SHËNIM: Gjyqësori mes pajës dhe reformës

anazapta

Rrallë ndonjëherë kanë folur më hapur dhe më vrazhdë faktorët e interesuar ndërkombëtarë për reformën shqiptare të drejtësisë, sesa në forumin e djeshëm për ndryshimet kushtetuese. Është e qartë se këto ndryshime janë të pashmangshme, nëse shpresojmë vërtet për një ringjallje reale të drejtësisë. Doli po ashtu e qartë se më shumë nga çdo faktor i brendshëm (me përjashtim të opinionit publik dhe popullit të thjeshtë, që këtu s’para vihet në kandar), të interesuar për shkërmoqjen reale të gjendjes së sotme në gjykata e prokurori janë ambasadorët e përfaqësuesit e BE-SHBA. Ndërsa tanët përgjithësisht flasin me arra në gojë.

Dhe ja një zgjidhje prej Damokleu që dha dje kreu i misionit EURALIUS në Tiranë, Deville: “E vetmja zgjidhje për frenimin e korrupsionit në drejtësi është shkarkimi i 400 gjyqtarëve dhe 400 prokurorëve”! Nuk mund të thuash se ky mision që ka vite e vite në Shqipëri, nuk e njeh situatën. E kur një ekspert i fushës flet me të njëjtën gjuhë që shqiptari i zakonshëm e ka përdorur sa herë në komentet online po aq sa në rrugë e tavolina kafeje, gjasat janë që pilafi seriozisht nuk mban në ujë.

Znj. Vllahutin, shefja kroate e delegacionit të BE-së në Tiranë e tha gjithashtu hapur: “Si ka mundësi që të gjithë gjyqtarët janë martuar me gra të pasura që figurojnë me miliona euro pasuri, të cilën rroga e gjyqtarit nuk e justifikon kurrsesi?” Vërtet, sa me fat qëllojnë pikërisht gjyqtarët e prokurorët kur vjen puna tek paja e gruas? Edhe pa përmendur emra, kuptohet qartë që Vllahutin e ka këtë kunj për një kategori gjyqtarësh ku patjetër bën pjesë anëtari i KLD-së Gjin Gjoni, rasti mediatik i të cilit nuk lë hapësirë për keqkuptime. Për të mos thënë se etaloni i ambasadores është ai.

Nuk është blasfemi, nga ana tjetër, të thuash se trupa gjyqësore vepron si korporatë sa herë që i preken interesat, përflitet apo i afrohen re kërcënuese. Dalin përfaqësues ‘sindikalë’ të gjyqësorit dhe deklarojnë: “Nuk mund të futen të gjithë në një thes”, “ka mes nesh edhe të korruptuar, por kështu demoralizohet gjithë pjesa e shëndoshë e jonë”, “të flitet me emra, jo me përgjithësime” etj. Dhe kur dalin emra, gjyqtarët mbrojnë dhe pafajësojnë njëri-tjetrin në masë dërrmuese. Bile vini re, në mënyrë të atillë që as parlamenti nuk e bën për anëtarët e vet, paçka se nevoja për dekriminalizim të Kuvendit është urgjente dhe është duke ndodhur.

Në këtë pikë, edhe sikur ndryshimet kushtetuese të kryhen, kompetencat e presidentit apo ministrit të Drejtësisë të ndryshojnë, formatimi dhe organizimi i gjyqësorit të përmbyset… etj, janë disa pikëpyetje që e vënë në dyshim cilësinë e reformës në drejtësi. Duke marrë rastin konkret të Gjin Gjonit, dhe duke e pranuar të mirëqenë që dëshira e kreut të EURALIUS (dhe jo vetëm e tij) zor se do realizohet për një largim total; si do filtrohen gjyqtarët ekzistues, si në aspektin e pasurisë ashtu dhe të cilësisë së punës? Sipas reformës, propozohet një dispozitë e re kushtetuese dhe rregullimi me ligj të veçantë, të një strukture të specializuar antikorrupsion (SPAK), me polici gjyqësore, prokurori dhe gjykata të shkallës së parë dhe të apelit. A do arrijë kjo strukturë, edhe sikur të jetë përbërë nga individë tërësisht të pastër dhe profesionistë, të filtrojë gjithë trupën e drejtësisë?

Nëse Gjin Gjoni për shembull, përjashtohet nga sistemi, a do kthehen për rishqyrtim të gjitha dosjet e tij, teksa ai vetë ka thënë në një intervistë “elokuente” me një shqipe të turpshme, se apelimi gjithnjë ka vërtetuar vendimet e tij? A parashikon reforma vazhdimin e padisë së një gjyqtari të shkarkuar deri në Strasburg; a do vazhdojë Gjin Gjoni detyrën ndërkohë?

Nga ana tjetër, kur verifikohen shkelje gjyqtarët e prokurorët do marrin procedim disiplinor në dy shkallë gjykimi, para Këshillit Gjyqësor brenda KLD-së (shkalla e parë) dhe para Tribunalit Disiplinor (shkalla e dytë). Tribunali Disiplinor do të jetë një organ ad hoc i përbërë nga anëtarë dhe zëvendës anëtarë (gjyqtarë aktiv shumica dhe jogjyqtarë pakica). A nuk do jenë këta gjykatës të gjykatësve, të zgjedhur nga kolegët e tyre, psh Gjin Gjoni?

Duket sikur këto pyetje u drejtohen ambasadorëve të huaj që “guxojnë të shprehen kaq ashpër” pa pasur përgjigje të qarta… por janë për ne. Dashamirës ose jo, të sinqertë apo diplomatikë, ata venë e vijnë nga Tirana sipas mandatit dhe detyrës. Ndonjëherë edhe duke bashkëudhëtuar me gjyqtarë si Gjin Gjoni në të njëjtin business class. Falë pajës së majme të bashkëshorteve. Ne skeptikët, mbetemi këtu…/DITA

Share This Article
1 Comment
  • Gjini eshte simboli korrupsionit nje jurist 6 mujor i plepave Durres u be multimilioner e mulktiaksioner ne shum mega biznese. Po seshte vetem ky jan me qindra te tille shihni shtepite e tyre makinat e tyre shkollimet qe u bejne femijet kurimet qe bejne e llogarite bankare te modernizuara ne emra te tjere.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *