat e një serbo-boshnjaku, si ishte Fazlliq. Tani, njerëzit e rënduar jetësisht nga Fazlliqi përloten, ndërsa miku i shtëpisë së tij, Berisha, si mburrej në parlament, hesht dhe nuk bëzan për krimet e mëdha financiare që i janë bërë këtij vendi përmes një miqësie serbo-malazeze-boshnjake. Miku i tij, Fazlliqi, që ishte edhe miku i ngushtë i së bijës, i të birit, i të gjeturit politikisht, Bashës, ka lënë pas vetes “fiq” që nuk mund të tjetërsohen nga llomotitjet e njomëzakut, Berisha.

Ky është shembulli që desha të sjell në fillim: E rëndësishmja për jetën e shqiptarëve nuk është në se një njeri i politikës ka shitur në fëmijëri fiq apo mollë; kjo ndodh në çdo vend të botës; e po ashtu nuk është e rëndësishme në se ka hequr në jetë, por çka bërë për të hequr një pjesë të dhimbjes së të tjerëve.

Në politikën shqiptare, për fat të keq, mendja është larguar. Vendin e saj e kanë zënë “fiqtë” e dallkaukllëkut; në parlamentin e parë, megjithëse në një kohë ireale, mund të ndjeheshe i qetë pasi ende parullat për liri e demokraci ishin të shumëpritura; ende mund të besoje se kishte në atë sallë figura njerëzore që mund të bënin për të tjerët, e përmes tyre, edhe për vendin.

Në shumicën e rasteve kishte qenë një pritje e kotë. Ajo fillesë u bë befas rëndimi më i madh për të gjithë të tjerët. Në fakt, duam apo nuk duam, u bë vatra e njerëzve të pasur, të cilët ishin bërë të tillë përmes mbështetjes politike, dhe kur e panë se kjo nuk ishte e mjaftueshme, u bënë edhe vetë pjesë e saj. ndoshta sot për sot, pas sistemit gjyqësor, që është vajmedet, institucioni më pak i besueshëm është ai që duhet të ishte tempulli i besimit, parlamenti.

Përse ndodh kjo?

Nuk është i gjithë faji i Berishës. Ai është shkaktari i madh, por jo i vetmi. Ai është fillimi i një përplasje të egër, e cila, në çdo vend të botës do të kishte mbyllur çdo derë parlamentare, është njëkohësisht edhe gjakimi i politikës për të ruajtur edhe pak ditë pushtetin për bijtë dhe bijat e tij. “Fiqtë e Veliajt” mund të të pëlqejnë ose jo, por ato që hodhi Berisha shef qeverie në 21 janar ishin lajmëtare të vdekjeve.

Dhe ky parlament hesht. Atij i mjafton që të vazhdojë kjo gjendje amullie, ku të parët shajnë të fundmit dhe të fundmit qeshin me të parët, por askush nuk ndëshkohet. Askush nuk mban përgjegjësi. Parlamentarët tallen me njerëzit, ata kanë “fiqtë” e tyre, dhe e dinë se në se nuk do të talleshin, nuk do të përfitonin asgjë tjetër veçse lëkurët e fiqve. Por, shumë prej tyre, duan të tërën, jo vetëm “fiqtë”, por edhe shportën ku janë ato. Dhe pastaj shikoni se si lulëzojnë këto “shporta” në vila luksi, në pallate pushimi buzë deti, në resorte ekzotike, në miliona euro të zhdukura në parajsat fiskale, në dyqanet e shtrenjta për të dashurat, në udhëtimet e pafund turistike, në dhuratat e pazakonta.

“Fiqtë” e politikës janë e keqja jonë e madhe, dhe mos ndëshkimi i tyre është fatkeqësia jonë.

Njomëzaku i Berishës foli për fiqtë. Në Shkodër, ndoshta edhe diku tjetër, për fiqtë e papjekur ka një fjalë të veçantë. Kakareçë. Ndoshta fjala më e gjetur për një njeri të tillë, ku edhe kakofonia e fjalës përcjell mesazhin.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *