Në seancën e fundit parlamentare, Sadije Berisha u bë subjekt replikash mes Sali Berishës dhe Erjon Veliajt.
Pas publikimit të këtyre replikave ajo ka hedhur në anglisht, një thirrje drejtuar “të gjitha palëve” përmes faqes së saj në Facebook.
Sadija u martua me djalin e ish-kryeministrit shqiptar pas strehimit të tij në familjen e saj në Suedi gjatë trazirave të 97-s.
Ai është babai i dy prej fëmijëve të saj.
Martesa e tyre u përfol shpesh jo vetëm për diferencën e moshës por edhe për lidhjen e gjakut mes dy familjeve Berisha.
Divorci ende jozyrtar dhe jeta paralele e djalit të Berishës së fundmi përfundoi pashmangshmërisht në konfliktin e egër politik të Tiranës.
Por kjo është hera e parë që nusja e debatuar e Berishës kërkon me tone të ashpra që të mos përmendet më as nga ata që “janë në pushtet, as nga ata që duan të vijnë në pushtet”.
“Tani në Shqipëri ka zgjedhje, dhe unë e di nga përvojat e mëparshme se kjo nënkupton shumë hedhje balte. Por uroj (sigurisht kjo është thjesht dëshira ime) që si burra të rritur, të edukuar dhe të fortë që janë, politikanët e të dyja krahëve të arrijnë, të paktën një herë, të përqëndrohen në atë ç’ka është më e mira për njerëzit dhe vendin ku jetojnë! Në vend që të sillen si deri tani, si gra thashethemexhesha duke përhapur zëra të pabazuara dhe pa asnjë fakt, që dëmtojnë fëmijë të pafajshëm dhe familjet e tyre. Unë kam dy pyetje për këta “Burra” të fuqishëm: Si ju zë gjumi natën kur merreni me këto gjëra? A ju bën të ndiheni krenarë sjellja si gra grindavece, në vend të Burrave që përfaqësojnë vendin e tyre?
Unë nuk kam absolutisht asnjë thashethem për të përhapur mbi ju, sepse Nuk ju njoh personalisht, dhe refuzoj t’ju gjykoj vetëm mbi zëra. Dhe nuk mbaj asnjë anë, por Zot i madh, nuk besoj se kam ofenduar ndonjëherë ndonjërin prej jush. Nëse e kam bërë diku, ju lutem pranoni ndjesën time, se nuk e kam patur kurrë me dashje. Fat të mbarë në zgjedhjet e ardhshme! Por lutjet e mia shkojnë për popullin që vuan varfërinë dhe papunësinë, teksa Burrat në pushtet, apo që duan të vijnë në pushtet, e kalojnë kohën me llogje të ulëta”.
Historia e një lidhjeje të përfolur
Sadija është vajza e Hasan Berishës, e cila bashkë me të ëmën dhe një motër për disa vite jetuan në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo u martua me një shqiptar dhe nga martesa e parë pati dy fëmijë binjakë, Muratin dhe Muradien.
Në vitin 1989, bashkë me të atin, nënën, motrën dhe dy fëmijët, ajo rikthehet në Suedi, në Stokholm.
Në kohën që Shkëlzeni shkoi te miqtë e të atit në Suedi, në vitin 1997, Sadija bashkëjetonte me prindërit dhe me dy fëmijët e saj.
Edhe pse në moshë më të madhe, Sadija atëherë ishte 30 vjeçe, u lidh me 22-vjeçarin Berisha. Lindën edhe dy fëmijë, Medinën dhe Lajdonin. Siç raportonte media në fillim të viteve 2000, më në fund Sali Berisha vendosi ta pranojë lidhjen e të birit me një grua më të madhe në moshë dhe mbi të gjitha me lidhje farefisnore. Por ai do ta braktiste atë për t’u hedhur në krahët e Armina Mevlanit, një vajze këtë herë më e re se ai.
Ka patur shpesh debat nëse jeta private e tyre duhej bërë temë debati publik.
Në analizën e djeshme në DITA, të autorit Bedri Islami, ai pohon se Hasan Berisha ishte një njeri “që kishte të dyja këmbët e lidhura me oficerët e lartë të UDB-së, të cilët e kishin ndihmuar në të gjithë jetën e tij”.
Në këtë prizëm, Islami komenton se publikut duhet t’i interesojë më shumë fakti që të dyja familjet kanë të shkuar tejet të dyshimtë (në rastin e dytë me pasoja të rënda për vendin) se historitë rozë mes tyre.


