Mbrëmjen e së mërkurës, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u çel edicion i 16-të i ekspozitës së pikturës të grupit të artistëve të quajtur “Nëntori 16”. Në këtë ekspozitë janë paraqitur 25 autorë me 50 vepra në zhanre të ndryshme të pikturës si kavaletat, kompozime, portrete, peizazhe e natyra të qeta. Kuratori i kësaj ekspozite, Aleksandër Filipi, në fjalën e tij të hapjes tha se në këtë grup marrin pjesë artistë të të gjithë brezave, por që kanë të përbashkët pasionin për pikturën dhe përpjekjet profesionale për të realizuar vepra me nivel sa më të lartë artistik, frymë sa më bashkëkohore dhe duke folur secili me individualitete sa më të spikatura. Përballja me opinionin rrit përkushtimin dhe përgjegjësinë profesionale dhe ndoshta sepse kjo përligj prezencën e tij në shoqëri dhe asnjë prej nesh nuk i bën dot ballë këtij tundimi që nuk njeh moshë dhe sido që të jetë gjendja shëndetësore apo fizike e tij.
“E vetmja gjë që artistët kanë në dorë është përpjekja me përkushtim për të realizuar veprën që ajo të ketë sa më shumë impakt emocional te njerëzit, çdo gjë varet nga interesi dhe vëmendja e shoqërisë duke e bërë këtë marrëdhënie shumë të rëndësishme për zhvillimin e artit”, pohoi Filipi. Ne e shkëputëm atë për të mësuar më shumë rreth kësaj tradite që vazhdon prej çerek shekulli, po ashtu edhe për të kuptuar më shumë për artin e pikturës në vendin tonë.
Z. Filipi, një ekspozitë tradite është hapur për të 16 vitin radhazi në ambientet e Muzeut. Këtë vit ju jeni kurator i saj, na tregoni diçka më shumë.
“Nëntori 16” e ka marrë këtë emër sepse është viti 16 që realizohet. Është një grup piktorësh që kanë në platformën e vet realizimin e veprave në gjininë e pikturës së kavaletit, me pretendimin që secili të flasë në mënyrë individuale, të lirë sa i përket tematikës dhe konceptit, por me synimin që piktura të jetë sa më bashkëkohore. Sivjet marrin pjesë rreth 25 autorë dhe janë të njëjtit që marrin pjesë çdo vit. Në përbërje ka disa gjenerata, duke filluar nga piktorët me moshë të thyer si Vilson Filica, zef Shoshi, Ksenofon Dilo, ndërsa shumicën e përbën ky që quhet brezi i mesëm, por ka dhe të rinj që prezantojnë veprat e tyre, shijet e tyre, perceptimet e tyre. Unë vetëm kam marrë pjesë për herë të parë në vitin 2003, kur erdha nga jashtë dhe më ftuan në këtë grup. Këto vite jam paraqitur me tablo dhe jam munduar që çdo vit të paraqitem sa më i veçantë dhe me individualitetin tim krijues. Temat përbëjnë fenomene dhe problematika të ndryshme të bashkëkohësisë. Megjithëse bëhet fjalë për një pikturë që vazhdon në traditën e pikturës së kavaletat, ka prurje nga ato që janë të rëndësishme që përbëjnë historinë e artit.
Kjo është një mundësi e mirë edhe për piktorët e rinj që të jenë pjesë e saj?
Pa diskutim që po. Unë mendoj se të rinjtë kanë një përballje me piktorë më të vjetër dhe me më eksperiencë dhe kjo për ta është sa privilegj, edhe përgjegjësi. Ajo që ata sjellin është interesante, ka frymë bashkëkohore dhe përgjegjësi krijuese. Piktura është shumë e vështirë dhe kërkon një përkushtim shumë të madh, do gjithë jetën ta harxhosh me të dhe nuk është një rrugë e thjeshtë. Ai që e merr parasysh të merret me këtë punë duhet ta marrë parasysh edhe sakrificën që duhet të bëjë.
Ju vetë, me cilat piktura keni marrë pjesë?
Unë kam vendosur të marr pjesë me dy tablo me motive urbane. Në përgjithësi krijimtaria ime është e një subjekti tjetër dhe me karakter të sintezave filozofike, kurse këtë herë mora dy motive të thjeshta. Por dhe këtu kam shfaqur atë dualitetin tim. Në të parën bëhet fjalë për një gajdexhi që është brenda një kuadrati të fokusuar dhe njerëz të padukshëm që kalojnë përballë tij. Është një raport i fenomenit të mungesës së vëmendjes së njerëzve ndaj traditës. Por duke qenë një fëmijë që e shikon për shkak të kuriozitetit nënkupton edhe shpresën për të ardhmen se do të ketë më shumë vëmendje ndaj traditës. Po kështu dhe për të dytën, me këtë vajzën që ka një trëndafil në dorë dhe që simbolizon artin dhe që s’ka asgjë tjetër në dorë për t’u afruar njerëzve veç të bukurës. Artisti këtë ka në dorë, të realizojë veprën me përkushtim duke pasur në qëllimin e vet të bukurën që është misioni i artit. Për ekuivalencë të kësaj vlere duhet të jetë vëmendja e shoqërisë. Atëherë krijohet një raport më i drejtë në shoqëri.
Ju ndieni një mungesë vëmendjeje ndaj pikturës në përgjithësi?
Njerëzit në rutinën e ditës në luftën për mbijetesë natyrisht kanë nevojë për një vëmendje. Për hir të realitetit duhet thënë se ka shumë dashamirës ndaj pikturës. Por edhe pse jemi kështu siç jemi, duhet patjetër të ketë më shumë vëmendje. Një artist që ka vëmendje rrit më shumë ndjenjën e përgjegjësisë për të bërë vepra të mira.
Keni në plan për të hapur ndonjë ekspozitë personale?
Për momentin nuk kam në plan të hap një ekspozitë personale, por kemi menduar të bëjmë një ekspozitë të përbashkët. Jemi tre autorë që kemi rënë dakord dhe do ta hapim në një nga sallat e Galerisë së Arteve. Veç meje është Besim Tula dhe Gazmend Leka. Jemi duke biseduar për formën e organizimit.
16 vite traditë
Ekspozimi është motivim për çdo krijues, ndaj ky grup artistësh, 16 vjet më parë vendosën të hapnin një ekspozitë të përbashkët ku sillnin punimet e tyre më të mira. E titulluan “Nëntori”, me idenë fillestare që ekspozita të kthehej në një traditë të përvitshme për publikun. Dhe ashtu ndodhi. Vit pas viti, punët më të mira të tyre në pikturë ekspozohen për publikun. Organizatorët do të kishin dashur t’i qëndronin besnikë nëntorit, por rrugëtimi i tyre për të ardhur çdo vit para publikut nuk ka qenë i lehtë. Ndoshta sepse piktura konsiderohet si “e dalë jashtë mode”. Fatkeqësisht, edhe nga institucionet e rëndësishme të arteve pamore. “E vetmja gjë që ne artistët kemi në dorë është përpjekja me përkushtim që vepra të ketë sa më shumë impakt tek njerëzit. Çdo gjë tjetër varet nga interesi dhe vëmendja e shoqërisë, duke e bërë këtë marrëdhënie shumë të rëndësishme për zhvillimin e artit”, shprehet kuratori Aleksandër Filipi. Dhe me sa duket, këta artistë ia kanë arritur qëllimit, të paktën deri tani. Me përpjekje dhe përkushtim vijnë para publikut në edicionin e 16-të të kësaj ekspozite që u çel të mërkurën në Muzeun Historik Kombëtar. Ishin të shumtë vizitorët në ceremoninë e hapjes, mes tyre dhe ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi.