Shtyhet afati për kthimin dhe kompensimin e pronave edhe për 6 muaj

redaktor
Ministri i Drejtesise Nasip Naco dhe Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato, gjate nje inspektimi ne ambientet e Agjencise se Kthimit dhe Kompensimit te Pronave, ne Tirane.

Këshilli i Ministrave ka kërkuar dje më shumë kohë për skemën e re për kthimin dhe kompensimin e pronave, duke shtyrë me 6 muaj afatin e ligjit ekzistues dhe të funksionimit të AKKP-së.

Zyrtarisht afati përfundonte më 30 prill, por për shkak të konsultave që po zhvillohen me Këshillin e Europës, është gjykuar që të merren edhe 6 muaj kohë. Vitin e kaluar, qeveria miratoi shtyrjen me 1 vit të afatit për kthimin dhe kompensimin e pronave, me qëllim që të punohej për shqyrtimin e dosjeve të depozituara në AKKP dhe për hartimin e draftit ligjor që i jep zgjidhje përfundimtare çështjes së kompensimit të pronarëve.

Përgjatë një viti, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë zhvilluar një proces intensiv konsultash, duke arritur në një draft-ligj të ri, që parashikon formulën e re të kompensimit.

Megjithatë, në relacionin e ligjit evidentohet se kërkesa për këtë shtyrje vjen në kushtet kur kuadri ligjor për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave është duke u rishikuar.

Në këtë mënyrë, duket se është shmangur ngërçi që mund të krijohej me çështjet e pronësisë në kushtet kur ligjit të ri dhe afatit të AKKP-së ditën e sotme u ka mbaruar afati dhe kur ligji i ri dhe transformimi i AKKP-së në Agjencinë e Fondit të Tokës nuk është miratuar ende.

Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë më shumë se 8 mijë dosje që duhen shqyrtuar. Ligji i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave do të parashikojë një mekanizëm të ri financiar për kompensimin e pronarëve.

Skema e re pritet të krijojë mundësi kompensimi njëherësh për të gjithë pronarët, pasi skema e mëparshme është vlerësuar si skemë që shkel të drejtat e njeriut nga Gjykata e Strasburgut. Çështja e pronësisë në Shqipëri është kthyer në një problematikë serioze për vendin.

Përballë pronarëve që i drejtohen gjithnjë e më shumë Strasburgut, gjykata i ka dhënë një vit kohë shtetit shqiptar që të gjejë një skemë të re, në mënyrë që të shmanget publikimi i vendimeve që do të sillnin si rezultat deri falimentimin e shtetit shqiptar.

Mësohet se skema e re e kompensimit të pronarëve mund të miratohet në vjeshtën e këtij viti.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *